Kodik 93, botohet dorëshkrimi që u fsheh në komunizëm

Nga: FATMIRA NIKOLLI


Kodiku i Korçës 93, që ndodhet sot në Arkivin Qendror Shtetëror, është një nga 100 dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine që u rizbuluan nga mosdukja pas ndryshimit të regjimit ateist në vend. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, të dielën më 16 dhjetor promovojnë botimin e faksimileve të dorëshkrimit të shek. X. Ceremonia do të zhvillohet në mjediset e Qendrës Kulturore, pranë Katedrales së re Orthodhokse "Ngjallja e Krishtit". "Kodiku i përket shek.X dhe përmban tekstin e katër ungjijve. Për nga periudha historike, kodiku është i vendosur në mes të epokës maqedonase, gjatë së cilës Bizanti njohu fuqinë dhe lavdinë më të madhe të tij", thuhet në fletëpalosjen e botimit. Ai është prodhuar në Kostandinopojë e është përdorur në Mitropolinë e Korçës, thesar i çmuar i së cilës pati qenë për shumë shekuj. "Kodiku paraqet interes të përveçëm artistik dhe historik. Nga njëra ana na jep një pamje interesante të prirjeve artistike që kishin punishtet libërshkruese të Kostandinopojës gjatë periudhës së quajtur si Rilindja Maqedonase dhe, nga ana tjetër, dëshmon për lidhjen në përgjithësi të mjedisit të Shqipërisë së sotshme me kryeqendrën kulturore të Bizantit", - vërejnë Andi Rëmbeci e Sokol Çunga, që janë kujdesur për botimin. Sipas tyre, mu për këtë arsye ai zë vend të përveçëm mes atyre dorëshkrimeve që për shumë shekuj u përdorën dhe u ruajtën në mjedisin shqiptar.

Kodiku
Kodiku i Korçës 93 përbën një nga shembujt më karakteristikë të prodhimit të librave në periudhën e Rilindjes Maqedonase. Fletëpalosja e tij, thotë se ai përbëhet nga 308 fletë pergamene me përmasa 153 x 120 mm. Ndërkaq, autorët e botimit, Rëmbeci e Cunga, bëjnë me dije se teksti i katër ungjijve është i shkruar në pergamenë të hollë, të punuar mirë, me ngjyrë qumështi dhe të bardhë. Sipërfaqja e shkruar e tekstit të katër ungjijve paraqitet në formë kryqi, - një dukuri veçanërisht e rrallë në historinë e dorëshkrimeve bizantine. "Ia vlen të shënohet fakti se, ai përbën një nga dorëshkrimet më të vjetra të kategorisë së kodikëve me të gjithë tekstin në formë kryqi. Me shkrim germëvogël të tipit Bouletée, një shkrim i rrumbullakët, i një mjeshtërie të shkëlqyer kaligrafike, për shkrimin e tekstit është përdorur bojë me ngjyrë kafe, ndërsa për titujt e kapitujve dhe germat nistore është përdorur ar dhe e kuqja", - thonë autorët.

Dekoret
Ai paraqet elementë dekorativë të çmuar të kohës dhe përbën një pjesë të pashkëputur të historisë së artit bizantin. Në gjashtë fletë paraqiten kanonet e gjegjësisë së ungjijve (kanonet e Eusebit). Në çdonjërën nga miniaturat e renda tri kolonave, që përfundojnë me kapitele dhe krijojnë një hapësirë prej dy lobesh mbuluar me harqe. Tek disa nga tabelat kolonat kanë ngjyrë jeshile, kurse tek disa, kafe të kuqe. Harqet, kapitelet dhe titujt janë punuar me ar. Pothuaj tek të gjitha fletët, elementë kryesorë dekorativë janë një sërë elementësh morfologjikë të ndryshëm ndërtesash apo motivesh arkitekturore, floreale dhe zoomorfe.
"Libri i dekoruar përbën një pjesë të pashkëputur të historisë së artit bizantin, është plotësim themelor i pikturës monumentale dhe i pikturës së ikonave të lëvizshme, si edhe element përbërës themelor i qytetërimit bizantin", - thotë Çunga. Sipas tij, në këtë kodik ruhen të katra miniaturat e ungjillorëve Mate, Mark, Luka dhe Joan. Ungjillorët paraqiten të gjithë në fushë të artë dhe të ulur. Mbajnë të veshur tunikë të kaltër dhe mantel ngjyrë rozë të çelët. Në të katra miniaturat ndiqet i njëjti tip ikonografik i ungjillorit-shkrues, ku një libër i hapur, shkruar me germa të mëdha ari, ndodhet në gjunjët e shkruesit, kurse tjetri, po ashtu i hapur tek i njëjti pasazh, në një pult të pjerrët leximi.

Libërlidhja
Libërlidhja bizantine përbën kapitull më vete në historinë e lidhjes së librit, kryesisht për tiparet e jashtme uniforme dhe për shkak të temave prototipe dekorative. Lidhja e sotshme e kodikut është e tipit bizantin dhe ndoshta është realizuar në shek. XVI/XVII. Kapakët janë prej druri, të prerë me të njëjtën madhësi me trupin e kodikut dhe të veshur me lëkurë ngjyrë kafe, mbi të cilën janë stampuar motive dekorative. Dekoret e kapakut përbëhen nga kuadri qendror, në anën e sipërme dhe të poshtme të të cilit ndodhen shirita dekorativë me motive floreale.

Të dhëna
Kodiku i Korçës 93 ose Katërungjillëshi i shek.X vjen në një botim të plotë e besnik të origjinalit që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë. Tirazhi i tij është i kufizuar (1.300 kopje të numërtuara). Kopja faksimile shoqërohet nga një studim shterues i kodikut në tri gjuhë si edhe nga transkriptimi paleografik i "Ungjillit sipas Lukës" dhe përkthimi gjegjës në shqip. Çdo kopje origjinale mban numrin e serisë, si edhe certifikatën e autenticitetit. Me punimin e tij janë marrë Andi Rëmbeci, - lektor i Paleografisë dhe Historisë së Bizantit në Universitetin e Tiranës dhe Sokol Çunga, - arkivist/paleograf në Arkivin Qendror Shtetëror.

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)