-
"hafizët e prizrenit me rrethinë" (1912-2012)
Botime të reja: Hafizët e Prizrenit me rrethinë (1912-2012)
Këto ditë, fundi i muajit nëntor, 2012, doli në dritë në Prizren, libri me titull ”Hafizët e Prizrenit me rrethinë (1912-2012) nga Faik Miftari.
Boton:
Këshilli i Bashkësisë Islame – Prizren
Për botuesin:
Lutfi ef. BALLËKU
Autori:
Faik MIFTARI
Recensentë:
Mexhid YVEJSI
Sadik MEHMETI
Redaktor gjuhësor:
Mexhid YVEJSI
Rradhitja & Kopertina:
Rexhep IBRAHIMI
Shtypi:
VERTIGO, Prizren, 2012
Tirazhi: 1000 copë
Përurimi i librit “Hafizët e Prizrenit me rrethinë (1912-2012)
Ditën e shtunë, më 25 nëntor, 2012, pas namazit të jacisë, n’ora 19, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në qendër të Prizrenit, u zhvillue përurimi i librit të autorit Faik Miftari ”Hafizët e Prizrenit me rrethinë (1912-2012).
Në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës në Prizren, e cila ishte e mbushur përplotë me dashamirë të librit, në krye me hoxhallarë, hafizlerë, familjarët e tyre, përurimi i librit, organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit, që është edhe botuesi i këtij libri, u zhvillue me këtë renditje:
Moderatori i përurimit, hoxha Orhan Bislimaj e hapi këtë ngjarje të rëndësishme kulturore duke e ftuar hoxhën e nderuar, hafiz Daut ef.Lezi, i cili këndoi një ashere nga Kur’ani, që me zërin e tij të mrekullueshëm, që ia ka dhuruar Zoti, i mahniti të pranishmit.
Lutfi ef. Ballëku, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit mbajti fjalën përshëndetëse, foli për vlerën e librit, rëndësinë e hivzit.
Resul ef. Rexhepi, ardhur nga Prishtina, si përfaqësues i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, përshëndeti gjithashtu.
Pas përshëndetjeve nga zyrtarët e lartë të Bashkësisë Islame, moderatori ftojë në foltore, një nga një, recensentët e librit shkrimtarin, Mexhid Yvejsi nga Gjakova dhe Mr. Sadik Mehmeti nga Prishtina, të cilët për kumtesat e tyre profesionale u përcjellën me vëmendje e duartrokitje.
Pas kumtesave filluan diskutime të ndryshe rreth librit, autorit, nga personalitete të njohura. Në këto diskutime të dobishme vlenë të përmendën: mësuesi i autorit të librit, z.Ruzhdi Daku, kurse z.Munir Basha, djali i hafizit të shquar hafiz Safet Basha, foli e pëshëndeti në emër të 137 hafizëve të shënuar në librin e z.Faik Miftarit.
Diskutimet, urimet, mendimet e tyre i shprehën me dashamirësi edhe nënkryetari i Prizrenit z.Rexha, teknologu z.Lulëzim Kabashi, i cila, përveç tjerash tha se “Është dëshmuar se shpirtërorja ka përparësi ndaj materiales”...
Dhe më në fund, fjalën përfundimtare e mbajti autori i librit, z.Faik Miftari, i cili me fjalë të zgjedhura falënderoi të pranishmit, falënderoi botuesin, Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, në veçanti shprehu mirënjohje e falënderime për dy recensentët e librit, z. Mexhid Yvejsi nga Gjakova dhe studiuesin mr. Sadik Mehmeti nga Prishtina...
Pas përurimit, vazhduen urimet, diskutimet e lira ndërmjet miqëve e dashamirëve të autorit me një koktej modest, me muhabet të shkurtër, por që do të mbahet në mend gjatë...!
Çfarë përmbanë ky libër?
Kanë thënë se libri është i vetmi kopsht që mbillet për të tjerët!
Në këtë libër janë mbjellur për ne, e për të tjerët që vijnë pas nesh, jetëshkrimet e mbi 100 hafizëve të Prizrenit me rrethinë. Me jetëshkrimet e tyre, sigurisht, do të kemi më të ndritshme historinë, do ta kemi më të qartë ardhmërinë...!
Libri ka 199 faqe, aty janë shënuar, përveç parathënies, emrat e 137 hafizëve nga Prizreni me rrethinë, ka fotografi, ka shënime, diku më pak, diku më shumë, për secilin hafiz, prej të cilëve 135 janë meshkuj, kurse tri hafize janë femra, hafize Asija Sheqerxhiu, hafize Ardiana Alishani dhe hafize Xhansu.
Hafizët e Prizreni me rrethinë, sipas librit të Faik Miftarit, dëshmohet se përveç që i shërbyen çështjes fetare, i shërbyen edhe çështjes kombëtare...
Këtu po paraqesim vetëm tre shembuj:
Hafiz Hëzër Zhuri, djali i Jusuf Zhurit, lindur në Prizren në vitin 1871,
ishte kurra, njohës i shquar i shtatë mënyrave të këndimit të Kur’anit. Kur ishte në shëbimin ushtarak, gjatë kohës së Perandorisë Osmane, ku ka shërbye shtatë vjet në kazermën ushtarake Selimije në Stamboll. Një ditë gjatë rreshtimit para kolonelit osman, i cili bëri revistën e ushtarëve, kur iu afrua ushtarit hafiz Hëzër efendisë, e pyeti se si quhet dhe prej kahit është? Hafizi shqiptar, edhe pse shërbente si ushtar i thjeshtë në ushtri, u përgjigj me krenari:
” Këtu në ushtri shokët më thirrin ”gaur oğlu gaur”, që do të thotë “kaurr djalë kaurri” meqë që jam nga Rumelia, nga Vilajeti i Kosovës, ndërsa në Prizren, qyteti ku jam lindur dhe jetoj më thërrasin ” hafiz Hëzër Kurra”!. Koloneli osman mbeti i mahnitur, i habitur nga kjo përgjigje.
Hafiz Hamit Smani, lindur më 1884, një hafiz atdhetar, në vitin 1946, nga shërbimi sekret i UDB-ës jugosllave ftohen të gjithë imamët për ta bindur popullatën se duhet të hiqet ferexheja nga femrat muslimane. Hafiz Hamit Smani me guxim i kundërshton duke u thënë: "Nuk shitet feja për pare".
Hafiz Qazim Kululeri, lindur në vitin 1909 në Prizren, nuk e fliste gjuhën shqipe mirë, por ishte atdhetar. Një herë, një serb i njohur në Prizren e pyet:
”Si mund të jeshë shqiptar kur nuk din shqip?”
Hafiz Qazimi, i përgjigjet:” Unë mund të flasë edhe frëngjisht, por askush s’ka të drejtë të më mohon kombin, unë jam shqiptar dhe jam krenar!”
Secili njeri ka mundësi të mëson përmes dy mënyrave, njëra është përmes leximit, kurse tjera është përmes shoqërimit me njerëz të mirë!
Duke lexuar këtë libër, jo vetëm që mësojmë, por edhe njerëzit e mirë duket se po na shoqërojnë! Ky libër është shkruar me vështirësi, lexohet me lehtësi dhe secilin lexues e çon në lartësi!
Në lartësi ishin edhe hafizët e shënuar në këtë libër, sepse ishin besimtar, dijetar, atdhetar...! Hafizët e nderuar që kanë ndrruar jetë, Allahu (xh.sh.) i shpërbleftë me Xhennet! Kurse, hafizët që janë gjallë, nëse më shumë punojnë, kanë mundësi t’i tejkalojnë parardhësit, kështu mund të bëhën shembull për pasardhësit. Amin! Ashtu qoftë! Ashtu u boftë!
Mexhid YVEJSI,
Gjakovë, 26 Nëntor 2012
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt