Qetësoni dhimbjet e kokës me çajin e rigonit
Të gjithë i njohin vlerat e rigonit në gatim. Por përveç shijes aq të mirë që u jep ushqimeve, mrekulli bën kjo bimë edhe në mjekësinë popullore. Kjo erëz aq e njohur në çdo kuzhinë shqiptare, ndihmon në lehtësimin dhe parandalimin e shumë sëmundjeve. Si shumë bimë të tjera edhe çaji i përgatitur me degët e rigonit të njomë jep rezultate të menjëhershme në rastet e dhimbjeve të kokës me prejardhje nervore. Një gotë çaj do të sillte qetësinë që ju mundonte prej kohësh. Çaji i kësaj bime ndihmon edhe në rastet kur aparati tretës nuk e kryen mirë funksionin e tij, kur ka vështirësi në tretjen e ushqimit. Për të lehtësuar organizmin nga ushqimi i tepërt këshillohet të pihet menjëherë një gotë nga çaji i rigonit. Në këtë mënyrë do të ndiheni më mirë dhe më të lehtë gjatë lëvizjeve.
Çaji i rigonit
Vetitë e rigonit në kurimin e sëmundjeve e kanë bazën te përbërësit e tij. Kjo bimë është e pasur me vaj kariofilenë, timolo, karvarkrolo dhe terpininë. Janë pikërisht këta komponentë, që i japin bimës vlera. Çaji i rigonit ka aftësi antispastike, për këtë arsye përdoret edhe në trajtimet e shqetësimeve dhe dhimbjeve të barkut, që mund të shkaktohen nga faktorë të ndryshëm. Çaji përdoret edhe kur shkaktare është ftohja dhe dhimbjet shoqërohen me fryrje të barkut. Në këto raste mund të pihet çaji i rigonit, ose mund të shoqërohet bima e grimcuar me ushqim. Për të sëmurët, që vuajnë nga gurët në tëmth, mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e 2 deri 3 gotave në ditë të këtij çaji. Mjekët këshillojnë që një gotë të pihet herët në mëngjes, kur nuk keni ngrënë ende mëngjes, pasi jep efekte të jashtëzakonshme në shkrirjen e gurëve. Gjithashtu, rigoni është mjaft i mirë edhe për parandalimin e sëmundjeve të mëlçisë. Të sëmurët nga mëlçia duhet të pinë çdo mëngjes dhe mbrëmje çaj rigoni të pa ëmbëlsuar. Shumë shpejt do të shohin efektet pozitive që ai jep. Një ndihmesë të madhe jep çaji i rigonit edhe në çrregullimet, që shfaqen nga parazitët ose mikroorganizmat, të cilët mund të shkaktojnë tretje të ushqimit me vështirësi, të shoqëruara me grumbullimin gazesh, acarim të mbulesës mukoze të zorrës, të shoqëruar me dalje jashtë të shpeshta ose me heqje barku.
Çrregullimet
Këto çrregullime mund të shkojnë deri në diarre. Për të lehtësuar këtë fenomen, mjekët këshillojnë që çaji të pihet disa herë gjatë ditës, në mënyrë që problemi të eliminohet më shpejt. Edhe në rastet kur njerëzit vuajnë nga kapsllëku, i cili shoqërohet me dhembje të anës së majtë ose të djathtë të barkut, mjekët popullorë rekomandojnë çajin e rigonit. Ata këshillojnë pirjen e 4 gotave çaji në ditë. Një tjetër veti kuruese e rigonit është se lëngu i tij përdoret si kundër parazit. Me të spërkatet vendi, në të cilin ndodhen parazitët. Pjesa që ndihmon në kurimin e sëmundjeve është e gjithë bima, por mund të përdoren edhe gjethet e saj, të mbledhura gjatë kohës së lulëzimit nga qershori deri në shtator. Gjethet të jenë tharë në mjedis të mbyllur dhe të jenë grimcuar, pasi në këtë mënyrë vlerat e bimës nuk humbasin. Gjatë mbledhjes duhet pasur kujdes, pasi bima rritet e fshehur mes ferrave dhe pyjeve.
Çaji
Për përgatitjen e çajit të rigonit nevojitet një litër ujë i ftohtë dhe në të vendosen 40 gramë nga bima në lulëzim. Zihen për 10 minuta, më pas kullohet lëngu dhe pihet i pa ëmbëlsuar, për të parandaluar dhe qetësuar sëmundje të ndryshme.
Bima
Bima aromatike shpesh është me nuancë të kuqe të dobët. Gjethet i ka të holla dhe në formë vezake. Kërcelli i rigonit ka gjithmonë ngjyrë të gjelbër. Bima lulëzon nga muaji qershor deri në shtator dhe ka një lartësi deri në 15 centimetra. Gjendet në ferra e pyje.
Paketë këshillash
Për përgatitjen e çajit është mirë të përdoret bima e njomë e rigonit.
Edhe gjethet e thara në hije të bimës shërbejnë për kurimin e sëmundjeve.
Në rastet kur keni probleme me tretjen, pini një gotë me çajin e bimës.
Përdoreni erzën në ushqime. Përveç shijes së mirë parandalon sëmundjet.
Gjatë mbledhjes duhet pasur kujdes, pasi bima rritet e fshehur mes ferrave dhe pyjeve.
Çaji i rigonit ka aftësi antispastike, prandaj përdoret edhe në trajtimet e shqetësimeve dhe dhimbjeve të barkut, që mund të shkaktohen nga faktorë të ndryshëm.
Short URL: http://www.gazetarepublika.al/?p=44988
Krijoni Kontakt