Rrugës për në Vuno e Dhërmi shikohen një sërë kishash e manastiresh. Përveçse jashtë funksionit për rite fetare, këto kisha nuk janë të hapura as për kureshtjen e turistëve. Madje në rastin e Kishës së Shën Mëhillit në Vuno, strehohen gomarët
Sot duket se njerëzit nuk kanë frikë më as nga mallkimi i Zotit! Këtë ide duhet ta ketë provuar shumëkush, teksa ka vizituar objekte kulti, kryesisht kisha, të shekujve të shkuara. Afreske të dëmtuara sa nga natyra aq edhe nga njeriu, godina të shkatërruara dhe në pjesën më të madhe të braktisura. Në to nuk lutet më askush. Rrugës për në Vuno e Dhërmi has të njëjtën situatë. Përveçse jashtë funksionit për rite fetare, këto kisha nuk janë të hapura as për kureshtjen e turistëve. Një vit më parë, disa prej atyre që ndodhen jo larg rrugës mundëm t’i shihnim vetëm nga larg. Disa javë më parë, një grup specialistësh nga Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore mundën t’i shihnin në brendësi këto kisha. Sigurisht duke kërkuar aty apo këtu, te ndonjë banor i fshatit çelësin për të hapur derën. Në fakt për guidë duhet të kesh ndonjë njohës të mirë të zonës. Në rrugën kryesore nuk ka asnjë tabelë apo shënim që të tregojë ekzistencën e këtyre objekteve. Qoftë kisha apo manastire. Për to nuk kujdeset askush, qoftë edhe si destinacione të mundshme për turistët që veçanërisht verës dynden në Jug. Ndonëse të vogla nga jashtë, secila prej tyre është e dekoruar me piktura murale në pjesën e brendshme, diku më të ruajtura e diku tjetër mjaft të dëmtuara. Kisha e Shën Mëhillit në Vuno është një prej këtyre objekteve të kultit. Ndodhet në pjesën lindore të Manastirit të Shën Spiridhonit. Jaho Brahaj, specialist në QKIPK, tregon se kanë mbetur të shtangur kur kanë hapur derën e kësaj kishe. Brenda saj qëndronin gomarë. Siç shihet edhe në foto, në dyshemenë e gurtë të kishës dallohen bajgat. Një funksion i ri ekstrem për këtë objekt kulti, i ngritur që njerëzit të kryenin ritet e tyre fetare. Në të shkuarën ka pasur raste të ngjashme në qytete të tjera. Sigurisht, 50 vite diktaturë dhe një luftë për shkatërrimin e kishave ka sjellë indiferentizmin e sotëm ndaj këtyre objekteve. Aty ku ndonjë banor i fshatit ka dalë vullnetar të paktën sa për të ruajtur fizikisht ndërtesën, ka më pak dëmtime. Raste të tilla janë të pakta. Në një rast më fatlum, Bashkia e Himarës mund t’i shfrytëzonte këto objekte si destinacione turistike për të pasionuarit pas kulturës apo trashëgimisë. Të braktisura, një pjesë e mirë e këtyre kishave po rrënohen. Çatitë e tyre janë dëmtuar dhe gjatë dimrit uji rrjedh në brendësi. Janë të dallueshme pasojat. Kupola e dekoruar e Kishës Ipapandia në Dhërmi është çarë në një pjesë të konsiderueshme të saj. Ndërkohë vragat e ujit janë të dallueshme në mur. Në gjatësinë e tyre afresket, në mos janë zhdukur tërësisht janë zbehur. Në raste të tjera, shkatërrimit i kanë ndihmuar edhe njerëzit. Për analogji të kujtohen kishat e Voskopojës, ku mbi apo përmes kokave të dishepujve, janë të shumtë ata që janë kujdesur të lënë një dëshmi shkarravine. Në rrugëtimin e mëtejshëm drejt këtyre kishave, specialistët janë ndalur edhe në Kishën e Manastirit të Shën Mërisë në Dhërmi. Kjo kishë, ende në përdorim, duket të ketë një fat më të mirë se të tjerat. Është deri-diku më e mirëmbajtur, por duket qartë mungesa e dorës së specialistëve të monumenteve. Tavani i ribërë (nuk dihet se me çfarë fondesh dhe nga kush) ka prerë në mes pikturat murale. Nga sa kuptohet, tavani ka shkurtuar lartësinë origjinale të kishës duke fshehur edhe pjesën e mbetur të këtyre afreskeve e duke gjetur një zgjidhje të shpejtë. Fate të ngjashme kanë edhe mjaft kisha apo manastire të tjera të zonës, jo domosdoshmërisht të gjitha monumente kulture. Informacioni që mund të marrësh për to është i cunguar, më shumë çfarë mund të të rrëfejë ndonjë kalimtar i rastit me ato që ka dëgjuar. Për paralelizëm m’u kujtua një udhëtim i disa ditëve më parë në Shën Naum. Pasi kalon doganën e Tushemishtit dhe atë maqedonase, në rrugën e shkurtër që të çon drejt vendit turistik hasa rreth 2-3 tabela. Ishin vendosur në shtigje të ngushta, që të çonin po në kisha të vogla. Tregonin se po të ndiqje atë shteg që largonte nga rruga kryesore, do të gjeje një kishë që datonte në këtë apo atë shekull.
Krijoni Kontakt