Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    100 vjetori i pavarësisë - Për lavdi të Perëndisë

    Për lavdi të Perëndisë

    I gjithë populli shqiptar po feston përgjatë gjithë këtij viti dhe veçanërisht këtë muaj 100-vjetorin e Pavarësisë. 28 Nëntori shënoi shkëputjen përfundimtare nga zgjedha otomane dhe nisjen e rrugës së vështirë për t’iu ribashkuar sërish shpirtërisht dhe ekonomikisht familjes sonë Evropiane, nga gjiri i së cilës ishim shkëputur përdhunshëm për 500 vjet.

    Në këtë rrugëtim shekullor drejt lirisë dhe pavarësisë orthodhoksët kanë dhënë një kontribut ekonomik jo vetëm të qenësishëm, por edhe vendimtar. Ky ka qenë një kontribut sa shpirtëror, aq edhe kulturor e luftarak. Ishte orthodhoksi Gjergj Kastrioti që i rezistoi me lavdi zgjedhës otomane dhe më pas orthodhoksët morën pjesë në kryengritjet e shumta, ku mund të veçonim epopenë e trimave himarjotë e deri te lufta finale për të hedhur poshtë zgjedhën otomane, ku orthodhoksët morën pjesë masivisht.

    Ishte kontributi kulturor i orthodhoksëve që rrezatoi në shekuj dhe që kontribuoi qenësishëm për të krijuar, por edhe për të mbajtur gjallë kulturën kombëtare. Kujtojmë Perikopenë e Ungjillit të Pashkës, ndoshta dokumenti i parë në shqip, i cili dëshmon një përpjekje më të hershme për shkrimin e saj. Kujtojmë Dhaskal Todhrin, Episkopin Grigor Gjirokastriti, Vangjel Meksin, Konstandin Kristoforidhin, Akademinë e Voskopojës, Naum Veqilharxhin, Papa Kristo Negovanin, Petro Nini Luarasin, Mihal Gramenon, Imzot Theofan Nolin e shumë të tjerë.

    Kujtojmë edhe kulturën materiale të krijuar nga orthodhoksët, që nga kodikët, kishat e mrekullueshme, ikonat e jashtëzakonshme dhe afresket e pashoqe, me të cilat mburret i gjithë kombi etj.

    E gjithë kjo rrjedhë shekullore bëri që orthodhoksët të ishin pjesë themelore dhe e pandashme e realizimit të ëndrrës shekullore të Pavarësisë. Ata ishin pjesë e pandashme në nënshkrimin e Aktit të Mëvetësisë, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, por edhe e gjithë kësaj rruge 100-vjeçare të themelimit dhe konsolidimit të Shtetit Shqiptar. Ndaj në këtë përvjetor festojnë së bashku me të gjithë popullin shqiptar me krenarinë e kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë në historinë e vjetër e të re të vendit dhe me bindjen se do ta rrisin këtë kontribut në të ardhmen.

    Th. Dh.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 100 vjetori i pavarësisë - Për lavdi të Perëndisë

    Firmëtarët orthodhoksë të Pavarësisë

    Babë Dudë Karbunara (1842 – 1917) Lindi në Berat më 1842. Ai njihej ndryshe me emrin Jorgji Karbunara, por me të marrë titullin Babë nga bashkëqytetarët e përdorte dhe kur nënshkruante.

    Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Kostandin Kristoforidhit. Shqiptarizmi i theksuar i tij ra në sy të turqve, të cilët më 1895 i dogjën shtëpinë në Berat. U angazhua në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz. Studimet e larta për kohën, i përfundoi në Itali, për italisht.

    Në dekadën e dytë të shek. XX, iu përkushtua hapjes së shkollave shqipe dhe mësimit të shqipes. Nga 1906 apo 1907, tek Hani i Xheblatit, Babë Dudë Karbunara me ndonjë tjetër u mësonin alfabetin shqip fëmijëve e të rriturve. Që në ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën një shkollë shqipe. Shkolla qe hapur në katin e fundit të një dyqani 3-katësh të Muharrem Libohovës (Rulit), shkollë të cilën e drejtonte me entuziazëm Babë Duda.

    Si veprimtar i dalluar i rretheve patriotike, u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës, ku si i tillë, firmoi aktin e shpalljes së pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Gjithashtu, u zgjodh anëtar i Pleqësisë.


    Jani Minga, lindur në fshatin Shënpjetër të Fierit. Arsimin e ndoqi në Vlorë. Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartonte edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe” etj. Në korrik 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës.

    Më 1912-n Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë duke shkruar J. Minga. Atë kohë, me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj.


    Dhimitër Berati lindi më 15 tetor të vitit 1888 në Korçë, ishte atdhetar, politikan e publicist.

    Përfundoi në Rumani Fakultetin e Shkencave Politike dhe atë Juridik. Pas vitit 1905 kthehet në Korçë, ku punon si mësues në shkollën e parë shqipe të Korçës. Anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908. Më 1908 merr pjesë në Kongresin e Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresin e Dytë të Manastirit. Nga të parët pjesëmarrës në mbledhjen e hotel “Kontinental” në Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. U emërua “drejtor i përgjithshëm” në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës” dhe u zgjodh anëtar i Pleqësisë. Më 1913 sekretar i delegacionit shqiptar që udhëton në Londër, Paris, Romë, etj. Më 1913 administrator i spitaleve të vendit.


    Dhimitër Mborja, anëtar i shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908. Kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Më 5 nëntor 1912 merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Më 28 nëntor 1912, firmon aktin e Pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”, e cila punonte për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe.


    Dhimitër Zografi lindi në Korçë më 1878. Në fund të shek. XIX, së bashku me vëllezërit, emigroi në Rumani. Më 1906 merr pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit “Bashkimi- Unirea”. Një nga organizatorët e mbledhjeve që u zhvilluan në fillim të nëntorit 1912 në Bukuresht. Aty theksoi se patriotët “kanë besim të plotë në veprimin e Kombit shqiptar pas udhës që tregoi z. Ismail Qemal Beu e se kanë për të bërë sa mundet me gjithë shpirt e me të gjitha mënyrat për shpëtimin e Atdheut” ( “Shqipëri` e Re”, Kostancë, datë 29 nëntor 1929). U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në shpalljen e Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912 firmos vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë.


    Pandeli Cale (1879 - 1923) lindi në Korçë. Kreu Liceun Klasik Francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1900-1904 punon në koloninë e Bukureshtit. Më 1904 kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1908. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 - 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe si vetëdashës shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 Nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos Manifestin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Emërohet Ministër i Bujqësisë, Iindustrisë dhe Tregtisë.


    Spiridon T. Ilo Lindi në Korçë në vitin 1876. Në moshë fare të re emigron në Bukuresht, Rumani. Aty u lidh me organizatat patriotike shqiptare në mërgim. Në datën 5 nëntor 1912, Spiridon T. Ilo do të marrë pjesë në mbledhjen e mbajtur në hotel “Kontinental” të Bukureshtit, dhe të drejtuar nga Ismail Qemali. Në këtë mbledhje u vendos shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Sipas informacionit të djalit të tij, Spiridon T. Ilo mori flamurin shqiptar që zbukuronte sallën dhe e solli atë në Vlorë. Më 27 nëntor 1912, ai qëndroi në shtëpinë e tezes së tij Marigo Pozio. Marigo Pozio i qepi këtij flamuri një radhë thekësh dhe bëri disa ndryshime tek shqiponja. Ky flamur u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Spiridon T. Ilo mori pjesë në mbledhjen për shpalljen e pavarësisë si përfaqësues i Korçës.


    Thanas Floqi lindi në Korçë më 14 janar 1884. Pasi përfundoi gjimnazin në Misolongji të Greqisë, vazhdoi studimet për drejtësi në Universitetin e Athinës, por kthehet në atdhe pa mundur t’i përfundojë. Më pas migron në SHBA ku merret me veprimtari atdhetare, në shoqëritë “Malli i Mëmëdheut” dhe “Vatra”. Më 1908 kthehet dhe vendoset në Vlorë, ku kontribuon në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe merret gjithashtu edhe me veprimtari në fushat e artit dhe muzikës. Hap shkollën e parë shqipe të Fierit në Cakran. Në Vlorë përgatit së bashku me Marigo Pozion dhe Petro Fotografin bocën e flamurit të pavarësisë. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë në Vlorë, 1912.

    Pas shpalljes së pavarësisë, vazhdon të merret me aktivitete në shërbim të çështjes shqiptare, si jurist për administratën, si përkthyes për Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit dhe si kryesekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Më 1913 vendoset në Elbasan ku bashkëpunon me Aqif Pashë Elbasanin dhe jep mësim në Normalen e këtij qyteti.



    Aristidh Ruci (1875-1950) lindi në Sheper të Zagorisë, 9 vjet më vonë se Andon Zako Çajupi në të njëjtin fshat. Vijoi mësimet në gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX gjendet në Janinë. Pas veprimtarisë aty, vendoset në Vlorë, ku në vitin 1908 angazhohet në themelimin e klubit patriotik “Labëria”. Po atë vit fillon përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe te të vegjlit. Me armë në dorë merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Si delegat i Vlorës merr pjesë në kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmoi aktin me siglën “A. Ruci”. Mori pjesë në Luftën e Vlorës në vitin 1920.


    Elefter (Lef) Nosi u lind në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan. Njihet si babai i filatelisë shqiptare.

    Lef Nosi u arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell të veçantë punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdheu i tij, qenë shtysat e forta që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Më 1902 shpëtoi pa u dënuar, sepse nuk iu provua fajësia. Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907.

    Më 1909, ai u zgjodh kryetar i klubit “Vllaznia” në Elbasan. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit. Një vit më vonë, botoi gazetën “Tomorri” ku ka përkrah Aleksandër Xhuvanin, Luigj Gurakuqin, Simon Shuteriqin, Kristo Dakon (25 III 1910). Ai ishte një nga figurat qendrore që kontribuuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909), si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909).

    Dy artikuj të përkthyer nga shtypi evropian bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital. Drejtori i Shkollës Normale u kap paraditen e 7 gushtit 1910 në Elbasan. Katër ditë më vonë dënohet nga një gjykatë ushtarake dhe internohet në Bursë të Turqisë. Ndërkohë qeveria e re e xhonturqve kishte nisur një fushatë kundër çdo gjëje që shprehte lëvizje për pavarësi, sidomos ndaj atyre që shpreheshin në gjuhën shqipe. Përballë këtyre sulmeve u gjend dhe Normalja e Elbasanit të cilën qeveria osmane e mbylli në tetor të vitit 1910. Përballë kësaj situate Fan Noli nga Bostoni i shkruante Lef Nosit në Elbasan që do të ishte mirë dhe njëkohësisht një goditje për qeverinë osmane që Normalja të transferohej jashtë tokave shqiptare në ndonjë shtet të Evropës.

    Shkolla nuk u transferua jashtë, por qëndroi mbyllur afro 18 muaj për t’u hapur nga marsi i vitit 1912. Për rikthimin e tij nga internimi do të angazhoheshin pothuajse të gjithë miqtë e tij. Do të lirohej nga internimi 9 muaj më vonë për t’u gjendur përsëri në Elbasanin e tij, në mesditën e 9 prillit 1911. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit, si Ministër i Post-Telegrafit. Sipas arkivave të mbajtuna nga Qeveria e Përkohshme e Vlonës, ishte një nga nismëtarët themeltarë për vendosjen e një shërbimi informativ.


    Petro Poga lindi në Erind të Gjirokastrës ku edhe ndoqi mësimet e para. Më pas shkollohet në Gjimnazin e Janinës dhe pastaj për drejtësi në Universitetin e Stambollit ku fitoi një kulturë të gjerë. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, që më pas e vijoi botimin patrioti rilindas Pandeli Sotiri. Ne kujtimet e tij, Petro shkruan: “Fletorja ‘Drita’ e zgjoi idealin e shenjtë kombëtar dhe ndikoi për çrrënjosjen nga zemrat e shqiptarëve të mendimit që fetë nuk e ndryshojnë kombin, duke mos mundur të ndryshojnë gjuhën dhe zakonet që formojnë kombin.” Në vitet 1906-1908, Petro Poga gjendet në Gjirokastër ku dha ndihmesën në përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjave kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e klubit patriotik “Drita” të Gjirokastrës.

    Në vitin 1912 Petro Poga mbështeti fuqimisht kryengritjen antiosmane të Shqipërisë së Jugut. Në nëntor të vitit 1912, parësia e Gjirokastrës e zgjedh delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Petro Poga bëhet kështu një nga nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Petro Poga caktohet Ministër i Drejtësisë, si pjesë e qeverisë së parë shqiptare, post të cilin e mban deri në vitet ’20. Krahas kësaj detyre, Ismail Qemali dhe Qeveria e Vlorës e ngarkuan edhe me detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë 1913-1915. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani harton Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane.



    Dhimitër Tutulani (1875-1937) lindur në Berat. Përfundoi gjimnazin “Zosimea” në Janinë e më tej vazhdoi studimet për jurist në Athinë. Pas përfundimit të shkollës, u kthye në Berat, ku filloi të punojë si avokat. Këtu ndihmoi lëvizjen patriotike, duke u bërë bashkëpunëtor i veprimtarëve dhe idealeve kombëtare. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës, ku firmoi Aktin e Pavarësisë Kombëtare, me siglën “Dh. Tout”.


    Kristo Meksi (1849 - 1931) Ishte ndër themeluesit e shoqërisë shqiptare të Bukureshtit. Më 28 nëntor 1906, në shtëpinë e tij zhvilloi punimet mbledhja e bashkimit të shoqërive “Dituria”, “Dibra” dhe “Shpresa”.
    Në krijimin e shoqërisë “Bashkimi”, 11 dhjetor 1906, u zgjodh njëri ndër drejtuesit e saj. Në letrën që K. Meksi e R. Anastasi i shkruajnë gazetës “Shpnesa e Shqypënisë” në Raguzë në shkurt 1907, mësojmë se shoqëria “Bashkimi” kishte për qëllim “të shtypnjë libra shqip, të ndihë e të hap shkolla kombiare ndë Shqipëri…”

    Më 5 maj 1907 ai nënshkroi deklaratën e themelimit të Komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë” në Bukuresht me Pandeli Evangjelin, Bajo Topullin, Vasil Zografin dhe Veli bej Këlcyrën. Në vitin 1910 ai i dhuroi gazetës “Korça” shkronjat e shtypshkronjës.

    Në nëntor të vitit 1912 ishte ndër organizatorët e mbledhjes së Bukureshtit, ku morën pjesë I. Qemali, L. Gurakuqi e atdhetarë të tjerë. Sipas Asdrenit në kujtimet e tij, K. Meksi në këtë mbledhje tha: “Kemi besim e shpresë të plotë në veprimin e kombit shqiptar pas udhës që tregoi z. Ismail beu…” Së bashku me delegatët e Bukureshtit udhëtoi drejt Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, ku u zgjodh në Pleqësinë e Kuvendit.


    Jani Papadhopulli ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare, i cili më vonë u zgjodh deputet i parlamentit shqiptar në vitin 1924.


    Ngjallja,
    Nentor 2012
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Fehmikaciu
    Anëtarësuar
    11-01-2013
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,006

    Për: 100 vjetori i pavarësisë - Për lavdi të Perëndisë

    Faleminderit Albo,per keto shenime te bukura ,eshte merit e jotja qe na solle keto shenime,dhe me ke disponuar pa mase,RESPEKT.....

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e peshkatari2011
    Anëtarësuar
    14-02-2011
    Postime
    258

    Për: 100 vjetori i pavarësisë - Për lavdi të Perëndisë

    Shume mire ke bere pergezime,,por me mire do te ishte;
    Lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës nga 28 nëntori më 7 dhjetor 1912.
    Ne po i rendisim sipas ardhjes në punimet e Kuvendit, por, duke bërë dy sqarime: ditën e parë ishin të pranishëm dhe dy delegatë që nuk kanë firmosur Aktin, me sa duket janë larguar ndërkohë që të tjerët firmosnin; gjithashtu na rezultojnë katër delegatë të shpallur gjatë mbledhjeve të Kuvendit si të tillë, që nuk kanë mundur të mbërrijnë para se punimet të mbyllen më datë 7 dhjetor. Shtojmë se ka dhe raste që ka delegatë (dy), që përmenden me emër kur ata mungojnë ose kur ata kanë marrë vota si në rastin e Pleqësisë, por që nuk është shpallur ardhja e tyre. Pra, mund të ketë ndonjë rezervë par saktësinë e procesverbaleve. Ne nga ana jonë e quajmë të rregullt atë procesverbal.
    Firmëtarët:
    Ismail Kemal Beu, Ilias Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani, Myfti Vehbi Efendiu (Agolli), Abas Efendi (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu), Dom Nikoll Kaçorri, Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani), Midhat Be’ Frashëri, , Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce), Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Abdi Be’Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja), Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa (Lushja), Zyhdi Beu (Ohri), Dr. Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojli, Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Deliallisi), Zyhni Efendiu (Kanina, Mustafaraj), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Beratti, Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua, Luis Gurakuqi.
    Pjesëmarrësit e tjerë, sipas datës së paraqitjes në Kuvend:
    Aziz Efendiu (Gjirokastra), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini), këta të dy ishin të pranishëm qysh më datë 28 por nuk firmosën; Mustafa Agai (Hanxhiu), Jahja Efendiu (Ballhysa), Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku (Begolli), Surrja Be’ Vlora, Sami Be Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu), Mahmut Efendi Kaziu, Kristo Meksi, Sherif Efendiu (Langu), Myfit Bej Gjirokastra (Libohova), Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha), Veli Bej Klisura, Veli Gërra Reshadia, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete), Rexhep Demi, Qerim Beg (Begolli), Avni Bej Delvina, Hamdi Be’ Ohri, Mustafa Efendiu (Barotçiu), Ahmet Muftar Beu (Zogolli), Riza Beu, Kurt Agai, Zenel Be Ipeku (Begolli), Riza Beg Gjakova.
    Delegatë që nuk mbërritën në kohë:
    Ekrem Be’ Vlora, Dervish Hima, Hajdar Blloshmi dhe Dhimitër Ilo.

    Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/07/1...#ixzz2KuYEmVYz
    Ndryshuar për herë të fundit nga peshkatari2011 : 14-02-2013 më 17:30

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •