-
Meta: Politikanët sot si në kohën e Haxhi Qamilit, BE kërkon 3 ligjet
Meta: Politikanët sot si në kohën e Haxhi Qamilit, BE kërkon 3 ligjet
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nga qyteti i Durrësit tha dje se partitë politike në vend që të paraqesin alternativa për arsimin apo punësimi, sillen si në kohën e Haxhi Qamilit. Sipas Metës, politikanët kanë filluar të fajësojnë njëri-tjetrin për ngërçin, ndërkohë që tri ligjet e BE-së mbeten pa miratuar. “Ngatërrojnë kohën e Haxhi Qamilit kur disa grupime thërrisnin ‘Duam Babën’, me kohën në të cilën jemi ne sot, kur gjithë shqiptarët thonë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, ashtu sikurse studentët e kërkuan këtë gjë në dhjetor ‘90, duke sjellë edhe ndryshimin e sistemit. Mirëpo, kur ndjekim lajmet, debatet e politikës dhe politikanëve, në vend që të dëgjojmë debate lidhur me arsimimin dhe punësimin, dëgjojmë më shumë lidhur me ato çfarë kanë ndodhur para ’90-s, se kush e kishte fajin për këtë, se kush e kishte fajin për atë, dhe duke lënë jetim fajin për tri aktet që presin në Parlament, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, u shpreh Meta. Sipas liderit të LSI-së, sfida më e madhe e politikës sot është që të ofrojë më shumë siguri ekonomike dhe sociale, është që të bëjë politika më lehtësuese e favorizuese për gratë sipërmarrëse. “Shikoj beteja për heqje monumentesh dhe vendosje monumentesh, ndërkohë që sfida më e madhe e politikës sot është që të ofrojë më shumë siguri ekonomike dhe sociale, të bëjë politika më lehtësuese dhe favorizuese për gratë sipërmarrëse. Shqipëria europiane ka nevojë për energji pozitive. Nuk ka nevojë për energji negative. Ka nevojë për njerëz që shikojnë drejt së ardhmes dhe që i përkushtohen asaj. Nuk ka nevojë për politikanë të cilët duan të bëhen historianë, ndërkohë që duhet të japin zgjidhje”, tha dje Meta.
Burimi: Panorama
-
-
Për: Meta: Politikanët sot si në kohën e Haxhi Qamilit, BE kërkon 3 ligjet
Fyle në Tiranë për të zgjidhur ngërçin e tre ligjeve
Me misionin për zgjidhjen e ngërçit shqiptar midis PD-së dhe PS-së Në Tiranë mbërriti sot Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan download (11)Fyle. “Erdha për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar, ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”, shkruan Fyle në faqen e tij personale në ‘Tëitter para se të nisë takimet e parashikuara në axhendë. Komisioneri Fyle, në vizitën e tij zyrtare do të zhvillojë takimet me dy liderët kryesore të PD dhe PS-së. Ai synon të gjejë një rrugëzgjidhjeje për miratimin në Parlament të tre ligjeve të përcaktuara nga KE si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në mëngjesin e sotëm Fyle u takua fillimisht me ambasadorin e BE Ettore Sequi dhe të OSBE në Tiranë Eugen Ëollfarth, si dhe me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu si dhe me ambasadorët e tjerë të huaj të akredituar në vendin tonë. Rreth orës 10:45 Fyle u takua me Kryeministrin Sali Berisha, Takimi u mbajt në kryeministri dhe zgjati rreth një orë. Në këtë takim Fyle ishte i shoqëruar nga ambasadori i BE-së Ettore Sequi. Më pas Komisioneri u takua me liderin e opozitës, Edi Rama. Pas përfundimit të këtyre takimeve Fyle pritet të takojë dhe Presidentin Bujar Nishani.
MAPO
-
-
Për: Meta: Politikanët sot si në kohën e Haxhi Qamilit, BE kërkon 3 ligjet
Meta kundër tezave nacionaliste
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim i cilësoi deklaratat e fundit nacionaliste si retorika boshe dhe i kërkoi politikës shqiptare të tregojnë patriotizmin e tyre në përpjekjet për integrimin e vendit. “Në garën e sotme për të konsumuar sa e sa retorika boshe nacionaliste, ne u themi të gjithëve se patriotizmi më i mirë nuk është të merremi me të kaluarën. Se patriotizmi më i mirë, se shërbimi më i mirë që i bëjmë Shqipërisë, dinjitetit të saj dhe mbarë kombit tonë, është të punojmë realisht dhe konkretisht për integrimin europian të Shqipërisë. Vetëm kjo rrugë e lartëson dinjitetin e çdo shqiptari dhe shqiptareje, jo vetëm në Elbasan, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku janë në emigracion. Vetëm kjo rrugë e lartëson dinjitetin e shqiptarëve edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Preshevë e kudo qoftë”, u shpreh Meta gjatë një takimi të zgjeruar të LSI-së në Elbasan me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike. Kreu i LSI-së i bëri apel politikës që të konsolidojë pozitën e Shqipërisë si vend stabiliteti në rajon, rol që e ka luajtur vazhdimisht në këta 20 vjet. “Shqipëria duhet të jetë një shembull pozitiv për të gjithë shqiptarët në rajon. Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë shembulli më i mirë për të gjithë rajonin i politikës së bashkëpunimit e të integrimit. Kombi më i copëtuar dhe më fatkeq nga Lufta e Ftohtë dhe nga ‘perdja e hekurt’ ishte kombi ynë. Kombi më fatlum nga era e re e integrimeve europiane dhe euroatlantike është kombi ynë. Prandaj të ecim në drejtimin e duhur, të ecim më shpejt dhe unë kam besim se Elbasani e mbështet plotësisht angazhimin tonë dhe vendosmërinë tonë për të ecur më shpejt në rrugën e bashkëpunimit, integrimit, zhvillimit dhe të punësimit”, tha Meta.
SHBA
Deklaratat e kreut të LSI-së vijnë pas një dokumenti pjesë e shkëmbimeve zyrtare midis Uashingtonit dhe Tiranës, që tërheq vëmendjen ndaj deklaratave nacionaliste të politikanëve shqiptarë. “Ne jemi tejet të zhgënjyer dhe të shqetësuar se liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon. Deklaratat e fundit publike të bëra nga politikanët shqiptarë kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegj-shme, në atë të retorikës kundërproduktive dhe potencialisht të rrezikshme. Këto deklarata jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit, por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin dhe ndikojnë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara… duke përdorur mesazhe negative etnike për qëllime politike, është destabilizuese dhe kundërprodhuese. Shqipëria mund dhe duhet të jetë një fqinj i përgjegjshëm dhe bashkëpunues, por politikanët e saj duhet fillimisht t’i rrinë larg tentacionit për të luajtur kartën nacionaliste. Nuk po bëni një përshtypje të mirë, ndërsa përgatitemi për ardhjen në krye të Departamentit të Sekretarit të ri të Shtetit. Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht!”, thuhet në dokumentin konfidencial të dërguar nga Uashingtoni për politikën e Tiranës.
Philip Reeker
Zëvendësndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i ka cilësuar të panevojshme dhe shqetësuese deklaratat nacionaliste. “Ndërkohë që po zhvillohet fushata zgjedhore, kemi qenë të shqetësuar nga shumë retorika nacionaliste, gjë që ne e konsiderojmë shqetësuese dhe të panevojshme. Kjo tërheq vëmendjen nga gjëra që janë me të vërtetë të rëndësishme. Në 100 vitet e kaluara, por edhe më herët, historia ka treguar se kjo lloj retorike nuk i ndihmon qytetarët për nevojat e tyre, nuk krijon vende pune, nuk çon përpara perspektivat ekonomike. Është thjesht një hutim. Është sjellje populiste dhe shpesh shumë fatkeqe”, është shprehur Reeker.
Ettore Sequi
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, ka paralajmëruar politikanët shqiptarë se me deklaratat nacionaliste “mund të rrezikojnë marrëdhëniet fqinjësore me vendet e rajonit”. “BE-ja beson se çështja e integritetit kufitar nuk është çështje, ne nuk duam të shohim ndryshime kufijsh. Konkluzionet e Këshillit Europian për Shqipërinë – pra mendimi i 27 vendeve anëtare të BE, është se e mirëpret rolin konstruktiv në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë të shmangë deklaratat që janë në kundërshtim me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, ka thënë Sequi, duke iu referuar deklaratave për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Investimet publike në Elbasan
Kreu i LSI-së nuk anashkaloi dhe investimet publike të bëra në qarkun e Elbasanit, siç është rruga Tiranë-Elbasan. “Në muajt që vijnë, rinia do të përjetojë realizimin e një ëndrre të madhe, atë të bashkimit të Elbasanit me Tiranën dhe kjo po ndodh dhe do të preket shumë shpejt nga të gjithë. Është një arritje e jashtëzakonshme, sepse rrëzohet një pengesë e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, për rritjen e punësimit në këtë qytet, ku papunësia ende mbetet një plagë serioze. Ndaj jemi sot këtu, për të shprehur angazhimin dhe vëmendjen tonë maksimale për qytetin e Elbasanit, për rrethin e Elbasanit dhe për qarkun e Elbasanit. Të rinjtë e Elbasanit meritojnë një të ardhme më të mirë”, tha Meta.
Elbasan/Miranda Sadiku
Burimi: Panorama
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt