Katastrofë mjedisore në Liqenin Artificial
Dritan Laci | 13/05/2009 | Gazeta Shekulli
Persona të panjohur zbrazën mbrëmjen e së djelës, një bot me materiale me bazë acide në rezervuarin e Liqenit Articial, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme mjedisore. Eduard Shalsi e cilësoi akti si një shtazari të vërtetë, ndërkohë që dyshimet e para mbi ndotësit hidhen mbi pallatet në ndërtim përreth zonës
Një katastrofë e vërtetë mjedisore ka ndodhur në dy ditët e fundit në hapësirën ujore të Liqenit Artificial në Tiranë. Individë të papërgjegjshëm, ende të paidentifikuar, kanë zbrazur të dielën në mesnatë në liqen, lëndë me bazë acide të dyshimtë, e cila ka dëmtuar pothuajse të gjithë sipërfaqen e rezervuarit.
Pushues dhe peshkatarë amatorë, bujtës të rregullt të liqenit, thanë dje për gazetën "Shekulli" se e gjithë kjo mynxyrë mjedisore është konstatuar fillimisht nga ata vetë, mëngjesin e ditës së hënë.
Ata rrëfejnë se në ditën e parë të javës, liqeni ka qenë i mbushur në të gjithë bregun e tij, me një lëndë të çuditshme me ngjyrë pane dhe gur kali, e cila mbante erë të rëndë që të çante hundët. Banorët e përhershëm të liqenit, nuk ditën të thonë se për ç'lëndë bëhej fjalë, por u shprehën jo pak të shqetësuar se dëmi i shkaktuar në liqen ishte i madh.
Gëzimi, amator peshkimi, tregoi se, "në fillim, lënda e hedhur në liqen qëndronte në masë të trashë, në formë pelte, në brigje, më pas era e përhapi në të gjithë hapësirën liqenore.
"Nuk e dimë kush e ka bërë. Shokë të mi më thanë që ishte një bot ndërtimi, që zbrazi materiale në liqen, por se sa e vërtetë është nuk di të bëj me faj njeri", - thotë 50 vjeçari i dëshpëruar. Katastrofa mjedisore nuk i shpëtoi dje edhe vëmendjes së instancave shtetërore.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, u pa vetë në digën e liqenit duke vështruar ndotjen masive në rezervuar. Ai e konsideroi aktin e pashembullt të ndotjes së Liqenit Artificial, si një shtazëri të vërtetë. Z. Shalsi urdhëroi të gjithë instancat në varësi të bashkisë që të kryenin matjet përkatëse, si edhe të gjendej fajtori që shkaktoi katastrofën në liqen.
Në lëvizje u vu dje edhe dikasteri i Shëndetit Publik. Shqetësimi i parë që ata ngritën ishte ndotja bakteriale e liqenit, dyshim i cili u hodh poshtë pas matjeve të para të kryera. Specialistë të shëndetit publik, me në krye drejtorin e DSHP-së, Gjergj Ndoja, morën nga liqeni kampionë të materialit të hedhur, nga ku do të nxirret më tej edhe përbërja e saj.
Riza Çerepi, përgjegjës i Parkut Kombëtar, informoi dje për gazetën "Shekulli" se, me gjithë kërkimet për gjurmë të mundshme, ende nuk ishte bërë e mundur të gjendej subjekti, i cili ndoti liqenin.
Ai konfirmoi se dyshimet e para hidhen mbi një bot ndërtimi, që thuhet se u përket pallateve në ndërtim përreth zonës, ndërkohë që hodhi poshtë mundësinë që ndotja të kishte ardhur nga pishinat rrotull liqenit.
Ikin klientët, era e rëndë mbyt liqenin dhe zonën përreth. Bashkia: "Po kërkojmë autorët"
Ndotja, gjallesat në liqen në rrezik
Ajo që ende nuk dihet është shkalla e vërtetë e gjëmës që mund të ketë ndodhur në liqen. Pjesa e vetme që shikohet është ajo sipërfaqësore, ndërkohë që dëmi që mund t'u jetë shkaktuar gjallesave nënujore është ende për t'u parë.
Peshkatarët thonë se kanë dy ditë që kanë hedhur kallamat në liqen dhe pak prej tyre mund të kenë kapur peshk. Më i rrezikuari nga ndotja e madhe mund të jetë Karasi, një peshk i vogël, që më shumë se për mishin e tij, gjuhet për sport, çka mund të sjellë largimin e peshkatarëve amatorë, nga oazi i tyre i vetëm i qetësisë, Liqeni Artificial. Një nga peshkatarët rrëfen se si këtë radhë një ndotje e tillë nuk është parë kurrë.
"Në liqen ka shumë probleme, po si këtë herë nuk kemi parë. Kanë hedhur edhe klor për të larguar peshqit, por që liqeni të ndotet në këtë masë, kjo është hera e parë",- thotë peshkatari.
Dëme kanë pësuar edhe lokalet që popullojnë bregun e liqenit. Ditën e djeshme, vizitorë që zgjedhin liqenin si vendpushimi, kanë preferuar të qëndrojnë larg oazit të tyre të qetësisë. Era e rëndë e materialit të panjohur të hedhur në liqen, ka bërë që klientët të ndërrojnë destinacion.
----------------------------------------------------------------------------------------------------------
Drejtoria Rajonale e Mjedisit, vë alarmin se lënda e hedhur në liqen mund të jetë me përbërje kimike
Mollaymeri: Liqeni është plotësisht i ndotur
Origjina e ndotjes së shkaktuar në Liqenin Artificial mbetet ende mister. Xheladin Mollaymeri, inspektor në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit, sqaroi dje për gazetën "Shekulli" se nuk është përcaktuar ende se çfarë lënde është ajo që pretendohet t'u ketë shkaktuar dëm të madh gjallesave në liqen dhe jo vetëm. Inspektori diti të thotë vetëm se lënda e hedhur në liqen ka ndotur si ujin ashtu edhe ajrin, duke përhapur një erë jo të këndshme.
Z. Mollaymeri dyshon se bëhet fjalë për një përzierje acidi dhe lënde kimike, e cila në kontaktin e parë me ujin është përhapur në sipërfaqe. Gjithsesi, sipas tij, këto mbeten ende në kuadrin e dyshimit. Nga ana tjetër, inspektori pohoi se një grup inspektorësh, po punojnë për të zbuluar origjinën e lëndës së çuditshme dhe pasojat që ajo mund t'i shkaktojë mjedisit në zonë.
"Një gjë është e sigurt, pasi derdhja nuk është bërë në një drejtim, po në disa pika rreth e rrotull vendit të ndotur. Si fillim, është dyshuar mos ka qenë derdhje e ardhur nga pishinat. Por kjo është hedhur poshtë menjëherë pas inspektimit të specialistëve, me argumentin se ato bëjnë vetëm riciklimin e ujit", - sqaroi inspektori Mollaymeri.
Ai tha më tej se përbërësi që është shkarkuar në ujërat e liqenit është i rrezikshëm për gjallesat që gjenden në të dhe shkakton ngordhjen e tyre. Specialistët e Mjedisit nuk dinë të thonë me saktësi se kur është hedhur lënda misterioze në liqen. Ndryshe nga thëniet e peshkatarëve, ata hedhin dyshimin se lënda ngjyrë pane është derdhur katër apo pesë ditë më parë.
Inspektori i Mjedisit, Mollaymeri, informon gjatë bisedës se, për të pasur një ide më të qartë për atë çfarë ka ndodhur, duhen parë analizat e mostrave të marra në liqen, të cilat priten të bëhen të ditura ditën e sotme. Entela Resuli
Krijoni Kontakt