Një 22-vjeçar është dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për vjedhjen me dhunë të një aparati telefonik celular “iPhone 4″. Ngjarja për të cilën u akuzua Elman Lika është shënuar në nëntor të vitit 2011, fare pranë portës së godinës së Presidencës në kryeqytet, ku ai dhe disa persona të tjerë goditën dhe i morën telefonin një kalimtari, nxënës i klasës së tetë. Për shkak të afrisë me Presidencën, i pandehuri Lika është ndaluar fillimisht nga një punonjës i Gardës, i cili më pas ia ka dorëzuar policisë. Pak ditë më parë, në përfundim të 18 seancave shqyrtimi gjyqësor, Lika u deklarua i fajshëm për akuzën e “vjedhjes me dhunë” dhe u dënua me 5 vjet burg. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se i pandehuri ka depozituar në Gjykatën e Apelit ankim mbi këtë vendim. Sipas vendimit të Shkallës së Parë, episodi për të cilin u fajësua 22-vjeçari ka ndodhur rreth orës 11:00 të 24 nëntorit 2011. “M. P., nxënës në klasën e tetë të shkollës 9-vjeçare jopublike, ishte duke ecur në trotuarin pranë derës anësore të godinës së Presidencës për të shkuar te sheshi ‘Nënë Tereza’, ku do takonte disa shokë të tij. Papritmas një person e ka kapur nga jaka e xhupit dhe disa të tjerë i janë hedhur përsipër duke e shtyrë me forcë te muri i Presidencës, duke e kontrolluar nëpër xhepa dhe duke e qëlluar me shpulla në kokë. Si përfundim, i kanë marrë një celular tip ‘iPhone’ me ngjyrë të bardhë. Pasi i kanë marrë celularin, personat që e kanë goditur janë larguar me vrap në drejtim të lulishtes që ndodhet përballë derës anësore të Presidencës”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Po sipas vendimit, i dëmtuari i ka kërkuar ndihmë një prej gardistëve që ishin te porta e Presidencës. Sipas vendimit, gardisti ka ndjekur me vrap personat dhe ka mundur të kapë vetëm të pandehurin Elman Lika. Më pas ai ka njoftuar punonjësit e Policisë, të cilët kanë bërë arrestimin në flagrancë të të pandehurit.
Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/02/0...#ixzz2JkxfcBCh
Krijoni Kontakt