“Lufta” në Burrel, ja adoleshentët që plagosën shefin e Krimeve
Dashamir Biçaku
Tiranë Në kohën që shefi i Krimeve i Burrelit po lufton me vdekjen, operacioni kundër trafikimit të municioneve është në proces hetimi. Burime nga Ministria e Brendshme thanë dje se po verifikojnë planin e masave për ndërhyrjen ndaj një grupi personash që dyshohej se po trafikonin 26 arka me municion pranë fshatit Suç të Burrelit. Të pyetur nga MAPO, zyrtarë të SHKB-së thanë dje se janë duke u kryer hetime edhe për mënyrën se si është zhvilluar operacioni, gjatë të cilit u rrezikua jeta e shefit të Krimeve, Musa Skura. Gjatë ditës së djeshme është realizuar rindërtimi i skemës së operacionit pranë urës së Përroit të Keçit në këtë zonë. Mësohet se shefi i Krimeve, Skura ka qenë duke udhëtuar me një makinë civile, kur është përballur me dy persona, të cilët kishin dalë të armatosur dhe të maskuar në rrugë. Gjatë kësaj kohe, efektivët e tjerë ishin pozicionuar pranë urës së Përroit të Keçit, vetëm pak metra më tutje. “Musa Skura ka bërë thirrje që dy personat e armatosur të dorëzohen, por në këtë moment është qëlluar nga një person i tretë”, – i tha MAPO-s një burim nga policia, i cili sqaroi se autori i plagosjes ndodhej rreth 10 metra larg rrugës kryesore. Pas këtij momenti kritik për shefin e Krimeve ka nisur shkëmbimi i zjarrit mes forcave të tjera të policisë, që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes dhe personave. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme efektivë të forcave speciale RENEA kanë kontrolluar dhe patrulluar në akset kombëtare Burrel- Klos, Milot- Burrel, me qëllim sigurimin e rendit. Policia e Shtetit, në një deklaratë të dhënë për mediat tha se “Nga ndërhyrja e menjëhershme e forcave të tjera pjesëmarrëse në operacion, është bërë e mundur kapja e Fitim Allës, 19 vjeç, Vilson Milkurtit, 18 vjeç, Edison Lleshit dhe një 15-vjeçari. Nga hetimet ka rezultuar se 4 shtetasit e sipërcituar kanë organizuar për t’u shitur disa shtetasve të tjerë një sasi prej 26 arkash me municion (fishekë), të cilin e kanë transportuar përmes një mjeti furgon në vendin e ngjarjes, ku do të realizohej dhe shitja e tij”. Municionet ndodheshin brenda një furgoni, ndërsa të rinjtë trafikantë po kontrollonin zonën ku edhe do të bëhej shitja e tyre. Por prania e policisë i ka nervozuar ata dhe ka sjellë reagimin e menjëhershëm me armë. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik, tip kallashnikov. Gjithashtu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 8 kuti me municion luftarak, me 720 copë fishekë secila. Ndaj shtetasve Fitim Alla, Vilson Milkurti, Edison Lleshi dhe 15-vjeçarit është marrë masa e arrestit në flagrancë për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë” dhe “shitjes së armëve dhe municioneve luftarake”. Po ashtu është bërë dhe shpallja në kërkim e Riza Barçit, drejtues i mjetit furgon, përmes të cilit është transportuar municioni luftarak.
Të arrestuar
Fitim Alla, 19 vjeç
Vilson Milkurti, 18 vjeç
Edison Lleshi
Një 15-vjeçar me inicialet A.L.
Shoferi Riza Barçi, në kërkim
Të afërmit e Skurës, në ankth: Si e mësuam plagosjen
Familjarët e shefit të Krimeve të Burrelit presin me ankth përmirësimin e gjendjes së tij. I biri, student inxhinierie u njoftua nga kolegët e të atit për plagosjen
Tiranë Plagosja e rëndë e shefit të Krimeve të Burrelit ka alarmuar të afërmit e tij, të cilët gjatë ditës së djeshme qëndronin gjithë ankth në Spitalin Ushtarak. Kushëriri i Musa Skurës tregoi dje për MAPO-n se kishte qenë me djalin e të plagosurit kur e kishte marrë vesh lajmin. “Unë sapo u ndava me kushëririn tim, Florianin, pasi ishim duke pirë një kafe në një lokal në Burrel. Ai e ka shtëpinë fare pranë meje dhe u ndamë normalisht. Por pak më vonë më mori i shqetësuar në telefon. Kur mbërrita aty, më tha se e kishin marrë nga policia dhe se i kishin thënë se babai ishte plagosur në operacion dhe se po e nisnin drejt Tiranës, ndërsa në atë momente ishte në spitalin e Burrelit”, – tregon ai. Ai tha që djali i shefit të Krimeve ishte marrë në telefon nga kolegët e të atit. “Nuk i kishin treguar çfarë problemi kishte, por nga sa më tregoi ai mua, kishte parandjerë se mund të kishte ndodhur diçka e keqe. Ai tregon se Floriani, student i fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Tiranë, menjëherë ishte nisur në drejtim të komisariatit ku i kishin treguar për atë ç’kishte ndodhur”. Kushëriri tregon se ishte një moment i vështirë, ndërsa me shpejtësi po bëheshin gati për të udhëtuar në drejtim të spitalit të Burrelit, e më pas në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku pritej të transportohej i ati. Vetë Floriani nuk mundi të fliste asnjë fjalë për mediat dje, pasi ndodhej në gjendje të rënduar emocionale. Ndërsa Naimi, një prej nipërve të Skurës, i cili jeton dhe punon në Itali, tregoi se ishte duke lexuar lajmet e ndryshme në internet, ndërsa një shok i tij që jeton në Firence e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se kush ishte plagosur në Burrel. “Pashë lajmet në televizion dhe në internet, nga ku mësova se ishte plagosur daja. I shkrova në facebook Florit dhe djalit tjetër të dajës, por ata nuk u përgjigjën. I mora në telefon dhe ata nuk përgjigjeshin. Nisa të mendoja se situata nuk ishte e mirë dhe menjëherë u nisa për në aeroport. Preva një biletë për në Shqipëri dhe u nisa urgjent sot në mëngjes”. Naimi tregon se nga komunikimet që kanë pasur me mjekët, por edhe me zyrtarët e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme kishin marrë konfirmimin se i afërmi i tyre do të nisej për në Itali, ndërsa sipas tij, mjekët thonë se gjendja është e stabilizuar, por në rrezik.
Noka: Kurimi i Skurës, në Foxhia të Italisë
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka vizitoi në Spitalin Ushtarak shefin e krimeve të Burrelit, Musa Skura, i cili ndodhet në reanimacion në gjendje kritike për jetën. Ministri Noka iu bëri të ditur të afërmve të Skurës se kishte komunikuar me autoritetet italiane dhe se me ta ishte rënë dakord që Skura të transportohej në drejtim të Foxhias në Itali me një avion sanitar. “Gjendja e shefit të Krimeve të Burrelit është e stabilizuar, por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’i shpëtuar jetën. Kemi kontaktuar me spitalin “San Giovani” në Foggia të Italisë, një nga spitalet më të specializuara dhe jemi në pritje të kthimit të përgjigjes dhe dërgimin e një avioni sanitar për transportimin e shefit të Krimeve”. Të njëjtin fakt e pohoi edhe drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, i cili tha se pritej gjetja e një avioni sanitar për transportimin e Skurës drejt Italisë. Më vonë në Spitalin Ushtarak mbërriti edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, si dhe ministra e deputetë të qarkut të Dibrës, që u interesuan për gjendjen shëndetësore të shefit të Krimeve të Burrelit, Musa Skura.
MAPO
Krijoni Kontakt