Pas Ismail Qemalit, dështon edhe konkursi për shtatoren e Ibrahim Rugovës

Aida Tuci

Asnjëra nga veprat e ofruara nga 23 artistë pjesëmarrës në konkursin për realizimin e shtatores së Ibrahim Rugovës në Prishtinë nuk meriton të download (3)shpallet fitues. Juria e konkursit mbarëkombëtar doli në përfundimin se artistët me veprat e tyre nuk kanë arritur t’i realizojnë në aspektin figurativ përmasat kompozicionale, e veçanërisht të reflektojnë karakterin e personalitetit të ideologut e intelektualit shqiptar me përmasë universale. Për këtë arsye Komuna e Prishtinës ka vendosur anulimin e konkursit. Historia përsëritet. Vetëm pak muaj më parë Galeria Kombëtare e Arteve dështoi me ‘sukses’ në konkursin për realizimin e shtatores së Ismail Qemalit, vetëm se në këtë rast juria e GKA-së edhe pse nuk pati guximin të anulonte konkursin, por e shtyu disa herë në afate, në fund arriti të nxirrte një fitues. Por pavarësisht fituesit, konkursi praktikisht rezultoi një dështim, derisa vepra fituese, ajo e artistit nga Kosova Veli Blakçorit, u degdis në Muzeun Historik për t’u zëvendësuar në vendin e paracaktuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me shtatoren e Ismail Qemalit, realizuar nga Odhise Paskali që në vitin 1981. Por edhe komuna e Prishtinës me sa duket nuk do ta pranojë dështimin, sepse pas këtij vendimi, ajo do të fillojë procedurat e hapjes se një konkursi të ri për realizimin e skulpturës së shtatores së presidentit historik Ibrahim Rugova. Por çfarë po ndodh me skulpturën shqiptare? A mund të themi se këto dështime të njëpasnjëshme provojnë krizën në të cilën ndodhet skulptura shqiptare? Ka një përplasje mendimesh edhe për këtë mes brezave të artistëve shqiptarë. Brezi i vjetër i skulptorëve e kanë artikuluar tashmë mendimin e tyre qysh kur dështoi konkursi për shtatoren e Ismail Qemalit. Muntaz Dhrami, një prej përfaqësuesve të këtij brezi, e cilësoi dështim artistik të skulpturës shqiptare të viteve të fundit.

Skulptori dhe piktori Stefan Taçi, që i përket brezit të artistëve që u formua në mesin e viteve ’90, nuk e sheh problemin vetëm te niveli i artistëve, por në shumë aspekte që lidhen si me procesin e punës së një artisti për realizimin e një vepre, ashtu dhe me mënyrën sesi organizohen këto konkurse. “Më vjen keq që paska dështuar konkursi, por nuk habitem. Nuk habitem, sepse ashtu siç bëhen konkurset te ne, mirë që bëhen dhe aq vepra. Ngutja kohore, shpesh moskordinimi me urbanistikën, pa folur për klimën qesharake përçmuese që i ofrohet skulpturës serioze, sjell këtë rezultat. Pa shtuar këtu që s’ka asnjë ekspozitë kushtuar skulpturës dhe akoma më keq, mungojnë konkurset përgjatë viteve për vepra publike. Ndaj nuk mund të bëhen konkurse me urgjencë, sepse paskemi ne festën kombëtare. Këto gjëra ose parashikohen me kohë, ose i lihen rrugës normale të evolucionit të artit. Arti ka ligjet e tij të vendosjes në hapësirën urbane. Shtatoret nuk bëhen me vrap, pasi duhet kohë të piqen e nëse vendosen nuk mund t’i heqësh aq kollaj siç i heqim ne. Mua më dhemb, sepse kam mbaruar për skulpturë, por ky është problem aq i koklavitur ku pleksen si tradita ashtu edhe arti bashkëkohor dhe kërkesat individuale të artistit, si nevojat publike për vepra arti ashtu edhe nevojat e propagandës shtetërore, mungesa e kritikës apo hipokrizia e trajtimit të skulpturës në ekspozitat tona etj. etj. Pra, probleme ka plot”- thotë Taçi. Në këndvështrimin e një artisti bashkëkohor, siç është Toni Milaqi, një opinion rreth kësaj çështjeje do kohën e vet që të shtjellohet, por pavarësisht kësaj ai ngre disa pikëpyetje që kanë të bëjnë me pasionin më të fundit të shqiptarëve për të ngritur shtatore. “Problemi qëndron në faktin se: A janë të nevojshme këto shprehje të një nacionalizmi pesëlekësh, (në lidhje me nevojën e këtyre monumenteve) nga ana e institucioneve apo e politikës shqiptare, dhe sa të aftë janë drejtuesit e këtyre institucioneve për të gjykuar mbi vlerat ose mungesën e tyre, te prurjet e ofruara në konkurs?!”

Juria që vendosi se 23 artistët që prezantuan bocetat e tyre për realizimin e shtatores së Ibrahim Rugovës nuk janë në nivelin e kërkuar, përbëhej nga Adem Rusinovci, (dekan i Fakultetit të Artëve-UP); Sabri Hamiti (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës); Artan Peqini (Dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura, Tiranë); Hivzi Muharrremi (profesor në Fakultetin e Arteve-UP); dhe Sazan Raskova, (arkitekte në Komunën e Prishtinës). Ndërsa juria e konkursit për realizimin e shtatores së Ismail Qemalit përbëhej nga: Hektor Dule (skulptor), Rubens Shima (Drejtor i GKA-së), Ali Oseku (piktor), Kaliopi Naska (historiane), Gjergj Bakëllbashi (arkitekt), Elton Derraj (këshilltar në MTKRS) dhe Suzava Varvarica (studiuese arti).

MAPO