Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, ka deklaruar se është krijuar një perceptim i gabuar se personat me besim ortodoks janë grekë.
Imzot Joani thotë se besimi nuk njeh nacionalizëm dhe se Kisha nga natyra e saj është për dashurinë e të gjithë popujve, të gjithë njerëzve.
Lidhur me marrëdhëniet mes besimeve në Shqipëri ai thotë se fakti që s’ka pasur konflikt fetare dëshmon tolerancë.
Më poshtë pjesë nga intervista:
Cili ishte roli i Fan Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale?
Ishte i jashtëzakonshëm kontributi sidomos në rritjen e ndërgjegjes kombëtare, edhe pse ai nuk u mor shumë me procedurat.
Nuk u fol për të në 100 vjetorin e pavarësisë, pse?
Përjashtimi i disa figurave është mënjanim i historisë, largimi i tyre do të thotë të deformohet historia. Çdokush që ka dhënë kontribut në historinë e vendit duhet të marrë vlerësimin që i takon. Nuk di të them nëse ky fakt ishte i qëllimshëm, apo harresë.
Sa besojnë shqiptarët?
Nuk ka një aparat që të mund të matet kjo, por secili është në kërkim të diçkaje, të përgjigjeve të munguara dhe shpesh njerëzit i gjejnë në kishë këto përgjigje. Është vështirë të gjesh motivet pse vine, por di të them që vinë shumë.
A vini re një krizë morali në shoqërinë shqiptare?
Natyrisht kjo vihet re në të gjithë botën, jo vetëm këtu. Morali i kishës lidhet me besimin te Perëndia. Besimi nuk mund të imponohet, kushdo ka të drejtë të besojë apo jo. Unë nuk besoj se mund të ketë njeri 100% ateist.
Kryepeshkopi Anastas është në qendër të sulmeve, si e shpjegoni?
Është histori prej 20 vitesh, s’ka asgjë të re. Janë po të njëjtat akuza,unë jetoj brenda kishës dhe besoj se pa kontributin e tij nuk mund të ngrihej kisha. Lidhur me statutin, ishte statut që paraqiste problematikën e asaj kohe dhe këto s’mund ti shërbenin kishës pas ’90.
Pse s’ka marrë pasaportë shqiptare?
Është në nderin e shtetit shqiptar t’ia japë një pasaportë. Duhet të mësojmë të nderojmë njerëzit që na ndihmojnë.
E ka penguar autoqefalinë fakti se Kryepeshkopi është shtetas grek?
Autoqefali do të thotë në radhë të parë të kesh pavarësi financiare dhe në këtë drejtim gjatë 20 viteve është punuar shumë. Pra, jo vetëm që s’është penguar, por është punuar dhe ndihmuar shumë. Kisha s’mund të dëmtohet nga etnia.
Pas 21 vitesh është krijuar mundësia që të kemi brezin tonë për drejtimin e kishës?
Ky është një proces i gjatë dhe ne jemi në këtë proces. Kisha po rritet me njerëz që janë të këtij vendi. Në krye të kishës gjithmonë duhet të jetë një drejtues me eksperiencë të madhe.
Ka kufizim mandati për episkopin?
Jo, nuk ekziston diçka e tillë, është i përjetshëm.
A mund të themi se keni qenë vazhdimisht nën sulm, duke identifikuar të qënit ortodoksë me grek?
Po, vazhdimisht jemi sulmuar, shpesh pa të drejtë. Çdo ditë na vjedhin kisha dhe ne shpesh kemi heshtur. Akuzat në pjesën më të madhe ngrihen mbi bazë të thashethemeve. Në kishë nuk mësohet greqisht, siç pretendohet. Një fakt i tillë vlen vetëm për zonat minoritare, është e drejtë e tyre të mësojnë në gjuhën e tyre.
Nikolla Marku, e njihni si prift?
Ai nuk është emëruar nga episkopi dhe s’mund të jetë i tillë.
Cili është raporti i kishës me nacionalizmin?
Nacionalizmi i mbështetur në urrejtje është i papranueshëm. Kur një parti si Agimi i Artë doli të mbrojë kishën, një Mitropilitan grek iu përgjigj “cilën ortodoksi do mbroni ju, atë tuajën apo të kishës?”. Kisha nga natyra e saj është për dashurinë e të gjithë popujve, të gjithë njerëzve. Urrejtja është kundër besimit, kundër kishës. Kisha nxit çdo njeri të dojë vendin e tij, është e pamundur të duash Zotin e të mos duash vendin, dhe kjo është atdhedashuria e mirë. Ballkani ka nevojë për bashkëpunim. Kisha duhet t’i kundërvihet çdo gjëje që bazohet në urrejtje. Brenda mundësive të saj kisha është përjekur dhe ka ngritur zërin edhe për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me komunitetet e tjera fetare?
Kemi marrëdhënie mjaft të mira dhe kjo është një pasuri që duhet ruajtur dhe forcuar jo vetëm me myslimanët, por edhe katolikët.
Ekziston tolerancë në Shqipëri apo mosnjohje e fesë nga njerëzit?
Është e vështirë ta përcaktosh, por vetë fakti që s’kemi pasur konflikt fetare, harmonia mes njerëzve, por dhe mes krerëve fetarë, e dëshmon këtë tolerancë. Por, kjo duhet kultivuar dhe pasur kujdes në këtë drejtim. Kërcënimet vinë nga veçimi i komuniteteve, sulmeve të tyre, por s’besoj se do kenë peshë.
Ç’raport keni me shtetin?
Shteti është laik, marrëveshjet kanë rregulluar marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Unë do kisha dashur të kishte bashkëpunim edhe më të madh. Kthimi i pronave s’është për t’i bërë komunitetet fetare të pasura, por për të aftësuar këto komunitete në realizimin e punës së tyre, kufizimi i burimeve kufizon dhe shërbesën e njerëzve. Në ’67 pronat tona u morën me një dekret, ndërsa sot për çdo pronë kërkohet një gjyq që e zvarrit procesin dhe e bën gati gati të pamundur, i tjetërson pronat. Ne kërkojmë pronat që ishin të lira dhe mund të jepeshin nëse do kishte vullnet.
Vjedhja e afreskeve të Onufrit, mund të pengohej ?
Ajo mund të ruhej shumë më mirë nëse do kishte një bashkëpunim më të madh kishë-shtet. Janë qindra kisha, disa edhe në zona të largëta dhe caktimi i kujdestarëve do ndihmonte shumë në këtë drejtim. E gjithë shoqëria jonë duhet ishte më e ndërgjegjshme ndaj këtij fenomeni. Afreskët s’mund të shiten nga mënyra si janë marrë, thjesht kanë bërë një dëm ndaj nesh.
Drama e Dokles?
Është spekuluar shumë në këtë drejtim. Kisha ka bërë vetëm një deklaratë, që kjo dramë fyen dhe denigron komunitetin ortodoks. Kisha është deniguar për një kohë shumë të gjatë. Ringjallja e kësaj gjëje na duket sikur e rikthen edhe njëherë. Vendimin e merr Teatri sigurisht, se kemi vënën ne në skenë.
Sa jeni ju ortodoksët, Censusi ju ka nxjer 6,7%?
Vetëm qarku i Fierit ka 10% ortodoksë, s’mund ta zhbësh me emigracionin, të gjithë kanë emigruar. Prisnim një reagim pas deklaratës së kishës që nuk e njeh censusin, s’kemi asnjë përgjigje. Për komunitetin ortodoks kjo është e papranueshme, sepse është e pavërtetë. Kjo mbase mund të jetë edhe e qëllimshme, por është e padrejtë dhe ky komunitet ndihet i lënduar.
Keni bërë një census tuaj vetjak?
Kisha ka të drejtën dhe për ta bërë censusin për të pasur regjistrin e saj dhe sipas regjistrit që kemi, jemi mbi 24%. Ne kemi bërë një lloj sondazhi, duke pyetur njerëzit që vinin në kishë nëse janë pyetur dhe mbi 20 000 veta kanë deklaruar që s’janë pyetur fare.
Kthimi i emigrantëve shqiptarë për shkak të toponimeve, si e shihni?
Duhet ruajtur identiteti i çdo njeriu.
Krijoni Kontakt