ERE merr nën administrim CEZ, miratohet rregullorja për drejtimin e ri
Enti Rregullator i Energjisë miratoi rregulloren për procedurat e emërimit të administratorit që do të menaxhojë sistemin e shpërndarjes së energjisë pas largimit të kompanisë CEZ, si dhe të drejtat e detyrimet e tij në raport me shoqërinë dhe ERE-n.
Sipas rregullores me 9 pika, administratori i përzgjedhur duhet të ketë eksperiencë në sektorin e energjisë dhe të mos ketë konflikt interesi me ushtrimin e detyrës. Afati kohor gjatë të cilit do të administrojë sistemin e shpërndarjes është deri në momentin, kur të merret vendim për kalimin e licencës tek një tjetër subjekt.
Administratori merr në dorëzim inventarin e kompanisë CEZ, dhjetë ditë pas marrjes së detyrës dhe është i ngarkuar të organizojë punën për menaxhimin e aktivitetit, përfshirë hartimin e një plani për përmirësimin e situatës financiare të kompanisë.
“Brenda 10 ditëve nga dita e emërimit, merr në dorëzim inventarin e aktiveve, pasurisë dhe arkivës së shoqërisë. Ai harton dhe paraqet për miratimin në Entin Rregullator të Energjisë strukturën, si dhe pagat dhe shpërblimet e punonjësve. Gjithashtu merr masat për ruajtjen e aktiveve të shoqërisë, organizimin e punës për menaxhimin e aktivitetit të shoqërisë, ndalon pagesën e dividentëve ose shpërndarjen e kapitalit për aksionerët e shoqërisë, si dhe pagesën e administratorëve të kompanisë nga momenti i marrjes nën administrim. Harton një plan për përmirësimin e situatës financiare, si dhe një plan për shlyerjen e detyrimeve ndaj palëve të treta, plan i cili do të miratohet nga Enti Rregullator i Energjisë”, thotë Eduart Elezi, drejtor Juridik i ERE-së.
Komisionerët e ERE-së kërkuan që mes momentit të heqjes së licencës së kompanisë CEZ dhe marrjes në administrim nga kandidati fitues të mos ketë vakum në menaxhimin e sistemit të shpërndarjes. Për këtë arsye procedura për gjetjen e administratorit nis menjëherë pas miratimit të rregullores, paralel me atë të heqjes së licencës.
Shqip
Krijoni Kontakt