Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,080
    Postimet në Bllog
    22

    Tiranë: ‘MTax’ dhe ‘E-Pagesa’, tani i paguan taksat nga celulari

    Tatimet sjellin teknologji të re, tani i paguan taksat nga celulari


    ‘MTax’ dhe ‘E-Pagesa’ që u përuruan dje te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mund t’ju vijnë në ndihmë për t’i bërë pagesat më të lehta dhe për të kursyer kohë

    Imagjinoni një moment kur në formë mesazhi apo zëri nga celulari juaj do të gjëmojë: “Ju nuk keni paguar taksat…, apo “Ju duhet të paguani taksat”. E megjithëse për mjaft njerëz taksat nuk janë gjë e mirë për t’u kujtuar e jo më për t’u mbajtur në celular, për sa kohë nuk mund të shpëtosh prej tyre, shërbimet e pagesës së taksave “online”, ‘MTax’ dhe ‘E-Pagesa’ që u përuruan dje te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mund t’ju vijnë në ndihmë për t’i bërë pagesat më të lehta dhe për të kursyer kohën që duhet ta harxhonit në sportele. Inaugurimi është kryer nga kryeministri Sali Berisha dhe janë dy projekte të cilat ai i cilësoi pjesë e Shqipërisë dixhitale. “Shqipërinë dixhitale e panë me skepticizëm”, tha Kryeministri, “por ne ecëm me shpejtësinë më të madhe në këtë drejtim, me ide pioniere të risive të zhvillimit të shoqërisë së informacionit. Sot ne bëjmë hapin e parë të madh drejt projektit të katër viteve që vijnë. Mobile Albania, që do të synojë t’ju japë në celular qytetarëve të gjitha shërbimet e kësaj administrate”, shtoi ai duke mburrur projektin përmes të cilit u mundësohet bizneseve t’i paguajnë detyrimet e tyre direkt nga I-Phone apo një celular tjetër.

    Kryeministri foli ndër të tjera edhe për monedhën elektronike siç e quajti kryerjen e shërbimeve bankare në mënyrë elektronike. ‘MTax’ dhe ‘e-Pagesa’ janë dy shërbimet më inovative të administratës shqiptare dhe asaj tatimore në veçanti. Shërbimi i parë mTax, taksat nga celulari është aplikacioni i parë qeveritar për platformat celulare Apple (iPhone, iPad) dhe Android. Ndërtimi i këtij aplikacioni është një investim prej 13 milionë lekë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe i mundëson çdo tatimpaguesi të kontrollojë të gjithë situatën e tij tatimore nga telefoni celular dhe do të ndihmojë tatimpaguesit të deklarojnë dhe paguajnë në kohë detyrimet tatimore, pa qenë e nevojshme të paraqiten në sportelet e shërbimit të administratës. Shërbimi i dytë është pagesa elektronike (e-Payment), një investim prej 10 milionë lekë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Është zhvilluar sistemi i pagesës elektronike, i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë, për të realizuar pagesat nga biznesi për llogari të administratës tatimore.

    “Të gjithë tatimpaguesit të cilët deklarojnë mund të bëjnë pagesën e detyrimeve tatimore në Internet nëpërmjet formës elektronike në sistemin e Tatimeve, pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e bankës. Ky shërbim shkurton kohën që i duhet një biznesi të deklarojë dhe paguajë detyrimet tatimore, duke ulur kostot administrative të biznesit, rritur transparencën dhe cilësinë e shërbimeve të administratës tatimore ndaj bizneseve”, thuhet në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Sipas kësaj të fundit, gjatë vitit 2012, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zhvilluar me sukses projektet në fushën e TI për të ulur kostot administrative për bizneset dhe administratën, për të rritur shkallën e informimit dhe edukimit të tatimpaguesve.

    MAPO

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,080
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tiranë: ‘MTax’ dhe ‘E-Pagesa’, tani i paguan taksat nga celulari

    Inaugurimi Portalit të E-Punësimit, Berisha: Çdo masë e marë në drejtim të punësimit, masë e sigurtë kundër krizës

    Masat e mara në drejtim të punësimit janë masa të sigurta kundër krizës deklaroi Kryeministri Sali Berisha sot në inaugurimin e Portalit të E-Punësimit, në Ministrinë e Punëve dhe Çështjeve Sociale. Sipas Kryeministrit përmes masave të ndërmarra do të mundësohet krijimi i vendeve të reja të punës. Berisha bëri të ditur se nëpërmjet këtij portali, qytetarët shqiptarë do të mund të kërkojnë dhe aplikojnë për vende të lira pune, si dhe kompanitë private mund të publikojnë pozicionet e tyre të lira në kohë reale, në mënyrën më të shpejtë dhe transparente nëpërmjet Internetit, nga kompjuteri i tyre ose telefoni celular. Projekti për Informatizimin e Shërbimeve të Punësimit po zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punës (ShKP), në bazë të VKM, nr.437, datë 22.06.2011, i ndryshuar. Investimi për këtë projekt është 500 mijë euro, grant i qeverisë suedeze, si dhe është implementuar nga kompania shqiptare ‘Caçtus’. Ai është i shtrirë në 12 zyrat rajonale të punësimit, 24 zyrat lokale të punësimit, si dhe përfshin informatizimin e plotë të sistemit të brendshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe sistemin e Portalit në Internet ëëë.epunesim.gov.al. Sistemi i brendshëm Intranet përmban si funksionalitete kryesore; Regjistrin elektronik të punëdhënësve; Regjistrin elektronik të vendeve të lira të punës; Regjistri i punëkërkuesit ku kryhet regjistrimi sipas formatit; Ndërmjetësimin automatik, etj. Sistemi online në Internet ofron për punëdhënësit mundësinë të regjistrohen në sistem online, të publikojnë një vend të ri pune, të kërkojnë për profile punëkërkuesish, të ftojnë punëkërkues për aplikim. Ndërsa për punëkërkuesit, mundësinë të regjistrohen në sistem, të plotësojnë CV sipas formatit të ngjashëm me formatin e modelit të CV-së së Bashkimit Evropian, të kërkojë për vende të lira pune dhe të aplikojë për punë.

    MAPO

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •