Rikthehet dosja “ Trashani “, kërkohet një vrasës për juristen 32-vjeçare
Leonard Bakillari
Tiranë Dy vjet më parë, policia gjeti të masakruar në banesën e saj juristen 32-vjeçare, e qëlluar 60 herë me thikë dhe e djegur. Viktima u download (3)identifikua si Aurora Trashani, me profesion juriste dhe e punësuar pranë Autoritetit të Konkurrencës në Tiranë. 20 ditë pas krimit, policia kreu arrestimin e një taksisti si i dyshuar për bashkëpunim, si dhe arriti të identifikojë personin që mendohet se e ka takuar për herë të fundit juristen 32-vjeçare. Por tashmë që kanë kaluar më shumë se dy vjet nga ngjarja tronditëse, policia dhe prokuroria nuk janë në gjendje të thonë se kush është personi që qëlloi 60 herë me thikë 32-vjeçaren dhe më pas i vuri flakën shtëpisë së saj. Prej rreth një viti, kjo çështje është pezulluar për zbulim autori, pasi nuk u arriti të sigurohej asnjë provë që mund të lidhë vrasjen me personin e dyshuar, i cili sipas të dhënave të hetimit dyshohet se ka qenë në shtëpinë e Trashanit pak momente para vrasjes. I njohur me këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka urdhëruar rifillimin e hetimeve mbi vrasjen e juristes 32-vjeçare, Aurora Trashani e cila u gjend e masakruar në banesën e saj. Dosja e pezulluar me urdhër të prokurorisë tashmë do të dalë nga arkivat ku qëndron prej më shumë se një viti, duke rifilluar hetimet për zbulimin e autorit. Pak ditë më parë, z.Llalla ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, nga të cilët ka kërkuar angazhim maksimal për identifikimin e autorit që masakroi juristen 32-vjeçare, mbrëmjen e 1 shkurtit të vitit 2011. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se vendimi i kryeprokurorit për të urdhëruar rifillimin e hetimeve ka ardhur pas njohjes me dosjen hetimore, ku ka konstatuar elemente që kanë nevojë për verifikime të mëtejshme. Për këtë arsye, Llalla ka kërkuar nga drejtuesit e policisë që të mbledhin çdo informacion të nevojshëm lidhur me zbardhjen e vrasjes, duke garantuar se do të kenë mbështetjen maksimale të prokurorisë. Por tashmë dy vjet pas ngjarjes së rëndë, të dhënat që mund të sigurohen janë thuajse minimale, por sipas prokurorisë, dosja përmban të dhëna që kanë nevojë për verifikimi. 20 ditë pas kësaj ngjarje, që fillimisht u dyshua si aksidentale për shkak të djegies, policia arrestoi një shtetas, i cili dyshohet se me taksinë e tij ka transportuar dhe ka marrë në zonën ku ndodhej shtëpia e viktimës, të dyshuarin kryesor të ngjarjes. Abedin Mulaj u arrestua në kuadër të hetimit të nisur më 2 shkurt 2011 për akuzën e vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim. Referuar të dhënave të prokurorisë, Mulaj kishte marrë mbrëmjen e datës 1 shkurt në afërsi të Zogut të Zi shtetasin Romeo Vide, i cili sipas policisë ishte i dashuri i Aurora Trashanit. Bisedat në Facebook treguan se kohët e fundit mes Aurorës dhe Romeos kishte patur konflikt, pasi vajza i kishte komunikuar atij vendimin për t’u ndarë. 48-vjeçari Vide, rezident prej vitesh në Gjermani sipas policisë rezulton të ketë ardhur në Shqipëri më 1 shkurt dhe është larguar nëpërmjet aeroportit të Rinasit dy ditë më pas. Arsyeja e vizitës, sipas familjarëve të tij ishte gjendje shëndetësore e të ëmës, e cila është marrë në pyetje nga policia. Por përveç dyshimeve, policia dhe prokuroria nuk mundën të sigurojnë asnjë provë shkencore që mund të lidhte vrasjen e 32-vjeçares me ish-të dashurin e saj. Për këtë arsye, prokuroria vendosi të pushojë çështjen ndaj taksistit Abedin Mulaj, kurse i dyshuari kryesor asokohe sipas policisë ka refuzuar të japë shpjegime rreth njohjes së tij me viktimën. Rreth një vit pas ngjarjes së rëndë, krimi mbeti pa autor, ndërsa prokuroria urdhëroi pezullimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në polici për zbulim autori.
1/02/2011
Aurora Trashani, juriste në Autoritetin e Konkurrencës, u gjet e masakruar dhe e djegur në shtëpinë e saj në “Zogun e Zi”. Fillimisht u dyshua për djegie aksidentale, por autopsia zbuloi 60 plagë thike në trupin e saj
21/02/2011
Policia e Tiranës ndaloi taksistin Abedin Mulaj, njëherazi shofer ambulance si bashkëpunëtor në ngjarje. Sipas hetimeve të kohës, Mulaj kishte transportuar me taksi të dyshuarin kryesor për krimin
Sipas sistemit TIMS rezultoi se shtetasi Romeo Vide kishte ardhur në Shqipëri mëngjesin e datës 1 shkurt 2011 dhe është larguar mesditën e 3 shkurtit
Dosja ”Trashani”, dritë-hijet e masakrimit pa autor
Tiranë Njëzet ditë pas vrasjes së 32-vjeçares Aurora Trashani, policia arrestoi taksistin Abedin Mulaj, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, prokuroria argumentoi se Mulaj kishte ndihmuar për t’u larguar nga vendi i krimit të dyshuarin si ekzekutor, shtetasin Romeo Vide, rezident prej vitesh në Gjermani. Si pronë në seancë, prokurori paraqiti tabulatet telefonike dhe dëshminë e taksistit, i cili kishte deklaruar se shtetasin Romeo Vide e ka marrë pranë “Zogut të Zi” rreth orës 22:20 të mbrëmjes së datës 1 shkurt 2011, vend i cili sipas prokurorisë përkon me banesën e viktimës. Po ashtu në këtë seancë gjyqësore, prokurori tha se Aurora Trashani dhe Romeo Vide ishin njohur nëpërmjet rrjetit social Facebook dhe një muaj para ngjarjes, vajza i ka kërkuar të dyshuarit t’i japin fund lidhjes së tyre. Prokurori tha asokohe se i dyshuari kishte qëndruar disa herë në shtëpinë me qira të viktimës dhe për lidhjen e tyre ishin në dijeni edhe familjarët e vajzës. Sipas sistemit TIMS rezultoi se shtetasi Romeo Vide kishte ardhur në Shqipëri mëngjesin e datës 1 shkurt 2011 dhe është larguar mesditën e datës 3 shkurt. Pas kërkesës së prokurorisë gjykata caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” ndaj taksistit, i cili sipas akuzës kishte transportuar të dyshuarin kryesor si autor të vrasjes. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, ndërsa vetëm pak ditë më pas, në mars 2011, prokuroria pushoi akuzën ndaj taksistit dhe kërkoi lirimin e tij nga qelia. Referuar dosjes hetimore, nuk rezulton të jetë marrë ndonjë masë sigurimi në mungesë për shtetasin Romeo Vide, i cili ka qenë i dyshuar për vrasjen prej rreth një viti. “MAPO” zbardh dosjen e Prokurorisë për vrasjen e juristes, që fillon me të dhënat dhe dyshimet e para mbi personin që policia e identifikoi si të dashurin e saj.
Hetimi i Prokurorisë
Me datë 22.02.2011, në ngarkim të personit nën hetim A. Mulaj ka filluar procedimi penal nr. 452 nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga materiali procedues dhe nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se me datë 21.02.2011 në orën 23.55 është ndaluar personi nën hetim A. Mulaj, për lidhje me vrasjen e Aurora Trashanit. Me datë 02.02.2011, rreth orës 10.00 shërbimet e policisë gjyqësore janë njoftuar se në një pallat në afërsi të rreth rrotullimit të “Zogut të Zi”, kishte rënë zjarr në një banesë. Menjëherë është shkuar në vendngjarje dhe me ndërhyrjen e forcave “RENEA”, është bërë e mundur shuarja e zjarrit. Nga këqyrja e brendshme e banesës dhe pikërisht në dhomën e gjumit është gjetur e shtrirë, e mbuluar me batanije dhe e djegur pjesërisht, një kufomë e cila është identifikuar si shtetasja Aurora Trashani. Në trupin e viktimës janë evidentuar 60 (gjashtëdhjetë) plagë me thellësi jo të madhe, të shkaktuara me një mjet të fortë të mprehtë. Plagët kryesisht janë shkaktuar në shpinë nga ana e majtë dhe në qafë, duke i prerë trakenë e laringut. Nga hetimet e para ka rezultuar se viktima ka patur lidhje dashurore me shtetasin Romeo Vide, rezident në shtetin gjerman me të cilin është njohur nëpërmjet Facebook –ut. Për këtë lidhje kanë qenë në dijeni të afërm si të viktimës dhe të këtij të fundit. Ky shtetas ka qenë shpesh në banesën ku jetonte me qira viktima dhe në fillim të muajin janar 2011, sipas shpjegimeve të personave që kanë patur dijeni për këtë lidhje, viktima ka vendosur t’i japë fund kësaj lidhje. Megjithatë ka rezultuar se midis shtetasit Vide dhe viktimës janë këmbyer mesazhe dhe biseda telefonike. Me datë 01.02.2011 në orën 14.39, shtetasi Romeo Vide, edhe ky nën hetim, ka ardhur në Shqipëri nëpërmjet Aeroportit të Rinasit dhe është larguar me datë 3.02.2011 në orën 13.20 po nga ky aeroport. Me datë 1.02.2011 rreth orës 09.16 ky shtetas ka marrë në telefon personin nën hetim, dhe i ka thënë ta priste në aeroport, kjo për faktin se midis tyre ka patur një njohje që prej 4-5 vjetësh. I ndaluari ka shkuar në aeroport, ka marrë shtetasin Vide dhe e ka sjellë në Tiranë. Po në këtë datë, në orën 22.06, Romeo i ka telefonuar personit nën hetim dhe i ka thënë të shkonte ta merrte afër “Zogut të Zi”. Personit nën hetim i është dashur ta presë atë për disa minuta dhe në ora 22.20, Romeo Vide ka ardhur, është futur në makinë dhe i ka thënë ta çonte në shtëpi në Kombinat. Me insistimin e Romeos, personi nën hetim është futur në banesën e tij dhe ka takuar nënën dhe tezen e tij, të cilat nuk kishin dijeni për ardhjen e tij nga Gjermania. Pasi ka qëndruar pak, personi nën hetim është larguar. Të nesërmen me datë 02.02.2011, Romeo ka kontaktuar përsëri me të ndaluarin me telefon në të njëjtët numra, por nuk ka lëvizur nga banesa e tij në Kombinat.
60 goditje thike, asnjë gjurmë gishti në skenën e krimit
Dy ekspertizat në shtëpinë e juristes, për shkak se fillimisht ngjarja u dyshua si aksidentale
Tiranë Provat e mbledhura në banesën e Aurora Trashanit nuk janë krahasuar asnjëherë me të dhënat apo ADN-në e të dyshuarit, i cili nuk ka pranuar të paraqitet asnjëherë në polici për të dhënë shpjegime rreth njohjes së tij me 32-vjeçaren. Sipas raportit të përpiluar nga ekspertët në banesën e viktimës, nuk janë gjendur gjurmë gishtash, edhe pse janë përpunuar me pluhur sipërfaqet e orendive shtëpiake. Mëngjesin e dy shkurtit 2011, policia dhe ekspertët kanë hyrë në banesën e 32-vjeçares pas informacioneve të marra nga kolegët e saj të punës se Aurora Trashani nuk ishte paraqitur atë ditë. Rreth orës 10:00 të datës 02.02.2011, shoqet 32-vjeçares kanë vënë alarmin për mungesën në punë të Aurora Trashanit dhe pas disa tentativave për ta kontaktuar në telefon kanë shkuar tek shtëpia e saj. Pasi kanë konstatuar se dera e apartamentit ka qenë e mbyllur me çelës është kërkuar ndihma e forcave RENEA për të hapur derën, pasi në pjesën e poshtme të saj kishte gjurmë bloze çka fillimisht hodhi dyshimet për një zjarr në apartament. Pasi është hapur dera me forcë në dhomën e gjumit është konstatuar trupi i pajetë i Aurora Trashanit. Fillimisht u dyshua për një ngjarje aksidentale, por pas ekspertimit mjeko-ligjor u konstatua se në trupin e viktimës kishte 60 plagë të shkaktuara me një mjet prerës, që sipas policisë mund të ketë qenë një thikë. Trupi i pajetë ishte mbështjellë me një batanije dhe pranë saj ekspertët gjetën një reflektor dhe një bombul gazi. Sipas raportit të ekspertëve rezulton se këqyrja është zhvilluar në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me këqyrjen e trupit që fillimisht është menduar se ka ndërruar jetë si pasojë e zjarrit, ndërsa këqyrja ka vazhduar pasditen e datës 2 shkurt 2011. “Këqyrja e dytë ka nisur rreth orës 15:45 të datës 02.02.2011 dhe në raport ekspertët thonë se dera e jashtme e apartamentit është e fryrë dhe gjuza ka dëmtime. Në ambientet e brendshme të shtëpisë ekspertët kanë konstatuar një tavolinë sipër të cilës ishin një tufë çelësash, ndërsa në karrige një çantë. Në dhomën e gjumit krevati dopio ishte i spostuar dhe i ngjeshur pas dollapit. Anët e krevatit dhe dollapi, si dhe sipërfaqet e tjera ku mund të siguroheshin gjurmë të mundshme gishtash janë përpunuar me pluhur nga ekspertët, por nuk janë përfituar gjurmë me vlerë”- citohet në raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes.
I dashuri në rrethin e dyshimit, kishte çelësat e shtëpisë
Tiranë Sipas hetimeve të zhvilluara menjëherë pas vrasjes së Aurora Trashanit, rezultoi se i dyshuari kryesor ishte shtetasi Romeo Vide, lindur dhe banues në Tiranë, në lagjen Kombinat, i divorcuar 4 vite më parë dhe babai i dy vajzave të rritura. Nga dëshmitë e familjarëve dhe miqve të viktimës, sipas policisë rezulton se Vide shkonte shpesh në shtëpinë e viktimës Aurora Trashani me të cilën ishte njohur nëpërmjet Facebook-ut. Mikeshat e afërta të viktimës kanë deklaruar në polici se ai dispononte edhe çelësin e apartamentit të marrë me qira nga Trashani, i cili ndodhej në katin e katërt të një pallati pranë “Zogut të Zi”. “Ditën e ngjarjes, më 01.02.2011 Romeo Vide ka ardhur nga Gjermania dhe ka shkuar në shtëpinë e 32-vjeçares. Ky fakt konfirmohet nga dëshmia e taksistit, i cili ishte njëherësh edhe shoferi i ambulancës në Urgjencë”,- thuhet në dosjen e policisë. Po ashtu, antenat telefonike tregojnë se Rome Vide ka bërë disa telefonata me numrin shqiptar, që sipas qelizave përkojnë me vendin ku ndodhej vendi i punës dhe banesa e Aurora Trashanit. Ai është marrë pranë vendit të quajtur “Zogu i Zi” mbrëmjen e datës 1 shkurt 2011 nga taksisti dhe është transportuar drejt banesës së tij në lagjen Kombinat. Dy ditë më pas, në datën 3 shkurt 2011, Vide është larguar nga Shqipëria drejt Gjermanisë nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Të pyetur rreth vizitës së tij në Shqipëri, familjarë të Vides kanë deklaruar se arsyeja ka qenë gjendja shëndetësore e nënës së tij, e cila ato ditë kishte shfaqur probleme me shëndetin.
http://www.mapo.al/2013/02/19/rikthe...en-32-vjecare/
Krijoni Kontakt