Berisha me Haradinajn: Do marr që këtë javë vendim për dhënie shtetësie. Nisma ime sjell paqe e stabilitet
Kryeministri Sali Berisha sulmoi mediat në Shqipëri pse e kanë kritikuar për nismën e dhënies së shtetësisë
Kryeministri Sali Berisha priti në një takim kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i liruar nga akuzat e Tribunalit të Hagës përpara pak ditësh.
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi Haradinajn, ndërsa shtoi se e dinte se akuzat ndaj tij ishin politike. Berisha vlerësoi Gjykatën e Hagës për punën e bërë.
“Kjo vizitë është një ngjarje shumë e rëndësishme në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Vizita e Ramush Haradinajt është një ngjarje e veçantë për të gjithë shqiptarët sepse ai si komandant i luftës Çlirimtare të Kosovës ka luajtur një rol themelor me lirinë e shqiptarëve dhe lirinë kombëtare. Dhe duhet të theksojmë se liria kombëtare është vendosur vetëm me lirinë e Kosovës”, tha Berisha.
I pyetur nga mediat, Berisha mbrojti idenë e tij për dhënien e shtetësisë, duke theksuar se ishte habitur që edhe mediat shqiptare e sulmuan për këtë çështje.
“Lexoni dekretin e ish- presidentit Berisha në korrik 1992. Në atë kohë nuk ishte ky reagim,” tha Berisha, duke shtuar se firmosësit e aktit të pavarësisë ishin nga Kosova e Maqedonia
Berisha tha se do të firmosë një vendim për dhënien e shtetësisë për shqiptarët që kanë investuar e paguar taksa në Shqipëri që këtë javë. Kryeministri tha se ndryshe nga sa druhet Brukseli, nisma e tij sjell paqe e stabilitet.
“Në Shqipëri ka një spektër politik. Në këtë spektër PD pati shansin historik për të qenë partia e rivendosjes së lirive dhe të drejtave njerëzore.
Sa u përket qëndrimeve të mia ndaj shtetësisë shqiptare të shqiptarëve kudo që janë, jam i bindur se kontribuoj më shumë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Nga ana tjetër këto qëndrime janë adaptuar jo nga një, por disa vende të Bashkimit Europian.
Bullgaria mike u jep shtetësinë atyre qytetarëve që duan të marrin shtetësinë bullgare. Nuk e ka bërë këtë as për pretendime territoriale ndaj Maqedonisë.
Këtë javë miratoj vendimin për tu dhënë shtetësinë në përputhje me ligjin ekzistues për shqiptarët për interesa ekonomike. Ata i kanë paguar taksat, i kanë paguar detyrimet,” tha Berisha.
Edhe Ramush Haradinaj e vlerësoi këtë nismë, duke thënë se e sheh si një zbatim i një të drejte për shqiptarët që janë jashtë kufijve.
Haradinaj tha se janë të nderuar që si parti kanë partnere PD-në në Shqipëri.
Krijoni Kontakt