-
Betejën nuk e keni me Greqinë
Leonard Mitro/gazetar
-Një kolegu im gazetar, i nxitur nga intervista e Artur Zhejit me deputetin e Agimit te Artë, Kristo Papas më pyeti nëse të gjithë grekët mendojnë si Kristos Papas! Ishte një nga ato pyetje me kënd 360 gradë që sido që ta rrotullosh të lë pezull. Dilema e kolegut m'u duk e sinqertë, por disi pedante për moshën dhe angazhimin e tij publik si gazetar në një prej televizioneve kombëtare më të rëndësishme në vend. Nuk ishte as më shume e as më pak gromësima e një supe mediatike që kapërdihet kollaj në një Shqipëri të çakërdisur, të zvarritur dhe me defiçenca të mëdha demokratike. Patriotët kanë dalë në modë duke ushqyer me lugë të mbushura keq stomakët e lirë të audiencës transurbane, që këtu e 20 vjet gdhihet e ngryset me qyfyret e politikës dhe ëndrrën e Shqipërisë Europiane. Zelli i medias për të raportuar si provokim të palës greke çdo avari në pikat kufitare, është në sintoni të plotë me retorikën nacionaliste të Aleancës Kuq e Zi dhe konkurrentëve të saj në opozitë e qeveri. Garë për të promovuar patriotizmin antihelenik dhe për të rikonfirmuar veten si partizanë të Shqipërisë dinjitoze. Të kujt Shqipërie dinjitoze pyes unë? Asaj që në 20 vite nuk di të bëjë zgjedhje të lira, asaj që udhëhiqet nga feudalë politikë me talent në biznes dhe ekrano-estetikë, vendit më të armatosur në kontinent me pisqolla e kallashnikovë, vendit më të ndotur nga plehrat dhe pshurrjet në bregdet? Kujt Shqipërie dinjitoze pyes prapë? Asaj me fantazma betoni e me “tokë të xanun”, asaj të monumenteve të kulturës ku ndyhet pa frikë ditë e natë? Në menynë e kuzhinës analitike të një pjese të medias shqiptare, gjella e preferuar është antigreqizmi dhe antiortodoksizmi. U tërheq vëmendjen drejtimi i Kishës Ortodokse nga kryepeshkopi Janullatos, në një kohë kur në Shqipëri ka me qindra klerikë të huaj, turq, italianë, amerikanë, që shërbejnë si barinj të besimtarëve shqiptarë. Për grekët që jetojmë në Shqipërinë politike dhe administrative të shekullit të XXI nuk është e habitshme që shumica e shqiptarëve të karikohen me një qasje të tillë, pasi kulturalisht janë të ndryshëm. Jemi të ndryshëm. Shqiptarët e sotëm janë në shumicë myslimanë dhe këtë veçanti të identitetit të tyre, kulturor faktori politik mund ta përdorë si revansh ndaj botës ortodokse, duke mos përjashtuar nga ky eksorim as shqiptarët ortodoksë. Nëse ky është antagonizëm i dy ekstrakteve kulturore, që sot përfaqësohen, në njërën anë nga grekët dhe shqiptarët ortodoksë dhe në anën tjetër nga shqiptarët myslimanë dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë, atëherë jemi në një betejë. Po a mund të rishfaqet në kohët e demokracicë një konflikt me natyrë të këtillë, i cili dikur bashkoi grekë e shqiptarë të krishterë përballë mësymjes së osmanëve? Por dhe mjaft shqiptarëve të konvertuar në myslimanë? A ka një projekt antigrek dhe antiortodoks, apo gjithçka është rrjedhë e një histerie kuturu? Censusi që prodhoi qeveria tregoi se ortodoksët dhe minoritetet në Shqipëri janë gjithmonë e më të paktë. Në raport me grekët dhe Greqinë po krijohet një frymë urrejtjeje, mbushur me mllef, patriotizëm fals dhe protagonizëm anadollak. Absurde dhe mosmirënjohëse kur mendon se në vendin fqinj jetojnë më shume se gjysmë milionë shqiptarë. Greqia sot është një vend në sprovë dhe kjo nuk mund të na gëzojë. Grekët e Shqipërisë nuk e kanë parë veten të ndarë nga e ardhmja e shoqërisë shqiptare, por fryma e krijuar është në dëm të bashkëjetesës. Dhe gazetaria analitike megjithatë ka gati supën mbi Greqinë, mbi kryepeshkopin, mbi varrezat e të rënëve të luftës italo-greke në Këlcyrë. Unë i besoj thënies se atdheu i një burri është atje ku ai bën të lumtur familjen e tij. Në këto 20 vite shumë shqiptarë e kanë gjetur atdheun e tyre në vendet e Europës së Bashkuar, por edhe më tej, në Amerikë, Australi e Kanada. Të gjithë ne kemi nevojë për atdheun tonë dhe këtë nuk mund të na e servirin ata që punojnë për 1 votë më shumë dhe për një tjetër mandat. Aq më tepër sepse të gjithë e dimë që Shqipëria sfidën e vërtetë nuk e ka as me grekët dhe as me Greqinë, shoqëria shqiptare betejën e ka me veten, e ka me demokracinë, me të vërtetën dhe sinqeritetin me historinë.
Shekulli
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt