Kriza ekonomike ka goditur më pak nga çka parashikohej të ardhurat nga emigrantët në vendet e rajonit të Ballkanit dhe sidomos nëdownload (7) Shqipëri. Banka Botërore në një vlerësim rajonal për dërgesat e emigrantëve pohon se, megjithëse remitancat kanë rënë disi në dy vitet e fundit, ato mbetën relativisht rezistente ndaj krizës së Eurozonës. “Ndryshe nga pritjet, remitancat në Shqipëri nuk kanë rënë edhe pse shumica e emigrantëve të saj kanë shkuar në Greqi dhe Itali (ndoshta për arsye kulturore dhe demografike)”, – thuhet në raportin e Bankës Botërore. Remitancat e Serbisë ranë ndjeshëm nga 9.5 për qind në vitin 2009, në 6.8 për qind në vitin 2011, dhe pastaj në 5.8 për qind në vitin 2012; ndërsa ato të vendeve të tjera ishin relativisht të pandryshuara në vitin 2012. Për vendet e tjera të rajonit, rënia e dërgesave të emigrantëve duket se është zbutur, sepse emigrantët e tyre janë duke punuar në vende me performancë më të mirë, si Gjermania, Zvicra dhe Suedia. Gjithashtu kanë kontribuar dhe hyrja e kursimeve me kthimin e emigrantëve, si në rastin e Shqipërisë, si dhe për shkakun se politikat e punës në shumë vende të BE-së mbrojnë emigrantët e mirëstabilizuar nga vendet e rajonit. Rënia e të ardhurave nga emigrantët ka vijuar me të njëjtat ritme edhe si para krizës. Shqipëria ishte lajmëruar se do të niste rënien e remitancave qysh pas viteve 2000, pasi emigrantët kishin krijuar familjet e reja, duke mos sjellë flukset monetare si në vitet e para të tranzicionit. Sipas vlerësimeve, rënia e remitancave e nisur më së shumti pas vitit 2004, ka vijuar me rreth 6 për qind në vit dhe kjo tendencë nuk është forcuar pas krizës. Nga ana tjetër, festat e fundvitit shoqërohen me ardhjen në Shqipëri të mijëra emigrantëve, të cilët sjellin me vete një sasi të konsiderueshme valute. Rritja e ofertës në euro rrit kërkesën për lekë dhe për rrjedhojë ndikon në mbiçmimin e tij. Është vlerësuar se mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar në Greqi dhe Itali. Sipas INSTAT-it, gati 30 për qind e familjeve shqiptare kanë pjesëtare të tyre që punojnë jashtë shtetit. Vit pas viti, volumi i dërgesave në Shqipëri është rritur ndjeshëm që prej fillimit të tranzicionit me një trend rënës pas viteve 2000. Për shkak të emigrantëve, dollari, euro dhe paundi janë po aq familjare sa edhe leku për familjet shqiptare e kjo për shkakun se të ardhurat kryesore të buxheteve të tyre janë nga emigrantët. Kjo shtresë ka sjellë në vendin tonë të paktën mbas viteve 1990 një vlerë të përafërt që përkon me rreth 18 miliardë dollarë. Për shumë familje emigracioni është burimi i vetëm i të ardhurave dhe vit pas viti është shndërruar në një nga themelet ku është mbështetur ekonomia shqiptare. Dërguesit dhe marrësit deklarojnë se përdorimi kryesor i dërgesave të emigrantëve është mbulimi i nevojave të familjes. Më pas vjen ndërtimi, rregullimi dhe mobilimi i shtëpive dhe pastaj investimet në prona të patundshme si kategoria tjetër primare./MAPO