.................................................. ................
Agimi i Artë vazhdon provokimet ndaj kombit shqiptar dhe shqiptarëve.
Pas një sërë fyerjesh të lëshuara ditë më parë, në një shkrim në faqen zyrtare, partia ekstremiste greke iu përgjigjet deklaratave të bëra nga shefi i marrëdhënieve me jashtë në partinë Aleanca Kuqezi.
Duke prekur një ndër figurat kryesore historike të popullit shqiptar, Gjergj Kastriot Skëndërbeun, Agimi i Artë thotë se “shqiptarët nderojnë si hero kombëtar një grek, Jorgo Kastriotin, lufta e të cilit ishte luftë e ortodoksisë kundër turqve”. Gjithashtu shkruajnë se “në mënyrë të padrejtë shqiptarët përdorin flamurin e Perandorisë bizantine si flamur kombëtar”, dhe vijojnë duke deklaruar se “Epiri ishte grek dhe paraardhësit tanë janë nga Epiri”.
Lidhur me paralajmërimin që Bashkurti iu bëri ekstremistëve grekë, nëse guxojnë të shkelin në Shqipëri, duke iu kujtuar betejën e Lëkurzit në fillim të shekullit të kaluar, Agimi i Artë thotë se "shqiptarët krenohen me masakrën ndaj grekëve të Epirit të Veriut". Sipas kësaj partie, jo vetëm në luftë, por edhe në 20 vitet e fundit shqiptarët treguan “trimërinë” me të moshuarit grekë duke i keqtrajtuar dhe vrarë ata.
Duke cituar deklaratën e zyrtarit të AK, se "kombi grek është një komb i falimentuar ekonomikisht dhe moralisht", Agimi Artë kujton se në këtë vend janë prezent mijëra shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur të jetojnë jashtë ”vendit të lulëzuar, me nivel politik, ekonomik, institucional, moral dhe kombëtar dhe ndërkombëtar, siç është Shqipëria”.
Agimi i Artë paralajmëron, se në kushtet kur qeveria greke hesht para falsifikimit të historisë, lëvizja e nacionalistëve grekë do të jetë në ballë të luftës për të vënë në vend nderin e Epirit të Veriut.
Në fund Agimi i Artë ripërsërit deklaratën e pak ditëve më parë, se “shqiptarët janë mbetje e trishtuar e perandorisë osmane”.
Anila Jole
GSH
Krijoni Kontakt