TIRANË-Ende mister fati i 10-vjeçarit Julian Çela të zhdukur në rrethana të paqarta prej pasdites së 30 Nëntorit në zonën e Laprakës në Tiranë.
Familjarët e Julianit nuk e kanë marrë veten ende nga tronditja që u ka shkaktuar humbja e djalit, por presin me gjak të ngrirë për çdo informacion të ri.
Sot të afërm të Julit, ofrojnë një shumë parash për këdo që jep informacion mbi djalin e mitur, ndërsa kanë vendosur në dispozicion 3 numrat telefoni për kontakt mbi çdo person që ka informacion.
Numrat e telefonit janë, 0696503814, 0694321796, 0685804565.
Babai i Julianit
Babai i Julianit një ditë më parë në "Gazeta Shqiptare" shprehet se “Nuk kam asnjë informacion për tim bir”. Kjo fjali e nëndrejtorit të Antiterrorit të SHISH-it, ka mjaftuar për të kuptuar se, kur kanë kaluar ditë nga zhdukja e mistershme e djalit të tij, ende nuk ka asnjë të dhënë se ku mund të jetë ai.
Në një lidhje telefonike për “Gazetën Shqiptare”, babai i Julianit, që rezulton ende i zhdukur, Skënder Çela, nuk pranon të prononcohet më gjatë, por nga fjalët e tij lë të nënkuptohet mërzia dhe stresi që i ka sjellë kjo ngjarje. “Jam i lodhur nga këto historitë që botojnë mediat. Mua në këto momente më intereson vetëm që të gjej djalin tim”, - ka vazhduar bisedën e tij telefonike, Skënder Çela. Nëndrejtori i Antiterrorit të SHISH-it, nuk pranon që të komentojë më gjatë rreth fakteve të reja që kanë dalë në media, por është mjaftuar duke thënë vetëm “Nuk janë të vërteta ato që thuhen aty”. Por Çela nuk ka pranuar të japë fakte të tjera apo edhe që të hedhë dritë mbi të vërtetën rreth djalit të tij, pasi ai ka nxituar që t`i japë fund bisedës me fjalën: “Nuk kam çfarë t`ju them më. Në këto momente e kam mendjen në vend tjetër”. Mjaftojnë fjalët e tij për të kuptuar gjendjen e tij emocionale, për të kuptuar mërzinë që e ka kapluar babain e Julianit, pasi kanë kaluar më shumë se 10 ditë që nga zhdukja e djalit të tij 10-vjeçar.
Pistat
Ende nga policia nuk ka asnjë të dhënë për 10-vjeçarin Julian Çela, madje policia hedh poshtë të gjitha pistat e tjera që janë ngritur për këtë çështje, duke u fokusuar më tepër tek pista e largimit me dëshirë të Julianit nga shtëpia, shrkuan GSH. Ndërkohë, mësohet se forcat e policisë kanë kontrolluar të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë së 80 bizneseve në kryeqytet. Sipas policisë, po kontrollohen të gjitha pamjet filmike të këtyre kamerave, material që shkon deri në 150 giga bite. Burime nga policia theksojnë se janë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve që ndodhen në rrugët kryesore, ku mendohet se mund të ketë kaluar Julian Çela, duke filluar nga zona e Laprakës, Don Boskos, Stacioni i Trenit, qendër dhe deri në Kamëz. Sipas policisë, qëndron pista se 10-vjeçari është larguar me dëshirë nga shtëpia. Madje, këtë hipotezë duket se e vërtetojnë edhe kolegët e punës e nëndrejtorit të Antiterrorit të SHISH-it, sipas të cilëve “Juliani ishte djalë i zgjuar, por ishte i përkëdhelur dhe në momentin që dikush i fliste, ai mërzitej dhe shpesh largohej nga shtëpia për të dalë me shokët”. Por kjo nuk do të thotë se pistat e tjera të ngritura për zhdukjen e Julianit të mos merren në konsideratë, pasi mësohet se Prokuroria po heton edhe për pistën që mund të çojë në një lidhje mes funksionit të Skënder Çelës në strukturat e SHISH-it dhe zhdukjes së djalit të tij.
Krijoni Kontakt