“Asgjë të mirë s’kishin pasur shqiptarët duke i mbushur mendjen vetes se kishin qenë veç viktima”.
Për të tretën herë Ismail Kadare i rikthehet njërit prej librave të tij më të debatuar, një sprove letrare me një titull po aq nxitës: “Mosmarrëveshja”. Një libër për shqiptarët, mbi shqiptarët dhe raportin e tyre me veten dhe me të tjerët, të cilët janë o fqinjët ballkanas me po aq “vese”, sa edhe ata (ne) dhe Europa.
Kjo vepër, për të cilën autori thotë se është “botimi i tretë, përfundimtar”, i vjen lexuesit në këtë edicion të 15-të të Panairit të Librit, që mund të gjendet në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”.
“Mosmarrëveshja” është një skaner që autori i bën vendit dhe bashkëkombësve të vetë, duke e lexuar atë as më të mirë e as më të keq se fqinjët. Sipas Kadaresë, të konsideruarit e vetes si viktimë nuk u vlen shqiptarëve.
ISMAIL KADARE
Gadishulli i kishte përherë tre popujt kryesorë të tij, në një gjendje zemërimi apo gjysmë zemërimi të vazhdueshëm. Kishte stinë që dukej se mund të mirëkuptoheshin disi, por fill pas tyre, rendi i stinëve ballkanizohej aq fort, saqë nuk do të habitej askush në qoftë se pas dimrit të vinte prapë dimër e pas tij një dydimër (nëse gjuha do të na e lejonte këtë mbitheksim).
Europa ishte më pranë se kurrë dhe ballkanasit ndienin nevojën e ngutshme për përshtatje, ndaj vetes dhe ndaj saj. Shqiptarët, ndonëse mëtonin se e paskëshin zbuluar qyshkur të fshehtën, dhe se ai diamanti i tyre i pikëlluar, siç quhej, shpesh, vlera e harmonisë, mund të ndihte gjithkënd, e dinin ndërkaq se, ndryshe nga grekët dhe sllavët e jugut, ata nuk kishin as farefisni ortodokse e as sllave, kështu që vetvetiu e kishin më të lehtë gjetjen e nënës së munguar, që, duke qenë e dyta për të tjerët, mbetej e vetmja për ta.
Gjithmonë në kërkim të përshtatjes, qoftë në gadishull, qoftë në kontinent, bëhej pyetja se mos vallë, për t’u bërë të përshtatshëm për gjendjen e re, kombet do të duhej ta donin më pak vetveten? Me fjalë të tjera, të nxitej njëfarë shkombëtarizimi i tyre, njëfarë degreqizimi, për shembull, ose deshqiptarizimi, madje deserbizimi për hir të harmonisë?
Ndërkohë, Europa e Bashkuar ende vazhdonte të vetëpërcaktohej jo si grupim shtetesh, financash, ushtrish e ligjesh, por si Europë e kombeve, pra, në radhë të parë, si frymë europiane. Rrjedhimisht, meqenëse në këtë botë e në këtë njerëzim asnjë lloj “fryme” bashkuese nuk mund të përftohej si përjashtuese e dashurisë, çelësi i zgjidhjes së çështjes së raportit Europë e Bashkuar-Komb, nuk do të ishte që kombi të duhej (dashurohej) prej vetes së vet më pak, por të duhej më mirë, çka donte të thoshte më shëndetshëm. Shkurt, për të përdorur një përkim homofonik të përkryer të gjuhës shqipe të duhej siç duhej.
(Artikullin e plote e lexoni sot ne Panorama)
Krijoni Kontakt