Tekfiri – Akuzimi i muslimanit për dezertim nga Islami.
Tekfiri – akuzimi i muslimanit për dezertim nga Islami
(Shpjegim akaidologjik i thënies së Imam A’dham Ebu Hanife r.a.)
- قَوْلُهُ : أَنْ لَا تُكَفِّرَ أَحَدًا مِنْ أَهْلِ الْقِبْلَةِ بِذَنْبٍ. وَ لَا تَنْفَي أَحَدًا مِنَ الْإِيمَان -ِ
Ebu Hanife r.a. ka thënë: “Të mos e akuzosh për dezertim nga Islami askënd prej ‘ehlu’l-kibles (muslimanëve)’ për shkak se e ka bërë një mëkat. Dhe as imanin mos ja moho (përgënjeshtro) askujt!”. [1]
Hyrje
Akti i njeriut që më së shumti urrehet te Allahu i Madhëruar është mosbesimi (kufri) ndaj Tij, përkatësisht mospranimi i Fesë Islame. Ai padyshim konsiderohet si vepra më e keqe dhe më e rëndë që njeriu mund ta bëjë në jetën e vet. Nga këtu tekfiri – akuzimi i muslimanit për mohim apo dezertim nga Islami, konsiston një kujdes të veçant dhe si i këtillë është me përgjegjësi të madhe dhe të rrezikshme.
Fakti se kjo dukuri ka filluar të reflektojë edhe edhe tek ne, njohja e përmbajtjes dhe e domethënies së tij (tekfirit) përbën një rëndësi dhe nevojë të vërtetë. Sepse, shpeshherë ai përdoret pa vend dhe paarsye, ngase nuk dihen pasojat dhe rreziqet e tij. Edhe pse ndoshta në të shumtën e rasteve plasohet pa qëllime të synuara, por edhe atëherë ai kërkon kujdes, nga që me veprat serioze siç është tekfiri, pakujdesia nuk pranon tolerancë.
Domethënia gjuhësore dhe terminologjike e nocionit tekfir
Shprehja tekfir është nocion i gjuhës arabe, përkatësisht infinitive i llojit të II-të të foljeve të prejardhura (المزيدات الثلاثي المزيد فيه) dhe rrjedh prej foljeve të rregullta. Koha e shkuar e nocionit tekfir bën (كفّر), koha e tashme dhe e ardhshme bën (يُكفّر) ndërsa infinitivi (تكفير) i cili nënkupton: akuzimin e një personi për mohim/mosbesim.
Pra, nga aspekti gjuhësor fjala tekfir gjenezën e ka te fjala ‘kufër’ apo te folja ‘kefere’ të llojit të parë të foljeve (الثلاثي المجرد), e që do të thotë: (غطي و ستر) – mbuloj, fsheh një gjë. Thuhet: (كفر الزارع البذر في الأرض إذا غطاه بالتراب) – bujku e ka mbuluar farën në tokë, d.m.th. kur e mbulon atë me dhe. [2] Njeriu që e posedon vetin e kufrit quhet kafir- mbulues, fshehes. Ky kuptim konsiston jobesimtarin i cili e mbulon të vërtetën (e besimit në Allahun) me jo të vërtetën (mosbesimin në Të).
Ndërsa në aspektin terminologjik nocioni tekfir apo ‘ikfar’ do të thotë: akuzë për mosbesim në adresë të një personi që ëshë musliman ose që pandehet për musliman, dhe ka lidhje me shkencën e akaidit, të kelamit si dhe drejtësinë islame (fikh).
Po qe se shkenca e kelamit e provon mohimin (kufrin, blasfemin), domethënë realizimin e aktit të daljes nga kuadri i besimit, drejtësia islame zbaton trajtimin material-fizik të personit që ka dalë nga feja (murtedd). Në këtë punim ne do ta trajtojmë çështjen në aspektin e akaidit e të kelamit. [3]
Poenta e tekfirit
Personi (muslimani) për të cilin vërtetohet tekfiri – dalja nga Feja Islame, çështja e tij i nënshtrohet dy procedurave:
- Të kësaj bote (دنيوي), e cila nënkupton shpalljen e vendimit për mohim ndaj një muslimani, e kjo domethënë se ai privohet nga të drejtat islame pasi paraprakisht të plotësohen kushtet sheriatike dhe të evitohen pengesat, sikurse është ofrimi i mundësisë që ai të ktheht sërish, sqarimi i atyre çështjeve (bazore) me argumente në të cilat ka rënë në mohim …, etj.. Nëse pendohet nga qëndrimet e tij, kthehet në shoqërinë islame me të gjitha të drejtat dhe detyrimet. Në të kundërtën ekzekutohet. [4]
E nëse kjo nuk mund të realizohet (zakonisht në vende ku sheriati nuk ka aplikim), atëherë atij as nuk i jepet selam e as nuk i kthehet, nuk ka mbrojtje për jetën e tij dhe pasurinë e tij, nuk mund të martohet me grua muslimane, apo nëse është i martuar shkurorizohet, nëse vdes në këtë gjendje nuk i lahet xhenazja, nuk i falet namazi i xhenazës, nuk varroset në varrezat e muslimanëve, nuk zbatohen parimet e trashigimisë ndërmjet tij dhe të afërmeve dhe dispozita të tjera, [5] dhe
- Të botës tjetër (أخروي) – atë të jetës së ahiretit, e cila nënkupton mbetjen përgjithmonë në zjarr të xhehennemit dhe pamundësinë për pjesëmarrje në shefaatin e Resulullahit a.s.. [6]
- ( وَمَن يَكْفُرْ بِالإِيمَانِ فَقَدْ حَبِطَ عَمَلُه ) -, “… E kush mohon (tradhton besimin), ai ka asgjësuar veprën e vetë …”, (Kur’ani, El-Maide: 5).
Fakti se që të dy procedurat tërheqin pasoja të rënda, pikërisht për këtë shkak sjellja e një vendimi të tillë ndaj një personi, apo akuza ndaj tij është padyshimn ndër çështjet më të ndieshme dhe delikate.
Historiku i çështjes
Është konstatim parimor se Resulullahi a.s. nuk i ka mohuar askujt besimin, i cili e ka deklaruar atë duke e shprehur maksimën e shehadetit dhe ka pranuar se është musliman. Ndonëse në kohën e tij dhe pas tij kanë ekzistuar brenda shoqërisë muslimane edhe të atillë të cilët pranimin e Islamit e kishin bërë vetëm deklarativisht, duke mos qenë fare besimtarë të vërtetë. [7] Për hipokrizinë e tyre, Pejgamberi a.s. ka pasur lajmërim hyjnor.
Krejt kjo që ai të ruhej prej tyre, e që me plotë të drejtë mund të thuhet se ai në parim ka qenë në dijeni për ta. Megjithatë ai (Pejgamberi a.s.) edhe pse ka mundur t’i demaskojë haptazi, ka zgjedhur heshtjen para akuzës. Ky qëndrim i Resulullahit a.s. ndërsa mund të tregojë rëndësinë dhe rrezikun që bartë tekfiri – akuza për mosbesim, po ashtu bartë mençurinë e thellë të tij që askend të mos e askuzojë për mosbesimtar në një kohë kur Feja Islame ende nuk i kishte forcuar radhët e veta, e për të cilën kishte mjaft shumë nevojë. Dijetarët këtë e kanë quajtur si “politikë të islamizimit”. Sepse, sikur tekfiri të gjente një përdorim brenda shoqërisë muslimane, me arsye apo pa të, pa dyshim do të shkaktohej kaos i brendshëm dhe i gjithë mundi do të orientohej për luftë ndaj ‘vetvetes’ me vetveten, për sa kohë që kjo duhet të bëhej me armiqtë e Islamit.
Mirëpo, Resulullahi a.s. i ka vënë në spikamë tiparet apo cilësitë, të cilat kushdo që i përvetëson ka rrëshqitë nga të qenurit ‘besimtarë’. Kjo është një metodë pedagogjike, sepse duke mos përcaktuar individë, mundësohet që secili të jetë vetllogaritës i vetvetës. Të kësaj natyre kemi mjaftë shumë hadithe. P.sh.: “Besimtari për gjatë kohës kur bënë amoralitet, ai nuk është besimtar, gjatë kohës kur ai pi alkool nuk është besimtar, për gjatë kohës kur vjedh, ai nuk është besimtar …”. [8] “Ndërmjet muslimanit dhe politeizmit e mohimit, është lërja e namazit”. [9] Pastaj, “Sharja e muslimanit është mëkat, ndërsa lufta kundër tij është mosbesim”, [10] etj..
Të gjithë dijetarët janë unikë se ideja e tekfirit në mënyrë legale dhe të hapur fillon me grupin e havarixhëve. Ky grup i dalë nga lufta vëllavrasëse e njohur si lufta e Siffinit (37 h./656 m.) ndërmjet halifit të katër Aliut r.a. dhe mëkëmbësit të Sirisë Muaviut, i pati akuzuar, si njërin ashtu edhe tjetrin për mohim. Sipas parimeve të këtij fraksioni çdo musliman që kryen një mëkat, i vogël qoftë ai apo i madh, konsiderohet se ka dalë nga Feja Islame dhe duhet llogaritur për mosbesimtar.
Nga ato kohëra në mënyrë të theksuar do të debatohet për pozitën e mëkatarit të madh (مرتكب الكبيرة), se nëse vdes pa u penduar, a përfundon përgjithmonë në xhehennem apo jo.
Edhe mu’tezila e cila historikisht vjen pas havarixhëve mban qëndrim të ‘padefinuar’ ndaj mëkatarit të madh. Sipas tyre ai është në një pozitë të ndërmjetme as besimtar e as kafirë (المنزلة بين المنزلتين).
Në këtë mënyrë, tekfiri, që nga shekujt e parë e këndej, do të mbetët një pikë referuese ndërmjet grupeve të ndryshme brenda shoqërisë muslimane. Kështu, mu’tezilët dhe esh’arinjtë e akuzojnë njëri tjetrin për mohim. [11] Ehlu’l-bid’ati, të ndarë në shumë fraksione, secili prej tyre i akuzon të tjerët për mohim. Selefijje i akuzonë filozofët islamë dhe ehlu’l-bid’atin (të gjithë të tjerët sipas tyre) për rrëshqitje nga e vërteta. Ehlus-sunneti vel’xhemaati (maturidinjtë dhe esh’arinjtë) të cilët mbajnë një qëndrim të mesëm, akuzën për mohim e kanë mjaft të shtrenjtë.
Krijoni Kontakt