Ngjarja është përshkruar kështu në pjesën e fundit të ajetit, "dhe derdhëm mbi ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur". Ka shumë mundësi që ky të ketë qenë një shpërthim vullkanik, i cili ndodhi në brigjet e Liqenit të Lutit. Materiali që shpërtheu ishte si "gurë prej balte të pjekur të gurëzuar". E njëjta ngjarje tregohet në ajetin 173 të sures Esh-Shuara: "Dhe Ne derdhëm mbi ta shi (gurësh për ndëshkim)."
Në lidhje me këtë temë, Werner Keller shkruan:
Nga brendësia u çliruan forca vullkanike që kishin rënë në qetësi shumë thellë përgjatë gjatësisë së thyerjes. Në luginën e sipërme të Jordanit, pranë Bashanit, akoma gjenden kratere të larta të vullkaneve të zhdukura. Shtresa të mëdha llave dhe bazalti janë depozituar në sipërfaqen e gurëve gëlqerorë.
Këto shtresa llave dhe bazalti përbëjnë një provë të qartë se një shpërthim vullkanik dhe një tërmet kanë ndodhur diku në këtë vend. Katastrofa e përshkruar në shprehjen "dhe derdhëm mbi ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur", në Kuran ka shumë mundësi t'i referohet këtij shpërthimi vullkanik. Shprehja "kur u erdhi urdhëri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit)", e cila gjendet në të njëjtin ajet, ka mundësi t'i referohet tërmetit, i cili bëri që vullkanet të shpërthejnë mbi sipërfaqen e tokës. Sidoqoftë vetëm Allahu e di të vërtetën.
"Shenjat e qarta" që shfaqen nga Liqeni i Lutit janë me të vërtetë shumë interesante. Në përgjithësi, ngjarjet që tregohen në Kuran ndodhin në Lindjen e Mesme, në Gadishullin Arabik dhe në Egjipt. Pikërisht në qendër të këtyre vendeve ndodhet Liqeni i Lutit. Ky liqen, ashtu si dhe ngjarjet që ndodhën rreth tij, meriton vëmendje të veçantë nga ana e studimeve gjeologjike. Liqeni është afërsisht 400 m nën sipërfaqen e Mesdheut. Meqenëse vendi më i thellë në liqen është 400 m, fundi i liqenit është 800 m nën sipërfaqen e Mesdheut. Kjo është pika më e ulët në tokë. Në sipërfaqet e tjera, të cilat janë më të ulta se niveli i detit, thellësia është maksimumi 100 m. Një tjetër veti e Liqenit të Lutit është se kripësia e ujit të tij ka dendësi shumë të lartë, afërsisht 30%. Si pasojë, asnjë organizëm i gjallë nuk mund të mbijetojë në këtë liqen. Kjo është arsyeja pse Liqeni i Lutit quhet Deti i Vdekur në literaturën perëndimore.
Ngjarja e populli të Lutit, e cila tregohet në Kuran, sipas vlerësimeve ka ndodhur rreth vitit 1800 p.e.s. I bazuar në kërkimet e tij arkeologjike dhe gjeologjike, studiuesi gjerman Werner Keller deklaroi se qytetet e Sodomit dhe Gomorrës ishin të vendosura në luginën e Sidimit, e cila shtrihej në zonën më të largët e më të ulët të Liqenit të Lutit. Këto qytete dikur ishin vende të mëdha dhe të banuara.
Struktura më interesante e liqenit të Lutit është një provë e qartë që tregon mënyrën si ka ndodhur ngjarja shkatërruese e treguar në Kuran:
Në bregun lindor të Detit të Vdekur, gadishulli El-Lisan duket si një gjuhë e futur thellë në ujë. El-Lisan në arabisht do të thotë gjuhë. Vendi bie këtu nën sipërfaqen e ujit në një kënd të çuditshëm, duke e ndarë detin në dy pjesë. Në të djathtë të gadishullit, toka bie thikë poshtë në një thellësi prej 1200 këmbësh. Në të majtë të gadishullit, uji është i dukshëm e i cekët. Matjet e bëra këto vitet e fundit konfirmojnë një thellësi prej 50-60 këmbësh. Ajo pjesë jashtëzakonisht e cekët e Detit të Vdekur, nga gadishulli El-Lisan deri në majën më jugore, ishte Lugina e Sidimit.
Fotografitë e Liqenit të Lutit të marra me satelit.
Krijoni Kontakt