
Postuar më parë nga
chaos_
Ai nuk është nazist ...
Nga: PANO HALLKO
Shumica e shqiptarëve që ndoqën intervistën me kryetarin e partisë greke “Agimi i Artë”, në fund të saj, jo pa të drejtë, thanë: “Ky është psikopat” ose “Ky është i çmendur”. Një pjesë jo e vogël, e etiketuan ashtu siç Athinës zyrtare i pëlqen ta quajnë Kristo Papën - nazist, apo më butë akoma, neonazist...
Sikur të ishin vetëm këta shumica, pra telespektatorët që arritën në këtë përfundim, do të qe vetëm gjysma e së keqes. Mirëpo në këtë përfundim arritën thuajse edhe shumica e analistëve, politikanëve dhe e atyre që pretendojnë se “ngjizin”, ndikojnë apo “bëjnë” opinionin publik.
Por për të qenë në rregull me përkufizimet, le t’i referohemi Fjalorit të Shqipes së Sotme, botim i vitit 1984, i Akademisë së Shkencave (që patëm). Nazizëm: Fashizmi gjerman, forma më e egër e diktaturës borgjeze imperialiste, që u vendos në Gjermani para Luftës së Dytë Botërore dhe që fshihej pas parullave nacionaliste e socialiste… (fq. 756)
Pra, na del se zoti (e bëftë perëndia zotëri!) Papa, nuk është nazist e as neo i tillë. Por atëherë, çfarë është? Se budalla, psikopat ose i çmendur, nuk është e s’mund të jetë. Përkundrazi, ai të gjithë qelbin që derdhi në tavolinën e intervistës, e kishte të grumbulluar në harkun kohor të 170 viteve, qysh kur lindi teoria e megalidesë. Në këtë kuptim, zoti Papa, është një burrë i mençur, gati 170- vjeçar, e s’mund të thotë budallallëqe. Ai është biri shpirtëror i shumë baballarëve, Koletit, Venizellos, Zervës, por edhe i biri i babës, i cili, si shërbëtor i mirë i kishës, pra prift, dikur mbajti vetëm kryqin në gjoks (si kristian i mirë që ishte), hoqi rasën e zezë dhe veshi rrobat e oficerit të ushtrisë greke të kohës, me të cilat realizoi masakrat më të tmerrshme mbi ata që nuk i deklaroheshin si grekë.
Sinqeriteti i tij është për t’u adhuruar, pavarësisht ndjenjave që mund të na përshkojnë neve, “publikun”. Atëherë, si mund ta quajmë këtë njeri? Nazist nuk na dalka, fashist nuk është, por ç’është?! Dikur, në shqip ekzistonte një togfjalësh: “shovinizmi grek”. Le të konsultohemi prapë me Fjalorin, siç ka qenë i shkruar: Shovinizëm: Nacionalizëm reaksionar i shfrenuar, që shpall epërsinë e një kombi mbi kombet e tjera dhe nxit armiqësinë e urrejtjen ndërmjet tyre; politikë reaksionare shtetërore, që synon të përndjekë e të shtypë popujt e tjerë… (fq. 1171, “Fjalori i Shqipes së sotme”).
Atëherë na qenka shovinist (kuptohet, me kryq në dorë), dhe... asgjë tjetër. Nëse ai kreu një veprim të turpshëm gjatë intervistës, ishte vetëm fakti që e mblodhi shuk flamurin e kombit shqiptar dhe e flaku në mes të tavolinës. Por edhe ky veprim, nuk mund t’i faturohet si turp atij, pasi ai, përderisa nuk njeh komb shqiptar (si shqiptar gjakprishur që është), nuk ka arsye të respektojë flamurin e një kombi inekzistent (po sipas tij). Ndoshta i duhej kërkuar që ta ripaloste atë flamur, por... të shkuara e të (pa) harruara!
Pati - edhe pse të paktë - që thanë: “Ai është e keqja e vetë Greqisë”... Por për ata që njohin Historinë, ai vend nuk pa keq nga shovinistët. Për shumë arsye, por më e thjeshta: Në vitin 1912 Greqia ishte 26.000 km2, kurse në vitin 1947 arriti plot 130.000 km2. E kjo, falë vetëm shovinizmit, si dhe mbështetjes së Eduart Grey-t dhe Klemansosë.
Shovinist me prapavijë shtetërore... Një oficer në rezervë i ushtrisë, L.B., ish-shok i Fatmir Shehut, më tha: “Fatmir Shehun e kam pasur shok klase në Shkollën e Bashkuar dhe e di unë sa më dhemb shpirti edhe sot për të. Por dhimbjen dhe poshtërimin që kam ndjerë teksa dëgjoja Kristo Papën, nuk i kam ndjerë kurrë në jetë. Të thyeja televizorin? E ç’faj më kishte ai?!”
Në traktin e organizatës MAVI, i botuar në shtypin grek, shkruhej: “...Organizata patriotike MAVI, pasi studioi me kujdes kushtet..., i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar pranë vijës kufitare. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak”. Asokohe, ish-zëvendësministri për Zhvillimin Rajonal, Maqis Voridhis, ishte njëri nga drejtuesit e lëvizjes për çlirim të Vorio-Epirit - MAVI. Sinqeriteti i “mysafirit” që na “zbukuroi” shtëpitë tona për rreth gjysmë ore, ishte befasues. Ai para kamerës tha se për idealin e tij, ishin gati të luftonin edhe ministri dhe zëvendësministri i Jashtëm (në detyrë) i Greqisë.
Pra, na del se as budalla nuk është, as burracak, pasi mbështetja e tij qenka shteti që ka pas shpatullave. Pavarësisht se si etiketohet nga ai shtet, neonazist a ku di unë. Edhe Venizellua, ndërsa dërgonte ushtri të rregullt shtetërore këtu në Paris, u thoshte qeveritarëve të Europës: “Nuk kanë lidhje me politikën tonë shtetërore ata. Ata janë andartë, jo ushtarë të ushtrisë greke”. Por edhe nga shteti “përballë”, ai është thuajse i justifikuar.
Pasi këtu ka bashkëkombësit e tij (por edhe tanët), të cilët ndajnë me të, të njëjtën kauzë: Vorio-Epirin! Këtu ka Becajt - që kanë ra prej Mirdite në Dropull e u banë “grekë”; ka Avdullahajt (shkurt Dulajt) - të cilët nuk prononcohen për mediat tona, pa marrë ‘Ok’-in nga Athina; ka ministër në shtetin tonë që sapo mbaron orarin zyrtar në Shqipëri, shkon në konferencën e Vorio-Epirit në Janinë. Ka edhe ca “xacër” në disa rrethina të Shqipërisë, që thonë: “Po, ne jemi llacifaci, por jemi edhe grekë”.
Pavarësisht simpative apo antipative, duhet t’i njohim Papës sinqeritetin e treguar, edhe për Ligjin e Luftës, edhe për kufijtë detarë. Por të paktë besoj se janë në këtë vend ata që e dinë se Greqia ende nuk ka njohur as kufijtë tokësorë. Ai duhet falënderuar, pasi na zgjoi të gjithëve; sepse ne, në momente anëtarësimi (kudo) themi: “Greqia është avokati ynë”.
Biopolitika na shpjegon pse lindi Hitleri, por jo pse lindi Da Vinçi. Shkrimtari Paul Caros, në librin e tij me titull “Zogu kopshtar”, shkruan: “Truri, për të luftuar kundër dhimbjes, sekreton vetvetiu substanca me përmbajtje opiumi - endorfina”. Ndoshta ne shqiptarët “i fusim një mendje të lehtë”.
Por prapë vjen e na shkund Salvador Dali, i cili thotë: “Urrej më shumë se gjithçka thjeshtësinë; mendjet e thjeshta gënjehen lehtë”. Hapësirë për gënjeshtra nuk ka më.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt