Kreu i Pasurive, zv/ministrja në garë me prokurorin e Ramiz Alisë
Fejzi Braushi
Presidenti i Republikës, megjithëse në kalim të afateve ligjore, ka shpallur dje dekretin e tij, me anë të të cilit i propozon Kuvendit emrin e Suzana Xhukës dhe atë të Shkëlqim Ganajt si kandidatura për postin e kreut të ri të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Lajmi është bërë publik dje nga vetë institucioni i Presidencës, i cili veç njoftimit ka shpallur dekretin përkatës edhe në faqen e tij zyrtare në internet. Tashmë pritet që Kuvendi me një procedurë të përshpejtuar për shkak të afateve ligjore, të votojë me shumë mundësi ditën e hënë në seancë plenare emrin e ri të ILDKP-së, i cili do të zërë vendin e lënë bosh nga Adriatik Llalla, që gati një muaj më parë u zgjodh në krye të organit të akuzës.
Kandidaturat
Emri i parë, ai i Suzana Xhukës, është jo pak i njohur për opinionin publik, pasi që prej vitit 2005, kohë kur erdhi e djathta në pushtet, ajo ka mbajtur postin e zv/ministrit të Mbrojtjes. Ajo ka lindur në vitin 1962 në Tiranë dhe ka mbaruar studimet e larta për matematikë në Tiranë, e më pas, për rreth 10 vite të tjera ka bërë një fakultet të dytë për ekonomi, në Shkodër. Prej atëherë ajo ka zhvilluar dhe disa specializime në fushën e biznesit dhe të ekonomisë, të mjaftueshme këto për të plotësuar kushtet ligjore për t’u zgjedhur në krye të ILDKP-së. Kujtojmë këtu se ligji specifikon si formime arsimore për t’u zgjedhur inspektor i përgjithshëm vetëm ata persona që kanë mbaruar studimet si ekonomist financier ose jurist. Pavarësisht kësaj duhet thënë se ndryshe nga paraardhësit e saj, në rast se do të zgjidhej Xhuka, do të përbënte rastin e parë kur në krye të ILDKP-së zgjidhej një person me profil kaq të lartë politik. Kandidatura e dytë, ajo e Shkëlqim Ganajt; i lindur në Vlorë më 1970, Ganaj ka mbaruar studimet për drejtësi dhe nga detyrat e para që ka kryer ka qenë ajo e prokurorit. Ai mbahet mend si një nga përfaqësuesit që mbrojti akuzën gjatë gjyqit të famshëm kundër drejtuesve të lartë të regjimit komunist, përfshi ish-presidentin Ramiz Aliaj. Megjithëse jo me bindje politike të bëra publike, edhe Ganaj duket se i përket të djathtës, pasi në mars të vitit 2009, duke komentuar në faqen e kreut aktual të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ganaj ka shprehur preferencat e tij politike kundër atyre që ai i quan si “klani i Malajve dhe Gjikajve” në Vlorë. Më konkretisht, ai në komentin e tij në faqen e Leskajt do të shkruante :“Uroj të gjesh forca dhe energji për të vazhduar betejën tënde për demokratizimin e politikës dhe shoqërisë. Ashtu siç shporre klanet mafioze të Malajve, Gjikajve etj., në 2005 në një nga zonat më të vështira elektorale të Shqipërisë, ashtu shpresoj që edhe në 2009 formati yt politik dhe njerëzor të shërbejë për fitoren e të djathtës në Shqipëri”. Ndërkohë që në vitin 2008 ai është dekoruar nga presidenti Bamir Topi me Medaljen e Mirënjohjes, me propozim të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Votimi
Nga ana tjetër, Kuvendi ka vendosur të mos humbasë kohë dhe ta bëjë ILDKP-në shumë shpejt me kryetarin e tij të ri. Kështu, nisur nga fakti se janë kaluar afatet ligjore për plotësimin e vendit vakant të lënë nga Llalla, por edhe sepse periudha e fillimvitit është tepër e ngarkuar për këtë institucion me pranimin dhe sistemin e deklaratave të pasurisë, Kuvendi ka vendosur të procedojë shpejt. Kështu, me shumë mundësi brenda kësaj jave pritet të mblidhet komisioni i Ligjeve, për të bërë seancën dëgjimore me dy kandidaturat dhe më pas ato mund të kalojnë për votim në seancën plenare të së hënës, e cila do të çelë dhe sesionin e ri parlamentar.
MAPO
Krijoni Kontakt