-
Pararendës te përdorimit të gjuhës shqipe në shërbesat fetare
Një perikope nga Ungjilli i Pashkës është dokumenti më i vjetër që kemi për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në shërbesat fetare. Dokumenti gjendet brenda një dorë-shkrimi greqisht në Bibliotekën Abroziana të Milanos dhe i përket shekullit të XV-të.Ai përbëhet nga tri pjesë të ndryshme: 1-Nga një pjesë e Ungjillit të Matheut 27:62-66 (është pjesë nga Ungjilli i mëngjesit që këndohet të Premten e Madhe gjatë shërbesës së Epitafit), 2-Urimi “për shumë vjet, o Kryezot” 3-Himni i Pashkës “Krishti u Ngjall”. Në shkrim përdoret alfabeti grek ndonëse nuk i është përshtatur mirë tingujve të shqipes. Dokumenti është një fletë me format 15x13.5cm, brenda kodikut me format 23.3x15.3 dhe u zbulua më 1906 nga Spiridon Lambros, i cili e botoi në revistën Neos Elinomnimon të Athinës. Më vonë u transkriptua nga episkopi i Korçës Evllogjio Kurila, i cili pretendon se është i Grigor Gjirokastritit. Studiuesit mendojnë se autori ka qenë një prift shqiptar i ritit lindor. Teksti është një përkthim nga greqishtja në shqip.
Anonimi i Elbasanit është një dëshmi tjetër,e cila mendohet të jetë e shekullit të XVII-të dhe u gjend në vitin 1949 në Manastirin e Shën Joan Vladimirit në Elbasan. Ajo përbëhet nga pjesë nga të katër ungjijtë shkruar me një alfabet të veçantë dhe është përdorur për nevoja liturgjike.
Përkthimi është i lirë, në të folurën e Elbasanit dhe ka pak fjalë të huaja. Gjuha është më arkaike se ajo e Dhaskal Todrit. Dokumenti i përket gjysmës së dytë të shekullit të XVIII-të, dhe në të ndihet influenca e toskërishtes. Alfabeti i përdorur është i panjohur më parë, me 40 germa me bazë glagolitike dhe është alfabeti orgjinal më i vjetër që njihet në shkrimin e shqipes. Ai mund të jetë diçka origjinale ose nga ndonjë traditë e humbur për të cilën ne nuk kemi dijeni.Alfabeti i përdorur ka më tepër bazë sllave sesa greke. Në tekst gjendet i shkruar emri i një kleriku, Papa Totasit i cili ishte prifti i Shpatit dhe ka jetuar në shekullin e XVIII-të. Por prof. Domi mendon se autori është Grigori i Durrësit, vdekur më 1772, i cili është marrë me përkthimin e ungjijve dhe ka përdorur një alfabet origjinal.Nga gjuha e dorëshkrimit kuptohet që ka qenë njeri i ditur. Kjo vepër prej gjashtëdhjetë faqesh u shpëtua nga studiuesi elbasanas Lef Nosi, kur Manastiri i Shën Joan Vladimirit u dogj më 14 mars 1944.
Mitropoliti i Durrësit Grigori, në fillim
ka qenë tipograf në Voskopojë, më pas studio në Akademinë e Re, më vonë u bë profesor i saj. Ai ishte një klerik me kulturë të gjerë dhe autor i librave të ndryshëm fetarë. Ka përkthyer në shqip Dhiatën e Vjetër dhe të Re, duke përdorur një alfabet të shpikur nga ai vetë para vitit 1772. Përkthimet e tij fatkeqësisht kanë humbur. Pas suprimimit të Patriarkanës së Ohrit më 1768, ai u caktua nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës si Mitropolit i Durrësit.
Nektar Tërpo Voskopojari ka nënshkruar në një gravurë të gjetur në Manastirin e Ardenicës. Në të është shkruar një lutje e shkurtër drejtuar Hyjlindëses në katër gjuhë, greqisht,latinisht, arumanisht dhe shqip. Gravura ka këtë tekst në shqip të shkruar me alfabetin grek:“Virgjin Mamë eperëndis uro prë nee fajtorëte”.Në gravurë paraqitet Shën Mëria me Krishtin e vogël ndër duar. Ajo daton në vitin 1731 dhe poshtë saj është nënshkrimi i Hieromonak Nektarit. Bëhet fjalë për Voskopojarin Nektar Tërpo, një propogandues i zellshëm dhe i guximshëm i besimit orthodhoks, i cili në atë kohë ishte igumeni i Manastirit të Ardenicës. Në vitin 1732 botoi në Venedik librin “Besimi”, për të ndaluar islamizimin e popullsisë orthodhokse.
Theodhor Haxhifilipi (1730-1805) i njohur me emrin Dhaskal Todri, kishte studiuar në Akademinë e Voskopojës. Më vonë e gjejmë në Elbasan si mësues dhe predikues. Ka bërë përkthime të shumta fetare duke përkthyer në shqip Dhiatën e Vjetër dhe të Re dhe Liturgjinë e Shën Joan Gojartit. Gjatë përkthimit të Liturgjisë ka ndjekur fjalë për fjalë tekstin grek, duke mos e përshtatur si duhet në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e shkrimeve të tij u dogj në kolerën e vitit 1827. Prej tyre shpëtoi Liturgjia e Joan Gojartit, e cila ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në një kopje të mëvonshme të kopjuar nga igumeni i Manastirit të Shën Joan Vladimirit Haxhi Josifi. Liturgjia e Joan Gojartit u botua në revistën “Kopshti Letrar” në Elbasan. Alfabeti I përdorur nga Dhaskal Todri pati jehonë të madhe kudo dhe menjëherë filloi të përdorej jo vetëm nëpër shërbesat fetare dhe shkolla, por edhe në jetën e përditshme të tregtarëve elbasanas. Alfabeti i tij luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e gjuhës shqipe nga fundi i shekullit të XVIII-të e deri në fillimet e shekullit të XIX-të...
Ikonom Konstandin Beratit (rreth 1745-rreth 1825) i përket një dorëshkrim që gjendet në Bibliotekën Kombëtare. Ai përbëhet nga 152 faqe, ku në 46 faqet e para janë të përkthyera në shqip me alfabetin grek lutje të ndryshme fetare dhe pjesë ungjillore që përdoren në shërbesat liturgjike, ndërsa në faqen 106 ndodhet një alfabet origjinal me bazë glagolitike prej 37 germash. Gjithashtu në të gjenden edhe një vjershë me dyzet e katër vargje e titulluar “Zonja Shën Mëri Përpara Kryqësë”, dy glosarë greqisht-shqip me rreth 1710 fjalë si dhe shënime të ndryshme me karakter fetar, ngjarje të ndodhura midis viteve 1764-1789.Përkthimet e tij nuk patën përhapje të madhe, sepse nuk mundën të botoheshin. Studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi është marrë me transkriptimin e dokumentit dhe e pagëzoi me emrin “Kodiku i Kostandin Beratit” që i përket vitit 1764. Vlera e këtij dorë-shkrimi konsiston në përpjekjet për përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe në shërbesat fetare.
Gazeta "NGJALLJA"
Ndryshuar për herë të fundit nga Archon : 19-01-2013 më 13:51
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt