KQZ publikon listën e zgjedhësve

Të interesuarit bëjnë verifikimin përmes internetit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar në faqen e tij zyrtare në internet listën kombëtare të zgjedhësve. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, kjo listë, sipas përcaktimeve ligjore do të përditësohet çdo muaj, për shkak të ndryshimeve të popullsisë apo parregullsive të mundshme.
Çdokush që dëshiron të zbulojë nëse emri i tyre është pjesë e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e sakta mbi qendrën, ku do të votojë në zgjedhjet e 23 qershorit, mund të gjejë përgjigje.
Personat e interesuar duhet të klikojnë në linkun “Lista e zgjëdhësve”, ku bëhen të ditura të gjitha hapat që duhen ndjekur për të kryer kërkimin e dëshiruar. Në faqen përkatëse të internetit mundësohen kërkimi standard dhe ai i avancuar. Tek i pari mjafton të shkruhet emri, mbiemri dhe atësia, për të gjetur të dhënat e kërkuara. Nëse nuk merret përgjigje, atëherë mund të procedohet me kërkimin e avancuar, ku përveç të dhënave të mëparshme shtohen edhe datëlindja dhe njësia e qeverisjes vendore ku banon.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbikëqyr procesin e hartimit të listave, duke i kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore për procesin e caktimit të zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, në përputhje me rregullat e këtij Kodi dhe ligjit të gjendjes civile. Në zbatim të ligjit, KQZ ka emëruar dy auditë teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
Lista e zgjedhësve është një ndër elementët kryesorë të procesit zgjedhor, i cili përditësohet nga zyrat e gjendjes civile në njësitë e pushtetit vendor.

abc news