TIRANË-Një projekt i rëndësishëm për pasagjerët automjete dhe vendparkimet pritet të implementohet në kryeqytet njofton Bashkia e Tiranës. “Ital – Ferr” dorëzoi sot draftin e studimit të fizibilitetit, për terminalin multimodal të pasagjerëve që pritet të ndërtohet me koncesion.
Sipas bashkisë, ky draft përfshin studimin dhe analizat ekonomike të zhvillimit të transportit të udhëtarëve, për një afat 15 vjeçar, duke konceptuar dhe propozuar strukturën e terminalit, në një sipërfaqe prej 80.000m², në afërsi të kthesës së Kamzës.

Emri:  62127_1.jpg

Shikime: 78

Madhësia:  31.9 KB

Drafti i studimit jep një planimetri të terminalit dhe parashikon zgjidhje për parkimin e autobusëve, mikrobusëve dhe automjeteve të tjetra të transportit të pasagjerëve, linjën hekurudhore për stacionimin e trenave që vijnë dhe nisen nga Tirana, linjën për stacionimin e tramvajit, si zgjidhje alternative e transportit të pasagjerëve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana, rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit, etj, në territorin e terminalit, ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit, ambientet sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve.

Organizimi i funksionimit të terminalit përfshin autobusët ndërkombëtarë të kompanive shqiptare dhe të huaja, autobusët ndërqytetëse dhe urbane.

Në pjesën lindore të këtij terminali parashikohet parkimi i automjeteve private, me hyrje nga rruga e Stacionit të Trenit, ndërsa në pjesën perëndimore parashikohet parkimi i autobusëve ndërkombëtarë dhe ndërqytetëse si dhe ambiente logjistike.
Parashikohet Stacioni i ri i trenit dhe stacioni i Tramit, shërbim ky që ofrohet për herë të parë në Shqipëri.

Ky terminal parashikohet të ketë një kosto investimi në vlerën 25 milionë euro (me t.v.sh), e cila planifikohet të financohet nga BERZH, nëpërmjet një kompanie konçensionare e cila do të përzgjidhet sipas procedurave të prokurimit të BERZH-it.
Bashkia bën të ditur se drafti është duke u studiuar me drejtoritë përkatëse në Bashkinë e Tiranës, me qëllim realizimin sa më objektiv dhe eficient të këtij projekti.

Në tetor 2012, me një financim prej 500 mijë eurosh të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkia e Tiranës lidhi kontratën e konsulencës me kompaninë italiane “Ital - Ferr, lider në fushën e studimeve dhe projekteve të transportit në Evropë, për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe përpilimin e dokumenteve të tenderit të koncesionit, për terminalin e Tiranës. Kompania “Ital - Ferr” u përzgjodh pas një gare të fortë mes 11 kompanive prestigjioze ndërkombëtare.

Stacioni i Ri i Trenit
Sipas Bashkisë së Tiranës në këtë terminal do të vendoset stacioni i ri i trenit. Zhvendosja e stacionit të trenit i cili pritet të nisë brenda muajit janar i hap rrugë fillimit të ndërtimit të bulevardit të ri, projektuar nga studio arkitekturore britanike “Grimshaë”.

Trami
Në terminalin multimodal të Tiranës do të jetë stacioni i tramit, shërbim i cili në Tiranë dhe Shqipëri do të ofrohet për herë të parë.
Për studimin e linjave të tramit në qytetin e Tiranës, BE dhe qeveria franceze kanë akorduar një fond prej 1 milionë e 250 mijë euro. Qeveria franceze ka miratuar 500 mijë euro, për studimin e linjave të tramit, nga Kombinati në Kinostudio dhe nga Tirana e Re tek terminali multimodal, nëpërmjet bulevardit, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka miratuar 750 mijë euro studim për linjën e tramit që do të shkojë rreth e qark unazës së qytetit.

Vendet e parkimeve të autobusëve, mikrobusëve, taksive dhe automjeteve private, për fazën e parë janë:
• autobusë të linjave ndërkombëtare 34
• autobusë të linjave ndërqytetës 57
• autobusë të linjave urbane 15
• mikrobusë 48
• parkim autobusësh 26
• taksi 20
• parkim i automjeteve private 100

Nga ky terminal parashikohet të nisen dhe mbërrijnë në ditë:
• automjete 10 000
• mikrobusë 3 700
• autobusë 900
• autobusë ndërkombëtarë 100
• autobusë urbanë 180.

(d.b/BalkanWeb)