
Postuar më parë nga
Edvin83
Shqipëria dhe një fqinj drejt falimentimit
Publikuar më 02.12.2012 | 15:39
Në një anketë të bërë së fundmi nga gazeta më e madhe gjermane “Bild” kërkohet që grekët të përjashtohen nga BE-ja. 80% e qytetarëve të vendit më të fuqishëm në Europë nuk pranojnë që të paguajnë para për të ndihmuar Greqinë dhe rreshton arsyet pse. Nuk ka fatura, nuk ka kasa fiskale, taksistët, kamerierët, lulishtarët; pothuajse askush në sektorin e shërbimit nuk lëshon fatura. Kur u bë një përpjekje e ekzekutivit që karburantet të kishin kasa fiskale, pati grevë. Rreth 30% e ekonomisë greke është në të zezë. Gjithashtu kaosi me taksat, fshehja e tyre është si një lojë fëmijësh. P.sh mjekët e njohur në lagjen luksoze të Athinës, Kolonaki, deklarojnë të ardhura mujore nga 300 deri në 1000 euro. Shembuj të tjerë: politika luksoze, parlamenti gjigant (300 anëtarë, 4 herë më shumë për votues sesa Bundestagu) u paguan deputetëve 16 rroga mujore në vit, përveç kësaj kanë edhe zyra e makina shërbimi. Ne total, Greqia ka 50 000 makina për nëpunës e politikanë. Kostot: 350 milion euro në vit. Greqia gjithashtu konsiderohet si kampione e Europës në borxhe: në mënyrë që të vjedhin euro, Greqia prej kohësh ka falsifikuar bilancin shtetëror, grekët kanë në total 300 miliard euro borxhe, deficiti i shtetit është rreth 12.7 % (3% është norma e lejuar nga BE-ja) një rekord europian. Po t’i referohemi analizave të specializuara, efekti kryesor jashtë Greqisë, duket se do të jetë reduktimi i kredisë që bankat greke kanë dhënë në vende si Bullgaria, Rumania, Shqipëria etj. Pasojat më të mëdha pritet t’i ketë Bullgaria, vend në të cilin kreditë vjetore të bankave greke kanë arritur shumën e 1 miliard eurove. Në rastin e Shqipërisë, mendoj se nuk duhet të ketë vend për panik, për faktin se ato që janë prezent në Shqipëri janë degë të bankave greke dhe funksionojnë si banka të veçanta të pavarura në mënyrë direkte nga qendra. Përveç rënies së remitancave, ndikim negativ mund të ketë edhe sektori i industrisë sepse një pjesë e kompanive prezent në tregun shqiptar janë me kapital dhe porosi greke. Pra “nuk përjashtohet mundësia që Greqia në fund megjithatë të deklarojë se nuk është në gjendje ta kthejë borxhin”, – vlerëson gazeta britanike “The Economist” e cila kujton atë që ndodhi me Argjentinën në vitin 2001 kur ky vend pas kaosit disa mujor në të cilën ra sektori i saj bankar publikoi se nuk ishte në gjendje të kthente kredinë prej 81.8 miliard dollarësh.
Irvin Faniko / Master në të Drejtën e Punës
Krijoni Kontakt