Zyra për integrim në qytetin e Wilit (SG) bashkë me grupin shqiptar për integrim, bëjnë ftesë për një pasdite të karakterit informativ me kirurgun shqiptar të zemrës, Omer Xhemali, që do të mbahet të dielën më 24 shkurt.

Xhemali, i cili është zëvendësdrejtor i Klinikës Triemli të Cyrihut, është bërë i njohur si shqiptari i parë që ka realizuar një transplantim zemre, njofton gazeta St.galler Tagblatt.

Takimi informativ që organizohet enkas për komunitetin e këtushëm shqiptar mbahet me moton “Ardhmëria juaj në Zvicër”. Të pranishmit do t`i përshëndesë edhe kryetarja e qytetit Wil, Susanne Hatmann.

Këtë organizim që është bërë tradicional për shqiptarët e këtushëm e bën Zyra për Integrim me përgjegjësin për integrim të qytetit Wil, Felix Baumgartner.

Do të jenë të pranishëm shumë përfaqësues për Integrim pranë organeve komunale të qytetit Wil të kantonit St. Gallen, këshilltarë të organeve komunale, si dhe shumë përfaqësues të zyrave të shumta nga organet komunale si do t`i informojnë të interesuarit për problemet e tyre në lidhje me integrimin etj.

Po ashtu do të ketë informacione për temat si: fëmijët, edukimi, shkolla, zgjedhja e profesionit-praktikimi profesional, kurset e gjuhës etj.

Dr. Omer Xhemali është i lindur në Tetovë. Me shpërthimin e krizës në regjion, ai në vitin 1992 ka ndërprerë studimet për mjekësi dhe ka emigruar në Gjermani Atje, pasi ka mësuar gjermanishten, ka mbaruar fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Mainz-it.

Ai ka realizuar deri më tash në klinika të ndryshme operacione të ndërlikuara në zemër, ndër to edhe disa transplantime të zemrës, që konsiderohen ndërhyrjet më të avancuara në këtë fushë.

Xhemali bashkë me mjekë tjerë në Triemlispital dhe Universitätspital të Cyrihut është në përgatitje për t`i dhënë Cyrihut primatin e qendrës numër një në Zvicër për transplantimin e zemrës.







Më shumë për Dr. Omer Xhemalin

Doktor Omer Xhemaili është ndër kardiokirurgët e vetëm shqiptarë me shumë specializime dhe përvojë në këtë fushë. Me prejardhje nga Tetova, tani jeton dhe punon në Zvicër. Në vitin 2009 në spitalin e Universitetit Johann Volfgang Gete ka realizuar transplantim të zemrës një pacienteje 59 vjeçare e cila ka pasur kardiomiopati terminale, pasi që është operaruar në vitin 2000, ku ai së pari i ka bërë rekonstruim të valvulës mitrale, vendosjen e tre bajpasave dhe i është korigjuar një aneurysme e ventrikulit të majtë.

Kjo e bën atë ndër kirurgët e vetëm shqiptarë, në mos i vetmi që arrin të realizoj këtë lloj operacioni e që paraqet kulminacionin e kardiokirurgjisë.

http://shqipmedia.com/portal/transpl...-omer-xhemali/