1. Instituti i Trashëgimisë në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe atë të Skënderbeut.
Hyrje.
Në krahinat ku vepronin normat e së drejtës zakonore shqiptare, celula bazë e shoqërisë fisnore ishte familja patriarkale. Te iliro-shqiptarët familja patriarkale ka ekzistuar në shekuj, që nga epoka e bronzit kur lindi së pari familja monogame, deri në shek. e 20 pas Luftës së Dytë Botërore. Jetëgjatësia e familjes patriarkale te shqiptarët shpjegohet me vendin që ka zënë bujqësia dhe blegtoria në ekonominë e tyre dhe me kushtet e veçanta historike .
Në thelb familja e madhe patriarkale ishte një bashkim familjesh me lidhje gjaku nga babai. Personat e tjerë që mund të punonin si shërbëtorë, argatë, çobanë etj, ose ata që mund të jetonin përkohësisht nën kujdesin e saj nuk konsideroheshin asnjëherë si anëtarë të familjes, pavarësisht nga koha e qëndrimit, ose kontributit në ekonominë e saj.
Në këtë aspekt familja shqiptare dallohej qartë nga familja agnate romake. Ajo ngjante më tepër me familjen cognate romake, por pa të birësuarit . Familja patriarkale e organizuar sipas së drejtës zakonore shqiptare karakterizohej nga një ekonomi e përbashkët ku anëtarët e familjes nuk kishin të ardhura të veçanta. Burrat kishin pushtet mbi gratë e familjes, gjë që shprehej në faktin se ata ishin bashkëpronarë në pasurinë e familjes. Shprehje e pushtetit kolektiv të burrave ishte pushteti mbi të gjithë anëtarët e familjes i “zotit të shtëpisë”, figurë e ngjashme me paterfamilias-in në familjen romake.
E drejta zakonore vepronte në një shoqëri me lidhje të forta fisnore me një strukturë të thjeshtë ku qeliza bazë ishte familja, zgjerimi dhe ndarja e familjeve krijonte vëllazërinë dhe disa vëllazëri së bashku krijonin fisin. Brenda të njëjtit fshat jetonin fise të ndryshme, kështu ekzistonin edhe bashkësi të karakterit territorial si mëhalla, fshati, bajraku etj., ku mund të jetonin disa familje, vëllazëri, ose fise që nuk kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Për të treguar lidhjet e brezave nga babai Kanuni i Lekë Dukagjinit përdorte termin “lisi i gjakut” kurse për brezat nga nëna “lisi i tamblit”(i qumështit) .
Në kodin zakonor shqiptar çështja e përkatësisë së breznive është zgjidhur në dobi të së drejtës atërore sipas formulimit “Baba është fara dhe nëna është ara”. Për rrjedhojë fisi nga baba, ose “lisi i gjakut” përbën mbështetjen e të gjitha zgjidhjeve të tjera juridike, përfshirë këtu dhe të drejtën e trashëgimisë.
•Marrëdhëniet pasurore ndërmjet anëtarëve të familjes mesjetare shqiptare.
Për shkak të natyrës së familjes patriarkale, si një organizëm ekonomik dhe shoqëror si dhe për shkak të pozitës juridike të burrave dhe të grave, marrëdhëniet pasurore ndërmjet anëtarëve të familjes kishin sferë shumë të ngushtë veprimi.
Gjithë veprimtaria ekonomike e anëtarëve kryhej në kuadrin e familjes patriarkale ku pronësia mbi pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme i përkiste familjes në tërësi, të ardhurat dhe fitimet e anëtarëve nga puna, ose nga çdo veprimtari tjetër derdheshin në ekonominë e përbashkët.
Kështu që pasuria vetjake e anëtarëve të familjes zinte një vend të parëndësishëm, për rrjedhojë edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre ishin më të thjeshta. Sfera e pasurisë personale ishte e ngushtë dhe për shkak se instituti i trashëgimisë ishte i pazhvilluar. Kur vdiste një anëtar i familjes së madhe patriarkale nuk çelej trashëgimia dhe nuk ndahej pasuria, sepse si trashëgimlënësi dhe trashëgimtarët ishin brenda së njëjtës familje.
Gratë në shoqërinë patriarkale të veriut ishin të përjashtuara nga shoqëria edhe me qëllimin, që si shënon Gjeçovi “të mos dyndet nipnia me ngulë në pasuri të ungjit të dalë fare”
Në Kanunin e Lumës dhe të Skënderbeut ekzistonin dy institute që krijonin marrëdhënie pasurore ndërmjet anëtarëve të familjes patriarkale. Këto dy institute ishin “Mirazi” dhe “Selemi”.
•Koncepti i trashëgimisë në Kanun.
“Trashëgimi asht kalimi i pasunisë e i të drejtave që ka njeni te tjetri, zakonisht brenda gjakut, pa shpërblim, tue u ba zot malli i dyti si kje i pari” Ky përkufizim evidenton dhe veçoritë e këtij instituti. Kështu trashëgimia ishte një transmetim të drejtash brenda familjes cognate, me lidhje gjaku mes tyre, ku trashëgimtari bëhej titullar i të drejtave pasurore të trashëgimlënësit.
Përcaktimi “pa shpërblim” tregonte se transmetimi i të drejtave ishte një veprim i njëanshëm i trashëgimlënësit, që nuk kërkonte kundërveprimin e trashëgimtarit. Babai kishte për detyrë t’ia jepte pasurinë e vet djemve kur ata të ndaheshin nga familja e madhe, ose t`ua linte atyre pas vdekjes. Babai mundet ta përjashtonte nga pjesa e tij birin vetëm kur ky kryente faje të rënda, por kjo ishte vetëm një masë shtrëngimi e përkohshme, pasi pleqtë e fisit do t’i jepnin secilit bir atë çka i përkiste me kanun edhe pa dëshirën e babait, kur ky ndahet nga familja atërore, ose pas vdekjes së atit.
• E drejta e trashëgimisë sipas Kanunit.
Burimi i trashëgimit është babai. Kanuni njeh si trashëgimtarë djalin dhe jo vajzën. Djalin e pakurorë Kanuni nuk e njeh si trashëgimtar. Ata njihen si Trashëgimtarë të barabartë së bashku me përcaktimet e kanunit në disa të drejta të veçanta. Në moshën 15 vjeçare djali fiton të drejtën për të marrë pasurinë e trashëguar. Bijat dhe fëmijët e tyre nuk mund të trashëgojnë edhe sikur të mos ketë trashëgimtarë të tjerë meshkuj në fis.
Trashëgimia në mënyrë të tërthortë ndahet brenda një brezi në mënyrë të barabartë mes kushërinjve të brezit. Kur nuk ka breza të afërt trashëgimtarësh, trashëgimia kalon në brezin tjetër më të afërt në lidhje gjaku.
Trashëgimia në rastin kur i zoti i saj nuk ka fis, i kalon fisit tjetër që ka qenë më i afërt për trashëgimlënësin dhe kjo trashëgimi që merr fisi tjetër ndahet në mënyrë të barabartë në mbarë fisin trashëgimtar. Kanuni i Lekës parashikon dhe kufizimin për të mos trashëguar në fisin e një flamuri tjetër.
• Të drejtat e kushërinjve
-Në rastin kur një djalë mbetet jetim që në djep pa nënë, baba, vëllezër dhe motra, kushërinjtë janë të detyruar ta rrisin dhe t’ia ruajnë tokën. Ata nuk kanë të drejtë ta shesin as ta tjetërsojnë, por kanë të drejtë të marrin nga trashëgimia vlerën e punës së tyre, që nevojitet për mirëmbajtjen e pasurisë. Kur pasuria e të vdekurit mbetet në një familje që ka vetëm vajza, kushëriri më i afërt trashëgon pasurinë dhe ka detyrimin që t’i marr ato në shtëpinë e vet, të kujdeset e t’i martojë, t’i presë dhe përcjellë në shtëpinë e tij sipas kanunit.
• Bir e bijë për shpirt.
Bir në shpirt është një djalë jetim që merr zakonisht një burrë e një grua që s`kanë djalë në vatër, me të drejtë trashëgimi pas vdekjes së tyre.
Të vjetrit tregojnë se në Kurbin ka ndodhur që një shtëpi ka marrë djem të huaj bij në shpirt, të cilët i kanë martuar dhe i kanë ndarë pasuri dhe ata kanë krijuar fisin e tyre, që është bërë pjesëtar i mbështetur nga fisi dhe katundi.
Bijë në shpirt është një vajzë zakonisht jetime, që një shtëpi e merr për ta rritur e martuar si bijë të vetën. Biri në shpirt me të drejtë trashëgimi merret vetëm me pëlqimin e trashëgimtarëve, përndryshe trashëgimtarët e ligjshëm mund t`i marrin çdo pasuri mbas vdekjes së atij, që pa kanun e bëri bir për shpirt.
Ky institut mendohet se rrjedh nga instituti i ngjashëm i adrogatio-s në të Drejtën Romake, që konsistonte në adoptimin e një personi madhor.
•Barra e vrame
Barra e vrame nënkupton një fëmijë të konceptuar me burrin e parë, i cili ka lindur në shtëpinë e burrit të dytë të nënës, pasi ati i tij ka vdekur para se fëmija të lindte. Nëse barra e vrame është vajzë, kur të rritet ajo do të shkojë në shtëpinë e burrit nga ku nëna doli shtatzënë dhe në atë shtëpi do të rritet, të martohet, të hyjë e të dalë si në shtëpinë e vet. Nëse burri i dytë do të pranojë, ajo mund të rritet prej tij si fëmijë për shpirt.
Sa i përket djalit të konsideruar barrë e vrame, ai i ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet, që lindin nga trashëgimia si shtëpinë, pasurinë e gjakun e atit të kujtuar.
•Vllai i shpifun nuk ka të drejtë trashëgimie nga pasuria e burrit të parë të nënës.
• Trashëgimia me testament.
Kanunet nuk e njihnin institutin e testamentit.
Përjashtim bëhej vetëm kur dikush dëshironte të linte një pjesë nga pasuritë e veta “për shpirt” në favor të kishës. Kjo kërkonte detyrimisht pëlqimin e kushërinjve. Ai i cili donte të linte me testament diçka në favor të kishës, duhej të plotësonte në mënyrë kumulative këto kushte:
i. të ishte i shëndoshë mendërisht;
ii. të ishte i lirë për ta lënë atë;
iii. të mos ishte nën kërcënimin e askujt;
iv. të kishte të drejtën për të lënë pasurinë;
v. të kish pëlqimin e trashëgimtarëve të tjerë.
Të lanunat janë dy llojesh: me barrë dhe pa barrë.
Të lanunat me barrë (me detyrim) ishin ato, kur lënësi i caktonte kishës një detyrë. Për shembull: të thuheshin dy mesha në vit për shpirt të tij, ose të të parëve për pasurinë që po i linte.
Të lanunat pa barrë ishin ato, kur lënësi linte një pasuri për kishën pa i caktuar asaj asnjë detyrë në këmbim. Lënësi ishte i detyruar që të mblidhte kushërinjtë dhe pleqtë e fisit para 2 dëshmitarëve dhe për t`i dhënë fuqi lënies, të gjithë të pranishmit duhet të vendosnin shenjat e gishtit në letër, siç e kërkonte Kanuni.
nga Jona Bica - Avokate
Krijoni Kontakt