Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e daniel00
    Anëtarësuar
    05-06-2004
    Vendndodhja
    tr
    Postime
    2,836

    Televizioni, qytetari dhe “telerealiteti”

    Televizionet shqiptare janë shtuar dhe janë bërë “botë më vete” për të cilën përgjithësisht diskutohet në mënyrë të përciptë nga publiku dhe pa u marrë me raportet e tij ndikuese ndaj realitetit social. Padyshim, nuk mund të mohohet e vërteta, se zgjerimi i rrjetit të televizioneve në Shqipëri është faktor madhor material me ndikime të dukshme në zhvillimin kulturor, politik, moral dhe estetik të qytetarëve tanë. Kjo është arsyeja pse në mënyrë të pamohueshme duhet të pranojmë, se pavarësisht problemeve që kanë të bëjnë me përmbajtjen dhe cilësinë e programeve të televizioneve tona, ai mbetet faktori më ndikues rritjen e nivelit të teleshikuesve, përmirësimin e mendësive dhe kulturës qytetare, transformimin e shijeve estetike. Në drithërimat e zgjeruara të televizioneve shqiptare, janë duke u zhvilluar në nivele të larta politike, kulturore, qytetare aftësitë perceptuese dhe reaguese të njerëzve, të vlerësuara qoftë në aspektin miratues apo dhe në përmirësimin e aftësive për qëndrime kritike të tyre ndaj realitetit social dhe mediatik.
    Kjo është arsyeja, pse tani duket se në shoqërinë shqiptare është ravijëzuar kontradikta, që është paradoksale për nga burimet e saj. Sepse televizioni duke zhvilluar veten, ka ndikuar në zhvillimin e aftësive dhe ndërgjegjes kritike të qytetarëve, duke i bërë ata më të përgjegjshëm për të reaguar ndaj problematikave politike, ekonomike e sociale por dhe ndaj vetë nivelit të televizioneve. Ndërkaq, nuk mund të mos konstatojmë se në jo pak raste ka mospërputhje të të vërtetave të realitetit të jetës sociale në shoqërinë shqiptare dhe nivelit, mënyrave, qëndrimeve dhe pasqyrimit televiziv. Përballë kësaj kontradikte nuk është fare rastësi që, gjithnjë e më shumë ndodhesh sot në shumë biseda kritike për nivelin, transparencën dhe cilësinë e televizioneve tona. Këto janë bërë tema të ditës që i zhvillojnë qytetarët në familje, në punë dhe ambiente mediatike. Sepse qytetarët nuk janë bë “miopë” që të mos kuptojnë atë që zhvillohet pas ekranit, apo të mos dallojnë atë që “fshihet” pas asaj që “duket” në ekran, qoftë e bërë me qëllim apo nga naiviteti profesional. Shkaku është se në shumë emisione të televizioneve tona, po thellohet ndarja mekanike e artificiale midis realitetit të vërtetë të jetës sociale që jetojmë dhe “telerealitetit”, që në shumë raste shfaqet si pasqyrim jo autentik apo i deformuar televiziv i esencës së këtij realiteti empirik. Nuk është pa rëndësi fakti, që shpesh televizionet të bindur në forcën ndikuese dhe tjetërsuese të fuqisë së tyre mediatike, mendojnë me narcizëm profesional dhe megalomani të njëanshme. Duke harruar faktin se zhvillimet e jetës moderne në Shqipëri, kanë krijuar një situatë të re të “fibrës qytetare”, e cila e ndihmon njeriun të bëhet individualist në vlerësimin e “lëndës televizive”, duke miratuar apo mbajtur qëndrim kritik nihilues ndaj saj. Sepse qytetarët janë pjesa më thelbësore e jetës së vërtetë. Duke qenë aktorë të dramës individuale sociale dhe personale, kjo është pasaportë e fortë qytetarie, për çdo njeri që është para ekraneve të televizionit, ka mundësi dhe aftësinë e duhur që të kuptojë atë që zhvillohet në realitetin përtej ekranit, pavarësisht në se ajo që pasqyrohet mediatikisht nuk është autentike me atë që ka ndodhur në jetën e vërtetë apo është e ndryshme prej saj.
    Shqetësimi është sidomos për informacionin televiziv në të gjithë gjinitë e veta, sepse një pjesë e madhe, për të mos thënë shumica e emisioneve dhe kronikave më shumë se janë reale janë ose artificiale ose të skenarizuara nga interesat e pronarit apo afeksionit anarkik të stafeve, që gjurmojnë, gjejnë, manipulojnë dhe i transmetojnë të vërtetat jo gjithnjë të interpretuara në mënyrë autentike dhe profesionale në televizionet e “tyre”. Në kohën e sotme e gjithë politika, qytetarët, studiuesit e shoqërisë, sociologët e medias elektronike, etj, janë të shqetësuar për këtë shtim të realiteteve të deformuara televizive, në të cilat gjithnjë e më shumë është duke u zgjeruar diferenca midis thelbit të realitetit të vërtetë social dhe pasqyrimit televiziv të tij.

    Ky problem që ndeshet në televizionet tona sot, është një nga patologjitë e vjetra të njohura në historinë e televizionit. Sidomos në epokën moderne. Madje përmasat e kësaj sëmundjeje jo vetëm profesionale, është konsideruar shqetësim, sepse lidhet me atë dukuri që konsiderohet si prani e “dimensionit të dyfishtë” të komunikimit. “Dimensioni i dyfishtë” i komunikimit apo e përkthyer në terma realë, ndarja midis përmbajtjes së vërtetë të realitetit dhe mënyrës së pasqyrimit mediatik të tyre është një nga “plagët eminente” të televizioneve në Shqipëri. Natyrisht televizioni shqiptar (publik dhe privat) edhe pse në revolucion të vërtetë teknologjik, është përballë sfidave të orientimit drejt modës dhe nevojës së zhvillimit sipas parametrave të modernitetit. Kjo është arsyeja pse efektet e deformimit të misionit të televizionit, janë të pranishme në shoqërinë shqiptare. Kjo nga që të gjitha produktet e televizioneve janë në garë profesionale, konkurrencë dhe brenda logjikës për shitje dhe fitime të pandërprera. Të gjitha këto shkaqe janë arsye e mjaftueshme, për të konstatuar të vërtetën se televizionet në Shqipëri, më shumë se mjet informimi dhe edukimi janë bërë instrumente argëtimi dhe mjet efektiv për qëllimet e politikës dhe të biznesit.

    Kjo është arsyeja pse qytetarët tanë duke qënë në pozitë pasive para ekranit, janë të detyruar të “përtypin” atë material që i servirin mediat televizive. Madje duke parë këtë tendencë të dominancës televizive në Shqipëri janë shtuar zërat kritikë, që e shikojnë televizionin si “rrezik për përhapjen e shijes së keqe, të demagogjisë dhe nivelimit kulturor”. Fuqia tërheqëse, lehtësia e konsumit dhe obsesionet sedentare të njeriut modern të kohës sonë, kanë bërë që televizioni të kuptojë fuqinë e vet të madhe mbi procesit e përhapjes së nënvleftësimit të kulturave të tjera, që kanë qenë para televizionit dhe që ekzistojnë edhe sot krahas tij. Situata me librin, artet figurative, muzikën klasike, jetën serioze koncertale, etj flasin qartë për këtë të vërtetë që duhet pranuar si difekt dhe prishje e marrëdhënieve të njeriut me sistemin e gjerë, të përbërë dhe të larmishëm të komunikimit artistik, kulturor, shkencor, etj.

    Doemos kjo situatë nuk është vetëm për faj të programeve dhe fuqisë profesionale, komunikative dhe informative të televizionit, por dhe të një deformimi social që ka marrë shoqëria moderne, e cila në rrugën e modernizimit dhe të thellimit të prirjes individualiste në marrëdhëniet e njerëzve me të “tjerët” dhe shoqërinë, duket se i tërë sistemi i komunikimit është vënë në “thundrën” e transmetimeve pa fund të programeve televizive, të të gjithë llojeve, formateve dhe shijeve normale apo ekscentrike. Kjo ka bërë që të ndodhemi në këtë situatë kur televizionet e ndjejnë veten të fortë përballë shoqërisë, individit dhe telespektatorit. Ato kanë shqetësim vetëm konkurrimet për audiencë, garën për rivalitet dhe superioritet në tregun mediatik. Ndërsa për shqetësimet e tjera të vlerës dhe cilësisë së komunikimeve, transmetimeve dhe emisioneve nuk i kanë shumë shqetësim. Sociologët e medias janë të shqetësuar që televizioni jo gjithnjë është kompatibël me misionin e vet social, estetik, moral dhe mediatik. Kjo është arsyeja pse ata kanë kohë që kërkojnë fillimin e një procesi të emancipimit social të televizionit, për ta vënë atë në rolin që i takon, në këtë shoqëri që gjithnjë e më shumë po bëhet shoqëri e zgjeruar imazhit televiziv, e shtrirjes pa kufi të informacionit dhe komunikimit. Këto janë imperative dhe ndryshime që duhet të bëhen në programet e televizionit publik dhe privat në Shqipëri, në se duan që të jenë në pozicionin e duhur dhe të luajnë rolin e tyre në përputhje me ligjësitë e komunikimit por dhe me pritmëritë e qytetarëve tanë. Unë besoj se në situatën në të cilën ndodhet zhvillimi në përmbajtje dhe formë i televizionit shqiptar, publik dhe privat, të duket se po shfaqen të gjitha shqetësimet, problemet sociale, ndërlikimet estetike e mediatike, të përziera me të gjithë llojet e ndikimeve dhe intereferimeve të botës së jashtme dhe realitetit ekstrateleviziv. Megjithatë me syrin e sociologut ato duhen evidentuar me kujdes, pa mohuar dhe cënuar specifikën e brendshme të rrjetit televiziv dhe të marrëdhënieve që ai ka me botën e jashtme, duke parë problemet, kontradiktat dhe ndikimet reciproke midis realitetit të vërtetë të shoqërisë shqiptare, specifikave të tij dhe mënyrës se si ku realitet bëhet “telerealitet” që i serviret publikut përmes “kutisë së televizorit” për konsum social, familjar, komunitar dhe personal.

    Padyshim nuk mund të mohojmë të vërtetën që televizionet publike dhe private në vendin tonë, kanë qenë në avangardë të ndryshimeve të brendshme, të gjetjes së mënyrave që produktet televizive të janë sa më adekautë në pasqyrimin e ndryshimeve dhe transformimeve që kanë ndodhur në Shqipëri në dy dekadat e fundit, të cilat tashmë vazhdojnë të ndodhin me një ritëm më të lartë social dhe intensitet më të akseleruar esetik dhe mediatik. Televizionet, më saktë disa dhe jo të gjithë, janë duke u përpjekur të pasqyrojnë ngritjen e nivelit kulturor të shoqërisë dhe individit, t’i përshtaten sqimës së tyre selektive dhe elitare. Megjithatë televizioni nuk është një oaz social i izoluar, as një mjet që bën pasqyrime formale estetike, kulturore apo informative për publikun. Ekonomia e tregut ka interferuar fort edhe në këtë sferë, dhe ndikimet janë gjithnjë e më të forta. Pse në shumë raste ato janë bërë determinantë që sundojnë mbi televizionet dhe ndikojnë mbi profesionalizmin e stafeve të tyre. Doemos, nuk mund të mos ndodhte ndikimi që krijon kjo forcë dhe anomali që vjen nga ekonomia e tregut, që ka ndikim të fortë edhe në televizion. Kjo është normale derisa ai është vënë në garë me ekonominë, si një nga sektorët e biznesit fitimprurës…

    /tiranaobserver
    Gëzim Tushi
    Ngjeshur me brezin e se vertetës,parzmoren e drejtësisë,mburojën e besimit dhe shpatën e Frymës.

  2. #2
    Buena Suerte Maska e MI CORAZON
    Anëtarësuar
    21-07-2002
    Postime
    7,485

    Për: Televizioni, qytetari dhe “telerealiteti”



    Duhet ta shikoni kete show. Interesant!
    Where does a thought go when it's forgotten?

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •