Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhemis
    Anëtarësuar
    17-11-2003
    Vendndodhja
    Iliri
    Postime
    1,430

    A është feja opium për masat?

    A është feja opium për masat?

    http://lidhjahoxhallareve.com/al/ind...=41&Itemid=258

    Në artin e drejtimit të masave, një ndër modalitetet më të përdorura –dhe që përdoret akoma- është: “Sulmi ndaj rivalit (armikut) politik si propaganda më efikase për të fituar hegjemoninë ndaj rivalëve politike. Kjo ndodh sepse duke e përdorur tjetrin si objekt sulmi, akuzuesi synon të ulë vlerat e subjektit të sulmuar dhe njëkohësisht me anë të efektit rikoshet ai thur lavde ndaj figurës së tij duke e ngritur veten në piedestal në mënyrë indirekte’’. Kjo gjë krijon tek masat impaktin psikologjik të autoritetit të vlerave që lufton për t’i shpëtuar ata nga “të ligat” që i kanosen, çka i nënshtron edhe më shumë masat dhe krijon bazë mbështetje prej tyre. Njëkohësisht kështu reduktohen dhe demoralizon edhe më shumë kundërshtarët politik. Prandaj gjejmë në histori se çdo diktator e kishte –të nevojshme- një armik të jashtëm dhe të brendshëm. Përveç armikut të jashtëm (imperialistëve perëndimor), ndër armiqtë kryesor të brendshëm për komunistët ishte edhe religjioni si doza më e keqe “opiumale” për popullin. Në fakt, ideologjia komuniste nuk synonte në vetvete borgjezinë dhe elitat e shoqërisë -ajo për ta ishte një mjet për të arritur qëllimin- sesa synonte ideologjinë e djathtë, e cila në vetvete origjinën e ka tek religjioni: “Zoti i trashëgoi njeriut tokën dhe trashëgimia (pronësia) është e shenjtë.’’ Komunistët e dinin se nga ky nocion lindte më pas e drejta e pronës private, renta e tokës, sipërmarrjes, tregtisë, industrisë dhe industrializimit dhe në fund ndarja e klasave. Po të vëmë re ideologjia komuniste kundërshtonte me forcë të gjitha këto hallka të zhvillimit shoqëror. Pas shekujsh të edukimit të shoqërisë njerëzore me idenë e “pronarit dhe punëtorit’’, apo “borgjezit dhe proletarit’’, Marksi dhe Engëlsi -ndryshe nga disa komunistë të tjerët që e kërkuan këtë ndryshim me arsimim- ngulmuan që me dhunën e revoltës proletare të rrëzohej borgjezia dhe uzurpatorët që përndanin dhe shpërndanin në mënyrë të pa drejtë të mirën publike. Sipas disa historianëve, ideja se mjeti justifikon qëllimin, u përdor nga komunistët, sepse ata e dinin shumë mirë që lufta ideologjike e nisur prej tyre ishte e humbur që në fillim dhe në mungesë të aftësive dhe fuqive dogmatizuese ata u strehuan tek dhuna. Duke ditur këtë, hartuesit e propagandës komuniste në përpjekje për të neutralizuar ideologjitë fetare u përqendruan në tre pseudo-teza kryesore: “Komunizmi si evolucion shkencor i njerëzimit, Feja (këtu përfshiheshin edhe ideologjitë e djathta) si prapambetje e njerëzimit dhe Objektet e kultit si burime indoktrinomi të pa drejtë”.



    • Për të sendërtuar të parën ata u bazuan te teoritë Darviniane, sidomos ajo e evolucionit. Pikë së pari, siç dihet gjerësisht edhe tek studiuesit e shkencave ekzakte çdo teori mund të ndryshojë në çdo kohë. Pra, vet teoria është një tezë e ngritur pas shumë eksperimentesh dhe konkluzionesh të një grupi studiesish, e cila mund të hidhet poshtë në çdo kohë nga një zbulim i ri. Fjala bie në Amerikë, një tjetër teori ecën në mënyrë paralele me teorinë e Darvinit, e cila e hedh poshtë teorinë e evolucionit me fakte shkencore. Ajo quhet teoria e kreacionizmit. Edhe sikur ta merrnim të mirëqenë teorinë e Darvinit si teori dominuese (në botën e civilizuar ajo trajtohet si çdo teori tjetër) prapë se prapë në vetvete një teori nuk disponon kapital legjitimues për përdorimin e dhunës dhe forcës nga aparati shtetëror. Këtu komunistët nuk dalluan nga religjiozët e mesjetës që shpallnin luftë për hir të idealit fetar.

    • Për pikën e dytë, ata emetuan idenë se feja është regres për njerëzimin. Në fakt komunistët nuk e kuptuan se prapambetja apo progresi, s’ka të bëjë me moralin apo fenë, por ka të bëjë pikërisht me shfrytëzimin e natyrës (materies) në dobi të racës sonë. Pra ishte revolucioni industrial ai që po e çonte njerëzimin përpara, ndërkohë që ky zhvillim ishte i pranueshëm edhe nga feja. Komunistët ishin ata që në këtë fushë e çuan racën tonë të paktën gjysmë shekulli pas me teoritë e tyre se: “Shtimi makinerive dhe pajisjeve do rrisë papunësinë” apo me teorinë tjetër se: “Shtimi kapitalistëve do t’i çojë ata në luftë mes vetes për të mbijetuar”. Kështu ata legjitimonin monopolin dhe centralizimin e ekonomisë. Edhe kjo tezë bëri që kudo në botë vendet komuniste të prodhonin skarcitete dhe mallra pa ndonjë vlerë të brendshme, mallra që ishin monopol dhe subvencionoheshin dëshpërimisht nga shteti, ndryshe nga teoritë e djathta ku nxitet konkurrenca e lirë dhe e ndershme me anë të avantazheve krahasuese dhe konkurse, të cilat në vetvete nxisin rritjen e kualitetit dhe ekuilibrojnë çmimin e mallrave në pikën optimale të tregut.

    • Për sa i përket objekteve të kulteve ata i konvertuan kishat dhe xhamitë në qendra kulturore dhe muze arti, të cilat në vetvete ishin një propagandë e pastër komuniste. Po të flisnim me gjuhën e tyre, media dhe arti në atë kohë ishin konvertuar në doza morfinogjene për të qetësuar dhimbjet e masës. Të gjitha “gjetjet” në fakt hedhin dritë mbi “impotencën ideologjike” të ideatorëve të komunizmit. Sepse, pikë së pari partia-shtet kudo në botë, në përpjekje për të luftuar klasat krijoi pa dashje klasën më të madhe dhe më të padrejtë sunduese, atë të qeverisë që grabiti dhe mori në dorë çdo gjë. Pikë së dyti në tentativë për të luftuar fenë, komunizmi u ndërtua mbi baza fetare, si ndihmesa e të varfrit duke e marrë pasurinë nga të pasurit dhe më pas shpërndarja e saj tek të varfrit. U prishën kultet fetare, por u ndërtua kudo në vend kulti i Diktatorit. U përhapën thënie pothuajse teologjike si: “Degjenerimi moral sjell degjenerim politik”, “degjenerimi familjar si qelizë kryesore e shoqërisë shkatërron shoqërinë” etj. Dëmet kryesore të komunizmit vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot. Ato përhapën te masa idenë se ligjin e bën më i forti, duke shtypur kështu instinktin e dallimit midis asaj se çka është e drejtë dhe çka jo. Po ashtu njerëzit u brumosën me idenë e legjitimimit të forcës dhe shfuqizimit të drejtësisë prej saj. Kjo gjë vazhdon të mbajë në këmbë te ne kulturën e pandëshkueshmërisë. Gjithashtu akoma nuk na është hequr nga mendja koncepti organik që kemi për shtetin dhe që vet shteti ka ndaj vetes dhe që në vetvete nuk po lejon përhapjen e konceptit mekanicist ku shteti shikohet si një mjet që është në shërbim absolut të qytetarit. Ndër këto pasoja, nuk bën dallim as religjioni të cilin akoma e shohim si “opiumin” e dëmshëm të shoqërisë, ndërkohë që “Opiumi” i vërtetë akoma s’na ka dalë.

    Eseoi

    Enklid PELARI
    Celesi i Parajses:Ska hyjni tjeter pervec Zotit, dhe se Jezusi dhe Muhamedi a.s jane profetet e Tij.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhemis
    Anëtarësuar
    17-11-2003
    Vendndodhja
    Iliri
    Postime
    1,430
    RELIGJIONI SI OPIUM DHE OPIUMI SI RELIGJION

    Religjioni, kjo fjalë që vjen nga gjuha e vdekur, por që vetë vazhdon të jetë e gjallë pothuajse në të gjitha gjuhët e Perëndimit, etimologjikisht domethënë lidhje. Por sado që etimologjia e një fjale përmban në vete një realitet konceptual, fjala si fjalë mund të marrë ngjyrime të ndryshme kuptimore, varësisht botëkuptimit nga i cili i qasemi. Sidoqoftë, etimologjia gjithmonë dëshmon se fjala është një racionalitet i shprehur njëmendësisht nga njeriu që është gjallesa e vetme që tingullin e kthen në fjalë. Duke pasur mundësinë që tingulli të mos mbetet në nivelin e klithmave, pëllitjeve apo cicërimave, njeriu identifikohet me fjalët por jo çdoherë me të njëjtat fjalë shfaq të njëjtin realitet. Si për mistikun, ashtu edhe për materialistin religjioni nënkupton lidhjen, mirëpo lidhjes të cilës i referohet i pari, nuk i referohet edhe i dyti. Ç’vlerë mund të ketë religjioni për njeriun që më shumë e vlerëson farën e cilësdo bimë sesa farën e tij? Është thënë se konceptet janë të kuptuarit e mendimeve dhe jo të fjalëve, por a mund të jetë religjioni më shumë se fjalë, për njeriun që aq sa është mosdyshues për mundësinë se një kokërr gruri ose një patate nuk shpërbëhet me futjen e saj në dhe (pavarësisht kohës sa qëndron aty pa dhënë shenjë gjallërie), aq është dyshues ose më drejt, mohues i mundësisë se fara dhe qenia e tij mund të ripërtërihen sërish mbas frymës së tij të fundit. Çdonjëri pranon se një farë e bimës ngjallet kur të jetë futur në tokë dhe të ketë kaluar një interval jo të shkurtër kohor, por jo çdonjëri mund të pranojë se kur të jetë futur vetë në dhe (bashkë me farën e tij), mund të ringjallet për të përjetuar një realitet tjetër. Njeriu që beson më shumë në farën e një lloji me zhvillim pakrahasueshmërisht më të ulët se zhvillimi i tij, religjonin mund ta përceptojë ose si sëmundje, ose si mundësi për të përfituar privilegj shoqëror dhe material. S’do mend se edhe sëmundja, edhe dëshira për privilegje janë të pranishme tek njerëzit që identifikohen me religjonin, ashtu siç nuk do mend se të njëjtat zënë vend edhe tek njerëzit që nuk identifikohen me të njëjtin. Nëse ekziston dëshira për diçka që na bën të ndihemi mirë (apo që e konsiderojmë të mirqenë), por mungojnë kushtet për ta realizuar atë praktikisht, atëherë shfaqet dhimbja. Njeriu nuk mund ta durojë këtë dhimbje, prandaj vazhdimisht kërkon alternativa për ta realizuar dëshirën e tij, dhe njëra nga këto alternativa, (mbase më e përshtatshmja), është religjioni. Poashtu, jo të pakta janë rastet kur në një shoqëri mund të gjesh individë që kryekëput identifikohen me nje teologji të caktuar të cilën e kanë gëlltitur pa e përtypur dhe si pasojë e kësaj, pavetëdije, ndihmojnë në realizimin e oportunizmit të dikujt tjetër. Dhe jo vetëm kaq. Të njëjtit përpiqen të mbrojnë doktrinën në të cilën janë zhytur, qoftë edhe dhunshëm, ndërkaq të mbrosh një doktrinë në një mënyrë të tillë të pakompromis, domethënë të mos e kesh kuptuar atë doktrinë, që sërish na e kujton shembullin e mëparshëm: të gëlltisësh pa papërtypur, të çosh në stomak një ushqim para se receptorët e gjuhës ta kenë pranuar shijen e tij dhe pastaj të flasësh për atë ushqim. Në rastet e tilla religjoni është opium që le të kuptojë se disa bindje janë shprehi, e mbi të gjitha, sëmundje. Sëmundja është përkufizuar si prania e një elementi të huaj në organizëm, mirëpo elementet e huaja apo ndryshe, viruset, nuk janë vetëm thjesht fizike dhe nuk e sulmojnë gjithnjë vetëm trupin duke shkaktuar çrregullime vetëm në rrafshin biologjik. Ekzistojnë viruse që ndryshe mund t’i quajmë edhe ide që nuk përkojnë me natyrshmërinë njerëzore, të cilat mund të futen edhe në rrafshin psikik dhe prania e tyre e sulmon personalitetin e njeriut duke shkaktuar njëfarë inflacioni mendor. Duke qenë në këtë gjendje, njeriu botëkuptimin e tij e formon duke pasur për bazë përjashtimin e të gjithë të tjerëve që nuk mendojnë si ai dhe jeton me dëshirën, pritjen dhe pretendimin që të tjerët të jetojnë sipas përfytyrimit dhe shijes së tij, dukuri kjo që përmblidhet në një emër të vetëm: egoizëm. Me mbizotërimin e religjionit opium, në truallin e filozofisë perëndimore janë zhvilluar dy mendime: që religjonin e kanë shpikur të varfërit për të ndikuar tek të pasurit dhe e kundërta, që religjonin e kanë shpikur të pasurit për të manipuluar me të varfërit. Gjithashtu, në fushën e psikologjisë, respektivisht në fillesat e psikoanalizës, religjioni është cilësuar si sëmundje dhe njeriu i sëmurë është marrë si bazë për zhvillimin e teorive të personalitetit dhe si model për studimin e të gjithë njerëzve. Sidoqoftë, perspektiva materialiste nuk ka bërë ndonjë përzgjedhje apo dallim ndaj religjiozitetit si prirje burimore dhe e natyrshme e njeriut që dëshiron ta njohë veten dhe pozicionin që i takon në univers dhe religjiozitetit si mundësi për t’i përligjur veprimet oportuniste dhe autoritariste. Figurativisht, meqë buka është helmuar, është fajsuar mielli dhe jo helmi. Kjo bukë e helmuar ka vazhduar të gatuhet dhe piqet në disa forma, derisa dozat dhe llojet e helmit kanë mundësuar jo religjioni të mbetet opium domosdoshmërisht, por opiumi të bëhet religjion. Së këtejmi, në botë është rritur numri i banorëve të varur nga opiumi dhe narkomania ka përjetuar zhvillim në nivel global. Narkomanët, me konsumimin e drogave, kërkojnë gjendjet që nga dikush janë quajtur parajsa artificiale. Shpërfillja e dimensoneve metafizike të njeriut sjell vetminë e padurueshme të jetës dhe kjo vetmi duhet të shmanget me mjetet që ofrojnë shpërfillësit e këtyre dimensioneve. Racionalizmi filozofik modern shpirtin njerëzor e ka reduktuar në psikë, e psika mund të na çojë në Hënë dhe Mars por nuk mund të na çoj përtej religjionit si opium dhe opiumit si religjion. Nëse një njeri humbet jashtë planetit Tokë, a ka arsye të besojë se fara e tij do të mbijë sërish në tokë? Nëse një njeri thahet në Tokë nga etja, a ka arsye të besojë se shiu do t’i vijë nga jashtë tokës? Psika nuk mund të përcaktohet si diçka thjesht materiale apo shpirtërore, por ajo është një ndërmjetëse mes mishit dhe frymës që merr të njëjtin kuptim që ka religjioni: lidhjen. Kur psika të jetë bashkuar me shpirtin nga brendia e qenies kumbon akustika e fjalëve hyjnore se damarët e trupit të njeriut nuk meritojnë të ushqehen me opium për t’i ndryshuar gjendjet e vetëdijes kur “Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.” (50:16).

    Fatmir Muja
    2009
    Celesi i Parajses:Ska hyjni tjeter pervec Zotit, dhe se Jezusi dhe Muhamedi a.s jane profetet e Tij.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •