Lulani e pikturoi “ikjen” e tij
28 Shkurt 2013 | : Kulturë | Autor: Gazeta Shqip
Ormira Lulani, në një rrëfim për të atin, artistin e njohur Ismail Lulani/ Kohët e bukura kur familja jetonte bashkë në Shkodër dhe humbja e tij disa vite më parë…
555796_561949750481957_347416259_n
ismail_1335253847_org
Ismail_Lulani
Ai e quajti Ormira (Orë e mirë) e bindur se vajza me flokët e verdhë që erdhi si fryt i dashurisë së tij me të shoqen do të sillte veç orë të mira në familjen Lulani. Ai e vizatoi për herë të parë portretin e saj kur ishte vetëm 9 muajshe. Në gëzimin e një fëmije që kërkonte të kapte gjithçka, ai ravijëzoi në ngjyra karakterin e saj energjik dhe sikur zbuloi që aty pasionin e saj për pikturën. Ormira do të rritej duke ndjekur vështrimin e tij mbi telajo, duke e parë sesi i jepte jetë aty natyrës, luleve të bukura të kopshtit, apo vështrimit të njerëzve të dashur. Kujtimi i tij ka mbetur ashtu si dikur tek ajo…me një telajo në dorë teksa endet në shtëpinë e madhe në Shkodër, apo teksa bisedon me miq…Ismail Lulani, një nga emrat më të njohur në historinë e pikturës shqiptare vjen sot për lexuesin, përmes një rrëfimi të bërë nga e bija Ormira…
Cilat janë kujtimet që ju çojnë shpesh tek babai?
Kujtimet sillen gjithmonë në formën e vegimeve. Të thjeshta, mbase gjëra fare të vogla në dukje, por ma sjellin gjithnjë pranë, në aromë, në siluetë, në prekje… Çdo gjë në botën time, në qenien time është e lidhur me të, çdo ditë unë jam e rrethuar me punët e tim ati, ambienti im i punës është i mbushur nga pikturat e tij, në shtëpi e njëjta gjë, çdo sekondë ai është pranë meje me një unazë të cilën ma dhuroi kur u diplomova, që asnjëherë s’e kam hequr … Sa hap sytë, gjëja e parë është portreti i tij që shikoj, me një shikim nostalgjik e pyetës, e sjell pranë kafeja e mëngjesit që ime ëmë pi çdo mëngjes, kujtimet rreth tij … E ndiej kudo, me erën e bojërave të vajit, e të terpentinës së fortë, me një muzikë në sfond që vjen nga një radio e vjetër, në erën që fryn që ai e donte, në shiun që bie, në dëborën në majat e maleve që ai e pëlqente aq shumë, në cicërimat e zogjve që i kishim të panumërta në shtëpi, në fërshërimën e gjetheve, në rrugicat e qeta, në motivet fshatare, në siluetat në ikje, kur vështroj një hënë të plotë, një qiell të vrenjtur e surreal, në një muzg cigan apo në një lindje të diellit, në përkundjen e një foshnjeje, në buzëqeshjen e natyrës, tek tymi i shtëpive, në bisedat me një mik të ngushtë, kudo e shoh atë… Kudo unë ndiej praninë e tij … Thjesht, sepse ai jeton çdo ditë me mua.
Cilat janë gjërat më të dashura të mbetura prej tij…?
Im atë është një artist i madh dhe la pas shumë vepra. Vepra është ajo që i reziston kohës, njeriu ikën, trupi i përket tokës, shpirti i përket qiellit, vepra i përket njerëzimit. Dhe artisti jeton në mendjen dhe imagjinatën e brezave, emri i tij gdhendet në tempullin e artit, kjo është prekja që e bën artistin të pavdekshëm, kjo është magjia e artit.
Kështu mendoj se pikturat janë gjërat më të dashura që mbeten nga ai, sepse ato dolën nga duart e tij, nga mendja, shpirti i tij. Aty ti shikon qeshjen, trishtim, mirësinë, përkëdheljen e syve të tij të butë, ai është aty brenda pikturave të tij, e gjen pas një kodre, ku e pres që do shfaqet, i mbështetur tek një mullar, apo te një siluetë me kalë që duket në horizont.
Mjetet e tij të punës, kavaleti, penelat e shumtë, lapsat, pena, syzet, apo një orë e vjetër së cilës i ka ngelur zemreku, pallto e tij që vazhdojnë të jetë në dollap, sipër së cilës një shall i kuq lëshohet pa peshë, oborri me luleborat, portokajtë e limonët të cilat ai i ka mbjellë vetë, ah po, kemi dhe një breshkë që endet në oborr të cilën ai e solli, është rojtarja e vjetër e asaj shtëpie që dikur kishte aq zhurmë, ndërsa tani mbahet vetëm nga kujtimet…
Si ka qenë jeta e familjes suaj në Shkodër?
Im atë u vendos në Shkodër, kur ishte 9 vjeç me familjen e tij. Ato erdhën nga Tuzi i Malit të Zi. Gjyshi im Hasani, një burrë i gjatë dhe i hollë, me gjyshen time Shkurtën, një grua me trup mesatar dhe e mbushur, së bashku me 7 fëmijët e tyre erdhën në Shqipëri në kërkim të një jete më të mirë… Bleu një tokë dhe ndërtoi një shtëpi të bukur e të fortë, me një kopsht të madh, ku i mbodhi gjithë llojet e pemëve, sepse gjyshi im ishte një kopshtar i zoti. Aty u rritën djemtë e vajzat e familjes Lulani dhe u ushqyen me shumë dashuri. Kishte shumë ngrohtësi ajo shtëpi. Po të mbyll sytë e të kthehem prapa në kujtime, gjithnjë më shfaqet një shtëpi e zhurmshme, plot me njerëz, të gjithë të mbledhur në dhomën e vogël pranë oxhakut, duke dëgjuar historitë e shumta mbi gojëdhënat shqiptare, duke pjekur gështenja. Im atë që bënte portretet e të gjithëve me radhë, fëmijë që qeshnin dhe luanin me njëri-tjetrin, dhe në një kënd gjyshja ime e mirë Shkurte, që këndonte ndonjë këngë nashke (sllavishte e vjetër) me zë të ulët dhe hallat e mia që e shoqëronin. Mbaj mend figurën e gjyshit tim pak i kërrusur që trazonte me mashë zjarrin, i qetë dhe gjithnjë i ikur në kujtime. Shumë miq ka pritur e përcjellë ajo shtëpi, shumë gëzime e hidhërime ajo mban brenda saj, shumë këngë janë kënduar, shumë dasma ka parë, ka parë dhe lot, por edhe ato janë pjesë e pashmangshme e jetës. Tani është e mbyllur, njerëzit u shpërndanë… vetëm ajo breshka në oborr shëtit e qetë, por sa vjen pranvera dhe koha nxehet e kopshti merr lulëzim, në atë shtëpi çdo gjë rilind… Dhe kur hap sytë, në fytyrën time shfaqet një buzëqeshje e madhe. Mund të them me shumë thjeshtësi se ajo ishte një kohë e qetë dhe e bukur.
A mund të na flisni pak për nënën tuaj…
Ime më është një grua energjike me një karakter të fortë, ndryshe nga im atë që ishte natyrë e qetë dhe ëndërrimtare, ashtu siç artistët janë.
Një grua e bukur, që në moshën 19-vjeçare u dashurua me tim atë, që kishin 15 vite diferencë. Ishin të dashuruar por mbi të gjitha ishin miq të mirë. Ime ëmë është një grua e mençur, shumë optimiste që gjithnjë i sheh gjërat me pozitivitet. Gjithnjë i ka qëndruar pranë e mbështetur tim atë në artin e tij, ajo vraponte t’i gjente kanavacën, të gjente drurin për listele e korniza, gjithnjë e shihje duke vrapuar, të paktën unë kështu e mbaj mend, t’i krijonte tim ati komoditetin e të krijuarit veprat e mëdha të artit. Ajo ishte muza e bukurisë dhe mirësisë që e frymëzonte çdo ditë, çdo natë, çdo çast…
Me ikjen time e të tim vëllai jashtë Shqipërisë, ata i shihje gjithnjë bashkë, dhe siç thonin më të qeshur, ishin më të dashuruar se kurrë.
Besoj se ime më është një heroinë, ajo e përballoi e vetme ikjen e tij, ia bëri të gjitha nderimet dhe e përcolli me dinjitet, me gjithë dhimbjen e madhe, ajo me një bllok në dorë shkonte nga njëri mik i tij tek tjetri duke mbledhur dhe duke ruajtur kujtimet që ata kishin për të shoqin, si një misionare e figurës së të shoqit, ajo diti të ruante me fanatizëm pikturat e tij, duke ruajtur të paprekur koleksionin tonë të familjes, prandaj respekti dhe dashuria e ime dhe e tim vëllai është e pamasë ndaj saj.
Çfarë bëhet sot me koleksionin e pikturave të tij..?
Lulani është një artist shumë prodhimtar, punonte shumë deri në orët e vona të natës, e mbaj mend gjithnjë duke punuar, me penel në dorë, apo me penë, që deri në detaj punonte vizatimet e tij të mrekullueshme.
Ai lëvroi të gjitha gjinitë e artit të pikturës, prandaj la dhe një numër të pasur punësh. Galeria e Shkodrës ka një koleksion shumë të pasur, mbi 28 vepra, në Galerinë Nacionale të Tiranës, mbi 19 vepra të tij janë pronë e kësaj galerie, shumë punë të tijat ndodhen në muze e Galeri në qytete të ndryshme, me mjaft prej tyre pasuroi koleksionet private të adhuruesve të artit të madh shqiptar, shumë ndodhen jashtë Shqipërisë si pronë e koleksionistëve të ndryshëm.
Një koleksion të mirë veprash ka dhe Muzeu Mezuraj, muzeu i vetëm privat në Shqipëri. Ai botoi dhe një album prestigjioz të pasurisë së veprave që ky muze posedon dhe një hapësirë e zënë dhe veprat e Lulanit. Po kështu dhe koleksionistët shkodranë Sherazi dhe Aida Kastrati kanë një koleksion mjaft të bukur.
Por sigurisht, familja ka koleksionin e plotë të veprave të tij, që është shumë i pasur, duke nisur me punët që para se të fillonte akademinë, kur punonte si ndihmësmjek, punë në vaj, akuarele, vizatime dhe duke vazhduar me punët e Akademisë së Arteve kur ai ishte student, nga ku kemi portrete shumë të bukura dhe vizatime nudosh dhe duke vazhduar me vitet në vazhdim deri në 2002, vitin kur dhe u nda nga jeta.
Kam gjithashtu dhe dhjetë punët e tij të fundit, disa akoma të pafirmosura dhe disa të hedhura ku mund të dallosh dhe telajon e pambushur akoma. Një ndër punët e tij që është një figurë burri që ikën me kalë drejt një perëndimi të kuq të zjarrtë, me një penelatë të shkathët, gjithnjë kur e shoh më jep ndjesinë sikur aty ai e parashikoi ikjen e tij… Gjithashtu, krahas punëve në vaj apo pastel e akuarel, kemi një numër të madh vizatimesh e bocetesh të cilat kanë mjaft vlerë. Dëshira ime është që një ditë t’i shoh të gjitha brenda mureve të një galerie ku artdashësit mund t’i shijojnë, mbase s’i dihet, një galeri që të mbante emrin e LULANIT të madh.
A ka piktura që ju dedikohen juve?
Po kam mjaft, kam shumë portrete që im atë më ka bërë. Kemi qenë shumë të lidhur bashkë, ne ishim miq të mirë, flisnim me orë të tëra mbi artin, punonim për shumë vite në të njëjtën studio, kudo kam qenë pranë tij, në hapje ekspozitash, koncerte, teatër, mes miqsh të tij, kështu besoj është normale që kam qenë modeli i tij i preferuar, pozoja për etydet e ndryshme të kompozimeve, dhe po të shohësh punët e tij me kujdes, një sy i stërvitur mund të dallojë lehtë tiparet e mia në personazhet femërore. Kam shumë portrete nga ai. Portreti i parë është kur isha 9 muajshe, dhe pastaj portrete të shumta gjatë viteve. Piktura e fundit që më ka lënë është një figurë e imja me fustan të kuq e mbështetur te një trung peme. Atë ma bëri dhuratë për ditëlindje që unë e kisha në shtator, vepra mban vitin 2002 dhe kjo ishte ndër punët e fundit të tij, pasi u largua në 6 tetor të po këtij viti… Puna më e dashur për mua … ma kanë kërkuar për ta blerë me shifra shumë të larta, por nuk do ta heq kurrë, megjithëse ka shumë nga ata që thonë se çdo gjë ka një çmim … thjesht nuk e kuptojnë se jo çdo gjë matet me vlerë monetare…
Cilët ishin miqtë e tij më të mirë?
Babai ishte një njeri shumë i thjeshtë, ndihej mirë me të gjithë, si me artistët, ashtu dhe me fshatarët e malësoret. Gjithmonë shtëpia ishte plot me njerëz, po me aq kënaqësi e pasion që fliste për pikturën e artet, ashtu fliste për zogjtë me djemtë e lagjes, ashtu fliste me fshatarët kur dilnim për peizazhe, ashtu fliste me malësorë që pozonin me orë përpara telajove të tij, me aq pasion fliste me ciganët përpara një gote rakie… Unë gjithmonë e kam adhuruar për respektin që tregonte ndaj njerëzve, asnjëherë nuk bënte dallime dhe kjo e bënte të dashur për të gjithë, dhe unë tashmë kam arritur të shoh dhe të ndiej respektin që kanë njerëz të ndryshëm që i takoj dhe flasin mbi të si njeri dhe si artist.
Mbi të gjitha, me ka ngelur në mendje miqësia e tij me Frrok Marinën, njeri i thjeshtë e punëtor me të cilin i shijonte një gotë raki me pak djathë, pranë një barake të vjetër me tym në qiell të hapur. E përmenda këtë emër, se në xhepin e xhaketës, vizatimi i fundit ishe një portret i vogël që i kishte bërë atij, atë e gjeti ime ëmë… dashuria për njerëzit dhe shpirtin e tyre është një gjë kaq prekëse dhe e bukur, fatkeqësisht një dukuri në zhdukje në realitetin që po jetojmë.
Miqtë e tij më të ngushtë në Shkodër ishin Franc Ashiku, Danish Jukniu, Angjelin Dodmasaj, Jakup Keraj e shumë të tjerë, artistë të njohur, me karaktere të ndryshme, dikush i heshtur, dikush më shpërthyes, tjetri kapriçioz, njerëz pasionantë, kreativë, modestë, të dashuruar pas artit me një forcë të parezistueshme, mund të them që ishte një kohë e bukur, miqësi të sinqerta, njerëz fisnikë në shpirt.
Unë kisha fatin të njoh e të jetoj pranë këtyre njerëzve, kisha fatin të jem bijë e një artistit të madh si Lulani, ato ishin artistë të vërtetë, që na bëjnë të ndiejmë dorën e forcën e tyre artistike dhe në prezencën e tyre të heshtur… prandaj le të lëmë një portë hapur dhe të ftojmë të gjithë artdashësit për të hyrë në një botë të çmuar dhe profesionale të artit të mrekullueshëm që ato na lanë…
Ismail Lulani lindi më 1933, në Tuz, Mal të Zi — vdiq më 6 tetor të 2002 në moshën 69-vjeçare në qytetin e Shkodrës, Shqipëri. Ishte një piktor shqiptar. Në moshën 9-vjeçare së bashku me familjen vendoset në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1967 mbaron Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, puna e tij e diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, u vlerësua mjaft nga kritika e kohës. Emërohet dhe punon si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetit e Shkodrës, ku punon si profesor në Liceun Artistik të këtij qyteti, deri sa del si piktor në krijimtari të lirë. Ai ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike “Prek Jakova”) në qytetin e Shkodrës. Ai ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinalë e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në krijimtarinë e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinitë e pikturës, si kompozim, peizazh, portret, natyra të qeta. Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojërat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse. Për meritat e tij, ai është nderuar me çmime të ndryshme. Në vitin 1979, i jepet titulli “Piktor i Merituar”. Në vitin 1989, i jepet titulli i lartë “Piktor i Popullit”. I është akorduar titulli “Naim Frashri i Klasit të Parë”. Në vitin 1999, në Bienalen e Romës për Artet Vizive merr çmimin e dytë dhe i jepet medalja e argjendtë, me tablonë (Ikja në Egjipt). Pas vdekjes, në 70-vjetorin e lindjes, iu akordua titulli “Krenaria e Shkodrës”, i cili iu dorëzua së shoqes së artistit. Ismail Lulani mori pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë. Rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera pronë e galerive e muzeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si Frascat, Romë (Itali), Paris (Francë), Linz (Austri), Nju Jork, Boston (SHBA), Toronto (Kanada), Athin (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlandë, Rumani, Belgjikë, Beograd (Serbi), Podgoricë, Cetinj, Tivar, Ulqin (Mali i Zi), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi, Tunizi, Hungari, duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, SHBA, Gjermani, etj.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/0...i-ikjen-e-tij/
Krijoni Kontakt