Në zjarrin që shpërtheu të mërkurën në mëngjes në orën 4 e 30 minuta, dogji deri në themel pallatin e vjetër të manastirit shqiptar "Shën Jovan Bigorski". Tërësisht janë djegur konakët, kuzhina dhe biblioteka, ndërsa nuk ka asnjë të lënduar. "Sipas njohurive të para shkak për zjarrin kanë qenë problemet me instalimin e pajisjeve elektrike dhe të gazit në kuzhinë", deklaroi Ekrem Zendeli, zëvendës-drejtor i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim. Flaka së pari i ka kapluar pjesën e kuzhinës, pas së cilës është përhapur në trapezari, konakë dhe bibliotekë, të cilat janë djegur tërësisht. Shërbimet zjarrfikëse kanë arritur ta mbrojnë pjesën e vjetër të kishës, ndërsa murgjit kanë arritur t'i nxjerrin gjërat më të rëndësishme, të cilat ishin në objektet që digjeshin. Janë angazhuar edhe helikopterë të ARM-së të cilat kanë ndihmuar për lokalizim të zjarrit. Kryetari i Komunës Mavrovë - Rostushë, Mukrem Mehmeti tha se kjo është një tragjedi e madhe për trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij rajoni. Sipas rezultateve të para dëmi i shkaktuar nga zjarri kap vlerën 5, 5 milionë euro.
Për shkak të pasigurisë në hapësirën e djegur hetimet do të zhvillohen të enjten. Hetimet janë shtyrë për nesër, pasi akoma rrëzohen gurë dhe trarë të djegur. Jemi marrë vesh që hetimet të nisin të enjten rreth orës nëntë të mëngjesit, bashkë me ekipe speciale të krim teknikës së MPB-së", tha Marjan Josifovski, zëdhënës i SPB-së në Tetovë. Zjarrin e kanë vënë re murgjit të cilët kanë lajmëruar në stacionin policor në Rostushë, ku menjëherë është dërguar një ekip zjarrfikësish nga Dibra. Pak më vonë këtij ekipi i është bashkangjitur edhe katër ekipe zjarrfikësish nga Gostivari dhe Kërçova.
Kompleksi i manastirit Shën Jovan Bigorski gjendet mes Gostivarit dhe Dibrës në afërsi të fshatit Rostushë, Bitushë, Trebishtë, përreth Radikës.
Kisha shën Bigorski është një kishë e vjetër që i përket periudhës bizantine, për të cilën nuk ka të dhëna të sakta se në cilin vit është ndërtuar. "Kisha Shën Jovan Bigorski i takon kishës së periudhës bizantine me qendër në Stamboll dhe ka luajtur një rol të madh kulturor, arsimor të trevave të Rekës, të shqiptarëve të Rekës. Gjatë gjithë periudhës në këtë kishë peligrenazhet janë bërë në gjuhën shqipe deri me ardhjen e serbëve në këto troje , në vitin 1912", thotë për "lajm" historiani Vebi Xhemaili. Ai sqaron se në vitin 1912 banorët e këtyre fshatrave janë mbledhur dhe kanë dërguar një memorandum edhe kishës greke, edhe asaj romake se ne nuk pranojmë asnjë misionar nga këto qendra nëse liturgjitë nuk mbahen në gjuhën shqipe. "Këto fshatra gjithnjë kanë mbrojtur identitetin kombëtar deri në vitin 1912, ku nga presioni i fuqishëm i politikës serbe lëshuan pe. Pushteti serb në atë kohë aty ku bëheshin lutjet ndërtoi edhe një vend tjetër për priftin që të mbajë ligjërata karshi kishës shqiptare. Po ta shikoni kishën e Bigorskit do të shihni se aty janë dy vende
E para tregon se është kishë katolike shqiptare dhe e dyta ku këta përpiqen që ta bëjnë kishë ortodokse sllave", tha Xhemaili.
Krijoni Kontakt