TIRANË - PDIU reagon për depozitimin e koordinatave të njëanshme të kufirit të saj detar në OKB nga ana e qeverisë greke, duke kërkuar nga Ministria e Jashtme të reagojë në konsultime me fqinjët, përfshi SHBA për të arritur në një qëndrim të përbashkët.
Duke iu referuar mediave greke, PDIU thotë se, qeveria e vendit fqinj bëri atë që kishte paralajmëruar ministri i saj i Jashtëm: depozitimin e koordinatave të njëanshme të kufirit të saj detar, respektivisht zonave ekskluzive ekonomike.
Ky veprim, që përkon njëkohësisht me të dhënat inkurajuese të kërkimit detar për naftë dhe vendosmërinë greke për t’iu përmbajtur marrëveshjes së kufijve detarë me Shqipërinë, tashmë e pavlefshme sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është një veprim provokativ. Me anë të tij, Greqia nuk iu përmbajt rekomandimit amerikan të përsëritur dhe nga ndihmëssekretari i shtetit Philip Gordon, disa ditë më parë, për të treguar maturi dhe për «të mos ecur në një veprim, që nuk do të ishte në interes të Greqisë». Qeveria amerikane i rekomandoi Greqisë, që të promovojë marrëveshjet dypalëshe me të gjithë fqinjët e saj.
Në këto kushte, PDIU i kërkon Ministrisë së Jashtme, që të bëjë gjithë hapat e duhur diplomatikë kundrejt Greqisë, duke filluar nga kërkesa për sqarim. Ndërkohë, duke pasur parasysh se ky nuk është një veprim që prek Shqipërinë, ne sugjerojmë që të zhvillohen konsultime me gjithë vendet e interesuara, përfshi SHBA-të, që të arrihet në një qëndrim të përbashkët, në favor të paqes, stabilitetit të rajonit, marrëdhënieve të mira në rajon, në frymën e reciprocitetit./Shekulli
Krijoni Kontakt