Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 39
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Dëshmitarët shqiptarë të dashurisë dhe besimit në Krisht

    Nuk u përkul, por vazhdoi me besim të palëkundur

    -Në trevjetorin e fjetjes së Imzot Kozmait -

    Tre vjet më parë, më 11 gusht 2000, ditën e premte në orën 17:00, fjeti Episkopi i Apolonisë Kozmai. Kjo qe një humbje e madhe për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Nga gjiri i saj u nda bariu i mirë, mësuesi dhe edukatori, shembulli i sakrificës dhe vetmohimit. Në fjalën e Tij ditën e Fronëzimit, Kryepiskopi Anastas do thoshte ndër të tjera: “…Ke kaluar një jetë të tërë plot sprova, hidhërime e varfëri, një jetë totalisht të përkushtuar te Krishti. Gjatë 23 viteve tragjike të persekutimit të pamëshirshëm ateist, ti nuk u përkule dhe vazhdove pa zhurmë me besim të palëkundur, me durim mahnitës, veprimtarinë tënde hieratike, duke meshuar dhe duke
    pagëzuar rreth tre mijë njerëz.”. Më poshtë po japim disa episode nga jeta e Imzot Kozmait nga koha e persekutimit të egër ateist, që më mirë se çdo gjë tregojnë për një jetë tërësisht të përkushtuar Krishtit.

    Ishte data 8 nëntor (vitin nuk e mbante mend). At Kozmai kishte shkuar që herët në Vlorë, pasi atë ditë ishte e kremtja e Kryeengjëjve Mihail dhe Gavril. Pasi vizitoi disa familje që festonin emrat atë ditë, i qetë po ecte rrugës për t’u kthyer në fshat. Në moment dikush i del përpara, i thotë se ishte punonjës i sigurimit dhe se duhej që ta ndiqte atë në Degën e Punëve të Brendshme. At Kozmai në trastën e vjetër që mbante gjithnjë me vete, kishte petrahilin dhe librin e shërbesave të shenjta. Rrugës, ai po mendonte për trastën, si do t’ia bënte, pasi atje mund dhe ta kontrollonin. Kur u futën te dera e DPB, At Kozmai i thotë policit që rrinte roje atje nëse
    mund ta linte trastën përjashta, pasi nuk mund të shkonte te kryetari i degës me këtë trastë të vjetër. Roja pa e ditur se ç’kishte në trastë dhe pa ndonjë qëllim i thotë se trastën duhej ta merrte me vete. Ishte ky një moment i vështirë. Ai ecte nëpër korridorin e ndërtesës dhe u lutej Kryeengjëjve që ta ndihmonin. U fut në zyrë, përshëndeti kryetarin, i cili e ftoi të ulet në një karrige afër tij. Edhe kryetarit i bën të njëjtën kërkesë për të lënë trastën te dera. Kryetari kur pa trastën e vjetër në duart e At Kozmait i thotë se mund ta linte. Pasi u ul në karrige filluan pyetjet. Kryetari i thotë se kishte informacion që At Kozmai vazhdonte punën e priftit në fshehtësi dhe se u shkonte besimtarëve nëpër shtëpi për të kryer ritualet fetare. At Kozmai i kthehet i qetë dhe i thotë: “Unë o kryetar, tashmë kam një kazmë të mprehur mirë dhe punoj për të ushqyer fëmijët”. Më pas, kryetari i degës i dha leje të shkonte. At Kozmai mori trastën që kishte lënë te dera e zyrës, e hedh në sup dhe largohet duke lavdëruar Perëndinë që iu gjend pranë edhe në këtë moment të vështirë.

    Dikush ishte ankuar në polici se At Kozmai dikur i kishte dhënë biblën për ta lexuar, dhe këtë bibël ai e dorëzon te kryetari i DPB. Menjëherë e thërresin At Kozmanë për ta pyetur për këtë problem. Ai shkon në zyrën e kryetarit pa e ditur përse e kishin thirrur. Ulet në karrigen përballë tij dhe menjëherë u befasua kur mbi tavolinë pa biblën që dikur e kishte dhuruar. Kryetari e kuptoi dhe në këtë çast merr biblën në dorë dhe i drejtohet At Kozmait: “A është i juaji ky libër?” Ai fliste me një siguri të tillë dhe mendonte se At Kozmai do ta mohonte
    një gjë të tillë. Por Jisu Krishti thotë: “... Fryma e Shenjtë në po atë moment do t’ju mësojë se ç’duhet të thoni” (Luka 12:12). “Po - i përgjigjet At Kozmai - ky libër është imi”. Kryetari u habit me pohimin e At Kozmait dhe menjëherë i tha: “Atëherë çdo ky libër në duart e mia?” Përsëri i qetë, At Kozmai i përgjigjet: “Personi që jua ka dhënë këtë libër duhej të ma jepte mua, pasi kur bëra dorëzimet e kishës edhe ky libër më mbeti pa dorëzuar, pasi nuk mbaja mend mirë personin, të cilit ia kisha dhënë. Dhe juve ju lutem të ma jepni që ta dorëzoj”. Kryetari u habit me përgjigjen dhe guximin e këtij plaku dhe i thotë: “Ikni tani, këtë libër do ta mbaj unë, por kini kujdes kur të dhuroni herë tjetër ndonjë libër”. At Kozmai u largua pak i befasuar nga fjalët e kryetarit.

    ...Në Dhërmi. Pas një bisede që kishte bërë me Petro Xhuvelin, At Kozmai shkon në Dhërmi dhe pagëzon 55 fëmijë. Në çastet e fundit të shërbesës lajmërojnë se kishin ardhur njerëz të sigurimit për ta kapur pasi e kishin kuptuar që ishte aty dhe po pagëzonte. Pasi mbaroi misterin, njerëzit e shtëpisë e nxorën nga një derë e fshehtë pas shtëpisë dhe e çuan në një shtëpi tjetër. Ndenji aty tërë natën dhe në mëngjes pasi bëri pak rrugë më këmbë deri në dalje të fshatit e hipën në një makinë të sigurtë, që e çoi deri në Vlorë.

    Përgatiti: At Spiro Bulika

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    At Kosta nga Çarshova e Përmetit

    At Kosta Dhimitër Haxhi, lindur në vitin 1903 rridhte nga një familje me tradita të shquara të besimit orthodhoks, në trevën e Çarshovës. Vetëm fshati Çarshovë në këto vite kishte 12 kisha dhe 12 konizma. Emigroi si shumë të tjerë në moshë të vogël në Stamboll, ku bëri punë të ndryshme. Kjo i dha mundësinë që në mënyrë autodidakte të mësojë shumë gjuhë të huaja si turqisht, anglisht, greqisht dhe frëngjisht. Në Stamboll vizitoi shumë objekte kulti sidomos kishën madhështore të Shën Sofisë e cila përbënte një nga mrekullitë më të shquara të besimit të krishterë.

    Edukata familjare që në vogëli e përsosi me njohuri të shumta për besimin orthodhoks. Sa herë që kthehej në fshatin e lindjes pasuronte bibliotekën e tij me libra të besimit të krishterë dhe libra të shumtë historikë. Ka botuar në gazetat e kohës në gjuhën shqipe kalendarë orthodhoksë, tregime të shumta, të cilat i ruajnë edhe sot fëmijët e tij. Në vitin 1939 u kthye përfundimisht në familjen e tij në Çarshovë. Në vitin 1951, mbas një qëndrimi
    në Manastir tregoi se ishte shumë i përgatitur dhe se kishte njohuri të thella (ka qenë psalt gjatë ceremonive fetare), ndaj u hirotonis në prift dhe punoi në fshatrat e enorisë së tij, Çarshovë, Rrëzë, Bënjë.

    Punoi me përkushtim e ndershmëri, me një urtësi e mençuri kristiane për 16 vjet. Të gjithë ata që e kanë njohur papa Koçon në ato vite flasin me respekt për të dhe gjatë liturgjive fetare kisha mbushej plot me besimtarë. Në vitin 1967 ashtu si shumë klerikë të tjerë, pas shkatërrimit barbar të objekteve të kultit, u flak në rrugë, pa asnjë përkrahje ose pension nga shteti. Në kushte tepër të vështira rriti, edukoi dhe shkolloi pesë fëmijët e tij, i pajisi ata me njohuri të thella të besimit të krishterë.

    Vala e madhe antifetare e vitit 1967 e dëshpëroi pa masë, por me besimin te Zoti u thoshte fëmijëve të tij, sërish do të lumturohemi e do të vijë përsëri dita e rihapjes së kishave. Gjatë këtyre viteve të vështira kryente shpesh në fshehtësi shumë mistere fetare sidomos pagëzime, kurorëzime etj., duke mbajtur një regjistër sekret, i cili ekziston edhe sot. Dëgjonte në fshehtësi meshat në radio të huaja. Mbante të fshehur në shtëpinë e tij mbi 25 libra fetare në shqip e greqisht, ikona të shumta, kryqe, rrobat e pagëzimit, kurorëzimit, mirosjes etj. Të gjitha këto u dorëzuan në kishën e re të shën Kozmait, ndërtuar në vitin 1998, ku janë edhe sot.

    Gjatë këtyre viteve agjentët e sigurimit e gjurmonin dhe i kishin përgatitur dosjen për ta arrestuar. Aty nga viti 1981 ditën e Pashkës, të cilën e festonte me familjen në fshehtësi të madhe, një agjent sigurimi gjeti afër shtëpisë së tij disa lëvozhga veze të kuqe dhe i dorëzoi te operativi i zonës. E thërresin së bashku me sekretarin e partisë në zyrë. Kjo e shqetësoi shumë dhe 2 javë nuk doli nga shtëpia. Jetoi dhe disa vite të tjera me ndjenjën e frikës së arrestimit dhe dëshpërimit..

    Para se të vdiste la vetëm një amanet:

    “Të gjitha librat, konizmat, rrobat, kryqet etj., t’i dorëzoni në kishën e fshatit dhe kur të vdes atë kryqin e madh të ma vini te koka në varr”. Në moshën 84 - vjeçare u nda nga jeta, në vitin 1986, me një brengë, që nuk arriti edhe një herë të shihte rihapjen e kishave. Amanetet e tij të fundit fëmijët ia plotësuan.

    Gjergji Haxhi, Çarshovë-Përmet
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Fjeti bashkëmeshtari ynë i lumtur, At Lefter Shqau

    Më 28 nëntor 2004 u nda nga jeta e përkohshme vëllai e bashkëmeshtari ynë më Krishtin, At Lefter Shqau. Ai është ndër të paktët, që kishte mbetur nga brezi i vjetër i klerikëve dhe një gur i rëndë i fortë e i ndritshëm i besimit tonë orthodhoks. Ai lindi, punoi e jetoi në vendlindjen e tij, në Shpat të Elbasanit.

    Më 14 shkurt të vitit 1914, në familjen e madhe të Shqajve, në Gjinar, erdhi në jetë një djalë i vogël, që u pagëzua dhe u rrit si i krishterë i mirë. Në kishën e fshatit mes shokëve, në familjen e priftit ai mori mësimet e para të Ungjillit, të cilat do ta frymëzonin në jetë për t’i shërbyer Kishës së Krishtit e bashkëfshatarëve të tij.

    Kur u rrit e nisi të burrërohej bashkëfshatarët dhe Ati i Kishës panë zellin e Lefterit dhe propozuan dërgimin e tij për të mësuar rregullat e priftërisë. Dhe me vullnet e dashuri ai afro një vit e gjysmë mësoi pranë At Thanas Bebit në kishën e Shën Kollit, afro 4 muaj në kishën e Shën Marisë së Kalasë në Elbasan.

    Më 14 prill 1943 në moshën 29-vjeçare hirotoniset prift.

    Për 6 muaj shërbeu në Manastirin e Shën Joan Vladimirit dhe me kërkesën e bashkëfshatarëve të tij nis shërbesën e priftërisë në Gjinar dhe fshatrat përreth, si: Valësh, Pashtresh, Xibresh, Stërstan, Katund Plak e Bërzhdau. U shërbeu besimtarëve me devotshmëri e frikë Perëndie deri në shkurt të vitit të zi 1967, kur besimi u ndalua e kishat u mbyllën e u prishën. At Lefteri ndjeu dhembje të madhe në shpirt por ai kurrë nuk e mohoi besimin më Krishtin ashtu, si edhe stërgjyshërit e tij shpatarakë në kohën e pushtimit osman. Ai luftoi që edhe të tjerët rreth tij të mos ligështoheshin e mohonin Krishtin. Kisha e dashur e fshatit të tij “Shën Thanasi” u kthye në magazinë. Iu gëzua faktit që kisha e bukur e “Shën e Premtes” në Valësh, e shpallur monument kulture, i shpëtoi ortekut të prishjes. Po kështu edhe kisha e Shën Llazarit në Pashtresh dhe e Anargjendëve ose Shumëshenjtëve në Stërstan nuk u rrënuan, por mbetën edhe ato magazina. Për At Lefterin nisi kalvari i mundimeve. Ai dërgohet të punojë në pyjore, në mal të Bukonikut. “Ti, si njeri i Perëndisë, duhet të jesh sa më pranë saj”, - i thanë me tallje. At Lefteri kujtoi përbuzjen, shuplakat dhe kryqëzimin e Krishtit dhe nuk foli. Vazhdoi të punojë si i përndjekur dhe të jetojë i denjë në sytë e Perëndisë. Me mundim ushqeu e shkolloi fëmijët e tij. I rriti të mirë, të urtë, të mençur e të mbarë. Edhe ata nga ana e tyre ishin krenarë e ndjeheshin më shumë të tillë kur i thërrisnin djali e vazja e “Priftit”. Pleqëria e thinji plotësisht e ia mbushi ballin plot rrudha, por nuk e përkuli At Lefterin. Ndonëse i vogël në trup ai i ngjante pishave të blerta, që nuk përkuleshin lehtë. Ardhja e demokracisë në vitet ‘90 me rilindjen e besimit e gjallëroi sërish At Lefterin. I rinuar e me një shpirt të gëzuar nisi sërish detyrën priftërore. Tanimë enoritë e papa Lefterit u bënë Kavaja, Tirana, Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Shpati e më gjerë. Shërbeu sërish në kishën e fshatit “Shën Thanasi”.

    Me ndihmën e Kryepiskopit dhe Kryebariut Anastas u ngrit në qendër të Gjinarit kisha e re “Ngritja e Kryqit”. At Lefteri u gëzua për kishën e re, por nuk kishte fuqi më të meshonte. Ai vinte ditëve të shënuara e ndonjë të diel dhe kungohej me trupin e gjakun e Krishtit. “Lum si ju, o djem që jeni të rinj e të shkolluar kaq mirë”, na drejtohej shpesh i lumtur. At Lefteri gëzohej që disa nga bijtë e Shpatit janë hirotonisur në priftrinj e shërbejnë në Kishën Orthodhokse.

    Rreth trupit të At Lefterit, duke u lutur në kishën “Ngritja e Krishtit” e duke kryer shërbesën e lamtumirës veç At Kostës, At Palit, At Janit, At Stavrit e At Viktorit ishin edhe qindra besimtarë nga i gjithë Shpati e Elbasani. At Lefteri u përcoll me dashuri prej tyre, duke u shoqëruar me lutjet e tyre ndaj Perëndisë mëshirëplotë e mëshirëmadh që ta prehë shpirtin e Tij në dritën e pashuar të lavdisë së dritës. Engjëjt e lavdëruar e marrshin shpirtin e tij sa më shpejt.

    I përjetshëm qoftë kujtimi i atit,
    bashkëmeshtarit tonë të respektuar
    At Lefterit!

    At Stavri Çipi, Elbasan
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Ndërroi jetë teologu Maksim Çuko


    Maksim Çuko lindi më 10 korrik 1967, në fshatin Fier i Ri të rrethit të Lushnjës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në Krutje. Në vitin 1992 ndoqi Seminarin Theologjik Hieratik të Durrësit dhe në nëntor 1992 niset për studime në Athinë. Në vitin shkollor 1992-1993 mbrojti greqishten në Klubin Universitar “Leksi”, të Athinës, ndërsa në vitet 1993-1998 ndoqi studimet theologjike në Universitetin Kombëtar “Kapodistria” të Athinës, në degën e Theologjisë Sociale. Që nga vitit 1998 e në vazhdim ka qenë lektor në lëndën e pimantikës dhe të greqishtes në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit. Gjatë viteve 1998-1999 ka qenë iniciator i krijimit të organizatës së rinisë orthodhokse “Bij të Dritës” në Lushnjë. Me interesimin e tij janë zhvilluar shumë aktivitete.

    Më 1 shkurt 1999 transferohet në Tiranë. Maksimi ka përgatitur këto dispenca: Pimantika Sociale, Pimantika Bashkëkohore dhe Enoria si bashkësi terapeutike (Përkthim). Gjithashtu teologu Maksim Çuko ka redaktuar disa libra fetarë, ka botuar artikuj në gazetën “Ngjallja” dhe ka përgatitur emisione radiofonike. Ai ka ditur të përfaqësojë me dinjitet Kishën Orthodhokse në shumë aktivitete. Që nga viti 1999 ka qenë drejtues i veprës misionare dhe pimantike të Akademisë Theologjike. Ka krijuar disa grupe katekizmi në Fier, Rrogozhinë, Divjakë, Kombinat, Jubë etj. Në vitin 2004 mori bekimin për të hulumtuar dhe grumbulluar materiale në Institutin e Historisë, të cilat kishin të bënin me kishat dhe manastiret e Myzeqesë. Dëshirën për të vazhduar udhën plot kryqe të fesë, Maksimi e kishte nga daja i tij, At Sotir Boçi, i cili ka qenë famulltar në kishën e Shën Kollit, në Krutje të Lushnjës.

    Më 20 nëntor 2004 Maksim Çuko u nda nga jeta, duke lënë në pikëllim bashkëshorten, fëmijët, të afërmit, studentët dhe kolegët, të cilët aq shumë e donin dhe e respektonin. Ai u largua nga kjo botë duke na lënë imazhin e njeriut të drejtë dhe fjalëpak, kurdoherë besnik e shpirtëror. Ishte pikërisht besimi, që erdhi nga vuajtjet e vështirësitë e jetës, për të dhënë më vonë frytet e bollshme, ashtu si kokrra e grurit e rënë në tokë, që kur “vdes” sjell më shumë fryte (Joani 12:24).

    I përjetshëm qoftë kujtimi!
    Perëndia ia prehtë shpirtin në krahun e Tij.

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    DHIMITRA CICO, një nënë shpirtërore e Korçës

    Në moshën 87-vjeçare, më 21 shtator, 1996, Dhimitra Cico u nis për në përjetësi. Ajo ishte një nga gjashtë fëmijët e Jorgo dhe Parashqevi Cicos. Dy motra, Dhimitra dhe Marika ishin të pamartuara. Jetonin e punonin bashkë në shtëpinë e tyre. Ishin rrobaqepëse. Ishin të përfshira në punë misonare e shoqërore. Dëshironin të bëheshin murgesha, por ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore i ndaluan, dhe persekutimi i vazhdueshëm i Kishës nuk i lejoi ta plotësojnë këtë dëshirë. Kishin planifikuar të strehoheshin në manastirin e Shën Joan Prodhromit në Voskopojë.

    Niveli i edukimi të Dhimitras ishte vetëm ai i shkollës fillore. Por diploma e saj ishte nga Universiteti i Qiejve, siç thotë dhe Apostulli: “Edhe në e ndafsha gjithë gjënë time për të ushqyer të vobektët, edhe në e dhënça ndër duar trupin tim të digjet dhe dashuri të mos kem, s’më bën dobi fare” (I Korinth. 13:3).

    Prindërit dhe të afërmit e tyre ishin të krishterë me vlera tradicionale. Shtëpia e tyre ishte gjithnjë e hapur për të huajt dhe në mënyrë të veçantë për klerikët. Ishte strehë për “të afërmit” që vuanin. Mamaja e tyre përfitonte shumë nga bashkëbisedimet që bënte me priftërinjtë, dhe kështu u bë një kollonë e fuqishme e familjes së vet. I ushqeu fëmijët e saj ashtu siç duhej dhe shpesh u thoshte: “bijat e mija, studioni Fjalën e Zotit çdo ditë”. I drejtoi fëmijët me shembullin e saj të mirë. Dhimitra na tha njëherë: “Çfarëdo kontakti që kishim me Kishën, ishte nën drejtimin e mamasë. Ne ishim krejtësisht të bindura ndaj prindërve dhe respektonim zakonet e traditat...”.

    Dashuria e saj e ndërgjegjshme për besën dhe punën e saj shoqërore filloi gjatë kohës së pushtimit fashist. Dhimitra gjeti çlirim duke lexuar. Dikush u kishte falur dy pako me libra fetare. “Fillova t’i lexoj, por nuk kuptoja asgjë, - na tha Dhimitra, - librat ishin me subjekt fetar, gjë e cila ishte e mërzitshme për mua, por nuk ndalova së lexuari.” Por, pasi i lexoi dy a tri herë, një dashuri për librat fetare lulëzoi në shpirtin e saj. Në atë kohë, një misionar tjetër u kthye në Korçë, Theofan Popa. Ai sapo kishte përfunduar studimet për teologji në Universitetin e Athinës. U njoh me familjen dhe i ndihmoi ato shpirtërisht. Duke besuar në virtytin, ata iu futën një pune të thellë për kuptimin e vullnetit të Zotit. Studiuan Shkrimin e Shenjtë, jetët e Shenjtorëve, libra liturgjike, himnologjinë etj. Flaka e besës që ishte ndezur në zemrat e tyre prej mamasë u rindez përsëri prej librave fetarë.

    Që nga ai çast, Dhimitra punoi në familje dhe jashtë saj e kështu u bë si drita e diellit për shumë shpirtra. Përpjekjet e saj në aktivitetin shoqëror u bënë të njohura nga shumë banorë të Korçës, dhe admirimi i tyre për të ishte prekës. Bashkëqytetarët e saj, që fatkeqësisht vdiqën në moshë të re, i lanë bijat e tyre nën përkujdesjen e dy motrave. Disa prej tyre mësuan si të qepnin dhe krijuan familjet e tyre. Disa të tjera donin të shkonin me to në manastir dhe nuk u martuan.

    Dhimitra kishte njohuri të shkëlqyera muzikore. Ajo kishte një zë shumë të mirë dhe përpara se të mbylleshin kishat, më 1967, ishte anëtare e korit të Kishës së Mitropolisë të Korçës “Burimi Jetëdhënës”. Aktiviteti i saj ndiqej nga sigurimi, sigurimi, madje edhe përpara se të fillonte persekutimi. Kur u mbyllën kishat, Olimbi Mulla, një e krishterë e persekutuar, i rekomandoi Dhimitrës që të organizonte anëtarët e korit në një grup për lutje. Dhimitra, me të gjithë talentet e saj, krijoi një kishë të nëndheshme. Vendi ku mblidheshin ishte në shtëpinë e babait të saj. Shtëpinë e saj e quanin “shtëpia e Stefanait” ashtu siç thuhet në Letrën e Parë të Pavlit (Korinthianët, 1:16). Ky emër kishte një kuptim simbolik; kuptimin që në këtë vend mësohej Fjala e Zotit, si në kohën e Apostujve. Prandaj, në këtë vend të fshehur, i cili ishte qielli i tyre shpirtëror, Kisha e tyre, ngushëllimi i tyre i vetëm, shpresa e tyre, shpirtrat e tyre orthodhokse jetuan të patundur në Besë që më 1967 deri më 1990.

    Varfëria e persekutimi s’i mposhtën dot përpjekjet e tyre për t’i shërbyer shoqërisë me dashuri. Ato krijuan një fond të veçantë financiar për veprimet shoqërore të aktivitetit të tyre. At Kozmai, i cili ishte ndaluar nga autoritetet qeveritare të kryente funksionet e tij si prift, vinte në shtëpinë e tyre dhe kryente tërë natën agripni dhe shërbesat e Kishës Orthodhokse.

    Ishte dhe një dhjetëshe tjetër me gra shtëpiake besëtare, të cilat morën pjesë në përpjekjen shoqërore për Kishën e nëndheshme. Në këtë përpjekje përfshiheshin studimi i Fjalës së Zotit dhe ofrimi i shërbimit shoqëror. Për arsye të persekutimit, ishte e ndaluar të mblidheshin tre veta në një vend. Secila prej këtyre grave qëndroi në shtëpinë e vet dhe bëri përpjekjet e veta. Bashkërenduesja ishte një bashkëpunëtore, që quhej Berta. Ajo nuk hezitoi të ndërmarrë këtë detyrë tepër të rrezikshme sepse kishte aftësinë për ta bërë këtë detyrë. Ajo nuk kishte familje, kështu që persekutimi nuk e dekurajonte dot.

    Në prill 1996, Dhimitra u operua dhe shëndeti i saj erdhi duke u keqësuar. Dy javë përpara vdekjes së saj, ajo kërkoi që të transferohej në gërmadhat e manastirit të Shën Kollit, i cili ishte pak larg Korçës. Gjithashtu ajo kërkoi që të varrosej atje. Ky manastir u bë qendër e një aktiviteti misionar, sepse verën e një viti më parë u përdor si një vend ku bëhej katekizmi i fshatarëve përreth. Kush do bëhet mësuesi i katekizmit? “Të korrat janë të shumta, punëtorët janë të paktë” (Matth. 9:37). Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, Dhimitra e moshuar, duke u mbajtur në një bastun, bashkë me shoqet e saj, filloi ungjillëzimin e njerëzve. Mësuan e pagëzuan 150 vetë. Në këtë mënyrë ato u lidhën me zonën përreth. Në verën e vitit 1996 shkoi përsëri në Manastirin e Shën Kollit, por qëndroi në shtratin e dhembjes. Koha që të pushonte përjetësisht po afrohej. Ajo e ndjeu. Kur shikimi i saj ishte i zbehtë, duart e saj ishin gjithmonë në formë lutje. Lutej vazhdimisht. Kujtdo që përpiqej ta ngushëllonte
    i thoshte: “Lermë, dëgjoj himne, dëgjoj psalmodhi...”.

    Korça orthodhokse na dhuroi pra një luftëtare të shekullit të 20-të, e cila ishte e fortë në jetë dhe vdekje. Na dhuroi një shpirt shenjtoreje që u provua në zjarrin e ateizmit dhe qëndroi besnike deri në vdekje ashtu si shumë të tjerë.

    Origjinali shkruar në greqisht
    nga Vasil Kaskadami
    Përktheu: Aleksandër P. Filip.



    (Dhimitra është e dyta majtas në foto)
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Një shpirt i dashur largohet dhe një shembull i mirë mbetet për ne!

    Para pak kohësh ndërroi jetë motra jonë më Krishtin, Luiza Eleni, një besimtare shumë e devotshme e Kishës sonë. Luiza rridhte nga një familje shpresëtare beratase dhe që në fëmijëri, gjyshja e saj, që ishte motra e Kryepiskop
    Kristofor Kisit, e ushqeu me një edukatë fetare dhe dashuri të thellë për besimin tonë orthodhoks.

    Ndonëse nuk u martua, Luiza rriti në zemrat e shumë fëmijëve dhe të rinjve të rrethit të saj familjar dhe në shoqëri dashurinë e madhe për Zotin tonë Jisu Krisht dhe të Përmbishenjtën. Kur ishte e re, në periudhën e ateizmit ajo bashkë me besimtare të tjera, nuk kishte frikë të shkonte në kisha e manastire të mbyllura ose të rrënuara, ku lutej me “frymë e me të vërtetë” për rihapjen e tyre dhe për ruajtjen e gjithë të krishterëve të përndjekur.

    Dhe ja, dita e Ngjalljes erdhi përsëri për Kishën Orthodhokse Shqiptare. Nën drejtimin e ndritur të Kryebariut tonë të shtrenjtë, Kryepiskopit Anastas, populli besimtar e gjeti përsëri udhën e shpëtimit. Filluan menjëherë mësime katekizmi, si për gratë ashtu edhe për rininë. Motra jonë Luiza u bë një nga pjesëtaret më të zellshme në mësimet javore që zhvillohen çdo të mërkurë në Katedralen e Ungjillëzimit.

    Fjalën e Ungjillit ajo e dëgjoi me ëndje të madhe në të gjitha predikimet, bisedat e takimet në ambientet e kishës. Veprat përdëllyese për të varfrit e nevojtarët kanë qenë bashkëudhëtare gjatë gjithë jetës së saj. Lidhjen më të ngushtë dhe ngushëllimin më të madh Luiza e ka gjetur në krahët e Shpëtimtarit dhe dashurinë për të gjithë shenjtorët e tij. Prandaj në shenjë mirënjohjeje ajo i dhuroi Kishës sonë Orthodhokse gjithçka që kishte.

    Duke pasur parasysh gjithmonë shembullin dhe Një shpirt i dashur largohet dhe një shembull i mirë mbetet për ne! Një kujtim i paharruar aromën shpirtërore të mirë që la tek ne, le t’i lutemi Krishtit - Perëndi ta prehë në paqe shpirtin e saj.

    Nga një grup
    besimtarësh e klerikësh.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Jetëshkrimi i shkurtër i atë Jani Anastas Porovelit

    Atë Jani lindi më 17.2.1880 në Janinë, në lagjen Karavathja (Greqi) në një familje të varfër qytetare. Mësimet e para i mori në Liceun «Zosimea». Në vitin 1904 emigroi për arsye ekonomike nga Janina në Berat së bashku me familjen: me nënën, vëllanë Koço dhe motrën Areti. Babai u vendos në Berat si mësues. Në Berat qëndroi deri në vitin 1907 dhe shkon në Përmet ku vazhdon detyrën e mësuesit. Atje jep lëndën e gjuhës shqipe e të gjuhës greke. Gjuha greke ishte e domosdoshme për të mësuar djemtë e tregtarëve që kishin lidhje tregtare me Greqinë. Po në këtë vit martohet me Polikseni Thomain, që ishte nga fshati Lipë i Përmetit. Si mësues vazhdoi deri më 1925. Më 1925 u hirotonis në dhjak e më vonë prift nga dhespoti i Korçës – Atë Jani. Qëndroi në Përmet deri në vitin 1929, dhe transferohet në prefekturën e Korçës. Ai shërbeu në Voskopojë në kishën e shën Prodhomit, në Dishnicë e në Zvirinë të Maliqit.

    Shkoi përsëri në Përmet, ku predikoi Ungjillin e Shenjtë, anët morale të familjes dhe kjo është shprehja kryesore e jetës së tij. Ishte shumë inteligjent, me njerëzit kishte një takt të veçantë. Çdo gjë e lidhte me Jisu Krishtin, ishte human, tolerant e pa fjalë të mëdha. Atë Jani vdiq më 24 maj 1952. Megjithëse fëmijët nuk iu ndodhën pranë në varrim, kishte shumë priftërinj të tjerë që e donin shumë. Të dhënat janë marrë nga djali i tij, Lluka Jani Poroveli.

    Atë Jani Ranxha
    (Elbasan)

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Olimbi Mulla – Mësonjësja e Korçës
    (1904-1978)

    Të krishterët orthodhoksë të Korçës tregojnë përpjekjet heroike të atyre që u ndoqën, sepse i shërbyen denjësisht arsimit dhe Kishës së Shenjtë. Panteonit të këtyre luftëtarëve i përket dhe mësuesja e flaktë Olimbi Mulla. U vlerësua nga populli veçanërisht për devocionin e saj ndaj arsimit, dhe me dashuri e përshëndetnin duke e quajtur “drejtoresha e shkollës”, për shkak të aftësive të saj edukative. Ishte një edukatore e pazmbrapsur dhe me shpirt femëror që mbeti simbol i historisë së re të Korçës.

    Në qoftë se kërkon informacion suplementar, njerëzit përgjigjen me terminologjinë e tyre, “ishte mësuesja që zëvendësoi zonjën Dhanai”, një drejtoreshë tjetër dinamike. Njerëzit përdorin kode personale komunikimi, kur duan të shprehen për ata që brumosin shpirtrat, për ata që rilindin shoqërinë.

    Olimbia lindi në Berat (1904), atëherë kur Perandoria Osmane vazhdonte të mbante në robëri popujt e Ballkanit. Orthodhoksët e shtypur kundërvepronin me kulturë dhe fuqishëm, duke bërë plane për brezin e ri dhe për arsimin e tij edhe atë fetar. Prindërit e saj, orthodhoksë të denjë, vunë re në karakterin e vajzës së tyre cilësitë e njeriut të fortë, i cili do të vazhdonte traditën e brezave.

    Që të plotësonin ëndrrën e tyre, e dërguan të studiojë në shkollat e Patrikanës Ekumenike. Olimbia mbaroi shkollën e vashave në Konstandinopojë (1923) dhe u emërua nëndrejtoreshë e shkollës së vashave në Korçë, si dhe drejtoreshë e konviktit të shkollës (1924). Ndërmori detyra në një kohë të vështirë. Kishte njerëz që e shikonin me sy të keq për arsye të origjinës, fesë, dhe studimeve që kishte mbaruar.

    U martua në Korçë (1924). Familja e bashkëshortit të saj quhej Mulla dhe lindën dy fëmijë. Ishin pjesëtarë të kompanisë të prodhimit të elektrikut në Korçë. Kjo familje e lumtur dhe aktive piu kupën e hidhur të dhembjes: vajza e tyre u sëmur dhe vdiq në moshë shumë të re. Në këto kohë të vështira, mbështetja e tyre u bënë njerëzit e kishës. Vizitat e tyre ishin të rregullta dhe tepër të dallueshme, i ofruan të lexonte librin “Shën Joani i Krostandit”. Ishte një libër shumë i fortë, i cili lehtësoi dhembjen e nënës dhe bëri që të lulëzojë pjekja
    shpirtërore.

    Një ierapostull ka thënë: “asgjë nuk mund të fshijë lotët më mirë sesa një vështrim drejt qiellit”. Olimbia pra e dorëzoi dhembjen në duart e Perëndisë dhe punoi për dobinë shpirtërore të njerëzve të saj. Si manifestim i parë i ndihmës së saj konsiderohet përkthimi i librave në gjuhën shqipe. Fletorja me dorëshkrimet e saj qarkulloi nga dora në dorë midis orthodhoksëve dhe i entuziazmoi lexuesit. Në vazhdim përktheu librin e Paravolive të Zotit, shkruar nga Arqimandrit Serafim Papakosta.

    Kështu u kultivua parrulla ierapostolike “jetë, domethënë të ndihmosh të tjerët të jetojnë”, dhe kështu u ndez zjarri i shenjtë i ndihmës dhe ofrimit. Cilësitë e saj shpirtërore i njohën orthodhoksët dhe e zgjodhën midis anëtarëve të tjerë të dhimogjerondisë së Korçës. Pa vonesë dhe pa marrë në konsideratë asgjë tjetër u aktivizua; themeloi shoqërinë (1945) që mbronte nënën dhe fëmijën. Jetimorja e mbyllur për shkak të Luftës II Botërore funksionoi përsëri dhe në të u strehuan një mori fëmijësh. Organizoi maternitetin e qytetit dhe emëroi personelin e infermierisë - e madhe ishte ndihma e vëllezërve vullnetarë. Mjekët të specializuar në degën e gjinekologjisë, që kishin mbaruar studimet në Francë iu shërbenin të sëmurëve. Përpjekjet e saj bënë që të spikatte puna largpamëse dhe njeridashëse e orthodhoksëve; të krishterët si dhe ata të besimeve të tjera ndihmonin në të njëjtën mënyrë.

    Kur Enver Hoxha vendosi të qeverisë vendin sipas sistemit komunist, vendime të ndryshme legjislative u imponuan. Karakteristik ishte rasti i institucioneve apo pronave private (spitale, jetimore, etj.), shoqërive (muzikore, sportive etj.) shoqatave (të zejtarëve, artistëve, etj.). Që të vazhdonin të funksionin duhej që statusi i tyre të përkrahte ideologjinë e partisë komuniste (1947). Këshilli i Kishës ishte kundër ndryshimeve në insititucionet kishtare. Olimbia meqenëse ishte kryetare, konsiderohej në të njëjtën kohë edhe përgjegjëse (1947-1967). Emri i saj ishte regjistruar në arkivat e sigurimit me “bojë të kuqe”, duke u konsideruar si armike e popullit, reaksionare, që përpiqej të “modernizonte” shoqërinë. Kush ishte kundër frymës dhe mësimeve të partisë ndiqej egërsisht. Por ajo nuk zmbrapsej. Me këtë ndjekje indirekte veprimtaria e Mitropolisë së Korçës, pushoi së funksionuari. Kryetarja u bë shumë herë objekt hetimesh.

    Gjatë periudhës së ndjekjes (1967-1990) banesa e saj u bë një kolimvithër e vogël e Siloamit. Bashkatdhetarët e saj duke u gjendur në dhembje e vizitonin mësuesen për të gjetur ngushëllim për hidhërimin që u shkaktonte ndjekja. Ajo e pafuqishme, e dobët nga ana administrative, por me besim të fortë tek Perëndia i përkrahte duke i mësuar. Udhëhiqte të urtët dhe besëtarët në organizimin e shoqërive të vogla të qëndresave shpirtërore. Shoqëria e njohur e kriptokristianëve (të krishterëve të fshehur) ishte sugjerimi i saj personal. Me delikatesë iu afrohej priftërinjve të përndjekur dhe iu jepte kurajo të vazhdonin përpjekjet fshehurazi.

    Kur filluan kërkimet nga ana e policisë në shtëpitë e banorëve të qytetit, për të zbuluar objektet e fshehura fetare, ajo i dogji shumicën e librave fetare si dhe përkthimet e saj. Ai që dispononte të tilla objekte dënohej me burgim të rreptë... Sa më shumë vazhdonte partia veprimet dhunuese aq më shumë shpaloste Olimbia në qetësi lartësinë e saj shpirtërore duke mbrojtur kështu brezat e shenjtë dhe të drejtë. E stolisur me margaritarët e një trimëreshe, me margaritarët e durimit dhe diturisë ajo ndërmerr një “sulm” të ri paqësor në orën e ndjekjes më çnjerëzore. Harton tekste fetare anonime, të cilat i studionin të krishterët e fshehur, tekste këto ku ata merrnin forcë në luftën e tyre të përditshme të besës.

    Përpara se të rihapej Kisha, Olimbia iku nga kjo botë. Emri i saj mbeti monument i edukatorit të pamposhtur orthodhoks. Mbeti gruaja, e cila kundërpeshoi planet e ateizmit dhe fitoi ideologjikisht me idealet e arsimit dhe fesë.

    Origjinali shkruar në greqisht
    nga Vasil Kaskadami
    Përktheu
    Aleksandër P. Filip

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Besimtar i devotshëm, që jetën ia kushtoi muzikës dhe qytetit të tij

    Kozma Rusi lindi më 1.1.1929,nga një familje me traditat e besimitorthodhoks. Që në moshë të vogël,gjyshja e rriti me ndjenjën e besimite dashurinë për himnet kishtare, kuqëndronte pranë psalltirës. Nëklasën e 7-të i ati i bleu një fizar-monikë, ku filloi të këndojë e tëkompozojë. Mbasi mbaroi shkollëne mesme ai iu bashkangjit bandësfrymore të qytetit, që më vonë iubesua ta drejtonte. Gjatë kësaj kohekrijoi këngë popullore, këngë tëmuzikës së lehtë e për fëmijë, si dhemarshin fetar «Himni i Besës».
    Pas mbylljes së kishave ngamonizmi, ai u lut që Perëndia të ruante besimin në familje. Me ardhjene demokracisë dhe të Eksarkut,Imzot Anastasit, Kozmai me të vë-llain ishin nismëtarët për rihapjen ekishës. Në nëntor 1991, Imzot Anastasibëri një vizitë në shtëpinë e tij, kunë mes të të tjerave i thotë: Këngëtë lehta dhe këngë popullore ke kri-juar, tani duhet të krijosh korin e mu-zikës bizantine kishtare. Kishën dota ndërtojmë më të bukur, se besim-tarët e Kavajës e duan Kishën, Zotinuk do të na braktisë. Me të vërtetë,Kozmai dha shumë për qytetin dhepër Kishën. Për gjithë veprimtarinëe tij, në shtator të vitit 2000 iu dhatitulli qytetar nderi i Kavajës.
    Me fjetjen e tij, më 27.10.2003,familja humbi njeriun e dashur, Kishahumbi një nga besimtarët e devot-shëm dhe dirigjentin e së Premtessë zezë, ku për 12 vjet drejtoi bandënfrymore që shoqëronte Epitafin nërrugët e qytetit; Kavaja humbi më-suesin e disa brezave këngëtarësh emuzikantësh. Gjatë shërbesave fe-tare, ai u përcoll nga personalitetete bashkisë, të besimit orthodhoks emysliman etj., ndërsa banda frymoreshoqëroi trupin e tij nëpër bulevard,deri tek shtëpia e madhe e fjetjes, kuai të prehet i qetë, duke priturtrumbetën e ringjalljes dhe jetës sëpasosur.

    Llazar Pjeshkazini

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Në 30-vjetorin e fjetjes së Imzot Irine Banushit

    “Llambadha e zemrës sonë të ndizet nga flaka e tij”

    Në datën 25 nëntor 2003, u mbushën 30 vjet nga fjetja, pas persekutimesh e mundimesh të shumta, e Imzot Irine Banushit, një nga figurat më të ndritura të Kishës sonë. Me këtë rast, të dielën, 23 nëntor, në Manastirin e Ardenicës, ku ndenji i internuar për shumë vjet dhe të cilin e shpëtoi nga tërbimi i verbër i ateizmit, u zhvillua një shërbesë përkujtimore. Merrnin pjesë besimtarë të ardhur nga Tirana, nga zona përqark, nga vendlindja e tij, Shkodra, familjarë etj. Liturgjia Hyjnore dhe më pas Shërbesa e Përshpirtjes u krye nga Kryepiskopi Anastas, së bashku me Imzot Ilia Ketrin.

    Në fund, i pari iu drejtua të pranishmëve Imzot Ilia, i cili tha ndër të tjera:

    “I nderuar Fortlumturi, të dashur besimtarë,

    Ishte një ditë vjeshte, e diel, ditë feste e përkujtimit të Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht, ditë që besimtarët ndaloheshin, si çdo të diel dhe çdo ditë jave, për të vajtur në Kishë dhe Shqipërisë i mungonte balsami i adhurimit të Perëndisë, kryer me ritet shumëvjeçare të Orthodhoksisë. Për një shpirt të pikëlluar nga padrejtësitë, përbrenda një trupi të lodhur nga keqtrajtimi dhe sëmundjet, kjo ditë e 25 nëntorit ishte një ditë lindjeje në mbretërinë e Perëndisë. I shoqëruar nga dëshmorja e madhe Shën Katerina,
    një episkop shqiptar, hierodëshmor Irine Banushi, zuri vend në shoqërinë e etërve hierarkë të shenjtë, rreth e përqark altarit qiellor, së bashku me atin e tij shpirtëror dhe të parin Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisin.

    Kjo ditë u bë ditë feste, sepse Zoti Perëndi pranoi një shpirt që ndrinte Ungjillin e dashurisë dhe shembullin e përulësisë. Imzot Irineu jetoi një dëshmi për Zotin, që në fëmijërinë e tij e deri kur dha shpirt, më 25 nëntor 1973, në moshën 67-vjeçare. Në këtë
    përkujtimore të 30-vjetorit të fjetjes së tij, kam nderin të pranoj ftesën e Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit dhe të Sinodit të Hirshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të mbaj predikimin e rastit…”


    Imzot Ilia vazhdoi me biografinë e Imzot Irineut dhe në fund falënderoi për punën e bërë autorin e librit “Episkop Irine Banushi”, z. Kristofor Beduli, duke kujtuar edhe figurën e një prej miqve më të ngushtë të Imzotit, z. Dhimitër Beduli, i cili kishte mbledhur mjaft materiale për jetën e veprën e tij.

    Pastaj, folën miq të Imzot Irineut, të afërm të tij, etj., të cilët vunë në dukje rëndësinë e kësaj figure të shquar të Kishës dhe gjithashtu falënderuan veçanërisht Kryepiskopin Anastas për nderimin që i ka bërë dhe i bën atij.

    Pastaj, të pranishmëve iu drejtua Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili tha ndër të tjera:

    [i]“…Me të vërtëtë, figura e Imzot Irine Banushit është nga më të respektuarat dhe më fisniket të hierarkisë të Kishës Orthodhokse të
    Shqipërisë. Trashëgimi që na ka lënë është tepër i çmuar… Ishte një njeri që tregoi besnikëri shumë të madhe dhe konsekuencë ndaj Kishës. Nuk i bëri bisht çasteve më të vështira. Nuk e mbylli gojën në momentet që shumë të tjerë e bënë këtë, për të siguruar rehatinë e tyre. Nuk u miqësua e as nuk bashkëpunoi me ata, të cilët donin shkatërrimin e Kishës. Nuk u fsheh. Ishte njeri i guximit,
    i cili kudo që u ndodh, me shumë takt, predikoi besimin. Nga ana tjetër, ishte njeri i durimit. Ai pa rënkuar i hoqi të gjitha ato vuajtje e tortura që i rezervoi sistemi ateist.

    Kur fola për trashëgiminë, më kujtohet fjala e Shën Joan Gojartit: “Nderimi i martirit është imitimi i martirit”. Dhe, nëse do të donim vërtet të nderonim veprën kaq të nderuar të Episkopit të Apolonisë, Irineut, nuk mjafton vetëm të ndodhemi këtu, në përkujtimoren që po i bëhet. Duhet që llambadha e zemrës sonë të ndizet nga flaka e tij. Dhe, duke dalë jashtë, kur të mbarojë kjo
    shërbesë kaq e bukur, të përpiqemi, qoftë edhe pak, të imitojmë shembullin e tij. Të rrisim pak guximin tonë, pasi ai në periudha përndjekjeje kishte guxim. Ndërsa shumë nga ne, në qetësinë dhe konfortin e demokracisë shfaqen frikacakë. Ai, duke ditur se të gjitha që thoshte do t’i paguante me shpërfillje a me burg, nuk ngurronte... Kujt ia kemi frikën; vetëm Përëndisë dhe të vërtetës
    duhet t’i frikësohemi.

    … Përshpirtjet nuk janë thjesht për të thënë fjalë të bukura. Përshpirtjet e episkopëve heronj duhet të jenë për ne një pikënisje e fuqishme, që të rritim guximin tonë, të fuqizojmë durimin tonë, që të rrisim edhe zërin tonë si Kishë… Irine Banushi ishte njeri i një besimi të thellë, i cili e njohu dhe e deshi Perëndinë.

    Këtu është problemi ynë më i madh. Guximi ynë është i pakët, durimi ynë i pakët, sepse edhe besimi ynë është i pakët. Por, këtë besim të pakët duhet ta fuqizojmë, duke thënë si ai ati i Ungjillit. Kur Zoti i bëri një kritikë të ashpër, ai i tha: “Besoj, o Zot, ndihmoje pabesinë time.”

    Dita e sotme duhet të shërbejë për të forcuar besimin tonë, për të njohur më mirë Perëndinë dhe për të vënë një lidhje me të dhe gjithë të tjerat do vijnë. Kështu, Kisha e Shqipërisë do vazhdojë të jetë një bekim për të gjithë shoqërinë, duke u përfaqësuar nga njerëz me autoritet, nga njerëz të mësuar, nga njerëz me guxim, nga njerëz me dinjitet.

    Pas shërbesave në kishë, Kryepiskopi, Imzot Ilia, familjarë të Imzot Irineut dhe mjaft besimtarë u mblodhën në një nga konakët e Manastirit, ku pati një bashkëbisedim të ngrohtë.

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Sulë Hotla (1875-1947), Një Jetë Për Shqipërinë
    Nga strong_07 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 29-04-2019, 16:32
  2. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  3. Gjergj Kastrioti sipas pikëpamjeve antishqiptare
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 28-04-2006, 12:45
  4. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53
  5. Çështja Çame
    Nga Eni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 154
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 19:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •