
Postuar më parë nga
Akili-A
Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës për Çështje të Europës Jugore e Qendrore, Byroja e Çështjeve të Europës dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit të SHBA flet për Top Channel. Ai thotë se retorika nacionaliste bëhet për të shpërqëndruar vëmendjen nga problemet ekonomike e demokratike
Z. Moore, do të doja pikësëpari të pyesja cili është qëllimi i udhëtimit tuaj në Tiranë?
Faleminderit shumë. Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu. Që nga fillimi i muajit gusht jam Drejtor në Departamentin e Shtetit, me përgjegjësi për Shqipërinë dhe gjashtë vende të tjera në rajon. Prandaj, kam qenë këtu për disa ditë, me kolegë të Ambasadës së SHBA dhe gjithashtu për t’u takuar me përfaqësues të jetës politike e publike këtu në Shqipëri.
Si mendoni, cili ka qenë mesazhi që mori Sekretarja Clinton nga vizita e saj në Shqipëri?
Mund t’ju them se, siç ju dhe qytetarët e tjerë shqiptarë e dinë, Shtetet e Bashkuara i janë shumë mirënjohëse Shqipërisë për mikpritjen e treguar ndaj Sekretares Clinton. Ishte një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme. Ajo donte të vinte patjetër në Shqipëri sa kohë ishte ende Sekretare e Shtetit dhe erdhi, pjesërisht për të marrë pjesë në festimet tuaja të përvjetorit të 100-të por edhe për të theksuar vazhdimësinë e partneritetit dhe miqësisë së Shteteve të Bashkuara si dhe dëshirën e SHBA për të parë hapa të mëdha veçanërisht nga parlamenti për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Europian.
Si e shihni intensifikimin e retorikës nacionaliste nga politikanët në Shqipëri, përfshirë edhe nga Kryeministri? Mendoni se kjo valë retorike nacionaliste po rritet për shkak të vakumit të besimit të humbur të qytetarëve në sistemin që kemi aktualisht?
Do të vija në dukje një numër gjërash duke qenë se kam avantazhin të punoj me shtatë vende në rajon. Mendoj se kemi parë pasoja të tmerrshme, përfshirë krime lufte, nga nacionalizmi i tepruar, në veçanti ato që kanë përfshirë serbët etnikë dhe Serbinë nën shërbimin e Milosheviçit. Kemi parë gjithashtu nacionalizëm të tepruar nën regjimin e Tuxhman në Kroaci. Nacionalizmi është diçka që të gjithë ne duhet ta luftojmë. Kam dëgjuar gjithashtu se ka shumë njerëz këtu në Shqipëri të cilët janë të frustruar me Partinë Demokratike e me Partinë Socialiste, apo dhe parti të tjera, dhe tërhiqen më shumë nga lëvizje dhe ide që janë më shumë nacionaliste. Por më lejoni t’ju them se kam besim se Shqipëria dhe shqiptarët kanë tani sovranitetin e tyre, shtetin e tyre demokratik dhe të sigurt dhe nuk kanë nevojë të ecin në drejtime nacionaliste dhe se me të vërtetë nuk do ta bëjnë këtë. Ka sigurisht interes në mes të shqiptarëve të diasporës dhe në vendet fqinje dhe kjo është sigurisht e kuptueshme, por ka qenë shumë e rëndësishme të dëgjoja nga të gjithë ata me të cilët kam folur se Shqipëria nuk ka qëllime, nuk ka dëshirë të ndryshojë kufijtë e saj dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm si për njerëzit në këtë vend ashtu edhe për fqinjët tuaj.
Në 20 vitet e kaluara, qeveria e SHBA ka treguar vëmendje të veçantë ndaj stabilitetit në Ballkan. Mendoni se deklarata të tilla, retorika e politikanëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Greqi mund ta destabilizojë rajonin? Dhe cili do të jetë qëndrim i SHBA nëse kjo do të ndodhte?
Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ndaj stabilitetit të këtij rajoni. Është një nga arsyet pse Shqipëria është bashkuar me ne në Aleancën e NATO-s. Ka të tjera vende anëtare të NATO-s në rajon, Kroacia dhe sigurisht Greqia, si anëtare prej shumë kohësh. Është e vërtetë që aty këtu ka pikëpamje politike ekstreme, por çështja themelore është sjellja e këtyre vendeve dhe jo retorika e ndonjë individi, apo organizate, dhe, nga kjo pikëpamje, ne kemi shumë besim se rajoni do të vazhdojë të ketë stabilitet. Kjo është një nga arsyet pse NATO, dhe sërish, kjo është një çështje e rëndësishme, roli dhe prania e SHBA është kaq e rëndësishme për ne. Sërish, më pyetët pse po vizitoj Tiranën, dhe kjo është pjesërisht arsyeja, të theksoj rëndësinë që ne në Uashington i japim dhe interesin që ne kemi të merremi me situatën këtu.
E keni fjalën për retorikën nacionaliste, apo jo?
Është e pamundur ta heqësh plotësisht retorikën nacionaliste nga dialogu politik. E gjejmë edhe në skajet e shoqërisë sonë. Megjithatë, më e rëndësishmja për ne janë veprat dhe sjellja e secilës prej qeverive dhe partive politike dhe përqasja e tyre dhe ne besojmë në profesionalizmin e tyre themelor. Është e lehtë të shpërqendrohet vëmendja drejt nacionalizmit, sidomos në kohë si këto kur ekonomia është në kushte jo të mira. E kemi parë në Greqi, për shembull, me një lëvizje shumë shqetësuese. Pra, është një fenomen që nuk e eliminojmë dot; sigurisht pjesë e procesit demokratik, por ajo që është në themel e nevojshme është që një ndjenjë e tillë nacionaliste të mos ndikojë negativisht procesin demokratik apo të pengojë njerëzit të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre.
Cilat janë disa nga shqetësimet e Departamentit të Shtetit për ritmin e reformave drejt integrimit? Shqipëria aspiron të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.
Në radhë të parë, do përsëris fjalët e Sekretares Clinton në parlamentin tuaj një muaj më parë. Është dëshira jonë e madhe ta shohim Shqipërinë t’i afrohet më shumë BE-së dhe të përmbushë tri kërkesat e përcaktuara nga Brukseli përpara takimit të BE-së, i cili zhvillohet pak pas ditësh në dhjetor. Për fat të keq, nuk ishte e mundur. Opozita nuk e mbështeti qeverinë t’i përmbushte këto tri hapa. Kjo tani do të thotë që përballeni me gjashtë muaj të një stine zgjedhore, stinë fushate, ku me gjasë do ketë edhe më pak kompromis se sa ka tani dhe më shumë retorikë e më shumë sfida. Është e rëndësishme që ky proces të fillojë; kam dëgjuar nga shumë njerëz nevojën për të luftuar korrupsionin në nivele të ndryshme të shoqërisë, për të përmirësuar standardet e jetesës, pra për të përmirësuar të ardhmen e popullit shqiptar jo nëpërmjet vendeve të punës, arsimit, investimeve, të gjitha këto janë të lidhura pandashëm me të ardhmen tuaj, jo thjesht në BE, por edhe në rrugën drejt BE-së. Pra janë pika shumë të rëndësishme që u përpoqa t’i theksoja me të gjithë udhëheqësit politikë dhe personat me të cilët kam biseduar. Është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur; nëse është bërë e pamundur për shkak të ngërçit politik përpara zgjedhjeve, duhet të ndodhë menjëherë pas tyre.
Me lejen tuaj, do doja të përqendrohesha pak tek ajo që sapo thatë për integrimin. Çfarë është më me rëndësi për Shqipërinë: që parlamenti të bëjë ligje të bukura por jo t’i zbatojë ato?
Është e qartë që zbatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm por hapi i parë është të bëhen ligjet, të bëhen pjesë e sistemit tuaj ligjor. BE e pranon edhe mes anëtarëve të saj që ka raste kur ligjet ekzistojnë por zbatimi është në proces. Për shembull, Kroacia së shpejti do të bëhet anëtare e BE-së; kanë arritur shumë dhe iu janë dashur shumë vite. Kanë kaluar në shumë faza. Deri tani, kanë kryer vetëm një ndjekje penale të suksesshme ku një ish-kryeministër kohët e fundit u dënua me 10 vjet burg. Duhet kohë. Gjëja e parë është të jenë ligjet dhe pastaj të zbatohen ato. Sigurisht, nëse nuk janë, s’ke ç’të zbatosh. Pra për sa kohë Brukseli ka përcaktuar standardin edhe për ligjin edhe për praktikën që pason ligjin, është me rëndësi të zbatohet hapi i parë./tema
Krijoni Kontakt