Veshka artificiale: Shkencëtarët arrijnë ta prodhojnë në laborator
16 Prill 2013 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip
Një eksperiment me minj tregoi se është i mundur rigjenerimi i një veshke të vjetër, por sot për sot, efikasiteti i veshkës së krijuar rishtas është shumë i ulët
Një veshkë e “rritur” në laborator është transplantuar te kafshët ku ka filluar të prodhojë urinë, thonë shkencëtarët amerikanë. Teknika të ngjashme ku pjesë të vogla të trupit janë “rritur”, janë përdorur sakaq te njerëzit, por veshka është një nga organet më të komplikuara të realizuara deri tani.
Një studim në gazetën “Nature Medicine”, tregoi se veshkat e krijuara me inxhinieri rezultuan më pak efektive se sa ato natyrore. Por kërkuesit e mjekësisë rigjeneruese thanë se kjo fushë ka potencial të madh.
Veshkat filtrojnë gjakun dhe heqin mbetjet apo ujin e tepërt. Ato janë edhe organet më të kërkuara për transplante ku lista e pritjes është e gjatë.
Vizioni i shkencëtarëve është që të marrin një veshkë të vjetër, t’i heqin të gjitha qelizat e vjetra dhe ta lënë të rigjenerohet. Veshka do të rigjenerohet duke përdorur qeliza burimore të marra nga vetë pacienti.
Kjo do të sjellë dy përfitime të mëdha në krahasim me metodën aktuale të transplantit. Indi është tërësisht në përputhje me trupin e pacientit dhe nuk ka nevojë për të përdorur ilaçe përgjatë së gjithë jetës për të dobësuar sistemin imunitar me qëllim parandalimin e refuzimit të veshkës nga trupi.
Teknika mundet gjithashtu të rrisë me shpejtësi numrin e organeve të disponueshme për transplante. Shumica e organeve që ofrohen për dhurim, aktualisht refuzohen, por ata mund të përdoren si bazë për krijimin e të rejave.
Kërkuesit te Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit kanë hedhur hapin e parë drejt krijimit të veshkave të para të inxhinjeruara. Ata morën veshka minjsh dhe përdorën një detergjent për ta pastruar nga qelizat e vjetra. Rrjeti i proteinave që mbeti, ose skeleti, duket njësoj si një veshkë, duke përfshirë edhe një rrjet të gjerë enësh gjaku e kanalesh kullimi.
Rritja e organeve të trupit mund të ngjajë si fantazi, por ka njerëz përreth që jetojnë pikërisht falë këtyre organeve. Në zhvillim i madh ndodhi në vitin 2006 kur fshikëzat e prodhuara nga qelizat e pacientëve u implantuan.
Mjekësia rigjeneruese ka arritur deri më sot të përdorë enë gjaku, lëkurë apo organe të holla si fshikëza, por nuk ka qenë në gjendje të përdorë organe më komplekse si veshkat apo mëlçitë. Vështirësia në këto raste është se këto organe përmbajnë shumë lloje indesh. Megjithatë ka shenja për sukses edhe në këtë drejtim. Janë prodhuar zemra minjsh që rrahin si dhe mushkëri që i kanë mbajtur minjtë gjallë për një periudhë të shkurtër.
Rritja e organeve solide është ende në hapat e para por studime me kafshë kanë hapur një dritare interesante që jep shpresa për të ardhmen.
Në rastin e veshkës së miut, qelizat e duhura u vendosën në pjesët përkatëse të veshkës, e cila u mbajt në një furrë speciale për të imituar kushtet e trupit të miut për 12 ditë.
Kur veshkat u testuan në laborator, ato prodhuan urinë në masën 23 për qind të veshkave natyrore. Skuadra e transplantoi veshkën te një mi. Por sapo u vendos në trup, efektiviteti i veshkës ra në 5 për qind.
Megjithatë, shkencëtari kryesor, dr. Harald Ott, i tha BBC se restaurimi i një fraksioni të vogël të funksioneve normale të një veshke mund të mjaftojë. “Nëse je me hemodializë, atëherë veshkat funksionojnë me 10-15 për qind të kapacitetit normal dhe kaq mjafton për të bërë një jetë më të mirë”.
Potenciali është shumë i madh. Sot vetëm në Shtetet e Bashkuara ka 100 mijë pacientë që presin për veshkë dhe ka vetëm 18 mijë transplante në vit.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/0...-ne-laborator/
Krijoni Kontakt