nga avokate Jona Bica


• Pak histori mbi Statutet e Shkodrës.


Në veprën e dr. Milan Suflay theksohet se shqiptarët janë përpjekur për të bërë kodifikimin e ligjeve të tyre. Që në qindvjeçarin e trembëdhjetë në disa qytete të Shqipërisë gjendeshin zyra noteriale ku ruheshin shënime mbi rregullat dhe gjykimet e asaj kohe, prej nga mund të nxjerrim të dhëna mbi rrënjët e statuteve të qyteteve.
Ai shton se qytetarët e Durrësit kishin qenë të shtrënguar t`i fshihnin statutet e veta . Në fillim të periudhës së Venedikut (1398) u gjet nga një at Françeskan neni i 35 i një Statuti të shkruar mbi papir. Kjo vërteton ekzistencën në atë kohë të statuteve të shkruara në Shqipëri .
Në vitin 1907 përmendet ekzistenca e një statuti të Shkodrës nga studiuesi Leone Fontana, i cili gjendet sot në Museo Civico Correr Venezia . Statuti konsistonte në një dorëshkrim prej 40 fletësh, të shkruara në gjuhën veneto-veneciane. Ky dokument është unikal dhe pasqyron korpusin tërësor të statuteve të qytetit të Shkodrës në dhjetëvjeçarin e parë shekullit XIV. Ato janë hartuar sipas modeleve perëndimore të qyteteve të Italisë së asaj kohe, megjithëse atëherë Shqipëria ishte e pushtuar nga cari Stefan Dushani i Rashës.
Pas vdekjes së carit (1355) Shkodra kaloi nën sundimin e Balshajve, të cilët e shtrinë pushtetin e tyre deri në Vlorë e Berat.
Pas pushtimeve nga Venecia dhe më pas nga Turqia (1479), shkodranët e emigruar në Venecia morën me vete Statutet e qytetit të tyre. Statutet përmbajnë 268 krerë (nene) origjinale dhe 11 krerë të shtuar në vitet e mëvonshme. Rregullime mbi të drejtën e trashëgimisë, që është objekti i këtij punimi gjenden në nenet 183-198 të këtyre Statuteve.

1. Marrëdhëniet pasurore në familjen qytetare shkodrane të mesjetës.

Marrëdhëniet pasurore në familjen qytetare shkodrane të mesjetës rregullohen në mënyrë të detajuar në Statute. Edhe pse pozita e burrit në familje është më e favorshme nga ajo e gruas, vihet re se të drejtat e saj janë mjaft të gjera krahasuar të drejtat që ajo kishte në shtetin romak ku dominoi familja patriarkale dhe pushteti i paterfamilias-it mbi anëtarët e tjerë të familjes, krahasuar dhe me pozitën shoqërore mjaft të kufizuar të gruas të rregulluar sipas së drejtës zakonore shqiptare në Kanune. Kjo për shkak të zhvillimit ekonomik të qyteteve të mëdha shqiptare të asaj kohe ku zhvillohej tregtia, e cila mundësonte lidhjen me shtete të tjera evropiane të asaj kohe, gjë që për pasojë sillte dhe shkëmbimin e kulturave.
Familja qytetare Shkodrane na vjen përmes Statuteve si një familje që e ka kaluar procesin e evoluimit nga familja e madhe patriarkale drejt familjeve të veçanta sipas kurorave, proces i cili duket ende i largët përmes së drejtës paralele Kanunore.
Një shembull për këtë është rasti i çifteve që jetojnë pa prindërit dhe gjithshka që ata fitojnë së bashku konsiderohet e të dyve, d.m.th. secilit i takon gjysma e pasurisë dhe e borxheve . Në suksedimin e pasurisë mortis causa (për shkak të vdekjes) dallohet e drejta e gruas për të trashëguar dhe për të qenë lirisht trashëgimtare me testament.

•Sistemet e trashëgimisë sipas Statuteve të Shkodrës.

Ashtu si në të Drejtën Romake edhe në Statutet e Shkodrës njihej trashëgimia me ligj (statut) dhe ajo me testament. Trashëgimia ligjore zbatohej në rastin kur një person laik, ose një femër nuk kishte lënë testament si dhe, kur testamenti ishte i pavlefshëm.

•Objekti i trashëgimisë

Objekt i trashëgimisë janë aktivi dhe pasivi i trashëgimisë së prindërve. Neni 183 parashikon se nëse babai apo nëna e dikujt ka hyrë në borxhe të cilat nuk i ka shlyer dot kur ishte gjallë, i takon bijve ta shlyejnë borxhin në masën e vlerës së trashëguar e jo më shumë.


•Humbja e së drejtës për të trashëguar.

Fëmijët mund të përjashtoheshin nga trashëgimia në këto raste:

a) kur djali rrihte babanë, ose nënën;
b) kur babai dhe nëna qenë të vobektë dhe djali nuk i ushqente, megjithëse e kishte mundësinë për ta bërë.
c) kur vajza përfundonte në prostitutë, edhe pse prindërit kishin vdekur, vëllezërit kishin pushtetin ta përjashtonin motrën nga trashëgimia.
d) nëse prostituta nuk kishte baba, nënë, vëllezër të gjallë, por vetëm një motër që ishte e ndershme, kësaj të fundit i takonte dhe pjesa e motrës së përfolur.

-Burri nuk trashëgonte pajën e së shoqes që i kish vdekur, nëse ai dëshironte të merrte një grua të dytë. Pajën e së ndjerës duhet t`ia kthente familjes së saj.

•Trashëgimia testamentare

Në Statute shprehet qartë liria e një personi për të ndarë pasuritë e tij me testament sipas dëshirës tek i biri, madje dhe tek të huajt. Askush nuk ka të drejtë të kundërshtojë vullnetin e tij .
Shembull është rasti kur provohet se dikush ka tentuar të ndikojë në vullnetin e testament-lënësi gjatë hartimit të testamentit dhe në këtë rast personit që ka ndikuar nuk i jepet asgjë nga ato, që i janë lënë me testament. Por edhe sikur të mos ketë trashëguar asgjë me testament ai detyrohet t`i paguajë Kontit dhe paditësit një gjobë prej 8 hyperperë .

•Kushtet subjektive

Kushtet subjektive lidhen me subjektet që trashëgojnë dhe që janë trashëgimtarë.
Zotësia për të lënë testament është njëri prej këtyre kushteve që duhej të kishte personi i cili linte testament. Këtë zotësi djemtë e fitonin kur mbushnin moshën 14 vjeç, në rast të kundërt testamenti konsiderohej i pavlefshëm dhe pasuria e tij ndahej midis njerëzve të tij më të afërt. Vajza dhe femra në përgjithësi kishte të drejtë të lëshonte testament kur mbushte moshën 12 vjeçare.
Trashëgimtar mund të ishte çdo person pa dallim seksi apo moshe, i afërm apo person i huaj me testatorin.

•Llojet e testamentit.

1. Testamenti publik, që hartohej në prani të 2-3 dëshmitarëve dhe legalizohej nga noteri. Nëse noteri nuk ishte i pranishëm gjatë hartimit të tij, detyrimisht testamenti duhej legalizuar më pas nga noteri. Nëse noteri nuk pranonte ta legalizonte, testamenti duhej paraqitur tek gjykatësi dhe vulosur me vulën e Komunës. Gjykatësit ishin të autorizuar ta nënshkruanin dhe ta vulosnin testamentin, kundrejt betimit të të interesuarve.
Kur njëri prej dëshmitarëve prezent gjatë hartimit të testamentit ishte kumbari i testament-lënësi, ky i fundit nuk mund të trashëgonte më tepër se 3 hyperperë.
2. Lloj tjetër testamenti ishte ai privat, i shkruar nga testament-lënësi me dorën e vet pa praninë e dëshmitarëve, që ishte i vlefshëm vetëm nëse ia bënte të njohur zbatuesve të tij. Në këtë kategori përfshihej dhe testamenti i hartuar jashtë qytetit të Shkodrës, i cili i paraqitej tre dëshmitarëve të besuar, të huaj, ose shkodranë brenda tre muajsh kur testament-lënësi ndodhet brenda krahinës dhe brenda 1 viti, kur ndodhet jashtë saj. Testamenti sillej në qytet dhe legalizohej para gjykatësit brenda 8 ditëve.
3. Testamenti i njerëzve të fesë mund të lëshohej para se ata të hynin në një urdhër, ose deri në një vit pasi kishin hyrë në të. Ata humbnin çdo të drejtë mbi pasurinë e tundshme pas bërjes së betimit.
4. Testamenti i femrës që kishte fëmijë dhe gëzonte të drejtën të hiqte mënjanë për lutje të shpirtit të saj 1/5 e pasurisë, nëse këtë pasuri nuk ia kishte kaluar ndërkohë vajzës së saj. Përndryshe vetëm pasi u kishte caktuar djemve pjesën e tyre, mund të caktonte pjesën e mbetur për përshpirtjen e saj.
5. Testamenti i djalit të sëmurë rëndë, kur nëna dhe babai i tij ishin gjallë për aq sa këta të fundit e lejonin. Në rast se ai dispononte dhe me pasurinë e prindërve, ky testament mund të zbatohej vetëm pas vdekjes së tyre.

Nëse ekzistonin disa testamente të hartuara në këto mënyra, testamenti i fundit konsiderohej i vlefshëm.
•Trashëgimia me ligj.

Fare pak dispozita i kushtohen në Statute trashëgimisë ligjore.
Në rastin kur vajzat dhe djemtë hartonin një testament pa mbushur moshën, duke shkelur kështu kushtin thelbësor të zotësisë për të trashëguar, testamenti i tyre konsiderohej i pavlefshëm dhe pasuria do të ndahej midis njerëzve të tyre më të afërm.
Përsa i përket vajzës, që vdes pa lënë testament dhe e pamartuar, pasuritë e saj i mbeten njeriut më të afërm.
Në rastin e një personi laik, ose një femre që nuk kish lënë testament do të zbatohej një rend i caktuar trashëgimtarësh si më poshtë:
1. në radhën e parë trashëgonin bijtë e tij/saj;
2. në mungesë të këtyre më sipër trashëgonin ati, ose nëna;
3. vëllezërit, ose në mungesë të tyre djemtë e motrave;
4. xhaxhallarët dhe bijtë e xhaxhallarëve;
5. kushërinjtë, bijtë e kushërinjve dhe më pas trashëgimtarët e kushërinjve deri në shkallë të katërt;
6. pasuria e burrit i kalonte gruas dhe anasjelltas;
7. Komuna.











BIBLIOGRAFIA
1. KANUNI I LEKE DUKAGJINIT, Shtjefën Gjeçovi. Shtëpia botuese Kuvendi 99`
2. KANUNI I SKANDERBEGUT, Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Ilia. Editrice La Rosa, Milot 1993.
3. KANUNI I LEKE DUKAGJINIT, Varianti i Pukës, Tiranë,1996.
4. STATUTET E SHKODRES, Komiteti i pajtimit mbarëkombëtar, dhjetor 2003.
5. MARREDHENIET FAMILJARE, Aleks Luarasi, 2001.
6. SERBET DHE SHQIPTARËT. Dr. Milan Suflay.
7. MARREDHENIET JURIDIKE CIVILE NE KANUNIN E LEKE DUKAGJINIT, Dr. Syrja Pupovci, Prishtinë 1971.
8. KODI CIVIL I VITIT 1929.
9. HISTORIA E SHTETIT DHE SE DREJTES NE SHQIPERI, Aleks Luarasi 1997.
10. E DREJTA ROMAKE; Arta Mandro, Tiranë 1998.
11. ISTITUZIONI DI DIRITTO PRIVATO, Eduardo Voltera; La Sapienza Editrice-Roma
12. LA LEGGE DELLE XII TAVOLE: LA STORIA E LA TRADUZIONE DEL TESTO; http://www.filodiritto.com/diritto/r...volestoria.htm