TIRANE- Lidhur me refuzimin e disa shtetasve shqiptarë për të hyrë në territorin e Belgjikës, MPJ sqaron se ka qënë, dhe është, në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet belge për të mësuar arsyet e ndalimit të këtyre shtetasve dhe mbi gjendjen e tyre. Sipas informacioneve që kemi marrë, rezulton se personat e refuzuar kanë patur mungesa në dokumentacion.

Sipas MPJ, janë disa rastet e refuzimit të hyrjes së shqiptarëve në Belgjikë: Gjatë muajit janar 2013 u është refuzuar hyrja 16 shtetasve shqiptarë: 12 me kompaninë Belle Air, 3 me Kompaninë Jet Air Fly dhe 1 Turkish Airlines. Arsyet e refuzimit janë : motive të paqarta hyrjeje, mungesë mjetesh financiare për të jetuar dhe pasaporta të skaduara. Ndërsa në muajin shkurt, 7 persona: 2 me kompaninë Jet Air Fly dhe 5 me kompaninë Belle Air. Arsyeja e refuzimit është motiv i paqartë dhe mungesë mjetesh financiare për të jetuar. Në mënyrë specifike, me fluturimin e datës 3 shkurt, me Kompaninë Belle Air u është refuzuar hyrja në territor 5 shtetasve. Mes tyre është dhe një vajzë 7 vjecare, e cila pas shqetësimit të ngritur prej nënës së saj për gjendjen shëndetësore të vajzës, është e shtruar në spital dhe është nën kontrollin e plotë të mjekëve”.

MPJ sqaron se "znj.Suzana Sulollari, e ngarkuar me çështjet konsullore në ambasadë ndodhet aktualisht pranë shtetasve shqiptarë që gjenden në kamp, ndërsa Ambasadori Ilir Tepelena ka kërkuar takim urgjent me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës së të Huajve, z.Freddy Roosemont", thuhet në reagim./BalkanWeb