Syriza: Shqipëria të harrojë BE-në, nëse kërkon pronat
Ekstremistët e majtë: “Qeveria që do të drejtojmë ne nuk do të lejojë më pretendime pronësore të çamëve, bashkëpunëtorë të fashizmit të cilët u larguan vet nga Greqia”
Publikuar më 05.01.2013 | 12:01
Plarent Shehu
-Partia radikale e Aleksis Cipras, Syriza në Greqi, ka bërë publike në këtë fillimviti programin e saj qeverisës nëse kjo parti vjen në pushtet. Pjesë e këtij programi kanë qenë dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe integrimi i vendeve fqinje në BE. Sipas programit të Aleksis Cipras, që Shqipëria të jetë e pranueshme për qeverinë e ardhshme të radikalëve të Syriza, duhet të rishikojë dhe plotësojë disa kushte dhe kritere ku spikasin pesë çështje më të rëndësishmet në marrëdhëniet mes dy shteteve. Sipas qeverisë së ardhshme të Syriza-s, Shqipëria duhet me patjetër të rivlerësojë dhe dënojë deklaratat e fundit irredentiste të Kryeministrit Sali Berisha, mbi tezën e ‘Shqipërisë Etnike’ dhe përcaktimin e kufijve deri në Prevezë. Një tjetër pikë shumë e rëndësishme e programit të radikalëve të majtë grekë është, mospranimi i pretendimeve pronësore të çamëve, të cilët sipas Syriza-s janë bashkëpunëtorë të fashizmit dhe janë larguar vet më 1944-n nga Greqia. Çështjet e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, janë një tjetër referencë e partisë së Aleksis Cipras në programin e tyre qeverisës, ku kërkohet që për identitetin kombëtar dhe kulturor i këtij minoriteti të jetë më i gjerë në zonat e banuara nga ta, si dhe t’i jepet fund çështjes së titujve të pronësisë së grekëve të Shqipërisë që, sipas tyre, po zvarritet nga qeveria shqiptare. Marrëveshja për kufijtë ujorë dhe përcaktimin e zonës ekonomike ekskluzive ujore në detin Jon, nuk kishte sesi të mos ishte në programin e radikalëve të Syriza-s, ku kjo parti nëse do të qeverisë do t’i kërkojë qeverisë shqiptare të kujtdo kahu politik që të rivlerësojë marrëveshjen e miratuar në Parlamentin shqiptar para tre vjetësh dhe rimiratimin e saj sa më shpejt.
Programi
Marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mes Greqisë dhe Shqipërisë, mund të ndërtohen dhe zhvillohen vetëm pas një vlerësimi realist të të gjitha të dhënave dhe zhvillimeve të fundit mes dy vendeve. Shqipëria duhet të plotësojë kushtin e qartë për negociatat e pranimit në BE, që është konsolidimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Greqinë. Vlerësim dhe përqasje realiste e situatës rreth marrëdhënieve shqiptaro-greke do të thotë:
1.Vlerësimi dhe dënimi i deklaratave irredentiste të Kryeministrit të të Shqipërisë ku deklaroi se, "territoret historike shqiptare janë deri në Prevezë".
2.Mospranimin dhe vlerësimin si absurde të pretendimeve pronësore nga çamët bashkëpunëtorë të Boshtit Fashist të cilët u larguan nga Greqia në vitin 1944.
3.Rivlerësimin nga ana e Shqipërisë të refuzimit që i bëhet minoritetit grek në Shqipëri për identitetin kombëtar dhe kulturor për pjesë të mëdha të këtyre zonave.
4.Shqipëria të mos shmangë dhe nënvleftësojë çështjen e pronës private të minoritarëve grekë në Shqipëri.
5.Rivlerësimin nga ana e Shqipërisë të marrëveshjes së ‘Shelfit Continental’, kufijve detarë mes dy vendeve (AOZ), marrëveshje e cila u shpall tre vjet më parë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, Kryetari i së cilës është pjesë e lobit çam dhe me lidhje të forta në Ankara, Turqi.
Në një situatë të tillë dhe më problemet e radhitura më lart Bashkimi Evropian nuk mund të shpërblejë Shqipërinë me hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Krijoni Kontakt