Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Nacionalizmi - një kalë, shumë kalorës

    Është koha e rigjetjes së vetes për ne. Historia filloi kur “Gazeta Shqiptare” zbuloi petët e lakrorit dhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, e çoi në Gjykatën Kushtetuese, të famshmen “Marrëveshje për detin”. Për fat, ky organ e hodhi poshtë. Berisha i zënë me presh në dorë, u përpoq ta minimizonte bëmën e tij dhe i quajti “faqezinj” denoncuesit. Nuk ishte hera e parë që mëkatet e tij ua u vesh të tjerëve. Ngjarja shkaktoi reagim në publik dhe këtë impuls e ndjeu një politikan rishtar, i cili inicioi një lëvizje, tashmë të kthyer në parti, të quajtur “Aleanca Kuq e Zi”. Socialistët, si parti e madhe, kanë meritën e kundërshtimit institucional të një marrëveshjeje, që mund ta mpakte territorin shqiptar me 300 km2, por edhe ju duhej të ruanin maturinë si forcë e ardhshme qeverisëse, që të mos rrëshqasë në frazeologji agresive nacionaliste. Në të kundërt, “Aleanca”, si lëvizje që kërkonte të identifikohej në tregun politik, nuk mungoi përdorimin e frazeologjisë agresive, e cila për hir të së vërtetës, sipas standardeve europiane, nuk është shovene. Tjetër se për fqinjët tanë, çdo artikulim i identitetit tonë, ju duket agresiv. Por risia e fundit është nacionalizmi i Berishës. Pas festimeve në Vlorë, mendoi të shalojë kalin e nacionalizmit, me shpresë se do mund të tërheqë vota në shportën e tij elektorale, e cila pas skandaleve të vjetra e të reja, është bërë shoshë. Por a besohet Berisha në nacionalizmin e tij të rigjetur? Nuk është nevoja të shkosh larg në kohë. Mjaftojnë lëvizjet e fundit të qeverisë së tij për të kuptuar se gjithçka është farsë. Duke filluar nga fqinji ynë verior, Serbia. Jo larg, por një muaj më parë, ministri i Jashtëm serb, Mërkiq, zhvilloi një vizitë në Tiranë. Nuk kishte axhendë dypalëshe në udhëtimin e tij. U pyetën si janë dhe si ia çojnë me Panaritin, vizitoi vrakaçorët në Shkodër, megjithëse këta të fundit janë malazezë, dhe iku. Një vizitë pa asnjë lloj interesi për Tiranën, por që i jep kredenciale të mëdha Serbisë në sytë e BE, si faktor stabiliteti rajonal.
    Disa ditë më parë zhvilloi vizitë kryeministri maqedonas, i njohur për qëndrimin e tij arrogant ndaj faktorit shqiptar dhe përçarës i tyre. Nuk kishte pse takohej, pasi raportet e tij me Shqipërinë duhet të varen nga ato që ka me shqiptarët atje, i cili element nuk duhet defaktorizuar nga Tirana zyrtare.

    Provokoi fqinjin e jugut, duke rihapur probleme me Greqinë, me frazeologji artificiale, e cila nuk i shkakton asfarë problemi fqinjit tonë dhe nuk e forcojnë pozitën tonë në raport me të. Dihet që ne jemi nevojtarë për raporte të mira me BE-në, ashtu siç e dimë që Greqia edhe pse pa ndjenja mbi tapet për shkak të krizës, do gëzojë mbrojtjen e tutorit të saj që është Brukseli. Atëherë përse duhej përmendur Preveza. Dihet që në Prevezë, para njëqind vjetësh kanë qënë shqiptarët, ashtu siç sot është e vështirë të gjesh njeri që të flasë shqip, e nëse gjendet, zor se të flet. Është e njohur që i gjithë brezi kufitar me Greqinë janë fshatra dikur të populluara nga shqiptarë, që sot nuk flasin gjuhën dhe nuk pranojnë identitetin tonë. Atëherë për çfarë bëhet gjithë kjo zhurmë? Për hir të historisë? Po dihet që sa herë Berisha fut duart në të, vetëm se hap probleme. Për disa vota që mund të hyjnë në shportën elektorale? Por kjo i krijon kosto politikës së jashtme. Pasi folësi nuk është përfaqësues i partive në opozitë, por kryeministri i vendit, i cili ka në dorë shumë mekanizma të frenojë shovinizmin e fqinjëve, se sa t’i provokojë në tym me deklarata boshe. Nuk po përmendim çështjen e varrezave, regjistrimin etnik sipas shijeve të Bollanos dhe detin. Jo më larg se disa ditë përpara, Spiro Ksera, ministër i qeverisë së tij, merrte pjesë dhe bisedonte në një aktivitet kushtuar ditës kur Metaxa i tha “Jo” ultimatumit të Musolinit. Meqë ra fjala, dhe për hir të historisë, Metaxai nuk ishte aq “levend” sa t’i thoshte gjithë mospërfillje një “Jo” të shkurtër ambasadorit italian, por i habitur e i trembur e pyeti në frëngjisht “Atëherë do kemi luftë?”.

    Por për t’u kthyer në realitetin e sotëm, në këtë takim ku rievokohet beteja për Vorio Epirin, Ksera merrte pjesë në ceremoni dhe bisedonte ngrohtësisht me deputetët fashistë të “Agimit të Artë”, që e ka në program rivendikimin ndaj territorit tonë. Atëherë “nacionalisti” Berisha, pse nuk e përzë nga qeveria këtë farë ministri? Nuk mund të luajë me harresën, pasi ngjarja ka ndodhur vetëm pak ditë përpara. Pse nuk kërkon për reciprocitet që të zhvillohet një ceremoni përkujtimore në tokën greke në kujtim të masakrës ndaj çamëve? Çfarë ka bërë për çështjen e gazetarit Marin Mema dhe a e ka ndjekur problemin e tij më tej? Pse i lejon përfaqësues të “Agimit të Artë” të rivendikojnë tokat tona në ceremoni në Himarë dhe nuk i përzë prej leckash? Ky farë trimi, që kryeson Qeverinë shqiptare nuk guxoi të përzinte konsullin grek në Korçë, Ikonomus, por e la të mbaronte qetësisht mandatin. Qoftë edhe një qëndrim ndaj këtyre ngjarjeve dhe e bërë sipas ligjeve ndërkombëtare, do t’i jepte të drejtën të luante kartën morale të “nacionalistit” kryeministrit tonë. Por mospërputhja e realitetit me deklaratat nuk bën gjë tjetër veçse e bën shembull të demagogut. Ndërkohë, në krah tjetër, si rrallëherë në historinë e diplomacisë greke, ministri i Jashtëm, Avramopullos, është një njeri mendjehapur dhe pa paragjykime, i cili ka pranuar të bisedojë tema që diplomacia shqiptare i kishte harruar dhe ishte e frikësuar t’i ngrinte në bisedime prej kohësh. Është një njeri me mendësi europiane, i cili në kundërshtim me antishqiptarizmin e klaneve vllahe, që janë në aparatin e Ministrisë së Jashtme greke, po bën përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vjetër. Në këtë kontekst, frazeologjia nacionaliste e Berishës nuk ndihmon çështjen shqiptare dhe as zgjidhjen e problemeve që kemi pezull, por është një ndihmesë ndaj forcave shovene prezente në administratën dhe politikën greke, veçanërisht në aparatin e Ministrisë së Jashtme.
    Mjaftojnë shembujt e mësipërm, për të kuptuar se nacionalizmi i vonë i kryeministrit tonë nuk është vetëm se një gur më tepër që Berisha var në qafën e shtetit shqiptar. Nacionalizmi sot është një kalë, që shumë vetë duan t’i hipin, me shpresë se do t’i çojë në fitore. Ca nuk dinë t’i hipin, e ca nuk dinë ta ngasin. Por Berisha është i vetmi që do ta ngarkojë me mëkatet e tij, e t’ia lerë në kurriz deri sa të ngordhë.

    Nga: DRITAN HILA
    Revolution 1848

  2. #2

    Kamerdarja e vetme e shpëtimit

    Ethet e papritura të nacionalizmës, të shfaqura me rastin e kremtimit të 100-vjetorit, kryesisht prej Berishës, kanë ngjallur reagim pozitiv e negativ, entuziazëm dhe nervozizëm, pështjellim e ngazëllim jo vetëm në opinionin e këtushëm, po edhe atë ndërkombëtar. Fqinjët, serbët, qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Greqisë u përgjigjën me deklarata e qëndrime zyrtare. Filloi edhe djegia reciproke e flamurëve, si parathënie e dukshme e ringjalljes së dhunës ndëretnike… Nuk mungoi as Departamenti amerikan i Shtetit që paralajmëroi mosndryshimin e kufijve dhe nevojën e stabilitetit në rajon. Nuk mënuan edhe jo pak gazeta prestigjioze të botës t’i binin të njëjtës kambanë. Kamerdarja e shpëtimit të deritashëm të Berishës, i cili deri para ca kohësh vlerësohej nga diplomacia euroamerikane si “faktor stabiliteti” në Ballkan ( se cilësohej si më i mundshmi dhe më ndikuesi për të qetësuar dhe për të mbajtur nën fre kokat e nxehta të shqiptarëve të paduruar në Kosovë e Maqedoni), u shpua, si një tullumbace, në festat e 100- vjetorit.
    Ç’të ketë ndodhur vallë për këtë kthesë 180-gradëshe? Cila është arsyeja e njëmendtë që Berisha u gdhi papritur e pakujtuar nacionalist i thekur?
    ***
    Shumëkush këtë lëvizje të beftë të tij drejt nacionalizmit dhe bashkimit kombëtar e ka shpjeguar me afrimin e fushatës, me rrezikun e rrjedhjes së votave, pas daljes së dy partive të reja, AK dhe FRD, të cilat mund t’i sjellin largim të elektoratit të tij “klasik”, çka do të thotë rrëzim i tij nga pushteti dhe dalje e padëshiruar në pension… Nuk ka dyshim që në 2013-ën ai do ta ketë tepër të vështirë, pas tetë viteve në qeverisje dhe krizës në rritje, të premtojë sërish mrekullira, mirëqenie, antikorrupsion, antikrim, harmoni dhe vende të para, ndaj ka zgjedhur këtë “gur shahu”: bashkimin e Kombit, për të tërhequr pas vetes votuesit e mëdyshur ruralë… Të tjerë duan e thonë se me këtë kthesë ai kërkon të lajë fytyrën e vet nga falja e detit Greqisë, nga kontrabanda e naftës për makinën e luftës së Millosheviçit, nga shitjet e armëve, nga allishverishet e hapura e të fshehta me Serbinë….

    E megjithatë të gjitha argumentet e mësipërme janë të pamjaftueshme për të dhënë përgjigje shteruese, pasi është gabim të konsiderohet Berisha si politikan naiv, emocional, i pallogaritur e i papërvojë, që drejtohet nga deliri i “sovranitetit të pakufizuar” nga ndërkombëtarët. Aq më tepër kur ai, më shumë se kushdo e ka provuar në kurrizin e vet, - në vitet ‘96-’97-, - rrezikun e përballimit me një izolim tjetër nga faktori ndërkombëtar… Shenja të një izolimi të tij të ri janë shfaqur edhe para kremtimeve të 100-vjetorit, (qëndrimet e fundit të Arvizusë dhe mohimi për të tretën herë i statusit…), ku u ndje i braktisur nga të gjitha kancelaritë vendimmarrëse të botës… Ndaj tani, kur i lipset me çdo kusht qëndrimi në pushtet, (pasi “letrat” i ka të hapura, pavarësisht nga emërimi i Presidentit-kukull dhe së fundi edhe i Kryeprokurorit të Përgjithshëm), kundër-vënia ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve duket e pashpjegueshme.

    Dihet se në këto njëzet vjet BE dhe SHBA kanë investuar aq shumë jo vetëm me financa dhe diplomaci, por edhe me ndërhyrje ushtarake për zbutjen e gjakrave, për fashitjen e keqkuptimeve e mërive etnike historike në Ballkan, kështu që mund të supozohet se do të reagojnë, në të ardhmen, edhe më ashpër. Aq më tepër që Berisha, habitërisht, nuk ka shfaqur shenja tërheqjeje, përkundrazi, po vazhdon të rrëmbejë edhe institucionin e fundit, Prokurorinë e Përgjithshme, pa dëgjuar këshillat e amerikanëve, duke synuar tërheqjen hileqare të vëmendjes së tyre me kërkesën për një hetim ndërkombëtar të Karla del Pontes, duke provuar kësisoj, me këtë “lëvizje” të beftë, se ai po i qëndron besnik kushtrimit të tij për “bashkim kombëtar”!

    Situata u duk edhe më e koklavitur kur u mor vesh se Berisha qenka prishur edhe me “vallanë e një gjaku”, kryeministrin turk Erdogan, i cili ishte edhe ai një ndër personalitetet që anuloi vizitën në Tiranë për arsye politike, ndonëse të ndryshme nga fqinjët e tjerë. Sipas gazetës turke “Hyrriet”, Erdogan ka kërkuar shpjegime mbi abstenimin e mundshëm për Palestinën në OKB. Erdogan mësohet të jetë shprehur se “në botë ka shumë frikacakë”. Shqipëria e ndryshoi vendimin duke mos votuar kundër, por duke abstenuar, pas presioneve të forta të Ankarasë… Erdogan mësohet t’i ketë bërë presion kryeministrit shqiptar Sali Berisha, duke i shprehur se një votë abstenuese do të konsiderohej një “jo” nga Turqia. “U thashë atyre se kjo do të dëmtonte marrëdhëniet dypalëshe që ne kemi. Madje do të na mërziste”, - ka theksuar Erdogan, sipas “Hyrriet”.

    E pra, në këtë tollovi, kush e beson që Berisha u gdhi në një nga mëngjeset e festës së 100-vjetorit me ëndrrën e bashkimit, duke u hedhur (“edhe i vetëm e trim në luftë!”), kundër të gjithëve në Ballkan, kundër BE-së dhe SHBA-ve, vetëm e vetëm për të bashkuar kombin, me çdo çmim? Me atë ushtri që pamë në paradë do të marrë këtë nismë historike skënderbejane? Apo me këtë ekonomi të Ridvan Bodes “që e rrit borxhin publik për të na krijuar mirëqenie akoma më të begatë”?

    Është e qartë, qëllimi i tij ka tjetër synim. Po u dërgon mesazhin e fundit kancelarive të BE-së dhe SHBA-ve: Mbani vesh e dëgjoni! Jam unë ai që ka në dorë çelësat ose të qetësisë, ose të sherrit në Ballkan! Zgjidhni e merrni!
    I vetmuar, i braktisur, i trembur dhe i dëshpëruar ai po këndon “këngën e fundit të mjellmës”, duke u shtirur i fortë, njëlloj si ai ushtari i Ali Pashë Tepelenës që mbante gati fitilin te hyrja e kështjellës së mbushur me barut… Nuk i ka mbetur tjetër rrugë e tjetër zgjedhje. Kemi për të parë se si do të zgërlaqet kur t’i vdiret edhe kjo ngrefosje! Gabon kur beson se ashtu si në vitin 1997 mbeti i pandëshkuar, edhe tani do të dalë në breg me këtë “kamerdare shpëtimi”: me rrezikun e destabilizimit të rajonit…. Arratisja e tij në vitin e mbrapshtë me helikopter të NATO-s, apo me burgim nga organet e drejtësisë, dyshohej nga Fuqitë e Mëdha të angazhuara ushtarakisht në Shqipëri se mund ta mbante vendin, për shkak të lidhjeve të ish-Presidentit me forca të errëta e të pakontrolluara, në një krizë akoma më të gjatë…. Diplomacia ndërkombëtare shpresonte atëbotë se Shqipëria do të duhej të largohej sa më parë dhe me sa më pak kosto nga anarkia e rrëmuja, ndaj këmbëngulën që Berisha të lihej i lirë, duke gjykuar, sipas standardeve evropiane, se një i tillë politikan, i dështuar dhe i diskredituar aq keq, nuk do të kishte sy e faqe të kërkonte votat e popullit, të ringrihej dhe të rivinte në pushtet…
    Ndërkombëtarët gabuan asokohe. Por u gënjyen edhe kur Berisha erdhi në 2005-ën në pushtet. Si jo pak shqiptarë edhe ata gjykuan se ai do të ketë ndryshuar, se kish nxjerrë mësime nga pësimet e së kaluarës së tij të hidhur, ndaj i ofruan bashkëpunim e mirëkuptim, për hir të stabilitetit në vend dhe në rajon… Për hir të këtij stabiliteti ia toleruan edhe standardet e cungëta demokratike, vjedhjet e votave, vrasjet, arrogancën e pashembullt ndaj kundërshtarëve, zaptimin e institucioneve të pavarura, shkeljet e të drejtave të njeriut, bashkë me rritjen e frikshme të korrupsionit, të trafiqeve dhe krimit të organizuar…

    Me sa duket BE dhe SHBA janë bindur tashmë që kanë gabuar. Ja pra përse Berisha në të vërtetë nuk po luan me kartën e nacionalizmit, se këtë kartë e ka djegur dhe poshtëruar, por ai po bën sfidën e radhës, më shumë se ndaj shqiptarëve, ndaj ndërkombëtarëve… Ai po kërkon pra një kamerdare tjetër shpëtimi, sigurisht jo për të stabilizuar dhe mbrothësuar kombin, por veten, fatin e tij politik!
    Kjo është mundësia e tij e fundit!

    NGA: KICO BLUSHI
    Revolution 1848

  3. #3

    Shqipëri e madhe apo normale

    Njëqindvjetori i Shqipërisë e solli prapë në vëmendje të shtypit dhe diplomacisë botërore termin “Shqipëri e Madhe”. Shkak ishte manifestimi i pashoq që shqiptarët bënë me rastin e festimeve të shpalljes së Pavarësisë.

    Të ardhur nga të gjitha kontinentet, nga të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë, dëshmuan se një identitet i ri, i shtrirë tej kufijve zyrtarë të Shqipërisë, ekziston dhe po fillon e bëhet gjithmonë e më i dukshëm. Kjo është e natyrshme të shqetësojë fqinjët, sidomos ata që kanë pakica shqiptare në përbërjen e tyre, apo kanë përvetësuar toka me identitet shqiptar. Copëtimi solli në mentalitetin e klasave politike që populluan ske-nën shqiptare në vitet që erdhën, mendjengushtësinë dhe servilizmin e udhë-heqësve të një principate, sa ishte Shqipëria zyrtare, por popullsia e kishte në genin e saj tërësinë kombëtare.

    Njëqind vjet përpara, përbërja demografike e Ballkanit ishte pak a shumë kjo e sotmja. Rumania ishte kombi më i madh. Bullgarët, serbët, grekët, me numër të barabartë mes tyre. Dhe pastaj në rend zvogëlues, kroatët, boshnjakët, maqedonasit, dhe sllovenët, nëse këta mund të konsiderohen ballkanas. Po qe se shqiptarët do kishin një shtet që do të përfshinte tokat ku janë maxhorancë dërmuese, do të ishin ndër kombet mesatare dhe numër banorësh për kilometër katrorë, të ngjashëm me serbët, grekët e bullgarët. Por, mospasja e një fuqie të madhe mike dhe krijimi i vonë i shtetit sollën copëtimin e tokave të shqiptarëve në favor të fqinjëve. Asimilimi i tyre ose spastrimi nga grekët bëri që Çamëria të humbiste identitetin shqiptar. Shpërngulja e detyruar nga maqedonasit dhe serbët solli zbrazjen e territoreve të tëra nga elementi shqiptar, si në rastin e Manastirit dhe jugut të Serbisë, apo mbajtjen nën kontroll të shtimit të popullsisë, në trevat ku elementi shqiptar ishte numerikisht shumë superior, si në Kosovë. Kjo e gjymtoi kombin numerikisht, kulturalisht dhe politikisht. Por la gjallë një bërthamë, e cila nuk mjaftonte për të gjithë shqiptarët, por mbante ndezur shpresën e tyre.

    Me mungesën e luftërave në dekadat e fundit, përparimin e mjekësisë, rritjen e vëmendjes ndaj të drejtave të njeriut, vendosjen e supremacisë atlantiko-veriore në Europë, elementi shqiptar ka pësuar një rritje të numrit të tij, duke ia dalë të mbushë gropat e shkaktuara nga historia. Sot është në territore më të ngushta se përpara njëqind vjetësh, por më i dendur numerikisht. Edhe për tridhjetë vjet të tjera, ndryshe nga fqinjët, ku rritja e popullsisë ka vite e stopuar, ai shqiptar do të vazhdojë të rritet, duke u barazuar me grekët dhe bullgarët, dhe tejkaluar serbët. Kjo do të sjellë nevojën për një përfaqësim ndërkombëtar adekuat me forcën numerike që ka. Ka nisur që tani. Po e kupton intuitivisht politika dhe ka filluar e artikulon. Shqiptarët po fillojnë e ndihen një trup i vetëm dhe po kuptojnë forcën e numrave që kanë. Gjithë sa thuhet për diferencat në zhvillim, midis territoreve brenda dhe atyre jashtë kufijve zyrtarë, janë veçse teori antishqiptare, të kamufluara si shkencore, për të frenuar këtë proces. Një shtet shqiptar i njësuar, me kryeqytet Tiranën, do ishte ai që kanë shekuj që e kërkojnë shqiptarët dhe nuk do shkaktonte asnjë traumë në Prishtinë, apo Tetovë. Legjislacioni dhe njësimi i tij është proces administrativ, që në rastin e Kosovës tregoi se është një popullsi e adaptueshme ndaj ndryshimit. Prefektë nga Gjakova në Gjirokastër, shefa policie nga Kaçaniku në Korçë, drejtorë arsimi rajonal nga Vlora në Mitrovicë, gjykatës nga Fieri në Ferizaj dhe e anasjellta, përjashto tri ditët e para të çudisë, brenda dy vjetësh do kthehej në normalitet dhe nuk do habiste askënd. Një polici me elementë nga jugu i Shqipërisë në Kosovë do ishte e pangarkuar psikologjikisht ndaj pakicave serbe, rrjedhimisht shteti ligjor do ishte më i barazlarguar nga ngarkesat historike. Një roje kufitare me elementë nga shqiptarët e Kosovës do zbuste frikën shekullore të shqiptarëve të jugut për qënien vetëm përballë Greqisë dhe do qaste një sjellje normale të tyre ndaj marrëdhënieve dypalëshe. Në aspektin e funksionit administrativ, një shtet i madh është më imun ndaj nepotizmit dhe intrasigjent ndaj korrupsionit, më represiv ndaj krimit të organizuar dhe agresiv ndaj trafiqeve, sesa dy liliputët aktualë që kemi.

    Edhe ngritja e çështjes së prioritetit të dialekteve në standardin e gjuhës, nuk është tjetër veçse një argument i kujt kërkon të vonojë kohezionin kombëtar. Të ngresh kauza të tilla, në një komb ku jugori dhe veriori merren vesh fare mirë me njeri- tjetrin, ngjan kauzë e madhe vetëm për mendje armiqësore.

    Shqipëria aktuale me 360 kilometrat e saj nga jugu në veri është një principatë dhe si e tillë do të mendojë. Do jetë gjithmonë vatër tensioni dhe e pastabilizuar politikisht, pasi është e pamjaftueshme edhe ekonomikisht në hapësirën që ka. Nuk bëhet fjalë për një "liebensraum" (hapësirë jetike) prusiane. Është thjesht llogari ekonomike, pasi kombi shqiptar është i vetëmjaftueshëm në hapësirën ku e ka shtrirë rritja natyrale. Një Shqipëri që shtrihet nga Mitrovica në Konispol është ajo normale. Një Shqipëri në hapësirën e natyrshme do sjellë edhe sjellje të natyrshme të saj. Do të kërkojë respektimin e pakicave të saj në Serbinë Jugore, Malin e Zi, apo Bullgarinë Lindore. Do të jetë më ndjellëse për ata shqiptarë të mbetur në Çamëri që kanë frikë apo turp të flasin shqipen, siç ndodhte deri në 1990-ën, si dhe do jetë në gjendje të mbajë gjallë identitetin e pakicave të saj arbëreshe në Itali dhe Greqi. Por nuk do të kërkojë përvetësimin e tokave ku elementi shqiptar nuk është më mbizotërues dhe as t'i përdorë minoritetet si bomba ndaj stabilitetit të fqinjëve. Pasi kjo Shqipëri nuk do të vuajë frustrimet e historisë dhe do sillet normalisht dhe përgjegjësisht, si komb që ka shtetin e tij me të drejtat e të metat e tij si çdo shtet fqinj, por jo i përbuzur, e shprehur kjo përbuzje me copëtimin. Tensioni nacional që ekziston në popullsitë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë mund të qetësohet vetëm me bashkim. Dhe do krijohet një shtet që do ketë hapësirë dhe dendësi sa një komb i rangut të mesëm sipas standarteve ballkanike dhe i vogël, sipas atyre europiane, që do ishte racizëm ta quaje kërcënim për fqinjët. Në të kundërtën, do jetë një vatër irredentizmi të vazhdueshëm. Po kërkon vetëm bashkimin e tokave ku është shumicë dërmuese deri në 90%. Nuk është shovinizëm. Përkundrazi. Është kërkesa normale e kombit që ka qënë në histori dhe kërkon të rishfaqet si një i tërë në mijëvjeçarin e ri.

    NGA: DRITAN HILA
    Revolution 1848

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •