Shqiptaret e bukura nëpër Galeritë e Artit

Dy nga tablotë më të bukura, që ruhen në dy prej muzeve më të mëdhenj të Europës e të Amerikës (Muzeu i Luvrit në Paris, Muzeun i Bruklinit në download (2)Nju-Jork), u realizuan nga mjeshtri i francez Camille Corot (1796-1875). Për herë të parë në Tiranë, Vajza shqiptare u riprodhua nё faqet e revistës Shqipëria e re, në vitin 1975, huajtur prej një posteri tё po atij viti nga gazeta New York Times. Në shënimin që shoqëronte riprodhimin, jepeshin pak të dhëna për autorin, kohën e krijimit, si dhe vendndodhjen. Ndërsa vlerësimi për pikturën shprehej me fjalët: Nuse të këtilla gjenden kudo nëpër Shqipëri, prandaj portreti i shqiptares, pikturuar nga Koro, mund të merret si një përgjithësim karakteristik. Disa vite më vonë u bë e njohur edhe tabloja me figurën e Hajdesë, e pikturuar në vitin 1870. Nisur nga datat e përafërta të krijimit, duket se në pikturimin e këtyre tablove ka ndikuar edhe atmosfera e përgjithshme e trajtimit të temës shqiptare, pasi gjatë atyre viteve, fundit të shekullit XVIII dhe fillimit tё shekullit XIX, autorë të romantizmit europian u bёnё faktorё me rёndёsi i rizbulimit të Shqipërisë.

Sipas historianit të artit francez J. Tomas, Vajza shqiptare është pikturuar në janar të vitit 1872. Një nga studiuesit më të njohur të Korosë, A. Robaut dëshmon se e ka parë vetë piktorin gjatë kohës që e pikturonte këtë tablo. (Robaut ka qenë dhëndër i Korosë dhe gjendej gjithnjë i pranishëm në studio dhe ekspozita. Ka botuar katalogun në katër vëllime me veprat e plota të Korosë. “L’Albanaise” është paraqitur aty me numrin 2147). Studiuesi nuk ka shkruar se si u frymëzua piktori, apo cila ishte lidhja e tij me shqiptarët. Madje sipas tij, piktori ka përdorur si model një vajzë të re franceze të quajtur Darmelas, të cilën e veshi me rroba shqiptare. Vajza që pozoi ka qenë rreth 15 vjeç. Në pikturë shohim imazhin e një gruaje të re. Piktori ka bërë interpretimin e tij, për të krijuar figurën e shqiptares jo vetëm nga kostumi. Portreti, ndonëse i pikturuar në studio, është vendosur në natyrë për të krijuar më qartë përshtypjen se bёhet fjalё për një vend dhe jo vetëm pёr një vajzë të veçantë, çka duket qartë edhe në strukturën dhe pikturimin e tablosë. Madje edhe titulli në variantin e parë, është thjesht “L’Albanaise”. Kur u ekspozua në muzeun e Bruklinit u njoh me titullin “Albanian girl”. Tabloja ёshtё në përmasat 83 x 65 cm. Pas një viti, kanavaca u dëmtua në pjesën e poshtme dhe e gjithë vepra u ngushtua në përmasat që ka sot, 74 x 65 cm. Nga Franca në fillim ia dhuruan Muzeut Metropolitan të Nju-Jorkut, ndërsa tani prej shumë vitesh qëndron e ekspozuar në sallat e artit europian të Muzeut të Bruklinit, po në Nju-Jork. Nga Muzeu përtej Atlantikut, larg vendit të pikturimit dhe asaj që i kushtohet, është bёrё me dije se imazhi i kësaj vajze, nisur nga udhëtimet që piktori ka bërë në Itali, mund të jetё huajtur nga ndonjë banore e fshatrave rreth kodrave Albano. Por ndërkohë dihet që, nëse veprat me motive nga Italia u realizuan midis viteve 1825, 1834 dhe 1843 kur Koro bëri udhëtimet atje, tablonë “L’Albanaise” e pikturoi në vitet e fundit të jetës, rreth 40 vjet më pas, në të njëjtën kohë kur krijoi edhe figurën e Hajdesё, e njohur si bija e Ali Pashë Tepelenës. Veç kësaj, të dhënat për kohën dhe vendin e pikturimit, si dhe arsyetimet rreth realizimit të saj, e largojnë më shumë nga pikturimet me motive italiane, duke e sjellë më pranë me veprat: “Femme et soldat Albanais”, “L’Albanaise”, “Danseurs Albanais”, “Soldats Albanais”, “ Deux Albanais” etj., të realizuara nga bashkëkohësit francezë E. Delacroix, T, Gericault, L. Gérôme, A. Decamps, etj. Si edhe Corot me “L’Albanaise”, ata i krijuan veprat e mësipërme pa shkelur në truallin shqiptar. Ndoshta portretin e shqiptares Corot e ka realizuar i frymëzuar nga veprat e mësipërmeve të kolegëve dhe miqve të tij francezë, ashtu siç u nxit për të pikturuar tablonë Jeune Algerienne couche (Vajzë algjeriane e shtrirë), të cilën e kanë quajtur si një lloj homazhi ndaj Delacroix, për veprat qё ky pati me temë algjeriane (Les Orientalism, Paris 2003, f. 121). Po ashtu edhe për pikturimin e tablosë Haideja është thënë se piktori francez u ndikua edhe nga Bajroni (The Orientalists, Oxford 1977, 113-114). Pas hulumtimeve të tjera të posaçme, më të plota e tё imëta, të dhënat e sakta do të jenë të dobishme sakaq për Muzeun e Bruklinit, për të saktësuar shënimin që ata kanë përhapur përmes portalit të tyre në internet. Sipas një botimi të viteve të fundit në Nju-Jork, “Albanian girl” është vlerësuar midis 20 tablove më të bukura të artit europian, që ruhen në Muzeun e Bruklinit.

***
Prej penelit të piktorit austriak Johann Frankeberger (1807-1874) kanë dalё portrete të njohura të kohës, që nga Franz Josef, fisnikë dhe ushtarakë të lartë, po ashtu edhe fytyra njerëzish të thjeshtë nga populli. Midis tablove më të bukura vlerësohet edhe “Portreti i një vajze të re me veshje kombëtare shqiptare” (Portrait of a young woman wearing Albanian native dress). Veshjet në ngjyra të kuqe, të arta dhe me nuanca të ndërmjetme, janë në harmoni me gjithë gamёn koloristike tё tablosë. Në të njëjtёn kohë, ato sikur rilevohen nga sfondi i errët që vjen nga brendia e dhomës, duke kontrastuar lehtë me jeshilen e gjetheve të hardhisë qё shihen në parvazin e dritares. Vajza, që duket sikur pozon për piktorin, është bërë gati të këpusë me një thikë të vogël bistakun e rrushit që e mban me dorën tjetër. E pikturuar që në vitin 1846, kjo vepër u bë edhe më e njohur në vitin 2008. Në shkurtin e po atij viti Vajza me rrush u paraqit në një nga ankandet e organizuar nga Quinn’s Auction Galleries të Falls Church në shtetin Virginia të Amerikës. Deri në atë kohë vepra kishte qenë pjesë e koleksionit të një prej familjeve më të shquara të Europës, familjes Teleki. Në ankand ato ishin sjellë nga djali i konteshës Johanna Mekesh Teleki dhe i Geza Telekit, pra nga nipi i Pal Telekit, kryeministrit të Mbretërisë hungareze në vitet 1920-1921 dhe 1939-1941. Nga ky burim mund të nisen edhe hulumtimet për historikun e realizimit të kësaj pikture, për vajzën e veshur me kostume shqiptare, si dhe për ruajtjen e saj prej një kohe të gjatë në atë koleksion familjar.

***
Sipas botimeve daneze: “Arti Danez. Njëmijë vjet Histori Arti” (Dansk Litteratur Historie Kopenhagen, 2004) dhe “Historia e Letërsisë Daneze” (Dansk kunst. Tusind ars kunsthistorie, Kopenhagen, 1976), del se tabloja me portretin e një gruaje të bukur e Albert Kushler-it (1803-1866) në Ny Carlsberg Glypotek të Kopenhagës i kushtohet një vajze shqiptare. Realizuar në Itali në vitin 1831 dhe e ekspozuar në Danimarkë disa vite më pas, në diciturën e muzeut është shkruar: Italiania, por në të dyja botimet që sapo përmendëm, hartuar nga autorët më të njohur të historisë së letërsisë dhe artit danez, jepen të dhëna të qarta për shqiptarësinë e gruas së pikturuar. Aty shkruhet se poeti i njohur Christian Winther, gjatë qëndrimit të tij në Romë (midis viteve 1820-1830), ishte gjithnjë i pranishëm në rrethin e piktorëve danezë, të cilët gjithashtu kishin ardhur në kryeqendrën italiane për t’u frymëzuar nga trashëgimia e pasur e artit italian. Dhe ndërsa piktorët gjenin frymëzim në veprat e artit, poeti Winther ishte i frymëzuar edhe nga dashuria e gruas shqiptare! Tekstualisht në ata libra shkruhet: Christian Winther kishte rënë në dashuri me gruan e mrekullueshme shqiptare dhe i kërkoi Küchler-it ta pikturonte… (Dansk Litteratur Historie, Kopenhagen 1976, f. 90). Disa vite më parë piktori Küchler, me porosi të poetit Christian Winther, i pikturoi të dashurën e tij, një zonjushë të mrekullueshme shqiptare. Në këtë pikturë, ai arriti të realizojë bukurinë dhe hijeshinë femërore që nuk e përsëriti më në veprat e mëvonshme… (Dansk kunst. Tusind ars kunsthistorie, Kopenhagen 2004, f. 237)

Pra, tabloja e pikturuar nga Albert Küchler paraqet një vajzë shqiptare dhe pikërisht atë që ka qenë e dashura e poetit danez Christian Winther. Për informacion më të plotë, autorin e librit “Arti Danez. Njëmijë vjet Histori Arti”, H. B. Nielsen, në përgjigje rreth pyetjes për kombësinë së të dashurës së poetit, pra për vajzën që pozoi në pikturën e artistit Küchler, jep tri versione: se vajza mund të ketë qenë arbëreshe, shqiptare me banim në Romë ose italiane me banim në kodrat Albani, pranë Romës. Në fund H. Nielsen sugjeron se për kombësinë e gruas së paraqitur në tablonë e piktorit Küchler mund të gjykojë më mirë një studiues shqiptar. Nisur nga të dhënat e mësipërme, mendojmë se nga të tri hipotezat që paraqet H. Neilsen, më i mundshëm është varianti i dytë. Dihet se në Romë, sidomos midis viteve 1650-1850, ishin me banim të përhershëm disa familje shqiptare. Midis tyre, Aleksandri i familjes Albani, e vlerësuar si një nga më fisniket e kryeqytetit (famiglie Nobili), themeloi Vilën Muze dhe vajza e pikturuar mund të jetë një nga pjesëtaret e kësaj familjeje të madhe e të njohur.

Tabloja, ndonëse iu kushtua shqiptares, u porosit nga poeti Winther dhe u pikturua nga artisti Küchler, nuk u bë pronë e asnjërit prej tyre. Vlerat e saj ishin më të mëdha se të një portreti familjar. E ekspozuar në Ny Carlsberg Glypotek të Kopenhagës, midis veprave më të bukura të atij koleksioni të çmuar, kjo pikturë e artit danez paraqet imazhin që u krijua prej bukurisë e fisnikërisë së një vajze shqiptare të shekullit XIX.

***
Për pikturimin e disa portreteve të vajzave dhe të grave nga vendet e Lindjes, holandezi Jean Portielje (1829-1908) grupohet edhe midis autorëve orientalistë. Në ciklin me portrete të Bukurisë lindore, apo An Oriental beauty siç titullohet një nga veprat e tij më të njohura me imazhin e një vajze orientale, gjendet edhe portreti i vajzës shqiptare (Albanian Girl). Në pjesën më të madhe të pikturave me këtë temë, Portielje nuk i ka shënuar kombësitë e vajzave të pikturuara. Te tabloja Albanian Girl, kombësia shqiptare u përcaktua nga kuratori Tsirkus, pas diskutimeve të mëparshme se cilës prej kombësive të tjera të Ballkanit mund t’i përkiste pikërisht vajza e pikturuar. Origjinali i kësaj vepre u shit në vitin 2004 në një nga ankandet e artit në Londër (Bonhams, 13 January 2004, lot 339). Midis tablove të ndryshme, ku janë paraqitur portrete të vajzave shqiptare, Portielje ka nxjerrë në pah finesën dhe transparencën e veshjeve femërore, që në këtë rast janë më shumë në harmoni me karakterin dhe delikatesën e imazhit të pikturuar.

***
Piktor amerikan Daniel Celestin Sweenwy (1880-1958), imazhin e gruas shqiptare e paraqiti në faqen e parë të revistës Needlecraft, në muajin nëntor të vitit 1932. Pas kopertinave me temë shqiptare të revistave europiane Petit Journal, The London Illustrated News, Domenica, La Tribuna Illustrata, shpalosja e imazhit të bukur të gruas shqiptare përpara lexuesve amerikanë, ishte një vlerësim tjetër i veçantë. Ndryshe nga revistat e mëparshme, ku bota shqiptare përfaqësohej përmes luftëtarëve të lirisë, me figurat e burrave të armatosur, piktori amerikan ka zgjedhur portretin e një femre të qetë, të bukur dhe të gëzuar. Edhe në një nga kopertinat e mëparshme të revistave europiane (Le Petit Journal, Paris 1911), ku është pikturuar figura e një gruaje, subjekti përsëri vjen nga luftimet për liri e pavarësi dhe vepra titullohet Zhan d’Arka shqiptare (Jeanne d’Arc Albanaise). Përmes imazhit të gruas së re në revistën Needlecraft, Sweeney paraqet botën shqiptare në vitet e civilizimit bashkëkohor, kur shteti i ri po ecte përkrah vendeve të tjera europiane. Janë pikërisht vitet ’30 kur filluan të marrin hov veprimtaritë artistike në Shqipëri, ndërsa gratë e Tiranës filluan të vishen si bashkëmoshataret e tyre në Paris dhe në Romë. Për ta bërë më të qartë përkatësinë shqiptare të gruas së pikturuar, piktori amerikan ka vendosur në sfond flamurin kuqezi dhe sipër krerëve të shqiponjës ka shkruar me germa kapitale: ALBANIA.

Somario

Sipas historianit të artit francez J. Tomas, Vajza shqiptare është pikturuar në janar të vitit 1872. Një nga studiuesit më të njohur të Korosë, A. Robaut dëshmon se e ka parë vetë piktorin gjatë kohës që e pikturonte këtë tablo. (Robaut ka qenë dhëndër i Korosë dhe gjendej gjithnjë i pranishëm në studio dhe ekspozita. Ka botuar katalogun në katër vëllime me veprat e plota të Korosë. “L’Albanaise” është paraqitur aty me numrin 2147). Studiuesi nuk ka shkruar se si u frymëzua piktori, apo cila ishte lidhja e tij me shqiptarët. Madje sipas tij, piktori ka përdorur si model një vajzë të re franceze të quajtur Darmelas, të cilën e veshi me rroba shqiptare. Vajza që pozoi ka qenë rreth 15 vjeç.

Prej penelit të piktorit austriak Johann Frankeberger (1807-1874) kanë dalё portrete të njohura të kohës, që nga Franz Josef, fisnikë dhe ushtarakë të lartë, po ashtu edhe fytyra njerëzish të thjeshtë nga populli. Midis tablove më të bukura vlerësohet edhe “Portreti i një vajze të re me veshje kombëtare shqiptare” (Portrait of a young woman wearing Albanian native dress). Veshjet në ngjyra të kuqe, të arta dhe me nuanca të ndërmjetme, janë në harmoni me gjithë gamёn koloristike tё tablosë. Në të njëjtёn kohë, ato sikur rilevohen nga sfondi i errët që vjen nga brendia e dhomës, duke kontrastuar lehtë me jeshilen e gjetheve të hardhisë qё shihen në parvazin e dritares

Sipas botimeve daneze: “Arti Danez. Njëmijë vjet Histori Arti” (Dansk Litteratur Historie Kopenhagen, 2004) dhe “Historia e Letërsisë Daneze” (Dansk kunst. Tusind ars kunsthistorie, Kopenhagen, 1976), del se tabloja me portretin e një gruaje të bukur e Albert Kushler-it (1803-1866) në Ny Carlsberg Glypotek të Kopenhagës i kushtohet një vajze shqiptare. Realizuar në Itali në vitin 1831 dhe e ekspozuar në Danimarkë disa vite më pas, në diciturën e muzeut është shkruar: Italiania, por në të dyja botimet që sapo përmendëm, hartuar nga autorët më të njohur të historisë së letërsisë dhe artit danez, jepen të dhëna të qarta për shqiptarësinë e gruas së pikturuar.

Piktor amerikan Daniel Celestin Sweenwy (1880-1958), imazhin e gruas shqiptare e paraqiti në faqen e parë të revistës Needlecraft, në muajin nëntor të vitit 1932. Pas kopertinave me temë shqiptare të revistave europiane Petit Journal, The London Illustrated News, Domenica, La Tribuna Illustrata, shpalosja e imazhit të bukur të gruas shqiptare përpara lexuesve amerikanë, ishte një vlerësim tjetër i veçantë. Ndryshe nga revistat e mëparshme, ku bota shqiptare përfaqësohej përmes luftëtarëve të lirisë, me figurat e burrave të armatosur, piktori amerikan ka zgjedhur portretin e një femre të qetë, të bukur dhe të gëzuar.

Diciturat.

1. J. Portielje, Vajza shqiptare, 1870, koleksion privat Londër
2. D. C. Sweeney, Shqiptarja, 1932, akuarel, koleksion privat Amerikë
3. F. Buhser, Vajzë shqiptare, 1881, Muzeu i Soloturnit, Zvicër
4. J. Frankeberger, Portret i gruas së re me kostum shqiptar, 1846, Quinn’s Auction Galleries, Falls Church, Virginia, USA
5. A. D. Magaud, Shqiptarja,1867, akuarel, Muzeu Cantini, Marsejë
6. C. Maurand, Grua shqiptare, gravurë e vitit 1858
7. R. Livori, Grua nga Shkodra, vizatim i vitit 1918
8. C. Corot, Vajza shqiptare, 1872, ngjyra vaji, Muzeu i Bruklinit, Nju-Jork
9. M. A. Walker, Biseda e mëngjesit, Shqipëri, litografi e vitit 1864
10. B. Taslitsky, Vajzë shqiptare, 1957, vizatim, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë

MAPO - Prof. Dr. Ferid Hudhri