Më poshtë kemi përkthimin shqip të bërë nga Fan S. Noli.
Në munç
Në munç të mbash në kokë terezinë
Kur shokët çmendër dhe fajtor të nxijnë
Në munç të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo, dhe s'ka njeri që të beson
Në munç të preç, dhe pritjen s'e kursen
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen
Në të urrefshin, ti s'i çan me brirë
Dhe s'hiqesh as m'i mënçim as m'i mirë
Në munç të çndërrosh e të mejtosh
Dhe nga këto në mos u robërofsh
Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë
Dhe t'i shkelmosh të dy si kallpazanë
Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth
Të drejtën dhe në lak syleshin heth
Kur sheh kalan' e jetës të rëzuar
Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar
Në munç të vësh m'i grumbull çdo thesar
Edhe t'i loç të gjitha me një zar
T'i humpç edhe të nisësh përsëri
Pa thën' asgjë për këtë batërdi
Në munç të kesh një zemër, trup e kokë
Që të shërbejnë sa të bëhen trokë
Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë
Dhe të thërret vullneti: "Mbahu, or burrë!
Në munç të zbreç në turm' e të mbash nderin
Të hash me mbretin, të pish me neferin
Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë
N'i daç të gjithë, po asnjë për dasmë
Në munç për çdo minutë të përpjetë
Të rënç tamam sekunda gjashtëdhjetë
Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir
Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir
Rudyard Kipling
Pershtatje e Fan Nolit eshe pak e vjeter poshte mund ta gjeni me shqipen standarte
Ne Mundesh
Në mundsh ta ruash arsyen kur bota humbet fillin
E fajin ty ta hedh – dhe vetes ti besosh,
Sa herë të dyshojnë e s’të përfillin,
Por edhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.
Në munsh të rrish në pritje, në pritje pa u lodhur,
A, kur të urrejnë, urrejtje mos të ushqesh
Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur
Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh.
Në mundsh të mendosh, por jo në shkatërrim
Të ëndërrosh por jo rob ëndërrimesh,
Dhe t’i trajtosh njëlloj e padallim
Ngadhnjim e shpartallim – burim mashtrimesh.
Në durofsh dot thënjet e tua të drejta
Në kurthe për tradhtarët, kopukët të t’i kthejnë
T’i shohësh të thyera gjërat më te shtrenjta
E prap t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë.
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
Si në kumor, në një të vetme lojë,
Të rrezikosh, të humbësh, e prap t’ia fillosh
Dhe humbjen kurrë t’mos e zëshë në gojë
Në durofsh dot muskul, nerv, puls e zemër
Të të shërbejnë edhe kur gjithçka të duket e kotë,
E të qëndrosh kur s’ke më asgjë veç vullnetit
Që veç një fjalë “ QËNDRO” gjithnjë të thotë.
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin ta ruash
A të ecësh përkrah mbretit pa krenari që t'vërbon
Nëse armiku ose miku s’të bëjnë dot të vuash
Dhe gjithçka e çmon, por veç sa meriton.
Në mundsh të mbushësh dy minuta aq të rënda
Me vepra që peshojnë-dije dhe mos ke asnjë dyshim
Se jotja do jetë bota me cka ka brenda
Dhe Burrë do jesh, o biri im!
Rudyard Kipling, 1896
Krijoni Kontakt