BB : Privatizimi i CEZ ndikoi negativisht , rritja 0.8%
Blerina Hoxha
Kompania çeke CEZ, jo vetëm që ka dështuar me administrimin në Shqipëri, por ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike të vendit. Këtë downloadkëndvështrim paraqiti dje përfaqësuesja e Bankës Botërore në vendin tonë, Ksenia Lvovski gjatë prezantimit të raportit të Zhvillimeve Ekonomike në rajon. Zyrtarja e lartë përsëriti se CEZ nuk do ta ketë të lehtë të marrë garancinë 60 milionë euro nga Banka Botërore pas divorcit me qeverinë shqiptare. Kjo pasi duhen plotësuar disa kushte ligjore, të cilat të çojnë në arritjen e një marrëveshjeje mes palëve. Banka Botërore pranon se privatizimi nuk rezultoi i suksesshëm dhe padyshim ky është një ndër shqetësimet e saj për Shqipërinë, së bashku me borxhin e lartë dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike. “Marrëveshja e garancisë është mes Bankës Botërore dhe qeverisë nëpërmjet BERZH-it. Kjo është një marrëveshje garancie që është dytësore. Duhet të theksohet se ka një proces dhe kushte, që janë specifike përpara se garancia të kthehet në kredi për qeverinë. Deri në atë pikë ka disa masa që duhet të tentohen të merren për të arritur në një marrëveshje mes palëve. Vetëm pasi të arrihet kjo, mund të transferohet kjo garanci dhe të kthehet në kredi. Qeveria dhe CEZ po kryejnë negociata për gjetjen e një zgjidhjeje miqësore. Ne nuk jemi pjesë e negociatave, por shpresojmë që kjo zgjidhje të jetë më e mira për Shqipërinë”, – tha Lvovsky. Ajo gjithashtu tha se çështja CEZ duhet të bëhet një mësim për privatizimet e tjera të së njëjtës rëndësi. Banka Botërore rekomandon se, për të përfituar maksimumin nga privatizimet e reja, do të ishte shumë e këshillueshme që qeveritë e rajonit t’u kushtonin vëmendje të veçantë disa mësimeve kryesore që të tjerët kanë nxjerrë rreth këtij procesi. Qasja rast pas rasti është parë si më e suksesshme dhe instalimi në majë të kompanisë i një investitori thelbësor, i cili ka më shumë gjasa të ristrukturojë një kompani dhe të rrisë në mënyrë të konsiderueshme produktivitetin e saj. Sipas BB, privatizimi tek të jashtmit rezulton në më shumë ristrukturim sesa privatizimi tek të brendshmit (drejtuesit dhe punonjësit). Fondet e investimeve, të huajt dhe të tjerët të cilët mbajnë blloqe të mëdha aksionesh, prodhojnë më shumë ristrukturim sesa pronësi individuale të shpërndara. Rekomandohen tendera konkurrues për kompanitë e mëdha dhe ankande ku fituesi merr gjithçka për ndërmarrjet e vogla e të mesme, të cilat do të rezultonin në pronësi të përqendruar. Gjithashtu, BB këshillon që për kompanitë për të cilat nuk ka oferta, edhe pas përpjekjeve të përsëritura për çmim më fleksibël apo ristrukturim, duhet të lejohet falimentimi. Për kompanitë me humbje të mëdha, qasja e orientuar ndaj transaksioneve, privatizim nëpërmjet ristrukturimit, ka të ngjarë të prodhojë rezultate më të mira. Të ardhurat e privatizimit nuk duhet të përdoren për të financuar shpenzimet publike korrente, por për të ulur borxhin publik të shtrenjtë, shlyerjen e pagesave të prapambetura, ose për investime në infrastrukturë publike brenda një kornize të kujdesshme makroekonomike dhe fiskale, rekomandon BB. Sipas BB-së, ajo që është absolutisht themelore për privatizim të suksesshëm është një proces transparent, një kuadër i qartë ligjor, i plotësuar nga rregullore dhe procedura të mirëpërcaktuara të cilat publikohen dhe zbatohen.
“Marrëveshja e garancisë është mes Bankës Botërore dhe qeverisë nëpërmjet BERZH-it. Kjo është një marrëveshje garancie që është dytësore. Duhet të theksohet se ka një proces dhe kushte, që janë specifike përpara se garancia të kthehet në kredi për qeverinë”, – tha Lvovsky
Burimi: MAPO
Krijoni Kontakt