Nga 325 mijë të papunë, 6 mijë janë punësuar

Me mijëra studentë diplomojnë çdo vjet duke u bërë potencial për të punuar, ndërkohë që shumica prej tyre mbesin duke bredhur rrugëve pa ndonjë mundësi punësimi. Të dhënat zyrtare të papunësisë tregojnë për një gjendje alarmante.
Nga mbi 325 mijë, sa ja të regjistruar si të papunë, këtë vit kanë arritur që të punësohen vetëm mbi 6 mijë veta. Papunësia vazhdon të mbetet alarmante në Kosovë, ndërkaq që nuk ka lëvizje nga vitet e mëparshme, shkruan “Zëri”.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, numri i të punësuarve këtë vit të lajmëruar në zyrat komunale të punësimit në gjithë Kosovën, është 6 mijë e 871 persona.

Ndërkohë, zëdhënësi i kësaj ministrie Behxhet Gaxhiqi, tregon se numri i personave që janë regjistruar në zyrat komunale të punësimit në fillim të këtij viti është 325 mijë e 261 persona. Ndërkaq, regjistrime të reja, sipas tij, janë bërë edhe 23 mijë e 624 persona, ndërsa gjatë këtij viti janë punësuar vetëm 23 për qind e tyre.

Sa i përket asaj se sa persona të diplomuar dalin gjatë një viti e që automatikisht duhet të kërkojnë punë, vetëm nga Universiteti i Prishtinës në vitin akademik 2011/2012 janë diplomuar afro 5 mijë studentë.

“Për vitin 2011/2012 në studime themelore kanë diplomuar 4 mijë e 673 studentë, ndërsa në studime master 728 studentë. Për këtë vit dalim në fund të vitit akademik”, ka thënë Arian Kastrati, këshilltar për informim i Rektorit, Ibrahim Gashi.

Kurse, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se kjo rritje e punësimit është shumë e lehtë dhe e pamjaftueshme që nuk i plotëson aspak nevojat e kërkesave.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për të nxitur punësim të qëndrueshëm, për të krijuar politika për punësim dhe për avancim të sektorit privat.

Eksperti ekonomik, Musa Limani, ka thënë se mos ngritja e punësimit është pasojë e ngecjes ekonomike në vend. Ai për këtë gjë ka bërë fajtor qeverinë e Kosovës që sipas tij nuk ka politikë për zhvillim ekonomik.

Një hulumtim i tregut të punës nga Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për vitin 2011 kishte treguar për 3.92 për qind ngritje e punësimit në vend. Ndërsa këtë vit i njëjti hulumtim, sipas AKB-së, tregon për rritje të punësimit për vetëm 4 për qind. /Telegrafi/