Nieuwe Venlosche courant
08-04-1942
MBRETËRIA E RE SHQIPTARE
Vizita e qeveritarit të parë shqiptar, ministrit të arësimit Berati, në qytetin e Ulqinit, port i Adriatikut, që njihet më tepër si Dulcigno, tërheq vëmendjen në ndryshimet që ka pësuar mbretëria e Shqipërisë, si rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Përveç zonave në brendësi të Kosovës, Dibrës dhe Strugës, Shqipëria mori dhe qytetin e Ulqinit, që gjendet në jugperëndim të liqenit të Shkodrës, që pas aneksimit të Malit të Zi në Jugosllavi, shërbënin për vendin me male të zeza, bashkê me Tivarin, si rrugëdalje në det.
Ky zgjerim territorial është i arësyeshëm dhe nga ana etnike. Ulqini popullohet nga nje popullsi etnikisht e pastër shqiptare, që në pjesën më të madhe i përket besimit islam.
Ky port i vogël natyral, siguron ankorim për anijet që lundrojnë në ujëra të cekëta. Ai është i mbrojtur nga ana e juglindjes, nga kalaja turke e qytetit. Ulqini modern daton vetëm prej periudhës së pas Luftës së Parë Botërore dhe u ngrit pranë ujërave moçalore dhe të kripura, pranë derdhjes së Bunës ose Bojanës. Këtu gjenden miniera të mëdha kripe, të cilat i përkasin tashmë Italisë. Kufiri i ri në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, gjendet në mes të Ulqinit dhe Tivarit, kështu që Mali i Zi ka tani përsëri dy rrugëdalje në det, njëra në Tivar, që lidhet përmes një linjë hekurudhore nga qafa e Sutomores me Virpazarin, pranë liqenit të Shkodrës dhe Budva që është lidhur rreth dhjetë vjet më parë nga një rrugë e shkurtër malore me Cetinjen, kryeqyteti i Malit të Zi. Ulqini lidhet me rrjetin rrugor shqiptar, përmes një rruge të pashtruar, që kalon nëpër Cetinje.
http://kranten.kb.nl/view/article/id/ddd%3A010309555%3Ampeg21%3Ap003%3Aa0083
Ruaj Lidhjet