Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,964
    Postimet në Bllog
    22

    Mitropoliti i Korçës Imzot Evlogjio Kurilla [1880 - 1961]

    PJESË MONOGRAFIE PËR IMZOT EVLOGJIO KURILLËN

    Midis mendimtarëve klerikë të kohëve moderne mitropoliti i Korçës, Evlogjio Kurilla, falë aktivitetit të tij shkencor, botues dhe mësimdhënës zë një vend tepër të veçantë. Tek Evlogjio Kurilla, ekzistonin së brendshmi të alternuara konseguenca fetare dhe ajo shkencore. I lindur në Ziçisht të Korçës në vitin 1880, prej një fisi të dëgjuar me origjinë nga Kurilla e Sulit, mësimet e para i ka marrë në shkollën e fshatit të lindjes, për t’i vazhduar më pas në shkollën e Athosit në Malin e Shenjtë, në Athoniadhë, ku kishte shkuar me babanë e tij që në moshën dymbëdhjetëvjeçare për të punuar në përgatitjen e qymyrit të drurit, pranë manastirit të Llavrës. Në përgjithësi kurbeti në Mal të Shenjtë, ku punohej kryesisht për nxjerrjen e qymyrit të drurit dhe ndërtimit, ka qenë një traditë e hershme e vazhdueshme e fshatrave të Devollit të Sipërm. Këtu Ilia dorëzohet murg në manastirin e Llavrës, duke marrë emrin Evlogjio (i bekuar).

    Emri:  EvlogjioKurilla.jpg

Shikime: 555

Madhësia:  12.1 KB

    Kjo zgjedhje që ai bëri, premtonte para së gjithash një jetë të mundimshme dhe plot privacione. Është për t’u shënuar fakti se pavarësisht këtyre, Evlogjio gjeti kohën jo vetëm të ishte një murg shembullor, por edhe të arsimohej më tej në mënyrë autodidakte, në kushte dhe rrethana të pazakonta. Për këtë më mirë po i referohemi përshkrimit që i bën jetës së Evlogjios dhe pasionit për dije që e shoqëronte, miku i tij jurist Dhimitër Andipas: “Tepër i varfër, por i pasur në dhunti shpirtërore, ka qenë epiroti i vogël Kurilla në luftën e jetës. Pothuajse të gjithë jetën e tij e kalon si eremit në Mal të Shenjtë, në mes të dhimbjeve dhe mundimeve, privacioneve dhe vuajtjeve. Por edhe atje, në vendin e shenjtë të lutjes dhe të kreshmës, nuk qetësohet, nuk ia lejon vetes çlodhjen, për asnjë çast. Orët e pakta që i mbeten nga puna e mundimshme e një murgu të vërtetë rigoroz, nuk i përdor si zakonisht njeriu për gjumë dhe çlodhje, por në një masë të madhe këto orë i shfrytëzon për studim dhe vetëzhvillim. E prishi shëndetin që në moshë të re 15-vjeçare në studime dhe shpjegime autorësh, duke pasur për ndihmë vetëm fjalorin. Në këtë situatë mjekët ia ndaluan çdo lloj studimi, masë që iu vu dhe nga eprori i tij në manastir, ndërkohë që Evlogjio priste sa i zinte gjumi të tërë, për t’u dhënë në kënaqësinë shpirtërore të studimit. Kështu në atë vend i vetmuar, duke shfrytëzuar bibliotekat e pasura të manastireve të shenjta, u dha pas studimeve dhe hulumtimeve të thella, mësoi në mënyrë autodidakte katër gjuhë evropiane dhe u zhvillua në një meteor të ndritshëm, duke i çuditur me diturinë e gjerë dhe pasurinë e njohurive vizitorët e huaj të ditur. (Dhimitër Andipas, jurist i Gjykatës së Lartë të Greqisë, Athinë 1944.)

    Mbasi kryen ciklin mësimor në shkollën e Athoniadhës, ai shkon për studime në Shkollën e Madhe të Genit, në Kostandinopojë. Mbas studimeve atje, falë zellit të madh për dituri që e karakterizonte, regjistrohet në fakultetin teologjik dhe pas dy vjetësh studime të suksesshme regjistrohet në seksionin filologjik të fakultetit Filozofik të Universitetit Shtetëror të Athinës, studime të cilat i mbaron me sukses në vitin 1912, ku diplomohet shkëlqyeshëm, për t’i plotësuar më pas me studimet e doktoraturës, të cilat i mbaron po shkëlqyeshëm, duke marrë titullin e doktorit në vitin 1935, me punimin e tij për Voskopojën dhe Akademinë e saj. Mbas studimeve të tij universitare, në vitin 1915 emërohet profesor në gjimnazin C të Athinës, ku punoi me devocion dhe përkushtim deri në vitin 1923, kur jep dorëheqjen për të shkuar në Mal të Shenjtë.

    Aty ai ringre shkollën kishtare të Athoniadhës, ku ushtron përsëri profesionin e mësimdhënësit. Kjo shoqërohet me një aktivitet të gjerë hulumtues. Kështu do të jetë E. Kurilla, ai që do të inventarizojë arkivat dhe bibliotekat e manastireve aty dhe do të impenjohet për mbrojtjen dhe ruajtjen e thesareve të çmuar dhe unikalë, që për shekuj ishin krijuar dhe ruajtur në këtë fortesë shpirtërore të besimit Orthodhoks.

    Pas marrjes së titullit “Doktor” në vitin 1935, siç u tha më lart, emërohet profesor i historisë në Universitetin e Selanikut, ku vazhdon të japë mësim deri në emërimin e tij nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës si mitropolit i Korçës, mbas dhënies prej saj të Autoqefalisë së Kishës Shqiptare (1937).

    Mitropolia e shenjtë e Korçës, në kohën që erdhi si mitropolit i saj Evlogjio Kurilla, në prill të vitit 1937, ndodhej në një situatë të vështirë zbehjeje. Në përgjithësi para Sinodit të Shenjtë të ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare, si dhe para çdo mitropoliti të emëruar në mitropolitë më të rëndësishme të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, shtroheshin sfida të shumta për t’u përballuar dhe zgjidhur. Është një periudhë e cila është paraprirë nga një situatë e trazuar plot mllefe, amulli dhe aprofesionalizëm në sistemin administrativ të Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Le të kujtojmë këtu kërkesën për falje, për shkeljet e rënda që ishin bërë në funksionimin e sistemit administrativ dhe jo vetëm në të, nga kryepiskopi i atëhershëm Visarion Xhuvani, para dorëzimit të Tomos-it të Autoqefalisë nga Patriarkana Ekumenike. Veçanërisht një situatë e vështirë ekzistonte dhe në mitropolinë e Korçës, situatë të cilën u përpoqën ta shfrytëzojnë arbëreshët unitë të Sicilisë, të cilët u shfaqën këtu në këtë kohë si shpëtimtarë të Krishterimit, duke hapur shkolla dhe kishë unite dhe duke bërë një politikë proselitizmi nëpërmjet të mirave materiale, bursave dhe pagesave. Me vendosjen e imzot Kurillës si mitropolit në qytetin e Korçës, sfida e parë me të cilën ai u përball me sukses ishte ndërgjegjësimi i popullatës ndaj këtyre politikave të proselitizmit që bëheshin dhe kthimi i atyre që u lëkundën në besimin e të parëve. Nga katërqind nxënës të kthyer në unitë në qytetin e Korçës, nuk mbeti më asnjë i tillë kur ai u largua nga kjo mitropoli, të gjithë iu rikthyen besimit Orthodhoks.

    Një angazhim serioz i tij kishte të bënte edhe me sistemimin e strukturës administrative të kësaj mitropolie. Kështu ai luftoi me mish e me shpirt për rikthimin e shkëlqimit të parë të kësaj qendre të rëndësishme religjioze.

    Gjithashtu, sa kohë qëndroi në Korçë, ai vizitoi edhe fshatrat më të skajshme të zonës së tij, për herë të parë, ndoshta mbas shumë shekujsh, këto fshatra panë interesin e drejtpërdrejtë të bariut të tyre shpirtëror dhe u vizituan nga një mitropolit. Paralelisht me detyrat shpirtërore të tij në këto mbi 120 fshatra, që i vizitoi në mënyrë të përsëritur, për sa kohë qëndroi në këtë detyrë, ai mblodhi shumë materiale dhe të dhëna historike, folklorike dhe arkeologjike, të cilat i pasqyroi në veprat e tij. Por kulmi i suksesit të imzot Kurillës si mitropolit ka qenë ngritja e seminarit elitar kishtar “Jovan Banga” në qytetin e Korçës, për përgatitjen e klerikëve dhe punonjësve të kualifikuar të Kishës Orthodhokse në zonën e Korçës dhe më gjerë. E. Kurilla ndërmori iniciativën për hapjen e këtij seminari kishtar në qytetin e Korçës me fondet e një prej bamirësve të këtij qyteti, Jovan Bankës.
    Për të si klerik, si studiues dhe si historian, që e njihte të kaluarën më mirë se kushdo, ishte një nder i madh dhe njëkohësisht një obligim shumë i madh qëndrimi në fronin mitropolitan të këtij qyteti, i cili mbartte një traditë dhe trashëgimi tepër të çmuar. Për këtë arsye dhe impenjimi i tij ishte tërësor. Ai nuk bëri asnjë kompromis në kurriz të besimit apo vlerave shpirtërore dhe materiale të kësaj mitropolie që drejtonte, gjë që i kushtoi atij dhe largimin nga ky pozicion disa muaj mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Lufta që ai i bëri Unizmit, si dhe lufta e hapur në rrugë gjyqësore ndaj të gjithë uzurpuesve të pasurive materiale të Mitropolisë së Korçës, në periudhën e amullisë, para ardhjes së tij në krye të kësaj kishe, i kushtuan atij largimin nga funksioni fisnik, që ai kryente me kaq përkushtim dhe vetësakrifikim.

    Për korçarët E. Kurilla mbeti gjithmonë bari shpirtëror i pazëvendësueshëm i tyre dhe titullin si mitropolit kanonik i kësaj mitropolie e ruajti gjatë gjithë jetës së tij pavarësisht rrethanave, duke u shfaqur si mitropolit i Korçës në të gjitha punimet, botimet e tij shkencore, si dhe në pjesëmarrjet në konferencat e ndryshme ndërkombëtare të karakterit fetar dhe shkencor, qysh nga viti 1937 deri sa ai kaloi në dimensionin tjetër, në atë të jetës së vërtetë, në prill të vitit 1961 të shekullit të kaluar, duke promovuar dhe nderuar qytetin e Korçës, bir dhe bari shpirtëror i denjë i të cilit mbeti deri në fund.

    Mbas njoftimit zyrtar të datës 29 shtator 1939, firmosur nga Xhafer Ypi (ministri i vënë nga pushtuesit italianë sh.r.), sipas të cilit duhej të largohej nga Korça, Kurilla vendoset në Athinë, ku emërohet profesor i historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit Shtetëror atje. I njohur në rrethet akademike të kryeqytetit grek nëpërmjet botimeve dhe i vlerësuar edhe në rang ndërkombëtar për dijet dhe nivelin e tij shkencor, i propozohet që të drejtojë edhe në katedrën e sapokrijuar të historisë së periudhës romake, në Fakultetin e Historisë të këtij universiteti, kjo për arsye se historia e vjetër dhe kryesisht periudha helenistike studiohej në këtë universitet deri atëherë e paperiodizuar, e marrë së bashku.

    Të gjitha këto sulme ai i përballoi me guxim dhe kurajë, kurrë nuk revizionoi mendimin e tij dhe mbrojti me kompetencë dhe profesionalizëm punën dhe mendimet e tij. Të gjitha këto ai i ka përjetësuar në mënyrën më të bukur dhe impresionuese në veprën e tij “Pushteti i së Vërtetës”. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj vepre ai donte t’iu bënte të ditur të gjithëve se qëllimi i tij ishte, që nëpërmjet studimeve krahasuese historike, gjuhësore e filologjike të kulturave të këtyre dy popujve të lashtë të rajonit, atij grek dhe shqiptar, t’iu mëshonte të përbashkëtave të shumta që i lidhnin këta popuj, pasi vetëm kështu do të arrihej një paqe dhe ekuilibër në zonën e trazuar të Ballkanit. Ai iu referohet analizave gjuhësore të këtyre dy gjuhëve, ku evidenton shkencërisht elementin pellazgjik të ruajtur në formën më të mirë të mundshme në gjuhën shqipe, i mëshon heroizmave dhe origjinës së suliotëve, pasi edhe ai vetë ishte një suliot në origjinën e tij kap të përbashkëtat në impenjimet e përhershme të këtyre dy popujve për indipedencë dhe arsimim dhe arrin në konkluzionin se e ardhmja ndoshta do t’i japë dimensionin e duhur veprës së tij. Të gjitha këto përfshihen në këtë libër, i cili ka rreth 330 faqe dhe më tepër se një apologji është një leksion emancipimi për trutë e ngushtë dhe manipulatorët e historisë së popujve, për ata që nëpërmjet fodullëkut pa bazë të supremacisë boshe arrijnë vetëm të bëhen qesharakë...

    Mbas vitit 1945 ai e kalon jetën sa në shtëpinë e tij, në lagjen Psiqiko të Athinës po aq dhe në manastirin e Llavrës, në Mal të Shenjtë, duke shkruar dhe hulumtuar deri në fund të jetës së tij dhe duke ëndërruar gjithmonë kthimin në detyrën e tij pranë Mitropolisë së Korçës.

    Fryt i punës së tij si bukinist selektiv ka qenë një bibliotekë e pasur me më shumë se 20.000 vëllime, punë e një jete të tërë të përkushtuar ndaj librit, ku një numër të konsiderueshëm zinin botimet e rralla që ai për dhjetvjeçarë të tërë me durim dhe këmbëngulje diti t’i mbledhë. Dëshira e tij ishte që kjo bibliotekë kaq e pasur, kryesisht edhe me botime të rralla albanologjike, t’i kalonte qytetit të Korçës.

    Duke qenë e pamundur kjo gjë, pasi ai ndërroi jetë në prill të vitit 1961, pjesa më e madhe e saj pas vdekjes i kaloi Universitetit të Janinës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme, së bashku me shumë dorëshkrime të pabotuara mbeti në bibliotekën e manastirit të Llavrës, në Mal të Shenjtë.

    Me një formim të përkryer shkencor, fryti i punës së tij dhe aktivitetit shkencor janë studimet e tij albanologjike, helenistike dhe ballkanistike, të cilat janë të karakterit filologjik, linguistik dhe historik. Të gjitha këto janë të një niveli akademik dhe shquhen për objektivitet shkencor dhe profesionalizëm. Si specialist i rrallë në fushën e studimeve historike, kontributi i tij me studimet e dorëshkrimeve të bibliotekave të Malit të Shenjtë, manastireve të Meteorës, manastirit të Patmosit dhe bibliotekave të Athinës dhe të gjithë Greqisë ka qenë kolosal dhe me një impakt të tillë që kapërcente kufijtë e Ballkanit, duke e bërë të njohur atë në rrethet akademike të Evropës. Punimet e tij të botuara arrijnë në dyqind e gjashtëdhjetë.


    Dr. Dion Tushi
    Marrë me shkurtime nga revista
    “Tempulli” nr. 14, Korçë
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 19-02-2013 më 00:07

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •