Reagon ACR, largimi jonë nga Shqipëria një keqinformim


Kompania ACR ka hedhur poshtë të gjitha zërat që kanë dalë kohët e fundit për një largim të mundshëm nga Shqipëria dhe për më tepër pa shlyer detyrimet ndaj shtetit. Sipaskompanisë deklaratat e dala në media janë keqinformim. “E vërteta është një dhe vetëm një, dhe këtë e themi për qytetarët; Kompania ACR që zotëron kontratën koncesionare nuk është larguar nga Shqipëria. Ajo ishte, është dhe do të jetë në Bulqizë, Klos, Burrel, Elbasan dhe në të gjitha vendndodhjet e miratuara si të tilla sipas kontratës koncesionare, deri në përfundim të afatit të kontratës. Në lidhje me ndryshimin e mbajtësit të aksioneve të shoqërisë ACR, pavarësisht se detajet e transaksionit janë tashmë publike, duam të sqarojmë se shitja dhe blerja e aksioneve të një shoqërie tregtare private nga një shoqëri apo individ privat, shqiptar apo i huaj është një e drejte e parashikuar nga ligji shqiptar. Saktësojmë se: Shoqëria Balfin, bleu kuotat në shoqërinë koncesionare ACR Holding srl në Itali, duke zëvendësuar investitorin DCM Decometal. Kjo strukturë, lejon vazhdimin e veprimtarisë së kompanisë Albanian Chrome, me të njejtat kushte si më parë, pra pa ju shmangur asnjë detyrimi, qoftë ky kontraktual, fiskal, rregullator apo i çfarëdolloj natyre ndaj çdo pale të tretë, përfshirë dhe shtetin. Nuk duam të leme pa përmendur detyrimet ndaj kontraktorëve vendas, që deri tani kanë shkaktuar vështirësi jo të pakta për qindra biznese, duke qenë se ato tejkalojnë shumën prej 10 milion eurosh”, thuhet në reagimin për media të ACR. Kompania ACR nënvizon se brenda një periudhe 30 ditore, do ti paraqesë Ministrisë së Ekonomisë, planin e ri të investimeve, i cili sipas saj i tejkalon ndjeshëm, kërkesat që parashikon marrëveshja e koncensionit.
“Synojmë gjithashtu që brenda një periudhe 2-3 javore, të fillojmë përpjekjet për hapjen e traverbangut të Klosit (nismë kjo, që nuk është ndërmarrë prej mëse 20 vjetësh, dhe që do të ulë ndjeshëm, rrezikun e përmbytjeve, duke përmirësuar substancialisht sistemin e ajrimit. Planifikojmë të investojme dhjetëra milion euro për të mundësuar hapjen sa më të shpejtë të Pusit nr.9, si dhe vënien ne eficiencë të Qafë-Buallit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ACR.

MAPO