A është Bibla të cilën e kemi në duar sot e njëjtë me atë të kohës së Muhamedit a.s.?
M S M SAIFULLAH & Hesham AZMY
Përktheu: Halil Ibrahimi
Hyrje
A është Bibla të cilën e kemi në duar sot e njëjtë me atë të kohës së Profetit Muhamed a.s.? Një misionar i zakonshëm kristian duke tentuar që të ungjillëzojë muslimanët do ti përgjigjej me “PO” kësaj pyetjeje. Mirëpo kur atij do ti jetë kërkuar që të mbështesë me fakte pohimet e tij rreth paprekshmërisë së librit të tij të shenjtë që nga koha e fillimit të Islamit me Muhamedin e deri më sot, ai, për befasinë e muslimanëve, furishëm do të citojë nga Kur’ani dhe Hadithet,.
Tash nëse standardet e njëjta të cilat përdoren për të vërtetuar integritetin e Kur’anit dhe Hadithit, siç është psh isnadi (zingjiri i transmetimit), i zbatojmë edhe në rastin e Biblës, misionarët kristianë do ta shohin të zitë e ullirit për të na paraqitur isnadin (zingjirin e transmetimit) e Biblës së tyre deri te Muhamedi a.s., e të mos flasim deri tek Jezusi a.s.. Isnadi është pjesë e besimit Islam. Abdullah b. al-Mubarak (vdiq më 181 Hixhri), një nga mësuesit e Imam Buhariut thotë:
Isnadi është pjesë e besimit; sikur të mos ekzistonte isnadi, kushdo që do të dëshironte do të fliste çfarëdo që të donte. [1]
Të ballafaquar me fakte të tilla aspak komfore, misionarët e shohin si mënyrën më të shpejtë për t’ia dalë mbanë, vërtitjen nga të argumentuarit duke bërë lojë me fjalë. Një incident i tillë ndodhi në grupin e internetit soc.religion.islam, ku misionari i krishterë Jochen Katz tha:
Ai është një argument fallso nga këndvështrimi Islamik. Shkrimet e Shenjta (Bibla) janë pa dyshim të njëjta sot me ato të kohës së Muhamedit. Muhamedi/Kur’ani i aprovoi ato si të vërteta.
E tash sa i përket qëndrimit të misionarit, nuk ka asnjë “demonstrim” dhe asnjë rrëfim të “vërtetësisë – pacenueshmërisë” së shkrimeve të tij të shenjta që nga koha e Muhamedit a.s. deri më sot. Kjo nuk është befasi. Ne nuk mund të presim nga dikush që të tregojë diçka për të cilën nuk ka asnjë informatë. Pastaj, a nuk i duket këtij misionari më e natyrshme që të përdorë historinë e teksteve biblike për të “demonstruar” pohimet e tij rreth “vërtetësisë” së shkrimeve që ai i beson për të shenjta, para se të përdorë shkrimet e ndonjë besimi tjetër për të vërtetuar pacenueshmërinë tekstuale të tyre?
Në këtë shkrim shkurtimisht do të diskutojmë çështjen se a është Bibla të cilën e kemi në duar sot e njëjtë me atë që ekzistonte në kohën e Profetit Muhamed a.s. nga këndvështrimi i historisë tekstuale të Biblës dhe historisë Islame gjithashtu.
Rreth kanoneve dhe përmbajtjes së tyre
Sipas këtij misionari:
Shkrimet (Bibla) në mënyrë demonstrative janë të njëjta sot me ato të kohës së Muhamedit
Mbase ky misionar e kishte ndër mend Biblën e tij Protestante. Sido që të jetë Bibla Protestante ka një histori të larmishme. Kjo Bibël erdhi në ekzistencë gjatë Reformimit, nja 900 vjet pas Islamit. Dhe njerëzit me të drejtë do të pyeten: si mund të ndodhë vallë që Kur’ani apo hadithet ta vërtetojnë një Bibël e cila erdhi në ekzistencë rreth 900 vite pas tyre. Tingëllon sikur një gafë e trashë apo jo! Megjithatë le të shikojmë disa fakte relevante.
Qoftë edhe gjatë Reformimit, kanoni i Biblës, përfshirë Dhiatën e Vjetër dhe atë të Re, ka qenë diskutabil. Marrë në mënyrë të përgjithësuar, Protestantët e vinin në pyetje pohimin katolik për interpretimin e shkrimeve, qoftë nga dekretet Papale, qoftë nga ndonjë veprim i koncileve kishtare. Askush nuk i kishte definuar limitet e Biblës deri në Koncilin (katolik) të Trentit më 1546. Nga kjo kohë, Kisha Romane Katolike deklaron se Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re, plus ‘apokrifet’ janë shkrime të shenjta. Në përgjithësi Protestantët i kanë pranuar 66 librat e Dhiatës së Vjetër dhe të Re, por i kanë mohuar ‘apokrifet’. Kështu pra, edhe 900 vite pas ardhjes së Islamit të krishterët po kacafyteshin rreth asaj se cilët libra do të duhej të hynin në kanonin e Biblës, dhe për më tepër këtë po e bënin Protestantët.
Çështja bëhet edhe më e tmerrshme kur fillojmë të ekzaminojmë mospajtimet e ngritura rreth përmbajtjes së Biblës Protestante. Përmbajtjet e kësaj Bible kanë qenë në mospajtim të thellë për nja 150 vite pas ardhjes së periudhës së Reformimit. Kjo do të jetë e qartë duke kaluar nëpër qëndrimet e mbajtura nga disa prej reformuesve të njohur Protestantë lidhur me librat e kanonit kristian. Bibla e publikuar nga reformatori Protestant Martin Luteri përmbante edhe librat ‘apokrife’ në fund të Dhjatës së Vjetër. [2] Ai gjithashtu e vuri në dyshim autenticitetin e Letrës Dërguar Hebrenjve, Letrës së Jakobit, Judës dhe Librin e Zbulesës poashtu. Të gjitha këto në atë botim gjenden në fund të Dhiatës së Re. Në parathëniet e secilit nga këto libra, Luteri i sqaron dyshimet e tij rreth autoritetit të tyre të diskutuar apostolik e edhe kanonik. Njësoj, Johannes Oecolampadius një reformator tjetër Protestant, i cili ishte bashkëpunëtor i Huldreich Zwingli gjatë Reformimit në Zvicër thoshte se “Ne nuk i vëmë në dyshim librat e Juditit, Tobit, Baruhut dhe dy librat e fundit të Esdras, sikur edhe tri librat e Makabenjve dhe dy kapitujt e fundit të Danielit por nuk lejojmë që atyre tu përshkruhet autoritet hyjnor i njëjtë me atë të librave të tjerë (të kanonit Hebraik)” Ai gjithashtu shton se “Në Dhiatën e Re ... ne nuk e krahasojmë Zbulesën, letrat e Jakobit, Judës dhe 2 Pjetrit sikur edhe 2, 3 Gjonit me pjesën tjetër.” [3] Zwingli gjatë diskutimit të vitit 1528 në Bernë e mohon se Zbulesa është pjesë e Dhiatës së Re. [4] Andreas Bodenstein i Karlstadt-it (1480 – 1541) një mik i hershëm i Luterit e ndanë Dhiatën e Re në tri klasë të ndryshme për nga niveli i dinjitetit. Në nivelin më të ulët janë shtatë librat diskutabile: ai i Jakobit, 2 Pjetrit, 2 dhe 3 Gjonit, Juda, Hebrenjve dhe Zbulesa. [5] Katër prej tyre (2 Pjetrit, 2 dhe 3 e Gjonit dhe Juda) janë cilësuar si ‘apokrife’ në Biblën nga Hamburgu më 1596. Në Suedi duke filluar nga 1618, Bibla e Gustavus Adolphus i ka emërtuar këto katër libra të dyshimta si “Dhiata e Re apokrife”. Një radhitje e tillë zgjati për më se një shekull. [6] Këto dyshime dhe mospajtime nuk ishin të kufizuara vetëm në Dhiatën e Re. Disa nga Biblat e hershme Protestante gjithashtu përmbajnë ato libra të cilat cilësohen si ‘apokrife’ nga Protestantët modernë.
Po manuskriptet Greke? Nuk ekziston asnjë manuskript Grek para vitit 800 – 900 pas Krishtit i cili i ka që të 27 librat të cilat u kanonizuan në Dhiatën e Re. Daryl D. Schmidt deklaron:
Hulumtimi ynë mund të definohet kështu: Kur u bë lista e Atanasiusit së pari tabelë e përmbajtjes për kodeksin komplet Grek? Kur e mori kodeksi Grek sekuencën e cila tani konsiderohet si kanonike? Këto pyetje nuk mund të përgjigjen me ndonjë siguri, por mund të na pajisin me një fokus për kërkimin tonë. [7]
Nga kandidatët më të vjetër, Kodeksi (1424) i cili sipas Aland daton diku rreth shekullit 9/10, është cilësuar nga Schmidt kështu:
Ai mund të jetë ‘Dhiata e Re komplete’, por megjithatë një Dhiatë e Re unike – ajo definitivisht nuk është Kodeksi i Atanasiusit [8]
Rreth kandidatit tjetër më të vjetër pas këtij, Kodeksit (175) i cili sipas Aland daton rreth shekullit 10/11 sipas Krishtit, Schmidt pohon:
Manuskripti është i mangët, nuk i përmban foljet hyrëse dhe ka korrektime margjinale. Gjërat e pazakonta këtu sërish e përjashtojnë këtë të jetë kodeks Atanasian [9]
Schmidt vazhdon tutje duke deklaruar paaftësinë e disa manuskripteve të tjera të shekullit 11/12 për të qenë të klasifikuara si Kodekse Atanasiane, derisa arrijmë tek manuskripti ‘Greg. 922’. Rreth këtij manuskripti Schmidt pohon:
Manuskripti i datuar nga viti 1116 në Malin Atos (Greg 922) është shembulli më i pastër i kodeksit komplet të Dhiatës së Re. Ai mund të dëshmojë të jetë Dhiata e Re komplete më e vjetër e papërzier, me renditje Atanasiane, edhe pse nuk ekziston ndonjë përshkrim i detajuar i cili do ta konfirmonte këtë. [10]
Pasi që ky kodeks e gjen rrugën e tij në listën e Alandit të miniskulave Bizantine, është instruktive pyetja se çka do të thotë në fakt përshkrimi ‘Bizantin’. Kritikët e teksteve i klasifikojnë dëshmitë (e manuskripteve) të Dhiatës së Re sipas formës së teksteve që ato përfaqësojnë. Gjithandej historisë kristiane këto lloje tekstesh kanë evoluar sipas mënyrës si janë kopjuar dhe cituar në zonat e tyre përkatëse gjeografike. Lloji Bizantin i teksteve (biblike) gati në mënyrë të përgjithshme konsiderohet të jetë lloji më i keq i teksteve sa i përket ruajtjes së ‘teksteve më të hershme të arritshme’ të Dhiatës së Re, dhe karakterizohet me zbukurime, sintetizime, harmonizime dhe fabrikime të qarta. [11] Duke pasur këtë parasysh, etiketimi ‘Bizantin’ ashtu si është përdorur edhe për miniskulet tjera në listën e Alandit, zakonisht do të thotë se këto tekste nuk janë mjaftë të rëndësishme për tu krahasuar individualisht në imtësira kur janë në pyetje leximet e ndryshme. Si pasojë e kësaj, Kodeksi 922, i cili mbase është kodeksi më i vjetër Atanasian, është vendosur anash për shkak të kualitetit të tij të dobët tekstual dhe gjithashtu edhe nuk gjendet në listën e Alandit të miniskulave më të rëndësishme! Thënë thjeshtë, Alandi e quan këtë minuskulë (dhe shumë miniskula të tjera Bizantine) të parëndësishme për kriticizëm tekstual. [12] Tutje, Metzger thotë, duke vërtetuar pajtimin e shkollarëve me teorinë e Wetcott dhe Hort rreth teksteve Siriake (ose Bizantine), se asnjë at kishtar pas-Nikean nuk citon llojin Bizantin të ndryshëm të të lexuarit. [13] Kështu që Kodeksi i parë Atanasian, i bazuar në listën e librave të ‘frymëzuara’ me pajtim nga Atanisiusi, i cili daton përafërsisht rreth 1116 vite pas lindjes së Jezusit a.s., përmban lexime të ndryshuara të cilat nuk janë cituara si të tilla nga ndonjë i krishterë para vitit 325 duke përfshirë mbase edhe vetë Atanisiusin. [14]
Në pjesën përmbyllëse të punimit të tij, duke pasur parasysh rezultatet e tij paraprake, Schmidt citon vështrimet e James Sanders rreth përmbajtjes së Psalterit në manuskripte të ndryshme hebraike. Schmidt e përdor citimin e tij në lidhje me konkluzionin të cilin ai vetë e nxjerrë rreth manuskripteve të Dhiatës së Re:
Po bëhej e qartë se ekzistonin mbase po aq kanone sa edhe kishte bashkësi...Duke u fokusuar në çështjen e fluiditetit në problemet që kanë të bëjnë me përfshirjen/largimin e librave të ndryshëm në bashkësitë e ndryshme të antikitetit, kjo solli vëmendjen në çështjen e literaturës të konsideruar autoritative – që do të thotë funksionalisht kanonike, nga ndonjë bashkësi Judaike apo Kristiane por jo nga tjetra. [15]
Nga Uncialet e mëdha, i njohuri Kodiku i Sinait (350 pas Krishtit) është më i afërti, mirëpo edhe ai përmban Letrën e Barnabait dhe Bariun e Hermasit të cilat përndryshe mungojnë në Biblat e sotme. Sa i përket Kodeksit të Vatikanit (viti 350 pas Krishtit), Letrat Pastorale dhe Zbulesa nuk ekzistojnë gjëkundi aty. (Dikush do të pyetet: çfarë tjetër vallë do të mund të mungonte nga ky manuskript jokomplet!). Po qe se do të përshinim librat e Dhiatës së Vjetër të cilat janë prezente në këto manuskripte Greke, problemi do të bëhet edhe më i pandreqshëm për ata që duan të demonstrojnë se ‘shkrimet’ kristiane të sotme janë të njëjta me ato të kohës së Muhamedit a.s. A duhet këtu ta potencojmë edhe faktin e mirënjohur se as dy manuskripte të Dhiatës së Re ekzistente sot, nuk janë të njëjta njëra me tjetrën. [16] Duke qenë kështu, Eldon J. Epp gjatë diskutimit të çështjes së varianteve tekstuale dhe kanonicitetit e ngritë një pyetje të rëndësishme: – cili manuskript është kanonik?
Përfundimisht, për ta ngritur çështjen në nivelin e saj më të lartë dhe në suazat më të gjëra, çfarë do të thotë fjala ‘kanonik’ kur secila nga 5 300 manuskriptet tona të Dhiatës së Re dhe mbase 9 000 mansukripteve versionale, sikur edhe ato tashmë të humbura, janë konsideruar si autoritativbe – prandaj edhe kanonike – në adhurim dhe instruksione në një apo më shumë nga mijëra e mijëra kisha individuale, kur as dy nga manuskriptet nuk janë njësoj? Konkludimi e potencon fuqinë e pyetjes: Nëse as dy nga manuskriptet nuk janë njësoj atëherë as edhe dy nga përmbledhjet e Ungjijve ose Letrave nuk janë njësoj, dhe nga këtu as edhe dy kanone nuk janë njësoj – pra as dy Dhiata të Reja nuk janë njësoj; prandaj a janë të gjitha këto kanonike, ose vetëm disa nga to, apo vetëm një nga to? Dhe nëse vetëm disa ose vetëm një, cilat janë ato? [17]
Kjo sugjeron, ashtu siç potencon Epp, se formimi i kanonit po zhvillohej në dy nivele krejtësisht të ndryshme – njëri në nivel të skribëve të cilët e modifikonin tekstin për të shprehur teologjinë e tyre ose të kuptuarit tjetër, dhe tjetri në nivel të udhëheqësve kishtarë të vendbanimeve kryesore të cilët kështu po kërkonin koncenzus rreth asaj se cilat libra do të duhej të pranoheshin në kanon. [18] Një gjendje e tillë dyfaqëshe krijon probleme serioze për natyrën e vetën kanonit.
Ne veçse e dimë se Biblat (përfshirë Dhiatën e Vjetër dhe atë të Re) ndryshojnë varësisht nga Kisha. Kështu nëse do të pasonim traditën kishtare, ne do të përfundojmë me këto Bibla: atë të kishës protestante, kishës katolike, kishës anglikane, kishës ortodokse greke, kishës kopte, kishës etiopase, kishës armeniane dhe kishës siriane. Që të gjitha këto Bibla përmbajnë numra të ndryshëm të librave. Sërish kjo dokumenton se shkrimet nuk janë të njëjta sot me ato të kohës së Muhamedit a.s.
Midis skenarëve të tillë të pamundshëm, nuk është befasuese të shohësh një misionar tjetër duke tentuar ta zgjedhë problemin duke bërë dallimin midis përmbajtjes së shkrimeve dhe kanonit të shkrimeve, sikur ky të ishte ndonjë problem. Ai thotë:
Duket sikur autori i ka përzier të dy çështjet duke adresuar pohimin e Johen Katz se Bibla e Shenjtë e kohës së Muhamedit është e njëjtë me atë të ditëve të sotme. Saifullah e ngatërron përmbajtjen e shkrimeve me kanonin e shkrimeve. Çështja nuk është kanoni per se, por a është përmbajtja e Biblës së kohës së sotme e njëjtë me përmbajtjen e Biblës së kohës së Muhamedit.
Kanoni ka një përmbajtje të librave të cilat e ndërtojnë një ‘Bibël’. Nëse ndonjë libër shtohet apo largohet, në atë rast është e qartë se ndërron edhe përmbajtja. Nëse kanonit të një ‘Bible’ i mungon inspirimi, atëherë ai ndryshon në përmbajtje nga kanoni i një ‘Bible’ e cila përmban inspirim. Kështu që kanoni dhe përmbajtja janë ngushtë të lidhura.
Duke qenë se ky misionar është shumë i interesuar rreth përmbajtjes së Biblës së kohëve të sotme, le ta shqyrtojmë paksa shembullin e Biblave Protestante. Përkthimet e Biblave Protestante siç janë NIV, RSV, NASV etj bazohen në burime tekstuale të cilat janë edicione kritike si Biblia Hebraica dhe Novum Testamentum Graece (e gjithashtu edhe The Greek New Testament i bazuar në atë të fundit). Këto edicione janë eklektike (përzgjedhëse) dhe leximet e përfshira në to janë të bazuara në gjykime editoriale. Nuk ka asnjë dëshmi për të treguar se tekstet e Dhiatës së Vjetër Hebraike apo Dhiatës së Re Greke të përdorura në përkthimet e këtyre Biblave të ditëve tona, janë qoftë ‘origjinale’ qoftë ‘të frymëzuara’ nga Perëndia. Gjithashtu do të donim të potencojmë faktin se tekstet kritike të Dhiatës së Vjetër Hebraike dhe Dhiatës së Re Greke janë unike. Asnjë tekst si këto kurrë nuk ka ekzistuar në historinë e krishterimit deri me ardhjen e kriticizmit modern tekstual. Kështu që edhe nëse misionarët në mënyrë të pamend preferojnë përmbajtjen para kanonit, ata akoma duhet të jetojnë me faktin se në cilindo rast nga këto dy, ‘shkrimet’ definitivisht nuk janë të njëjta sot me ato të kohës së Muhamedit a.s.
Kjo sërish na kthen tek çështja e isnadit. Qëllimi i isnadit është zbulimi i burimit të informacionit. Në nivelin përfundimtar, burimi duhet të të qojë tek personi i cili ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetin më të lartë të cilit i mvishet deklarimi. Dallimi midis vlerësimit të literaturës Islamike dhe asaj Biblike është sikur ndryshimi midis natës dhe ditës. Në shkrimet Islame, zbulimi i burimit është i ngjashëm me ligjin e dëshmitarëve. Dëshmitarët ekzaminohen sipas drejtësisë së tyre morale dhe kronologjisë.
Po qe se e aplikojmë këtë metodologji për shkrimet Biblike as edhe një fjali e vetme nuk mund të vërtetohet të jetë autentike si rezultat i mungesës së zbulimit të burimit të informatave. Për shembull duke supozuar se një person i quajtur “Gjon” e shkruajti Librin e Zbulesës, si do ta dimë se kush ishte ai? [19] Cilat ishin besimet e tij fetare? Çka rreth karakterit të tij personal? A ishte ai një njeri i ndershëm? A kishte mbamendje të fuqishme? Mungesa e informatave rreth njerëzve të cilët e kanë transmetuar Dhiatën e Re është adresuar nga Ehrman. Ai thotë:
Diversiteti i larmishëm i Krishterimit të hershëm, me larushinë e tij të strukturave shoqërore, praktikave dhe besimeve është përshtatur vetëm me diversitetin e individëve të cilët e kanë përfshirë atë. Midis tyre kishte transmetues të paemra të teksteve të tyre, skribë të cilët vetvetiu pa dyshim nuk paraqisnin ndonjë lapidar. Fatkeqësisht ne nuk dimë kush ishin këta persona dhe kemi informata të vobekta rreth nivelit të tyre të arsimimit, klasës, rankut ose statusit shoqëror brenda ose jashtë komunitetit kristian. Ata janë të paemër, të panjohur, transkribues të teksteve, teksteve të cilat të cilat u bënë, dhe në mendjen e tyre të cilat veçse ishin Shkrime të Shenjta te Krishtere. Njohuria jonë rreth asaj se kush ishin këta persona dhe qëllimit të tyre të veprimit, çka shpresonin ata dhe çkasë ia kishin frikën apo lakminë, mund të dallohet vetëm nga ajo të cilën ata kanë zgjedhur për ta reprodukuar dhe nga karakteristikat dalluese të produkteve të tyre finale. E vetmja gjë që mund të bëjmë për të kuptuar skribët është të studiojmë transkriptimet e tyre.
...Kritikët e teksteve për një kohë të gjatë kanë imponuar një strukturë të panevojshme të parametrave të diskurseve të tyre; një kokëboshësi kjo që pengon dialogun e frytshëm me shkollarët e fushave të tjera, dhe që si pasojë ka shtrembëruar rezultatin e punëve të tyre. Për tu marrë me studimin e teksteve kërkohet një vetëdijesim më i madh nga ai që shihet normalisht, për kontekstin socio-historik të skribëve. Thjeshtë nuk është e mjaftueshme që të mendohet në termet e manuskripteve si transmetuese të të dhënave; manuskriptet janë prodhuar nga skribët dhe skribët kanë qenë qenie njerëzore të cilat kanë pasur shqetësime, frika, dëshira, urrejtje dhe ide – me fjalë tjera, skribët kanë punuar në kontekst dhe deri para zbulimit të shiritit të lëvizshëm, këto kontekste kanë pasur efekt të rëndësishëm në mënyrën se si janë prodhuar këto tekste. [20]
Ehrman e potencon këtu se sa i rëndësishëm duhet të jetë për kritikuesit e teksteve fokusimi në rrethanat shoqëroro-historike të skribëve pasi që ata ishin transmetues të të dhënave. Çuditërisht, a nuk është kjo ajo që studiuesit myslimanë e kanë ditur dhe vënë në praktikë (nga e cila u zhvillua shkenca kritike e gjykimit të haditheve ose leximit të Kur’anit) qysh para më shumë se një mijë vitesh? [21] Mungesa e informatave, për shembull, të asaj se kush ishte ky farë “Gjoni” i cili e ka shkruar Librin e Zbulesës, sikur edhe është rasti me shumicën e autorëve të Dhiatës së Re, do të ballafaqojë me vështirësi të mëdha misionarët për të vërtetuar integritetin e shkrimeve të tyre duke përdorur metodologjinë e bazuar në isnad, pavarësisht mburrjeve të tyre të zbrazëta për mosekzistimin e ‘isnadit kristian’, e lëre më ‘saktësinë’ apo ‘besueshmërinë’ e shkrimeve!
Një goditje tjetër integritetit tekstual të Biblës vjen kur ne vërejmë pothuajse mungesën totale të metodave të kontrollit për transmetimin e teksteve. [22] Kritikët tekstual të Dhiatës së Re kanë vërejtur se
Është e sigurt të thuhet se nuk ekziston as edhe një fjali e vetme në Dhiatën e Re për të cilën ka pajtueshmëri uniforme në traditën e manuskripteve. [23]
Nuk është për tu çuditur që burimet tekstuale të Biblave moderne Protestante bazohen në edicione ‘përzgjedhëse’ të cilat janë produkt i gjykimeve editoriale dhe nuk janë as ‘origjinale’ e as ‘të frymëzuara’ nga Perëndia.
Krijoni Kontakt